Dervish Mitrovica lindi rreth vitit 1885-1890 në Pazar të Ri në një familje të njohur për bujari, trimëri, dashuri për atdheun, gjuhën shqipe, arsimin etj. U shkollua në gjuhën turke. Pas shkollimit fillor, vazhdoi shkollën ushtarake, duke arritur madje edhe gradën e majorit. Pak kohë ka punuar si oficer në kazermën ushtarake në Mitrovicë, ku u shqua për përgatitje të lartë profesionale, disiplinë dhe atdhedashuri. Ishte njëri ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të Heroit tonë Kombëtar Isa Boletini, prandaj, si shumë të tjerë, në cilësinë e delegatit, e shoqëroi atë deri në Vlorë, për të marrë pjesë në Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ditën e parë në Kuvendin e Vlorës, i cili u hap më 28 Nëntor 1912, morën pjesë këta delegatë nga Kosova: Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Mit’hat Frashëri dhe Salih Gjuka, kurse të nesërmen mbërritën edhe rreth 400 kosovarë të tjerë të prirë nga Isa Boletini, në mesin e të cilëve vlen të përmendim këto personalitete nga Mitrovica, Shala e Bajgorës, Llapi, Drenica, Podguri etj., si: Dervish Mitrovica, Mehmet Pashë Deralla, Hajdin Draga , Tafil Boletini, Hasan Hysen Budakova, Zenel Begolli, Halim Musë Bajgora, Riza Beg Gjakova, Vehbi Dibra, Hys Ferati i familjes së Ahmet Delisë me vendbanim në Mitrovicë, Ahmet Ali Llapi, Shaban Kopriva, Halit e Hamit Ahmeti, vëllezër nga Syrigona, Bislim Radisheva, Avdullah Gradica, Deli Lisica, Din Uka nga Zhabari i Epërm, Beshir Çabra, Lec Gradica, Rexhep Boletini, Halim Gradica (vëllai i Lecit), Hazir Radisheva, Isuf Hajrizi, Isuf Bardhoshi, Azem Lah Hajrizi, Shefqet Draga, Nurë Hajrizi nga Kotorri, Misin Bala nga Isniqi, Sak e Sadri Fazlija, Can Selmani, Halil Isa Boletini, Mujë Isa Boletini e shumë të tjerë.
Të vetmit këta delegatë nga Kosova ishin me mandat të rregullt sepse i kishin zgjedhur populli i kësaj krahine. Edhe disa delegatë tjerë, si: Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Sait Hoxha, Idriz Seferi etj., nuk patën mundësi që të marrin pjesë në Kuvendin e Vlorës për shkak se forcat serbe i kishin zënë në Shkup dhe i kishin burgosur në kështjellën e Kalemegdanit në Beograd. Kështu, në mesin e atyre që hodhën firmat e tyre në aktin e Pavarësisë ishin edhe Bedri Pejani, Mit’hat Frashëri nga Frashëri, delegat i Kosovës, Rexhep Mitrovica dhe Sali Gjuka. Pjesëmarrja e këtyre atdhetarëve të shquar në ngritjen e flamurit dhe në aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912, ishte një ngushëllim i vogël pas gjithë atij helmi të madh që u derdh në zemrat e tyre me pushtimin e Kosovës nga ushtria serbe.
Pas Shpalljes së Pavarësisë Dervish Mitrovica u kthye në Mitrovicën e robëruar dhe vazhdoi të merret me tregti. Ai e ngriti zërin kundër politikës serbe, kundër dhunës e terrorit që ushtronte pushteti serb mbi shqiptarët me qëllim që t’i detyrojë të shpërngulen nga vatrat e tyre stërgjyshore. Kundërshtoi edhe hapjen e shkollave serbe si dhe programet e tyre që përshkoheshin nga fryma e nacionalizmit serbomadh. Hapur u sugjeronte shqiptarëve që të kërkojnë shkolla në gjuhën amtare, i këshillonte që t’i bojkotojnë shkollat serbe, të cilat, si thoshte ai, kontribuojnë më shumë në shkombëtarizim sesa që ofrojnë edukatë dhe njohuri të mirëfilltë. Përpjekjet e tij për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe edhe pse nuk dhanë asnjë rezultat, artikulonin vullnetin e popullit të tij për ta kultivuar gjuhën dhe kulturën kombëtare. Ai shprehej hapur se shkollimi fillor në gjuhën serbe për shqiptarët ishte formalisht i detyrueshëm, ndërsa qëllimi i parë dhe i fundit i pushtetit serb ishte shpërngulja e shqiptarëve, pastrimi etnik i Kosovës dhe kolonizimi i saj me serbë e malazezë.
