Kështu, gjatë vitit 1941 në Londër arrinin raporte të shpeshta të cilat flisnin se shqiptarët ndërmerrnin aksione të ndryshme kundër forcave okupuese fashiste. Gjatë po këtij viti në Foreing Office (Ministrinë e Jashtme të B. së Madhe) nisën të arrinin letra të shumta nga personalitetet e shumta të cilat sugjeronin qeverinë e këtij vendi se do të duhej të bëhej të paktën një deklaratë nga e cila do të inkurajoheshin shqiptarët. Mirëpo, qeveria e Lartmadhërisë së Tij nuk ndërmori ndonjë veprim të vetëm që t’i kënaqte sadopak ata që i shkruanin. Gjatë po të njëjtit vit (1941) ishte e hetueshme edhe një formë e presionit e cila i bëhej Londrës për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe të sovranit të saj, Mbretit Zog. Por Londra nuk u nënshtrohej këtyre formave të trysnisë dhe nuk e përfillte dot asnjërën nga këto dy kërkesa.
Mirëpo, sipas dokumenteve të Foreign Office-s, duket se çështja e pavarësisë së Shqipërisë nga ana e qeverisë së Britanisë së Madhe nisi të lëvizë diku nga muaji tetor i vitit 1941. Kryesuesi i Departamentit Jugor, zoti Pierr Dikson, më 9 tetor të vitit 1941 deklaron: “Gjatë kësaj kohe është plotësisht e pamundshme të vendoset se a do të jetë e këshillueshme që të krijohet një Shqipëri e pavarur ose jo, dhe se a do të ketë rëndësi parimi etnik në fund të kësaj lufte”.
Raporti i Diksonit tutje përshkruhet nga pasiguritë e shumta të cilat i imponuan faktorët e ndryshëm në raport me këtë çështje, kështu që ai i preferon qeverisë britanike që lidhur me këtë çështje të mos ngatërrohet me qeveritë e Greqisë dhe të Jugosllavisë.
Mirëpo, kur ministri i jashtëm britanik, zoti Entoni Idën, nga fundi i vitit 1941 vizitoi Moskën, atëherë çështja e pavarësisë së Shqipërisë sikur nisi të qartësohet. Traktati anglo-sovjetik përfundoi në Londër më 26 maj të vitit 1942 me rastin e vizitës që i bëri Molotovi kryeqendrës së Mbretërisë së Bashkuar. Pika kyçe rreth së cilës u morën vesh këto dy shtete ishte “pakti njëzetvjeçar për ndihma reciproke, por i cili tekst linte jashtë çfarëdo përmendjeje problemet rreth kufijve territorial”. Por, më e rëndësishmja për shqiptarët nga ky takim i nivelit të lartë ishte fakti se njëra ndër pikat e traktatit të lartpërmendur Shqipërinë e shihte si shtet të pavarur.
Bazë tjetër që siguronte një lëvizje më të shpejtë dhe më të sigurt drejt njohjes së shtetit shqiptar ishte edhe Karta e Atlantikut e gushtit të vitit 1941 nga e cila rezultonte edhe deklarata e Uashingtonit e 26 vendeve e 1 janarit të vitit 1942. Këto dokumente të rëndësishme premtonin vetëvendosjen dhe rivendosjen e sovranitetit për ato vende që ishin okupuar me forcë. Në bazë të kësaj, Abisinisë i qe kthyer pavarësia. Mirëpo, përkundër këtyre dokumenteve, qeveria e Britanisë së Madhe manifestonte shqetësimet e saj në rastin e Shqipërisë, duke konsideruar se çështja e saj ishte një rast fare tjetër dhe mjaft i koklavitur.
