Këto dy popullsi pellazge të pastra i kanë bërë fort kureshtarë gjuhëtarët e etnologët e të gjithë botës. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe, po të mbajmë para sysh se duke u nisur nga hipoteza e një prejardhjeje të vetme të njeriut, për shembull nga Pamiri, dhe një lojë të dyndjeve të njerëzimit që është krejt në kundërshtim me atë që ka ndodhur në realitet, -domethënë që kurrë nuk ka pasur indoeuropianë ose indogjermanë, që do të kenë emigruar nga India drejt Europës, por që ka pasur pellazgë, argë, Aργ-ς ose arias, të cilët duke u nisur, përkundrazi, nga Europa drejt Azisë kanë pushtuar Indinë dhe i kanë kthyer në ariase popullsitë e saj dhe kanë krijuar kastat e saj, – nuk do të shpjegohej ekzistenca e këtyre popujve, të izoluar në këtë drejtim.
Kështu, emri Albani, të cilin gjeografët e lashtë i japin një vendi në Kaukazin lindor, atje ku sot gjendet Republika Socialiste Sovjetike autonome e Dagestanit (vendi i maleve), nuk është vënë kot e rastësisht. Për këtë ka pasur arsye, sepse ky vend i rrethuar nga male të larta piktoreske, që arrijnë deri 5500 metra mbi nivelin e Detit të Zi madje më lart nga ana e Detit Kaspik dhe të përshkuar nga shumë rrjedha uji, që kanë një bukuri natyrore të hatashme e magjepsëse, dhe që e bëjnë pjellore fushën e pamatë qendrore të rrethuar nga lugina të mrekullueshme, që rreziten rreth saj dhe të zbukuruara prej lumenjsh, përrenjsh ose rrjedhash uji, për shkak të gjithë këtyre bukurive dhe gjithë këtyre cilësive, nuk mund të mos u kujtonin argëve, ariasve ose shqiptarëve të ekspeditës në vazhdim, vargmalet e vendlindjes dhe të mos i mbanin në këto vise sa më gjatë dhe t’i shtynin me kalimin e kohës që të mbeteshin dhe të nguleshin aty përfundimisht.
Edhe Straboni (XI, 4-1-10) e ka përshkruar këtë vend si të përbërë nga lugina e madhe dhe e bukur e lumit Kuro (Κυρος tek të lashtët), që është emri i sotëm (që i jepet) në persishten; siç thotë ai, nga ana lindore ai prek detin Kaspik dhe në perëndim ka një kufi të përbashkët me Iberinë e Kaukazit, që gjithashtu është banuar nga pellazgët, të cilëve u dha emrin iberë. Në veri të kësaj lugine ngrihen malet e Kaukazit dhe në jug shtrihet Armenia.
Megjithatë, duke ndjekur PLININ (VI, 29, 39) albanët nuk banonin, siç do ta themi, vetëm në territorin e kësaj Albanie të Kaukazit; ata banonin gjithashtu në gjithë luginat e maleve të Kaukazit dhe në pjesën tjetër të vendit, që shtrihet drejt veriut e që arrinte në Sarmati. Del se ky vend ka qenë shumë i rëndësishëm, por e kanë injoruar, gjithashtu në atë epokë të lashtë, shumë më tepër se në kohën tonë të sotme, që kur dhe se si këta pellazgë ose albanë u gjendën atje, ose, në qoftë se e kanë ditur, e kanë quajtur një fakt krejt të natyrshëm, pasi ky popull jetonte, që prej kohësh që s’mbahen mend, kudo ku mund të kishte lindur raca e bardhë. Dhe është e sigurtë se fakti që ariasit e Ekspeditës së parë drejt Indisë nuk parapëlqyen të shtyheshin më larg, por u ngulën në këtë vend, e bënë këtë sepse bukuria natyrore e vendit sigurisht u pëlqeu shumë në fillim, por e bënë kryesisht për shkak se pritja e përzemërt e vëllazërore e popullsisë vendëse pellazge ose shqiptare, që atëherë nuk ishte përzier aspak si popullsitë e tjera vendëse të Sirisë, Fenikisë, Palestinës, Egjiptit, Mesopotamisë dhe viseve të tjera lindore të Azisë së Vogël, dhe që flisnin të njëjtën gjuhë me ta: domethënë gjuhën pellazge ose shqipe, i magjepsën dhe i bënë të vendosin të braktisnin trupën e ekspeditës dhe të vendoseshin në vendin e ri. Dhe kështu kjo popullsi me origjinë shqiptare nga Albania e Kaukazit, e shtuar nga ardhja e Ekspeditës së parë që po përmendim, u bë shumë e rëndësishme, e njohur dhe me emër që nga epoka historike më e lashtë dhe u përthith vetëm shumë vonë, pas mijëvjeçarit të parë të erës sonë.