Në korrik të vitit 1914, filloi Lufta e Parë Botërore. Planet për shfarosjen e shqiptarëve dhe pastrimin etnik të Kosovës i pezulloi për një kohë ushtria austro-hungareze, e cila më 24 nëntor 1915, pushtoi këto vise, duke krijuar kështu një realitet të ri. Mitrovica me rrethinën e saj, bashkë me Vushtrrinë, Skenderajn, Pejën, Istogun, Gjakovën etj. i takonin zonës së okupuar Austro-Hungareze deri në tetor të vitit 1918, kur përfundoi Lufta e Parë Botërore. Mitrovica ishte një nga rrethet që në periudhën e sundimit Austro-Hungarez (1915-1918), e para formoi administratën, organizoi gjyqet dhe hapi shkollat në gjuhën shqipe. Gjatë periudhës së LPB (1915-1918) Dervish Mitrovica ishte emëruar kryetar i shtatë komunave që aso kohe kishte rrethi i Mitrovicës. Ai, duke e njohur mirë mikun e tij, Tafil Boletinin, i cili i takonte derës patriotike të Isa Boletinit, njeri i shkolluar e pjesëmarrës në aktin e Shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, insistoi që të zgjidhet nënkryetar i rrethit. Të dy bashkëpunuan ngushtë deri në tetor të vitit 1918, kur forcat franceze e serbe e ripushtuan Kosovën. Gjatë kohës sa ishte prefekt, forcat serbe vazhdimisht sulmonin kufirin verior të Kosovës me qëllim që ta rrëzojnë administratën shqiptare, të destabilizojnë vendin dhe të rrezikojë popullatën e fshatrave përgjatë kufirit. Për këtë arsye ai shtroi nevojën e organizimit të forcave të armatosura mbrojtëse. Kontributi i Dervish Mitrovicës dhe Tafil Boleinit në këtë drejtim ka qenë mjaft i madh. Ata njihnin hallet dhe i kuptonin shqetësimet e popullit, prandaj i qëndronin gjithnjë pranë. Dervish Mitrovica si ish oficer i xhandarmërisë turke, në vitin 1916, ka kundërshtuar rekrutimin e vullnetarëve nga radhët e shqiptarëve dhe boshnjakëve në luftën e Galicisë. Për këtë arsye ai mori pjesë në disa tubime që u organizuan në atë kohë në Polac të Drenicës, në Kçiq të Madh, në Zhabar etj.
Së bashku me Hasan Prishtinën, Rexhep Mitrovicën, Nexhip e Ferat Dragën, Tafil Boletinin etj. u angazhua me tërë qenien për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. Kështu, shqiptarët e zonës perëndimore, nën pushtimin e Austro-Hungarisë, të cilët udhëhiqeshin nga personalitete të shquara si: Hasan Prishtina, Dervish Mitrovica, Tafil Boletini, Rexhep Mitrovica, Nexhip Draga, Ibrahim Deva e të tjerë, shfrytëzuan të drejtën për hapjen e shkollave në gjuhën amtare, për organizimin e administratës, kultivimin e kulturës së tyre etj. Për herë të parë u lejua hapja e shkollave në gjuhën amtare, përdorimi i flamurit, organizimi i administratës në gjuhën shqipe, ndërsa u ndërpre dhuna e terrori serb, vrasjet, shpërnguljet e mobilizimi me dhunë. Ndihmesë të madhe në këtë drejtim kanë dhënë mësuesit shqiptarë të përgatitur në Shkollën Normale të Elbasanit. Gjatë periudhës së Luftës së Parë Botërore në Mitrovicë dhe në disa fshatra përreth janë hapur disa shkolla në gjuhën shqipe. Organizata Arsimore “Bashkimi”, të cilën e kishin themeluar Hasan Prishtina e Nexhip Draga, në vitin 1916, bëri një punë të madhe e të lavdërueshme në hapjen e disa shkollave shqipe katërklasëshe, si: në Mitrovicë, në Zhabar, në Broboniq, në Koshtovë, në Kçiq dhe në Vllahi.