Gjatë vitit 1942 Diksoni bëri edhe një raport i cili u miratua edhe nga Sër Aleksandër Kadogan, raport ky i cili në një masë të konsiderueshme frenoi aspiratat gllabëruese të Greqisë dhe të Jugosllavisë ndaj territoreve shqiptare. Raporti i Diksonit i vitit 1942 përbëhej nga 5 pika. Me to parashihej që qeveria e Lartmadhërisë së Tij duhej të dilte me një deklaratë publike në lidhje me ardhmërinë e Shqipërisë. Kjo deklaratë duhej bërë në Parlament (në formë pyetje përgjigje), me ç’rast do të manifestoheshin simpatitë për fatin e shqiptarëve si viktima të fashizmit italian. Këtu, gjithashtu duhej deklaruar edhe për formën e regjimit dhe për qeverinë shqiptare, si një çështje për të cilën do të vendoste vetë populli shqiptar pas përfundimit të luftës. Po ashtu theksohej se, para se të nxirrej kjo deklaratë, do të duhej informuar qeverinë greke dhe atë jugosllave, ndërsa pas nxjerrjes së saj do të duhej informuar për këtë edhe Mbretin Zog, por në atë mënyrë që ky këtë mos ta kuptojë si një përkrahje të drejtpërdrejtë për kthimin e tij në fronin e Shqipërisë, por që, nga ana tjetër, të mos kuptohet as si kundërshtim i një gjëje të tillë, në mënyrë që çështja e tij të mbetet si një çështje e hapur deri atëherë kur ai të paraqitet vetë para popullit shqiptar, pra pas përfundimit të luftës. Po ashtu, raporti i Diksonit parashihte që, nëpërmjet Bi-Bi-Si-së, të ushtrohej një propagandë e cila do t’u epte zemër lëvizjeve dhe rezistencës së shqiptarëve kundër italianëve.
2) Pas lëvizjeve dinamike që u bënë në botë, e cila pothuaj e tëra ishte përfshirë në luftë dhe pas lëvizjeve të rezistencës që bëheshin në Shqipëri, veçmas duke pasur parasysh situatën në Ballkan, më 13 dhjetor të vitit 1942 qeveria britanike proklamoi njohjen e pavarësisë së Shqipërisë. Madje u bë me dije se kjo njohje u bë në pajtim të plotë me forcat aleate të luftës. Tri ditë më parë (10 dhjetor 19420) sekretari amerikan i shtetit, zoti Kardell Hall, i premtoi popullit shqiptar ndihmën e SHBA-ve në luftën e tij për çlirim kundër okupatorit italian.
Më 17 dhjetor të vitit 1942 ministri i jashtëm i Britanisë, z. EntoniIdën, në dhomën e komunave të Parlamentit të këtij shteti doli me këtë deklaratë: “Format e regjimit dhe të qeverismit që do të paraqiten në Shqipëri do të jenë çështje për të cilat populli shqiptar do të vendosë në fund të luftës, ndërsa çështja e kufijve të shtetit shqiptar do të jetë çështje e cila do të trajtohet në Konferencën e Paqes”.
Më 18 dhjetor të këtij viti pavarësinë e Shqipërisë do ta njoh Bashkimi Sovjetik. Kjo situatë e porsakrijuar kishte rëndësi kardinale jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për dy fqinje e saj: Jugosllavinë dhe Greqinë. Por, edhe pse çështja e kufijve të Shqipërisë të vitit 1941 ishte e paqartë, megjithatë një gjë u sqarua plotësisht. Njohja e pavarësisë së Shqipërisë sikur i hodhi poshtë aspiratat e fqinjëve të pangopshëm të cilat i manifestonin madje edhe ndaj territorit të cilin Shqipëria e kishte brenda kufijve të vetë deri në vitin 1939.
3) Para dhe pas njohjes së pavarësisë së shtetit shqiptar, Foreign Office iu drejtua grupeve të ekspertëve për çështjet ballkanike, nëpër universitet e Britanisë së Madhe që me studime më të thukëta të elaborohej problemi shqiptar. Kështu u bënë harta dhe variacione të ndryshme mbi mundësitë optimale të ekzistimit dhe të prosperimit të Shqipërisë, posaçërisht pas situatave që do të pasojnë pas përfundimit të luftës në Ballkan dhe më gjerë.
