Zize Pepshi, lexuesit i prezantohet me vëllimin e parë poetik MË JANË PËRZIER ATDHETË. Kjo sintagmë e përzierjes së Atdheve(?!), pasqyron angazhimet e poeteshës në shumë sfera kulturore e politike te shqiptarët në Zvicër dhe më tej. Përveç programeve kulturore me nxënsit shqiptarë me mësim në gjuhën shqipe, dhe angazhimeve të saj në aktivitete të tjera kulturore e artistike, Zize Pepshi, është marrë edhe me poezi të cilat janë botuar në rrjetet sociale dhe ndonjë sish edhe nëpër shtypin e kohës. Tashmë këto trohëza letrare të shkapërderdhura gjithandej, kanë bërë brumin artistik të këtij vëllimi poetik: Libri MË JANË PËRZIER ATDHETË, ndahet në gjashtë cikle: 1. Elegji për mërgimin; 2. Ndërmjet bjeshkës e fushës – Përkushtime; 3. Pranë oxhakut të shtëpisë; 4. Shurdhëria e heshtjes; 5. Fluturim mbi hapësirën shqiptare; dhe cikli i 6. Seç fishkëllon e pëlcet kazani.
Secili cikël me vete bart diçka nga personaliteti i poeteshës, i jetës së saj, i përjetimeve ose të paktën janë frymëzime të përjetuara thellë. Libri jo rastësisht hapet me poemën PRISHTINA E DEMONSTRATAVE TË MIA, me shënimin përkatës: “Kujtimet e mia poetike për demonstratat studentore të vitit 1981 në Prishtinë, 11, 26, 27 mars dhe 1 e 2 prill 1981“, e bëjnë poezinë dokumentar autentik të asaj kohe, ngjarje që kanë lënë vragat e veta edhe tek poetesha. Përveç anës epike që ka për motiv, nëpër strofat e ndryshme të poemës motivi është ndërthurur e strukturuar si lirikë e dashurisë: “Vashë po më mbyt / M’i zë fjalët në fyt / Ç’të të them më Ty / Më mbushe dashuri“, (faqe 9).
Kjo krijimtari poetike e përcakton saktë karakterin lirik, ndërsa si poetikë lejohet të diskutohet dhe të komentohet për vlerën shpirtërore që bart përbrenda saj, sidomos për motivin dhe metaforat e shumta, të cilat e bëjnë poezinë e Zize Pepshit, (e përfshirë në këtë vëllim), vlerë më vete, pasi poetesha ka regjistruar ngjarje të ndryshme historike dhe realitetin e përjetuar e ka dritësuar në vargje.
EDHE KOHA
Elegji mërgimi
Edhe hapat më nuk i dëgjova
Se lodhur isha në natën e ftohtë
Ngrirë m`u kishte në dorë ora
Dhe koha ish vjetruar nxirë e bërë korb
Edhe ashtu e lash se nuk i ndjeva më
As hapat as ofshamën e ngrirë
Se humbë ishin nga asgjë
Dhe ndërruar ishin
Dita në natë dhe nata në ditë…!
Faqe 15.
Kjo, karakteristikë është mjaft specifike, sidomos për natyrën e trajtimit të saj. Ky stil duket nga aspekti i konceptit diçka si paraprirje për t`u thelluar në estetikën poetike, të paktën për të shkruar edhe poezi të tjera.
PAVDEKSIA
(Presidentit Ibrahim Rugova)
Veç nuk pyet vdekje e “kurdisur“
Vjen pa pyetur gjarpnisht pas shpine
Kot na u ba po vjen “URTAKU“
“Shkreptimë“ dritë shqiptarie
Faqe 50.
Poezia është reflektim i ekuilibruar që shpreh një moment historik. Ky fiksion historik, i ka dhënë kuptim të përjetuar vargut të Zize Pepshit, e vetëdijshme për reflektimin e domosdoshëm estetik, përkitazi me figurën epike të Ibrahim Rugovës, prandaj në poezinë vijuese, ajo i ka harmonizuar më mirë shprehjet që alternojnë në mes imagjinatës si krijim poetik dhe të vërtetës reale, rreth figurës epike të Ibrahim Rugovës.
