Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në datën 18 shtator 2023, pas bisedimeve në Bruksel me presidentin e Serbisë Vuçiç, të ndërmjetësuara nga i dërguari i posaçëm i BE Lajçak, deklaroi në konferencë shtypi se “Më 14 shtator pati njё pozicionim tё qartё tё ndërmjetësit kundër Kosovës nё përgjithësi dhe kundër Marrëveshjes Bazike në veçanti. Kështu, ata kanë shkuar shumë larg me goditjen e të ardhmes së Kosovës. Në situatën në të cilën jemi, vlerësoj që nuk mund të shtrembërohem në gjykimin tim me asnjë hedhje e hirit syve. Ose do e zbatojmë Marrëveshjen Bazike në tërësinë, në plotninë e saj, ose nuk mund të zbatojmë vetëm ato që do Serbia. Andaj, kjo duhet diskutuar me Bashkimin Evropian për emisarin evropian. Kjo mënyrë aspak neutrale dhe korrekte e ndërmjetësimit”.
Kemi një qëndrim zyrtar të kryeministrit të Republikës së Kosovës, i cili refuzon zyrtarisht veprimet e njëanëshme dhe të papranueshme të ndërmjetësuesit ndërkombëtar Lajcak, i cili jo vetëm favorizon Serbinë në dialog, por edhe arrin deri në atë gradë të filoserbizmit sa që shtrembëron dokumenta dhe fakte diplomatike, sikur të ishte anëtar i delegacionit zyrtar të Serbisë. Ky deformacion konkret i Lajçakut, në shkelje të mandatit të BE dhe të OKB për ndërmjetësimin në dialogun Kosovë-Serbi, e nxjerrë atë automatikisht jashtë loje si arbitër dhe ndërmjetësues ndërkombëtar. Manipulimet banale të Lajçakur për të paraqitur në bisedimet propozimet e vjetra rivendikuese serbe dhe interesat e Serbisë si propozime të BE janë një intrigë diplomatike bizantine, që fyen misionin ndërmjetësues të BE, si dhe vetë emrin e BE. Skualifikimi zyrtar i arbitrit të BE nga njera palë e ndeshjes do të mjaftonte që ndërmjetësuesi ndërkombëtar Lajçak të tërhiqej menjëherë nga posti i tij dhe të jepte dorëheqjen e parevokueshme, nëse dëshiron të jetë në përputhje me normat, rregullat dhe praktikën ndërkombëtare të ndërmjetësimit, dhe nëse ka vërtet integritet diplomatik, profesional dhe moral. Logjika më e thjeshtë kërkon dorëheqjen nga ai post, kur nuk gëzon besimin e të dy palëve, sepse kokë ngjeshja për të ndejtur në atë post don të thotë se ai ndërmjetës punon për dështimin e bisedimeve midis dy palëve.
Të gjitha manualet diplomatike ndërkombëtare për procesin e ndërmjetësimit ndërkombëtar paraqesin si kusht “sine qua non” besimin që duhet të gëzojë ndërmjetësi ndërkombëtar te të dy palët në konflikt dhe i referohen thënies së poetit skocez George Macdonalds, që theksonte “të jesh i besuar është kompliment më i madh se sa të jesh i dashuruar”. Manuali i njohur diplomatik “Udhëzime të etikës për ndërmjetësuesit” nënvizon se “Një ndërmjetësues duhet të dorëhiqet nga procesi i ndërmjetësimit nëse nuk është i aftë të mbetet i paanëshëm”. Edhe manuai i OKB i viti 2010 “Manual për ndërmjetësuesit: Këshilla nga përfaqësuesit dhe të dërguarit e posaçëm të OKB” thekson kushtin e paanshmërisë së ndërmjetësuesit dhe detyrën e tij për dorëheqje nëse nuk e ruan atë paanshmëri. Historia dhe kronika diplomatike janë të mbushura me shembuj të shumtë që tregojnë se ndërmjetësues ndërkombëtarë janë tërhequr menjëherë nga posti, kur njera palë e konfliktit ka shprehur mosbesim dhe refuzim ndaj ndërmjetësuesit. Ka ndodhur shpesh sidomos me diplomacinë e nivelit të lartë të OKB, e cila ka një praktikë të gjatë dhe të pasur të ndërmjetësimit ndërkombëtar.