Më poshtë mund të vërehen disa aksente nga një dokument i këtillë i punuar për FO-në nga ekspertët e shquar për çështje ballkanike në Universitetin e Baliolit.
Në këtë dokument parashihej që, pas përfundimit të armiqësive, Shqipëria të dalë si shtet i pavarur, mirëpo supozohej se mund të lindnin vështirësi për shkak të specifikave në regjion. Andaj, edhe sugjerohej se për këtë arsye do të ketë nevojë që ky shtet të udhëhiqet dhe të kontrollohet nga “Këshilltarët e huaj”. Gjithashtu, parashihej se Shqipëria mund të hyjë në bashkësinë e shteteve sovrane ballkanike ose mund ta refuzojë këtë bashkësi e cila ishte paraparë me marrëveshjen Greko-Jugosllave të 15 janarit të vitit 1942. Shqipëria, e cila, duke hyrë në union me Mbretërinë italiane e kishte humbur pavarësinë, sipas ekspertëve në fjalë, pas lufte do të duhej ta fillojë sendërtimin e saj nën mandatin e një apo dy superfuqive të pa interesuara për këtë vend. Për këtë gjë u propozuan Britania e Madhe ose SHBA-të, ose që të dyja këto së bashku. Punimet tjera paraqisnin harta të ndryshme të shtetit shqiptar, por nuk jepnin të kuptohej se çfarë do të jetë definitive para Konferencës së Paqes e cila, siç dihej, do të pasonte fill pas luftës. Gjithashtu, theksohej se në të ardhmen asnjë federatë apo konfederatë ballkanike nuk do të ketë sukses pa përfshirjen e Shqipërisë në të, duke pasur parasysh, në radhë të parë, rëndësinë vitale të Shqipërisë për mbrojtjen e Ballkanit nga agresioni eventual që mund t’i bëhej dhe se ky vend, sipas ekspertëve të Baliolit, paraqet “portën kryesore” për hyrje në gadishull.
Në “pretendimet territoriale të fqinjëve” në mënyrë të gjerë dhe objektive, ekspertët e Universitetit Baliol prezantojnë qëndrimet e shteteve përreth Shqipërisë. Sa u përket qëndrimeve jugosllave dhe greke, sipas këtyre ekspertëve, del se këto dy shtete angazhohen që Shqipëria të kthehet në suazat e kufijve të vitit 1939, madje duke mos fshehur pretendimet e tyre territoriale edhe për pjesë nga territoret brenda këtyre kufijve.
Vihej në pah se italianët e kishin përfituar simpatinë e shqiptarëve duke e kthyer pjesën më të madhe të territorit shqiptar që në dy konferencat e mëparshme (atë të Londrës dhe të Versajit) kishte mbetur nën Jugosllavinë. Thuhej se “është shumë e mundur që Jugosllavia pas lufte ta kërkojë jo vetëm kthimin e Kosovës dhe pjesës tjetër shqiptare, por si shtesë të kësaj edhe Shkodrën si dhe Luginën e Drinit”.
Ndërsa, në lidhje me Greqinë, thuhej se pretendimet territoriale të saj ndaj Shqipërisë ishin më vokale se sa ato të jugosllavëve. Bëhej e ditur se në Greqi ekziston një numër i konsiderueshëm i banorëve me prejardhje shqiptare.