Shpjegimi i mësipërm për ekzistencën e albanëve të Kaukazit pajton së fundi gjithë mendimet e tjera, që kanë shprehur shkrimtarët e vjetër për ta. Kështu, Denisi i Halikarnasit (A, 45) dhe Justini (42,3) na transmetojnë traditën, sipas së cilës Albania e Kaukazit u kolonizua nga banorët e qytetit italik të Albës, të cilët emigruan nën drejtimin e Herakliut. Sipas shpjegimit tonë, asgjë nuk pengon që ky emigrim të mos ketë ndodhur; përkundrazi, mbi bazën e parimit tonë, që emigrantët tashmë e njihnin popullin, tek i cili do të shkonin, ose të paktën një bërthamë të po asaj race si ata që do t’i priste, albanët fare mirë mund të shpërnguleshin nën drejtimin e Heraklit nga Alba në Itali deri te albanët e Kaukazit, sepse Herakli i njihte plotësisht dhe me imtësi gjithë vendet e Kaukazit, meqë kishte qenë disa herë; kështu nuk duhet harruar që po ai popull banonte edhe në Itali e Greqi, si në Azinë e Vogël dhe në Albaninë e Kaukazit, dhe të gjithë banorët e këtyre vendeve të ndryshme flisnin të njëjtën gjuhë: pellazgjishten ose shqipen. Ky shpjegim i fundit: që gjithë banorët e racës së bardhë të lashtësisë flisnin po atë gjuhë, përligj gjithë mendimet e tjera të autorëve të lashtësisë, kur na thonë se dorët zbarkuan në Kretë, se trojanët nën drejtimin e Eneas zbarkuan dhe u vendosën në Lacium, se pellazgët ose tuskët (nga shqipja dushk, që shënon një dru, duke e krahasuar me druidët, nga shqipja: dru, që do të thotë lëndë peme, nga vjen greqisht: δρυς, që do të thotë dushk) e Dodonës dhe të Epirit zbarkuan në Spina në bregun perëndimor të veriut të Adriatikut afër grykëderdhjes së lumit Po, se etruskët ose tirrenasit e Azisë së Vogël, nën drejtimin e princit Tyrranos zbarkuan në Itali në territorin e Etrurisë; se dorët kolonizuan Sicilinë, se athinasit themeluan qytetet në Helespont dhe Kalkidi, se korintasit u vendosën në Kerkirë; se focenët themeluan Marsejën, sikur Marseja të mos ekzistonte që më parë, sikur të mos kishte pasur një tregti dhe tranzit mjaft të lulëzuar tashmë (që këtej vjen emri i saj nga shqip mar-siell=Marseille, term tregtar tepër i zakonshëm edhe sot me kuptimin: importoj- eksportoj); në të gjitha këto raste dhe në shumë të tjera – nuk mund t’i citojmë të gjitha këtu -qofshin të njohura ose jo, emigrantët i njihnin shumë mirë si popullsitë edhe gjuhët e vendeve, që do t’i prisnin.
Straboni, duke folur për albanët e Kaukazit, thotë gjithashtu se ata shquheshin për shtatin e lartë dhe për bukurinë e tyre natyrore dhe se ata ishin të thjeshtë dhe aspak me cene. Ata kishin një moralitet kaq të lartë, sa që nuk përdornin as para dhe as kishin nevojë të numëronin më shumë se njëqind; dhe për të bërë blerjet ose pagesat e tyre ata përdornin shkëmbimin, ndonëse i njihnin përparësitë, dobinë dhe lehtësinë e përdorimit të copave të monedhave. Rrallë zemëroheshin; nuk e njihnin vlerën e saktë të peshave dhe masave të ndryshme, sepse nuk i përdornin dhe nuk merreshin as me politikë, as me luftë, as me bujqësi. Ata e bënin jetën duke krijuar dhe duke pasur sa më pak nevoja të mundshme, dhe me gjithë këto fakte që mund t’i rëndonin si dembelë dhe të ngathët, ata pëlqenin të ushtroheshin për të ruajtur zhdërvjelltësinë, shëndetin dhe bukurinë e trupave të tyre si duke ecur, edhe duke vrapuar më këmbë ose me kuaj, dhe gjithmonë të armatosur lehtë ose rëndë. Një sjellje ose një qëndrim i tillë nga ana e tyre na duket ilogjike; e megjithatë, po të mendohet mirë, konstatohet se që prej mijëra vjetësh më parë ata tashmë vinin në praktikë mendimin e tyre të famshëm, që latinët shumë më vonë e bënë proverbial dhe të pavdekshëm: “Si vis pacem, para bellum” domethënë: nëse do paqen, përgatitu për luftë. Kështu ata në çfarëdo momenti mund të ngrinin 60.000 këmbësorë dhe 12.000 kalorës, ashtu siç bënë gjatë ekspeditës së POMPEIT, në vitin 65 para Krishtit.