Në vitin 2015 i dërguari i posaçëm i OKB për Liqenet e Mëdha në Afrikë dhe ndërmjetësues i OKB për konfliktin politik në Burundi, diplomati Said Djinnit, dha dorëheqjen kur njera palë e konfliktit e akuzoi atë për paragjykime dhe anshmëri në favor të palës tjetër Të japësh dorëheqjen nga posti i ndërmjetësuesit, kur të refuzon njëra ose tjetra palë e konfliktit, do të thotë në radhë të parë të kesh integritet diplomatik, profesional dhe moral. Duket se këto cilësi ekzistenciale i mungojnë ndërmjetësuesit të BE Lajçak, përderisa jo vetëm nuk po dorëhiqet, por po nxjerr edhe bashkëqytetarin e vet sllovak Stano të sulmojë kryeministrin e Prishtinës. Kemi një mentalitet tipik komunist të stilit sovjetik, të cilin duket Laçakut ia ka mësuar shkolla diplomatike ruse, ku e lauruan dhe e graduan. Nuk mendoj se është i drejtë nxitimi i disa përfaqësuesve të diplomacisë europiane dhe atlantike për të marrë në mbrojtje apriori Lajçakun për rastin në fjalë, sepse nuk është as diplomatike, as jurdike dhe as morale të merret në mbrojtje një arbitwr, që e ka shitur ndeshjen diplomatike, pavarësisht se ai është treguar “i palodhur” duke vrapuar nëpër fushë.
Apologjetët e Lajçakut mund edhe ta marrin atë në drejtimin e ministrive të tyre të jashtme, por nuk e justifikojnë dot që një arbitër i komprometuar të vazhdojë të jetë ndërmjetësues ndërkombëtar. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është brenda së drejtës së ti të ankimit, të cilën e njeh edhe e drejta ndërkombëtare për procesin e ndërmjetësimit ndërkombëtar. Nëse njëra palë e konfliktit konstaton se në procesin e bisedimeve ndërmjetësuesi nuk po ruan paanëshmërinë e domosdoshme dhe po favorizon palën tjetër, ai ushtron të drejtën juridike të ankimit dhe të refuzimit të ndërmjetësit përkatës. Lobet serbe në PrishtInë dhe në Tiranë, që me profanizëm diplomatik shpërthyen në fushata histerike kundër së drejtës juridike të kryeministrit të Kosovës për ankim zyrtar ndaj ndërmjetësuesit të gabuar, jo vetëm nuk kuptojnë realitetet diplomatike, por nxituan të dalin në funksionin e ngarkuar nga sponsorizimet serbe dhe ruse.
Në një situatë të tillë të stanjacionit dhe të keqësimit të kurbës së dialogut për faj të ndërmjetësuesit, së pari ndërmjetësuesi ndërkombëtar në bisedimet e Brukselit Kosovë-Serbi, Lajçak, duhet të dorëhiqet, sepse ka humbur kredibilitetin diplomatik dhe politik të njerës palë të konfliktit. Së dyti, vetë organi ndërkombëtar, që ka emëruar atë ndërmjetës të pabesueshëm, duhet ta marrë në shqyrtim menjëherë situatën në fjalë dhe ta tërheqë diplomatin sllovak në fjalë. Me të drejtë dhe pa kompleksin i inferioritetit, (sëmundje kronike e diplomacisë shqiptare), kryeministri i Kosovës bëri të ditur në konferencën e tij të shtypit se qeveria e tij do ta shtrojë me BE çeshtjen e emisarit ndërmjetësues. Duhet theksuar se qeveria e Kosovës është treguar mjaft e duruar me sjelljen filoserbe të ndërmjetësuesit Lajçak, i cili qysh në fillim kur u emërua në atë post në vitin 2020 e deri tani punoi për Serbinë dhe vetëm i ka sorollatur bisedimet Serbi-Kosovë në rrotullimin në vend pa zgjidhje dhe të përshtatjes vetem me qëllimet dhe planet e Serbisë.