Krijimi i një Shqipërie të fortë dhe të pavarur nga këto dy shtete fqinje shihej si rrezik i drejtpërdrejtë për to. Një Shqipëri e dobët, konsideronin udhëheqësit e këtyre shteteve, do ta tërhiqte vëmendjen e shteteve e ndonjë fuqie të madhe, apo më shumë syresh të cilat mund të paraqiten edhe si mbrojtëse të interesave të saj. Këto, përpos aspiratave territoriale ndaj Shqipërisë, ishin arsye të tjera, të forta, që i cytnin Greqinë dhe Jugosllavinë të angazhoheshin kundër çfarëdo forme të ekzistimit të këtij vendi.
Nga ana tjetër, Italia përshkruhej si shtet politika e të cilit në mënyrë të veçantë ishte çdo herë e orientuar nga Shqipëria. Gjithashtu, bëhej me dije për rrezikun nga komunizmi rus i cili me permanencë orvatej të gjejë ndonjë dalje strategjike në Adriatik. Por, mbi të gjitha, në këto elaborate të ekspertëve britanikë theksohej se “dëshira e shqiptarëve është integruese, pra për një shtet etnik, përkundër dallimeve dezintegruese që janë prezentë në mesin e tyre”, me ç’rast apostrofohej veçanërisht religjioni si faktor dezintegrues.
4. Nga fundi i vitit 1943 në Shqipëri arrijnë tre oficerë të BLO-së (Oficerë Britanik të Ndërlidhjes). Këta ishin majori Billi Meklin, kapiteni Dejvid Samjlli dhe togeri Gari Daf. Gjatë të njëjtit vit dhe gjatë vitit 1944, numri i oficerëve të ndërlidhjes shtohej në vazhdimësi. Madje, njëri ndër këta oficerë, i cili në Shqipëri do të arrijë më vonë, Regjinal Hibert, në ditarin e tij të cilin më vonë e shfrytëzoi për botimin e librit të tij “Fitorja e hidhur:, në të cilin, lidhur me çështjen e Kosovës mes të tjerash shkruan:”… Askush nga pala britanike në atë kohë nuk duket të ketë qenë i ndjeshëm për natyrën me thepa të çështjes së Kosovës, madje as ta ketë vështruar si një çështje që duhej marrë parasysh. Në fakt, gjatë luftës ajo do të provohej se do të ishte një çështje themelore, ndërsa ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë, një pengesë e madhe për rezistencën e efektshme kundër gjermanëve, dhe një truall diplomatik i paqëndrueshëm për të gjithë të jashtmit që u përpoqën të luajnë një lojë atje. Në vitet e para të luftës u nënvleftësua nacionalizmi shqiptar dhe domethënia e tij në raport me Jugosllavinë”.
I njëjti, në lidhje me ndjenjat dhe disponimin e shqiptarëve, e në veçanti në lidhje me komunistët, shkruan: “… Brenda Shqipërisë, madje edhe PK-së, të cilën shumica e shqiptarëve jokomunistë e shihnin si dorë të fshehtë të sllavëve dhe që është krijuar me ndihmën e Jugosllavisë, ushqenin shpresën se parimi i vetëvendosjes do të respektohej nga partitë komuniste të Ballkanit dhe se atëherë Kosova do të bashkohet përgjithnjë me Shqipërinë, dhe se të gjithë shqiptarët më në fund do të bashkohen… PKSH e pa veten të detyruar që më 1943 dhe 1944 të pranojë që parimi i vetëvendosjes nuk do të zbatohej në Kosovë dhe në zonën e Dibrës”.
