Kosova e pranon pjesërisht propozimin e ShBA-së për kufizim të dinarit serb.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka bërë të ditur se vendi i saj e ka pranuar një pjesë të propozimit të ShBA-së për përdorimin e dinarit serb në vend.
Prej 1 shkurt, në Kosovë është në fuqi vendimi i Bankës Qëndrore të Kosovës që transaksionet e pagesave të bëhen vetëm me euro, pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga serbët etnikë që jetojnë në veri të vendit.
Osmani ka thënë për media të hënën gjatë një vizite në komunën e Lipjanit se ka marrëveshje për një pjesë të propozimit që e ka paraqitur i dërguari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kur ishte në Kosovë javën e kaluar.
Megjithatë, nuk ka marrëveshje për pjesën e dytë, tha ajo.
“Është shumë pozitive që bashkësia ndërkombëtare në krye me ShBA-të pajtohet që në Kosovë të mos ketë më dinarë në qarkullim dhe me ndihmën e tyre kemi arritur që tash e tutje të gjitha remitancat dhe ndihmat financiare që vijnë nga Serbia do të të jetë në euro e jo në dinarë”, tha Osmani.
Ajo shtoi se çështja e dinarit duhet të zgjidhet sa më shpejt sepse i krijon problem të madh Kosovës.
Sipas Osmanit, Kosova po shqyrton mënyrat për të garantuar që ndihmat e dërguara nga Serbia për komunitetin serb në Kosovë të mos bien në duar të gabuara.
Zbatimi i ligjit
“Tani pjesa e dytë, për të cilën ende nuk ka marrëveshje, por shpresoj se do të arrijmë në atë pikë shumë shpejt, është se si duhet të sigurohemi që çdo ndihmë financiare që vjen nga Serbia të mos shkojë në duart e njerëzve që kanë keqpërdorur, se kanë qenë të korruptuar dhe i kanë marrë paratë ndoshta në emër të qytetarëve, por i kanë shfrytëzuar për korrupsion dhe krim të organizuar dhe për atë pjesë ende është duke u hartuar një plan që do të përfshijë institucionet e Republikës së Kosovës. përfshirë edhe ato të rendit”, tha Osmani.
Banka Qendrore e Kosovës njoftoi vendimin më 18 janar, duke thënë se monedhat e tjera, përveç euros, mund të përdoren në Kosovë vetëm për ruajtje fizike ose llogari bankare.
Vendimi shkaktoi zemërim sepse komunitetet etnike serbe në Kosovë kishin përdorur dinarin, monedhën zyrtare të Serbisë fqinje, si në institucionet shtetërore ashtu edhe në ato tregtare.
Pala kosovare dhe ajo serbe gjatë ditës do të takohen në Bruksel në kuadër të procesit të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Eskobar ndërkaq ka shprehur optimizëm se Qeveria e Kosovës do të jetë fleksibile në takimin në Bruksel.
Ai tha se ShBA-të kanë probleme në komunikimin me kryeministrin Albin Kurti.
Ai theksoi se me këtë problem nuk përballen vetëm ShBA-ja, por edhe partnerë të tjerë si Bashkimi Evropian, NATO-ја, Britania e Madhe, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Vendet perëndimore duke përfshirë ShBA-në, Francën, Italinë, Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe i kanë kërkuar Kosovës që të ndalojë zbatimin e rregullores së monedhës.
/TRT/
Diskutim rreth këtij postimi