Ptolemeu ka shkruar se albanët e Kaukazit ishin të ndarë në 26 popullsi, që secila fliste dialektin ose të folmen e vet shqipe të veçantë; dhe në fillimet secila popullsi kishte mbretin e vet, por në epokën e Strabonit vetëm një mbret sundonte mbi të gjithë.
Si fe, ata adhuronin diellin dhe, mbi të gjitha, hënën, tempulli i shenjtë i së cilës ngrihej afër kufirit të Iberisë. Flijimi i njerëzve konsiderohej prej tyre si i pëlqyeshëm për hyjneshën dhe mbi trupin e viktimës sillnin orakujt dhe parashikonin të ardhmen.
Ata kishin respekt shumë të madh për pleqtë; jo vetëm për të vetët, por edhe për të huajt kundrejt kombit të tyre; ata besonin se nuk ishte më e nevojshme që të merreshin me të vdekurit, pasi të ishin varrosur ose djegur, as edhe për t’u krijuar një kujtim ‘të përjetshëm’: me të vdekurin ata varrosnin gjithashtu tërë fatin e tij, në mënyrë që të hiqej çdo kujtim dhe çdo lidhje, që mund t’i mbante lidhur vazhdimisht pas tij.
Viset e shqiptarëve të Kaukazit ishin shumë pjellore; por ata nuk shqetësoheshin që t’i shfrytëzonin dhe të nxirrnin thesaret natyrore që mund të prodhonin. Të gjitha llojet e frutave, të perimeve ose të bimëve ishin me bollëk; dhe toka ishte aq pjellore sa që në shumë drejtime, pasi të punohej e të mbillej, ajo do të jepte fruta dy ose tri herë. Ajo ishte e ujitur shumë më mirë se tokat e Babilonisë ose të Egjiptit, sepse kishte dhjetëra lumenj ose rrjedha uji, prej të cilave Sirusi dhe Alaziniusi i kanë ruajtur emrat e tyre deri në ditët tona në trajtën Kur-u dhe Alzani.
Por kjo tokë ushqente edhe disa zvarranikë të helmët, akrepë dhe merimanga ose φαλαγγια; kafshimi i disave prej merimangave të sillte vdekjen duke qeshur, i disa të tjerave duke qarë.
Sipas një tradite, të transmetuar nga gjeografi STRABON po ashtu, Jasoni që po shtegtonte drejt Kolkidës, arriti deri te këto vise të Albanisë së Kaukazit. Deri në vitin 65 para Krishtit të lashtët i njihnin tashmë fare mirë këto vise; por sidomos pas kësaj date, në sajë të Teofanit, i cili shoqëroi gjeneralin e madh romak Pompeun, kur ky duke ndjekur Mitridatin, arriti në Albani, u bë e mundur të njiheshin më mirë. Në këtë moment albanët iu nënshtruan për emër vetëm Romës, por në realitet ata ditën ta ruanin gjithë pavarësinë e tyre.
Disa historianë armenë, të cilët e quanin Albaninë: AFGANIAN deri në fund të shekullit X të epokës sonë, kanë shkruar se ky vend qeverisej nga një dinasti vendëse. Më vonë ajo ra nën zgjedhën e mbretërve sasanidë, dhe të ndrydhur nga HAXHARËT dhe nga popuj të tjerë endacakë, banorët e saj u ndodhën të detyruar të shpërnguleshin në Armeni, ku u përthithën nga popullsia vendëse, duke u dhënë, – siç thonë ata, – emrat: ARTSHAK, UTI dhe
PAYTAKARAN krahinave ku u ngulën. Ne mundemi ta pranojmë vetëm pjesërisht këtë përthithje të gjithë popullsisë albane nga armenët, sepse ka pasur vërtet një pjesë të vogël që realisht gjeti strehë në Armeni, por pjesa tjetër e kësaj popullsie u qëndroi me trimëri invazioneve të hunëve, të varengëve dhe të mongolëve, u mbajt në vendin e vet dhe u asimilua vetëm pak nga pak në gjirin e pushtuesve.
Sido që të ketë qenë, pas vendosjes së grupeve të ariasve të Ekspeditës drejt Indisë në territorin e Albanisë së Kaukazit, pjesa tjetër e Ekspeditës rimori rrugën për të vazhduar rrugën drejt Lindjes, duke ndjekur bregun jugor të Detit Kaspik. Masa tjetër e ekspeditës, më e rëndësishme dhe që ndoqi rrugën e Alepit, Aiutabit, përgjatë rrjedhës së epërme të Eufratit, Diarbekirit dhe Xhesirehut, hyri në Persi nëpërmjet Sulejmanisë. Kurse pjesa e tretë, pas Mesopotamisë dhe Basrës mori rrugën, që ndjek bregun e detit deri në Indi.
Diskutim rreth këtij postimi