Siç raportonin oficerët britanikë, në fillim të gushtit (1 dhe 2 gusht të vitit 1943) në Mukje u mbajt një mbledhje shumë me rëndësi dhe, siç flasin edhe dokumentet, madje fshehtas edhe nga këta oficerë. Në këtë mbledhje krerët shqiptarë kanë rënë në dakord që të formohej një komitet për shpëtimin e Shqipërisë në të cilin Nacionalçlirimtarja dhe Balli Kombëtar do të përfaqësoheshin së bashku. Përfaqsuesit e Nacionalçlirimtares u pajtuan gati plotësisht me propozimin e Ballit Kombëtar se duhet bërë një luftë për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë etnike, por evidentohej se Nacionalçlirimtarja kishte një propozim që, natyrisht pas përfundimit të luftës, të organizohej plebishiti për Kosovën. Por, sikur u pa më vonë, për një vendim të tillë NÇ-ja u qortua rreptë nga ana e komunistëve jugosllavë dhe së shpejti Komiteti qendror i PKSH-së hodhi poshtë këtë vendim që doli nga ajo e cila më vonë njihej me emrin Marrëveshja e Mukjes, e madje u urdhërua që të ndërpritet çdo bashkëpunim me Ballin Kombëtar. Oficerët britanikë 8 gushtin e konsideronin si datë të fillimit të luftës qytetare të Shqipërisë, pra luftës ndërmjet shqiptarëve komunistë dhe atyre nacionalistë, apo, siç e shprehnin ata edhe ndryshe, ndërmjet jugut dhe veriut.
Oficerët në fjalë, përpos ndërlidhjes që bënin ndërmjet forcave të cilat luftonin kundër okupatorit dhe shtabit aleat, gjegjësisht Ministria e Luftës e Britanisë së Madhe, filluan të interesoheshin edhe për kufijt brenda të cilëve gjendej Shqipëria. Oficerët britanikë, zakonisht për mungesë të hartave dhe të statistikës së banorëve të “territoreve të aneksuara”- siç i quanin ata këto toka shqiptare. Në bazë të të dhënave që u ishin ofruar, ata kishin hartuar ca harta që do t’u hynin në shërbim gjatë punës së tyre. Sipas atyre hartave, numri i banorëve në ato territore sillej diku prej 500.000 deri në 1.000.000 banorë. Porse, gjithsesi, e kishin parasysh se edhe me këtë rast një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve kishte ngelur edhe jashtë kufijve që ishin formuar gjatë luftës. Me këtë oficerët kishin parasysh territorin e Shkupit, Kumanovës, Preshevës, Bujanocit, territore këto që i mbante nën okupim Bullgaria.
Në arkivin e Ministrisë Britanike të Luftës, në Londër, ruhet e përkthyer në tërësi vepra e HamitKokalarit “Historyof Kosova”, e cila në shqip qe botuar nën titullin “Kosova djep i shqiptarizmit” si “antitezë e suksesshme e asaj “Kosova djep i serbizmit”, në të cilën në mënyrë të denjë dhe të drejtë bëhet fjalë për kufijt etnikë të Shqipërisë.
Më 1941 ndarja e kufijve të Shqipërisë u bë ashtu që kësaj iu shtuan disa rrethe (Baseni i Drinit të Zi, nga Dibra deri në Liqenin e Ohrit, ku përfshihej Struga, Lugina e Epërme e Vardarit deri te Tetova, Rafshi i Dukagjinit me hapësirën në Lindje të Prishtinës deri në Vrajë, afërsisht deri në veri të Vushtrrisë, regjioni i Plavës dhe Gusisë, një pjesë jo aq e madhe e Fushës së Podgoricës dhe regjioni i Ulqinit me pjesën e Adriatikut). Ky revizionim i kufijve, të thuash i kënaqi kërkesat e shqiptarëve, pra ato kërkesa të cilat këta i kishin parashtruar që më 1919, përveç disave që kishin të bënin me pjesën veriore të liqenit të Shkodrës dhe liqenit të Ohrit me rrethinë. Kjo gjithashtu bëri një drejtësi të përafërme nga aspekti etnik, përpos asaj shtrirjes të Shqipërisë në verilindje të vijes Prishtinë-Shkup e cila ndoshta nuk kënaqi në këtë drejtim.