Performanca e tij skandaloze diplomatike pro serbe në procesin e ndërmjetësimit më ka detyruar që qysh në 24 shkurt të vitit 2021, një vit pas emërimit të Lajçakut dhe në prag të riemërimit të tij nga BE në mars 2021, t’i drejtohem me thirrje publike Prishtinës dhe Tiranës që të kërkojnë nga BE largimin e tij nga posti i ndërmjetësit për shkak të paaftësisë së tij për të ruajtur paanshmërinë e detyrueshme të ndërmjetësimit të bisedimeve. As Prishtina dhe as Tirana nuk e vlerësuan si duhet dhe nuk bënë perçapjet e nevojshme diplomatike dhe Lajçak e thelloi kursin e tij proserb në bisedimet, derisa u arrit në situatën e tanishme të padurueshme të manipulimit të tij diplomatik proserb dhe kur zyrtarisht qeveria e Kosovës e denoncoi ndërmjetësimin e tij. Në fakt Lajçak ishte person i papërshtatshëm qysh kur emërua, sepse ai njihej si një filorus konseguent dhe i cili jo rastësisht zhvillonte konsultime me ambasadorët e Rusisë për bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës, ku lëshonte herë pas here tezat ruse. Është për t’u habitur se si nuk reflektoi BE as në 15 shkurt 2023 kur Ministria e Jashtëme e Polonisë përjashtoi nga shërbimi diplomatik të gjithë diplomatët e saj, që ishin diplomuar në institutin e marrëdhënieve ndërkombëtare të MPJ të Rusisë, MGIMO, që dihet se drejtohet nga shërbimi sekret rus.
Nëse Polonia, një shtet i madh dhe i rëndësishëm i BE dhe i NATO-s, i largon me shpejtësi diplomatët e saj të MGIMO-s, si e mban BE në një post aq të lartë diplomatik si të dërguar të posaçëm për Ballkanin Lajcakun e lauruar dhe madje doktor honoris causa i MGIMO-s? Në BE duhet ta dinë se kur Lajçak ishte ministër i jashtëm i Sllovakisë në vitin 2014 të agresionit të parë ushtarak rus në Ukrainë, ai në mënyrë sfiduese ndaj BE bëri vizitë zyrtare në Moskë në maj 2014, dy muaj pasi Rusia kishte pushtuar dhe aneksuar Krimenë. A e dinë në BE që Lajçak deri tani nuk e ka dënuar asnjëherë agresionin e dytë ushtarak të Rusisë në Ukrainë të vitit 2022 dhe nuk e ka dënuar asnjëherë me emër presidentin agresor Putin të shtetit agresor rus. Në rast se Lajçak nuk dorëhiqet dhe nëse BE nuk e tërheq atë nga posti i ndërmjetësit të diskredituar, atëherë vijmë në konkluzionin e dhimbshëm se BE po ndjek ndaj Kosovës konceptin arrogant të “diplomacisë së maces së ngordhur” për të detyruar Kosovën të pranojë ndaj Serbisë lëshimet e sovranitetit dhe të integritetit të saj territorial. Nëse vazhdohet me këtë skenar me protagonist Lajçakun, është e natyrshme që të mendohet se ndikimi i lobit rus në nivelet më të larta të diplomacisë së BE është shumë i fortë.
Në diplomaci asgjë nuk është e rastësishme dhe nuk ishte e tillë as caktimi i përfaqësuesit të lartë të politikës së jashtëme të BE Borrell dhe i përfaqësuesit të posaçëm të BE për Ballkanin Lajçak nga dy shtete të BE, që nuk e njohin Kosovën. Dikush nga shtetet vendimmarrëse në BE ishte interesuar që filoserbizimi i atyre dy shteteve të intononte edhe bisedimet Serbi-Kosovë. Paradoksi i filoserbizmit të Lajçakut në bisedimet e 14 shtatorit arriti kulmin, kur ai harron dhe injoron zbatimin e planit franko-gjerman të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe shkel me dy këmbët marrëveshjet e BE të Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe të Ohrit të 18 marsit 2023, duke vendosur si kusht në tryezë vetëm zbatimin e kërkesave serbe. Kemi një shembull të paprecedent në historinë e diplomacisë evropiane, ku përfaqësues të lartë të saj po prodhojnë një rast juridik dhe diplomatik sui generis, duke deformuar rolin, misionin dhe kodin diplomatik dhe etik të procesit të ndërmjetësimit ndërkombëtar. Në këtë situatë kur diplomacia e BE dhe vetë BE janë vënë në pozitë të vështirë, është e nevojshme dhe urgjente që vetë ndërmjetësuesi ndërkombëtar Lajçak, nëse i ka mbetur ndonjë fije integriteti diplomatik, profesional dhe moral, duhet të japë dorëheqjen nga posti i tij.
Diskutim rreth këtij postimi