Hapja e këtyre shkollave bëhej në mënyrë solemne. Në fjalimet e patriotëve, si Hasan Prishtina, Rexhep Mitrovica, Dervish Mitrovica, Nexhip Draga etj., theksohej nevoja e hapjes së sa më shumë shkollave në gjuhën shqipe. Sipas tyre, vetëm arsimimi i popullit do të sjellë zgjim kombëtar dhe do të forcojë frontin e çlirimit kundër pushtuesve. Shkollat shqipe që u hapën në këtë kohë, kanë qenë thellësisht popullore, sepse ishin të lidhura ngushtë me fatin e popullit. Këtë e dëshmon edhe intelektuali i shquar nga ky mjedis, Rexhep Mitrovica, në një letër që i dërgon Mit’hat Frashërit në fund të Luftës së Parë Botërore . Ato zunë vend nderi në luftën e madhe që bënte populli ynë për çlirim kombëtar dhe për arsimimin në frymën kombëtare.
Në vitin 1917, u mbajt Kongresi i Arsimtarëve të Kosovës për zgjerimin e shkollave shqipe. Më pas u formua edhe Lidhja Kulturore e Mësuesve Kosovarë, e cila u bashkua me Shoqatën Kulturore e arsimore “Besa Kombëtare” me qendër në Gjakovë. Po në këtë vit u hapën dy kurse për mësues në Mitrovicë dhe në Pejë.
Në shkollën shqipe në Mitrovicë, e cila u hap në vitin 1916, jepnin mësim: Tefik Efendi Ismajli nga Prizreni, i lindur më 1895, Hysen Efendi Hyseini i lindur më 1893 në Prishtinë, drejtor shkolle, Sadullah Hasani (1888), hoxhë nga Mitrovica, si dhe tre-katër oficerë nga Dalmacia (Zara), të cilët dinin gjuhën shqipe. Në një raport të Komandës së rrethit të datës 22.IX.1916, jepen emrat e mësuesve të qendrës shkollore Schulort në Mitrovicë. Në raportin mujor të referentit të shkollës, Nikolaus Popoviq, jepen emrat e këtyre mësuesve: Josef Meszaros, Luka Iliasheviq, Viktor Penza, arsimtar i gjermanishtes, Paul Nopen, Hysen Hyseini, drejtor, Viktor Kasuto, Gani Ibrahimi, Sadullah Hasani dhe Shefqet Haliti, mësues i muzikës . Hapja e shkollave katërklasëshe në Mitrovicë, Koshtovë, Zhabar, Vllahi, Kçiç, Broboniq etj. ka qenë me rëndësi të posaçme historike, sepse për herë të parë fëmijët shqiptarë e mësonin alfabetin e gjuhës shqipe. Periudha prej vitit 1915-1918 shkolla në gjuhën shqipe dha personalitete të rëndësishme arsimore, si: Shaban Idrizin, Jusuf Rexhën, Hajrullah Haxhiun etj.