Sipas raporteve të oficerëve britanikë, në pjesët veriore të Shqipërisë dominonin nacionalistët, andaj dhe lëvizjet komuniste dhe prokomuniste nuk kishin ndonjë sukses të hetueshëm siç kishin në pjesët jugore të vendit. Meklin dhe Emeri (autor i librit “Bijt e Shqipes”) u dërguan pikërisht në veri të Shqipërisë, me qëllim që t’i nxitnin kreun nacionalist dhe bajraktarët që të angazhoheshin në luftë kundër okupatorit. Në një raport të hartuar nga Dejvid Smajlli bëhej me dije për shtimin e rezistencës që ishte bërë në Shqipëri gjatë vitit 1943 gjë që paraqitej sukses i drejtpërdrejtë i formimit të LNÇ-së në Konferencën e Pezës një vit më parë (1942), si dhe formimit të Ballit Kombëtar i cili si parullë kishte “Shqipërinë-shqiptarëve”, si dhe paraqitej hyrja e gjermanëve në Shqipëri pas kapitulimit të Italisë. Gjithashtu, paraqitej edhe largimi i nacionalistëve nga Këshilli i LNÇ-së me ç’rast përjashtim bënin AbasKupi, Myslim Peza dhe Babë Faja. Por më vonë largohet edhe Abas Kupi i cili në vjeshtë të vitit 1943 formon partinë zogiste, si dhe vendimi i LN-së që vije në pah pas tetorit të vitit 1943, me të cilin parashihej eliminimi i Ballit Kombëtar.
Në takimet që kishte patur më vonë Xhulien Emeri me Abas Kupin për ta bindur këtë që të luftojë kundër gjermanëve, Kupi, përveç kërkesave të tjera që i kishte parashtruar, ishte edhe ajo që Shqipëria të përfshihej në Kombet e Bashkuara dhe të sigurohej vetëvendosja për Kosovën dhe territoret e jugut të cilat mund t’i pretendonte Greqia. Në lidhje me mosplotësimin e kërkesave të Kupit, sipas dokumenteve, britanikët kishin dronë se udhëheqësi i Partisë Zogiste të Shqipërisë mund të ecte rrugës së Mihajloviqit. Kërkesa të ngjashme kishte edhe Balli Kombëtar.
Gjatë vitit 1943, britanikët filluan t’i qasen më me seriozitet çështjes së Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare që i qenë bashkangjitur Shqipërisë. Por, duke patur parasysh gjendjen e përgjithshme dhe aspiratat e popullit shqiptar, ata kishin bërë një hartë që ia dërguan Ministrisë së Luftës në Londër. Pothuaj në çdo dokument Kosova dhe Dibra (me të cilin emër përfshiheshin territoret shqiptare të Maqedonisë) paraqiten si territore të banuara në mënyrë dominante me shqiptarë dhe se kufijtë prezentë pak a shumë janë në raport me kufijtë etnikë. Sipas britanikëve, e tërë ajo që mund të thuhej në lidhje me këta kufij është element i fortë etnografik dhe përcaktim po ashtu i fortë i shqiptarëve, jo vetëm për të ushtruar influencë brenda këtyre kufijve, por edhe për t’i mbrojtur.
