JETA DHE VEPRA E HALID EFENDIUT libër i autorit Fejzullah Arifi
Halid Efendiu u lind në një familje të devotshme fetare në Sllupçan, e cila i takon mëhallës së Palëve. Shtëpia ku ka lindur ka qenë modeste, sikurse gati të gjitha shtëpitë e fshatit, me përdhese dhe një kat sipër.Vendi i asaj shtëpie ekziston prapa mejtepit, i cili ka qenë i ndërtuar para Luftës së Dytë Botërore, i lënë vakëf nga vetë Halid Efendiu, të cilin objekt shteti e patë uzurpuar dhe përdorur për shumë qëllime tjera. Një kohë është shfrytëzuar si shkollë fillore gjatë Luftës së Dytë Botërore, në kohën e okupimit bullgar, poashtu edhe në kohën e ish-Jugosllavisë komuniste pas vitit 1945, por pas ndërtimit të shkollës së re në mes dy fshatrave, Sllupçan dhe Orizare në vitete 50’-ta, përpos dy klasave të ciklit të ulët, një pjesë e atij objekti deri në vitin 2001 është përdorur si zyrë ofiqarësh, kurse pjesa tjetër brenda një periudhe të caktuar është përdorur edhe si ambulancë. Aty ka qenë një kohë edhe zyra e Bashkësisë Lokale dhe Biblioteka “HalidEfendi”, kurse aktualisht, pas shkatërrimit të këtij objekti nga bombardimet e luftës së vitit 2001 është rindërtuar nga disa bamirës të Shkupit dhe shfrytëzohet sërish për disa klasa të ciklit të ulët. Shtëpinë e Halid Efendiut e kanë trashëguar dy djemtë e tij, kurse pas vdekjes së tyre, nipat ia kanë shitur familjarëve të tyre, ndërsa pronarët e rinj e kanë rrënuar për të ndërtuar një shtëpi të re në vendin e saj.
Meqë nuk kemi hasur në ndonjë dokument që konfirmon datën e saktë të lindjes dhe të vdekjes, jemi detyruar që të shërbehemi me metodën analitike-krahasuese të të hulumtuarit, për të ardhur deri te një datë më e saktë. Gjatë intervistave të bëra me disa persona më të moshuar në fshat, na jepen disa data të ndryshme të vdekjes së tij, si p.sh viti 1936, 1945 etj, por pas shumë hulumtimeve, kemi arritur deri te një dokument, gjegjësisht një lutje e djalit të tij, Mulla Sadikut, i cili e adreson deri te Ulema Mexhlisi në Shkup, ku kërkon të punësohet në xhaminë e Sllupçanit si imam i rregullt duke e potencuar në lutje se pas vdekjes së babait të tij, xhamia ka mbetur pa imam (dokumenti është i datës 18 prill 1933).
Mosha për të cilën flasin të intervistuarit se ka jetuar Halid Efendiu, është ndërmjet 75 dhe 80 vjet , që nënkupton se viti i lindjes mund të jetë ndërmjet vitit 1853-1858. Ishte djali i vetëm i Sulejmanit dhe i nënës Rukije, por ka pasur edhe dy motra. Sulejmani ka qenë djalë i Eminit, Emini ka qenë i Musës, kurse babai i Musës është quajtur Emin (Halid Efendiu mbiemrin e ka pasur Emini) .Xhaxhallarët e Halid Efendiut kanë qenë Musai, Ibrahimi dhe Elezi.
Për fëmijërinë e tij nuk kemi gjetur informacione të sakta e as që na kanë ofruar diçka të tillë të intervistuarit tanë, sepse ne kemi arritur t’i intervistojmë disa persona që nuk kanë qenë të lindur më herët se viti 1929. Gjithashtu të gjitha dokumentet e tij personale, siç janë certifikata e lindjes, certifikata e vdekjes dhe certifikata e kurorëzimit të tij, prindërve dhe fëmijëve të tij, janë të zhdukur prej librit amë, me të vetmen arsye, se nga shteti sllavo-komunist janë trajtuar si familje e rrezikshme antikomuniste dhe antirevolucionare. Në të vërtetë, pas Luftës së Dytë Botërore kur është bërë ripërshkrimi i Librit Amë, me qëllim që t’i humbin gjurmët e djalit të tij Mulla Sadikut, si figurë antikomuniste i cili edhe ishte i likuiduar nga shteti në vitin 1948, janë fshirë nga regjistrat ai dhe e gjithë familja e tij, përfshirë edhe të dhënat e Halid Efendiut.
Diskutim rreth këtij postimi