Dervish Mitrovica dhe Tafil Boletini morën pjesë në Këshillin për pajtimin e gjaqeve, duke kontribuar kështu në shërimin e kësaj plage të rëndë. Falë angazhimit të tyre, popullata e këtij mjedisi e kaloi më lehtë situatën e Luftës së Parë Botërore. Ata shpesh ranë në kundërshtim me autoritetet austriake që bënin konfiskimin e gjësë së gjallë, nuk u pajtuan asnjëherë me mënyrën e rekrutimit të të rinjve shqiptarë, të cilët dërgoheshin në fronte të ndryshme, si në frontin e Kaukazit në luftën ruso-turke etj., ku bëheshin mish për top për interesat e huaja
Pas ripushtimit të Kosovës, Dervish Mitrovica dhe disa atdhetarë tjerë u detyruan të emigrojnë në Shqipëri e gjetiu. Dervish Mitrovica qëndroi në Shkodër e në Tiranë deri në fund të vitit 1924. Atje ra në kontakt me atdhetarë të shquar, si: Hoxhë Kadri Prishtina, Bajram Curri, Avni Rrustemi, Niman Ferizi, Mustafa Kruja, Luigj Gurakuqi, Ali Këlcyra, Qazim Koculi, Sejfi Vllamasi, Rexhep Mitrovica, Mustafa Maksuti etj., duke u bërë një ndër anëtarët më të devotshëm të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” (1918). Ai në këtë kohë pati një afri e miqësi të ngushtë me Giovanni Baldaccin, vëllanë e studiuesit të shquar, shkrimtarit e publicistit italian, Antonio Baldacin (1867-1950), i cili në vitin 1933 ka shkruar librin “Studi Speciali Albanesi”. Gjatë Luftës së Dytë Botërore Giovanni Baldacci ka qëndruar në Shkodër, ndërsa që nga marsi 1921 e deri në shtator 1923, ka kaluar në Tiranë e Shkodër, ku ka qenë i lidhur ngushtë me Dervish Mitrovicën. Në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën në mars të vitit 1922, Dervish Mitrovica ishte zgjedhur anëtar i Asamblesë Kushtetuese për Prefekturën e Kosovës. Kështu, ai fitoi si deputet i Prefekturës së Kosovës në Parlamentin shqiptar bashkë me përkrahësit e Bajram Currit, si: Niman Ferizin, Hoxhë Kadri Prishtinën, dr. Fahri Gjilanin dhe Avni Rrustemin. Duke qenë se në kohën e Perandorisë Osmane kishte kryer shkollën për oficer dhe ishte përgatitur si ushtarak, major Dervish Mitrovica shërbeu si qarkkomandant i xhandarmërisë shqiptare në Shkodër në Qeverinë e Fan S. Nolit (1924). Ai mbante një miqësi të ngushtë me Mustafa Krujën, i cili në qeverinë e Nolit ishte zgjedhur prefekt i Shkodrës.
Në fillim të vitit 1925, pas ardhjes në pushtet të Ahmet Zogut, Dervish Mitrovica së bashku me atdhetarë të shquar, si: Luigj Gurakuqin, Shuk Gurakuqin, Hasan Prishtinën, Xhemal Bushatin, Mustafa Krujën, Angjelin Sumën, Mustafa Maksutin, major i ushtrisë shqiptare, etj., morën rrugën e emigracionit. Kështu, me një vapor italian nga Shëngjini udhëtuan për në Durrës, pastaj në Vlorë e prej andej kaluan në Brindisi të Italisë.’U vendosën në Bari, ku formuan një Komitet, i cili, sipas tyre, do të ketë për qëllim që, në radhë të parë, të mbrojë të drejtat e popullit shqiptar dhe të Shqipërisë, që po rrezikoheshin nga fqinjët dhe nga disa shqiptarë të papërgjegjshëm. Në një mbledhje që u mbajt në hotelin “Internacional” e ku fjalën kryesore e pati Fan Noli, ishin të pranishëm edhe Sejfi Vllamasi, Qazim Koculi, Mustafa Kruja, Luigj Gurakuqi, Ali Këlcyra, Dervish Mitrovica e shumë të tjerë.
Fjalimi i Hasan Prishtinës, ish kryeministër, gjatë ceremonisë së varrimit të Luigj Gurakuqit (2 mars 1925), ku ishte i pranishëm edhe Dervish Mitrovica. “Lamtumirë o mik i madh, o ndera e kombit tonë. Fli i qetë Gurakuq, se shpagën tande do ta marrim dhe lulzimin e përparimin e Shqipnisë do ta realizojmë.”
“Humbja e Gurakuqit është një humbje shumë e madhe, një humbje e paharrueshme jo vetëm për Shqipërinë e pavarshme, por edhe për ata shqiptarë që patën fatin e zi të mbesin jashtë kufinit të Shqipnisë së sotme dhe, që sado tue vuejtë nën grushtin e të huajve, interesohen për fatin e saj, sa edhe ata që janë nën hijen e flamurit kombëtar”.