Çështja e Kosovës ishte e rëndësisë vitale për shqiptarët si nga pikëpamja etnografike dhe ajo ekonomike, kështu që pas kolapsit italian Shqipërisë iu desh të orientohej nga Kosova për furnizim me drithëra. Duke patur shumë fakte parasysh, edhe gjermanët njohën kufinjt e mëparshëm. Andaj, ishte fare e qartë se çështja e këtyre territoreve ishte e një rëndësie të jashtëzakonshme dhe kërkonte që vendimet për to të merreshin para se të vinte koha e konferencës së paqes, atëherë, siç ndodhte rëndom, formohej komisioni i kufijve apo edhe caktohej plebishiti. Oficerët britanikë shënonin se palët (shqiptarët dhe jugosllavët) janë thellësisht të interesuar për këto territore dhe se është plotësisht e mundur që të dyja palët të marrin vendime në vete ose me veprim të përcjellur me forcë, ose me modus vivendi. Sidoqoftë, oficerët e misionit ushtarak britanik ishin të pajtimit se territoret në fjalë, në situatën e tanishme, gjithsesi duheshin të administroheshin nga shqiptarët dhe se “… do të ishte jopraktike dhe punë jo e mençur që të menjanohet administrata shqiptare dhe në vend të saj të substituohet ajo jugosllave”. Kështu mendohej gjatë gjithë vitit 1944, edhe pse kufijtë e shtetit shqiptar me fqinjtë, siç ishin Mali i Zi, Serbia e Bullgaria, ishin të paqartë për arsye se forcat e ndryshme kalonin në territoret e njera-tjetrës dhe vendosnin pushtet të përkohshëm. Por, për t’u ikur komplikimeve me autoritetet shqiptare, mendohej se Shqipëria duhet të përfshijë edhe Kosovën, por natyrisht pa bërë prejuridikime të vetëvendosjes së kufijve para Konferencës së Paqes.
6.) Gjatë vitit 1944 shënohet një dendësi në marrëdhëniet e partizanëve shqiptarë dhe të atyre jugosllavë, apo në mes të Enver Hoxhës dhe të Titos – siç thonë misionarët anglezë. Nga ana tjetër vërehej një ftohje evidente ndërmjet Nacionalçlirimtares dhe misionit ushtarak britanik dhe atij amerikan i cili sapo kishte arritur në Shqipëri. Britanikët lajmëronin se një mision ushtarak jugosllav i përbërë nga 6 anëtarë dhe i kryesuar nga Velimir Stojniq ishte infiltruar në Shqipëri më 29 gusht 1944.
Kjo i shtyri britanikët që me seriozitet t’u qasen marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave të asaj periudhe. Në raport të tyre, në mënyrë kronologjike, duke filluar nga viti 1941 u vunë në pah sulmet e pareshtura të serbëve dhe të malazezëve në kufirin verior të Shqipërisë, duke apostrofuar këtu sulmet e dimrit të vitit 1941 që ishin bërë në kufi me Serbinë, gjegjësisht rreth Serbisë, Novi Pazarit dhe Sjenicës. Në janar të vitit 1943 çetnikët e Gjurishiqit dhe Mihaloviqit invaduan në Kosovë duke shkatërruar fshatra dhe duke masakruar popullatën e rrethit të Bihorit dhe të Rozhajës. Shifrat që mbështeten në të dhënat e burimeve shqiptare tregojnë për 4626 të vrarë e të plagosur dhe 200 gra dhe vajza të përdhunuara. Bëhej e ditur se italianët, duke mos interevenuar, ushqenin edhe më shumë ndjenjën antiitaliane te shqiptarët.
Veprimet e partizanëve të Ballkanit që ishin bërë në fillim të luftës, në Moskë u cilësuan si tejet nacionale, kështu që, së andejmi, arriti një direktivë për të gjitha partitë komuniste të këtij gadishulli në jug të Evropës, që t’i shtypin ndjenjat nacionaliste, veçanërisht brenda radhëve të tyre. Sipas britanikëve, kjo ndikoi që në Pezë, në shtator të vitit 1942, të bëhej ndërlidhja e dendur e marrëdhënieve ndërmjet partive komuniste të Shqipërisë, Greqisë dhe Jugosllavisë. Pas kësaj ngjarjeje, në Kosovë gjatë vitit 1943 u formua një organizatë komuniste e cila i ipte llogari Titos, qëllimi i së cilës ishte t’i shtypte ndjenjat antiserbe ndër shqiptarët e këtushëm të cilët përbënin shumicën absolute në regjion. Në janar të vitit 1944 në Kolgecaj u mbajt një kongres në të cilin morën pjesë 52 delegatë, duke përfshirë këtu edhe serbët dhe malazezët, si dhe dy deputetë të ish-parlametit jugosllav.