URTAKUT TRIM
Presidentit Historik I. Rugova
Ty që ndjeve dhimbje për Tokën,
Për popullin tënd,
Ty o zemër mali,
Burrë i madh i Dardanisë,
Ty që bëre kthesë historike,
Profet i politikëbërjes,
Diplomat i përkryer,
Urtak e trim i Kosovës dardane,
Përjetësisht i përkulem veprës sate,
Presidenti im i dashur,
IBRAHIM RUGOVA!…
Faqe 51.
Ashtu siç kanë vepruar edhe poeteshat dhe poetët e tjerë, edhe Zize Pepshi, ka qenë e kujdesshme në lirikën e dashurisë e cila i ka finesat e saj, por në këtë libër nuk është zhvilluar mjaftueshëm, edhe pse japin shpresë se mund të kemi poezi lirike më të përpunuara, qofshin ato lirika me nuancë erotike:
I lehtë hapi dëgjohej pas
Dhe troku i gjakut me kujdes
Tiktaket e zemrave në t’njëjtin takt
Dhe valët e detit me tallaz të lehtë
Gjithë kohën ecëm dhe nuk pushuam
Dhe agu na dukej larg njëmijë vjet
Të lodhur e të dremitur nuk u gjunjëzuam
Veç kur pamë se dielli ngrohtësisht po vjen…
Poezia ËMBËL, faqe 70.
Një relacion i tillë poetik, shpeshherë e ka burimin në ngjarje konkrete jetësore, në përjetime realiste, në ndodhi që përfytyrohen duke ngjallur muzën krijuese.
Ndërsa vargu si vlerë humane është mesazh për jetën e saj që duket të jetë njëjtësuar kujdesshëm e artistikisht. “Ndonjëherë ti hapat nuk po i dëgjon / As rrokullisjen e gurëve në rr’zbim / As kohën e acartë as kohën që përcollën / As zvarranikët kur gjuajnë në pabesi!“, (poezia HAPAT NUK I DËGJON, faqe 73).
Poezia dhe jeta, automatikisht kanë prodhuar dashurinë, qoftë vetëm si përjetim, gjithsesi poezia e tillë, përjetohet si ndjenjë artistike që zgjerohet në lirikën epike, në lirikën e dashurisë dhe herë-herë deri në lirikë erotike, por vargjet kanë simbolikë të bukur: “Gjithnjë te unë jetuaka shpresa, / Shikimi ngel tek e panjohura, / Horizont m’horizont fringlluaka jeta / Herë t’kapja më dukej herë m’ikje nga dora“, (poezia VEÇ KUJTIM, faqe 79).
Duhet të jemi më të saktë, poezia e Zize Pepshit, në vëllimin MË JANË PËRZIER ATDHETË, kryesisht ka porosi edukative, edhe pse përgjithësisht mbetet në nivelin e porosive deklarative, ajo e ka latuar vargun poetik, të cilit poetesha i jep atribute epike, historike dhe ndonjëherë edhe hyjnore: “Edhe nëse të shkelin / Ti ngrihu vazhdo / Edhe nëse të pështyjnë / Ti pastrohu / Dhe ngrihu / Ec përtej shkelësit / I lë llumin pështysit…”, (poezia NGRIHU, faqe 80).
Poezia satirike e cila është sistemuar në ciklin e fundit, padyshim dëshmon prirjen e poeteshës për t`u marrë me këtë zhanër poetik, më saktë si kulturë sarkazmi. Kjo simbolikë në rrafshin e kësaj poezie padyshim bart mesazhin më subtil duke shprehur laryshinë e përjetimit në raport me idealin epik si varg i fismë dhe si përkushtim lart i lartësuar!
PËLCET KAZANI
Seç fishkëllon e pëlcet kazani
Zihet çorba e derdhet tambli
Anës qosheve ecë zuzari
Shikon ku ta lidhë gomarin…
N’dorë i paska marrë dizginat
Lypë kuajt nëpër “lëndina”
Seç po pall bërtet gomari
N’samar tim t’mos ulet kali…
Faqe 126
Kjo poetikë brenda lirikës poetike është poezia e Zize Pepshit, e cila manifeston një dinamikë impulsive, qoftë brenda vargut, e qoftë brenda poezisë si tërësi më e zgjeruar tematike, duke u bërë kështu, poezi që mund të lexohet, e kërkuar, së këndejmi edhe më e lexuar!…
St. Gallen, prill 2022.
*Shkrimi është botuar në librin: VËZHGIME LETRARE MBI POEZINË E SOTME SHQIPE (1), Prishtinë 2023, faqe 145-150.
Diskutim rreth këtij postimi