Më 2 mars 1925, Dervish Mitrovica mori pjesë në varrimin e Luigj Gurakuqit, i cili u vra nga dora tradhtare në Bari t’Italisë. Ai, bashkë me Hasan Prishtinën dhe shumë të tjerë, si: studentët e Shën´Mitër Koronës, mikun i tij Kel Marubin, vëllezërit Kondi, Angjelin Sumën, Gjergj Gurakuqin (vëllanë e Luigjit), Nush Bushatin, familjen e Bajram Currit, argjipeshkvin Ndre Mjeda, studentët shqiptarë në Romë, shqiptarët e Borgo – Erizzos, familjen Guraziu, Mustafa Krujën, Konstandin Kottjen, Filip Boriçin, familjen Kamsi, Lazër Fundon, vëllezërit Dani, Cin Shirokën etj., vunë kurora lulesh mbi varrin e patriotit, demokratit e poetit Luigj Gurakuqi. Fjalën e fundit mbi varrin e Luigjit e mbajti Hasan Prishtina, mik i ngushtë i Dervish Mitrovicës dhe Luigj Gurakuqit .
Në mesin e vitit 1925, Dervish Mitrovica kaloi në Zarë, qytet i njohur në Dalmaci për tradita arbëreshe, ku vepronte një komitet revolucionar i shqiptarëve të ikur nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Një rol shumë të rëndësishëm atje kanë luajtur: Hysni Curri, Hasan Prishtina, Niman Ferizi dhe Dervish Mitrovica. Këtu jetonte e vepronte edhe intelektuali i shquar Mustafa Merlika – Kruja, i cili në një vend ishte shprehur kështu: “Jemi nji ushtri intelektuale e shpartallueme, për gabimet e fajet t’ona individuale e kolektive, edhe e pazonja me i ramë në te se, si grup – se parti s’ishim, e kishim bjerrë luftën definitivisht e pa farë mundsije me e çue kryet ma përpjetë”. I biri i Dervish Mitrovicës, Xhelali, i cili po mbaronte gjimnazin me rezultate të larta, e admironte shumë intelektualin e shquar, Mustafa Merlikën, që asaj kohe merrej intensivisht edhe me çështje gjuhësie, ishte duke përgatitur veprën monumentale të tij “Fjaluer kritik i Gjuhës Shqipe” me rreth 30.000 fjalë.
Ai, ndonëse shumë më i ri në moshë, gjendej shpesh në shoqërinë jo vetëm me të, por edhe me atdhetarë tjerë të shquar që jetonin e vepronin në Zarë, si: Hysni Curri, Hasan Prishtina, Niman Ferizi, Mustafa Kruja etj., të cilët ishin miq të ngushtë të babait të tij. Duke filluar nga vjeshta e vitit 1925 e deri në pranverë të vitit 1926, Hasan Prishtina me të shoqen, Igballen, si dhe anëtarët e përfaqësuesit e Komitetit revolucionar: Dervish Mitrovicën, Hysni Currin etj., zhvilluan një aktivitet të dendur patriotik e politik në Zarë. Edhe prej andej, me protesta e shkrime të ndryshme, me peticione e memorandume njoftonin vazhdimisht Lidhjen e Kombeve dhe sekretarin e përgjithshëm të saj, E. Dramond, për gjendjen shumë të rëndë të shqiptarëve në Kosovë.
Dervish Mitrovica vdiq më 24 shkurt 1935, në Zarë , duke lënë pas vetes katër fëmijë: dy djem (Xhelalin e Muharremin) dhe dy vajza (Kimeten e Myrveten). Kimete Mitrovica – Basha, vajza Xhelal Mitrovicës, e cila jeton në Bruksel, në intervistën dhënë gazetës “The Jurnal” të Brukselit, deklaron se gjyshi i saj, Dervish Mitrovica, ka vdekur në Gjenevë të Zvicrës në vitin 1935. Ajo, midis tjerash, thotë: “Dervish Mitrovica ishte një burrë shteti i respektuar, i cili i shërbeu Kosovës e Shqipërisë që nga koha e paraluftës e deri në vdekje në ekzil – Gjenevë, 1935”). U varros në Shkodër, sipas amanetit që kishte lënë. Për të shkroi gjerësisht në artikullin “Nji tjetër dëshmuem: Dervish Mitrovica” miku i tij i ngushtë, Mustafa Kruja, i cili aso kohe u ndodh në Konstancë. Vdekjen e tij e kishte qarë me lot syri e zemre, duke e konsideruar si humbje për popullin shqiptar, edhe mësuesi i devotshëm, Niman Ferizi (1883) nga Gjakova, i cili u vra nga dora e zezë antikombëtare në Zarë të Dalmacisë më 6 korrik 1937.
Diskutim rreth këtij postimi