7.) Marrëdhëniet ndërmjet Enver Hoxhës dhe Titos gjatë vitit 1944 morën formën e qartë. Gjatë po këtij viti, Kosova e okupuar nga gjermanët sulmohej nga të gjitha anët. Është e rëndësishme të theksohet se partizanët e Titos e sulmonin Kosovën në bashkëveprim me çetnikët, siç ishte rasti i sulmeve në rrethinën e Gjilanit. Theksohej se lufta që bënin partizanët jugosllavë dhe çetnikët ishte e motivuar thjeshtë nga qëllimet nacionaliste. Megjithatë, partizanët shqiptarë i besonin komunikatës së Titos, të shpallur më 4 dhjetor të vitit 1943, kur kishte deklaruar se: “… e ardhmja e Kosovës do të vendoset me plebishit dhe kufijtë e Shqipërisë do të rregullohen në favor të Shqipërisë”.
Ardhja e misionit ushtarak sovjetik në Shqipëri edhe më shumë i ftohi shpresat e britanikëve për zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë. Ambasada e Mbretërisë së Greqisë në Londër, në një telegram të adresuar te Foreign Office, njofton mbi arritjen e ndihmave në Shqipëri nga BRSS-ja dhe Jugosllavia. Sipas grekëve ndihmat që arritën në Durrës, Vlorë, Srandë dhe Librazhd ishin ndihma në grurë, misër dhe armatim të kalibrave të ndryshëm.
Gjatë fillimit të vitit 1945 brigadieri Hoxhson raportonte se kishte mjaft indikacione që administrata prezentë e Shqipërisë ishte e gatshme t’i bashkohej federatës jugosllave dhe se bëheshin plane për fillimin e mësimit të gjuhës serbokroate nëpër shkollat e Shqipërisë, duke madhëruar personalitetin e Titos. Por, vihej re se shumica e shqiptarëve do të jenë kundër një federate të tillë, ku do të ketë opozitë edhe brenda FNÇ-së, sidomos në pjesët veriore të Shqipërisë ku droja nga sllavët është më e shprehur.
Intervista e Enver Hoxhës dhënë “Borbës” së Beogradit më 21 prill të vitit 1945 i sqaron të thuash të gjitha enigmat në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë.
Në një telegram tjetër të dërguar më 5 korrik nga Beogradi në Foreign Office, shkurtimisht jepet përgjigjja e dr. Ivan Subashiqit në pyetjen e një oficeri britanik në lidhje me federatën shqiptaro-jugosllave. Subashiqi ishte përgjigjur se ende, në disa qarqe të brendshme të të dy partive komuniste, qarkullon një skemë e tillë dhe se ishin duke u zhvilluar disa bisedime të rëndësisë minore, që kishin të bënin me tokat e mbetura në të dy anët e kufirit.
Në një telegram tjetër që mban datën 9 mars 1945, ipet biseda e brigadierit Hoxhson me Omer Nishanin, i cili mbante pozitën e Ministrit të Jashtëm në administratën e Enver Hoxhës dhe i cili kishte deklaruar se Shqipëria nuk e ka mendjen t’i bashkëngjitet federatës me Jugosllavinë, por, sipas Nishanit, një federatë ballkanike do të ishte e mirëseardhur për shqiptarët.
Ideja për federatën shqiptaro-jugosllave dhe atë ballkanike nuk u realizua për shumë arsye. Idetë e tilla mbetën vetëm në iniciativë dhe si plane të parealizuara. Ndërsa, sa i përket çështjes së kufijve veriorë të Shqipërisë, kjo as që u trajtua në Konferencën e Paqes që u organizua pas mbarimit të luftës. Madje, qeveritarët komunistë shqiptarë u ballafaquan edhe me problemin e pjesëmarrjes në këtë konferencë.
Diskutim rreth këtij postimi