Po, të shkojmë me rend. Para rreth dhjetë vjetëve krerët e atëhershëm të qytetit në qendrën e ngushtë të qytetit, nën emërtimin e rrugëve, vendosën edhe mbishkrimet që kalimtarëve u japin shënimet bazike për personin emrin e të cilit e mban ai kalldrëm. Këto tablo me dukje të këndshme, për dallim nga udhëzuesit dygjuhësorë, qëllimi i tyre evident është që turistët dhe të huajt t’i njoftojnë me përmendoret historike të qytetit, kanë vetëm tekst në alfabetin cirilik, andaj dhe u ofrohen para së gjithash për dobinë dhe arsimimin e popullatës lokale. Kështu, veç tjerave, edhe Rruga e Kondos e mori mbishkrimin me këtë përmbajtje:
Pikërisht kjo sintagma nismëtare i krishterë në ushtrinë turke e ndan Kondon nga qytetarët e tjerë të merituar. Si ta kuptojmë këtë shprehje? A do të thotë kjo se krerët e qytetit e kanë të afërt këndvështrimin se në fillimin e shekullit të nëntëmbëdhjetë nuk ishte me vend që të flitet për identitetin kombëtar, apo se në Perandorinë Otomane identiteti i të paislamizuarve reduktohej në përcaktimin shoqëror-fetar (raja, të krishterët vs. turqve). Nuk mund
të jetë, meqë në këtë tekst të shkurtër dallojmë etnonimet – ushtria turke dhe serbe, ndërsa te kjo e dyta qartë po renditen të gjithë kryengritësit e tjerë të merituar dhe bartës të emrave të rrugëve (njësitë bibliografike vërtetoni në një shëtitje nëpër Dorqol dhe Vraçar). Mundësia tjetër do të ishte supozimi që për të krishterët në ushtrinë turke nuk është e përshtatshme të flitet si serbë. Por, as kjo nuk mund të jetë e saktë, sepse në narracionin kolektiv si serbë i konsiderojmë edhe ata që kanë luftuar në ushtrinë turke (mjafton t’i kujtojmë të krishterët në ushtrinë turke në mesjetë, sikur Marko Kraleviqin, Konstantin Dragashin, Stefan Lazareviqin, e të tjerë)
Shqiptarët si çlirimtarë të Beogradit
Andaj, qëllimi sintagmës i krishterë në ushtrinë turke nuk është në atë që diçka të zbulohet apo të informohet, por që të fshihet dhe heshtet nacionaliteti i Kondos (thënë më mirë, kombësia apo prejardhja etnike). Petrit Imami, në librin e tij kapital, në tri vëllime, Serbët dhe Shqiptarët ndër shekuj, për Kondo Bimbashën thotë se ka qenë komandant i “çetës së ‘epirotëve’, shqiptar ortodoks nga Epiri”. Madje edhe historianët me orientim nacionalist, siç është Vladimir Stojançeviq, i cili në librin e tij të botuar nga ASSHA më 1994, shqiptarët i quan arbanas dhe thotë: “[p]rej beqarëve mes kryengritësve serbë ishte Kondo-bajraktari, arbanas ortodoks nga kufiri i Toskërisë dhe Epirit” dhe shton se me Kondon tek serbët kanë kaluar edhe “më shumë bashkëvendës të tij”. Bashkëkohësi i këtyre ngjarjeve, Llazar Arsenijeviq Batallak, dëshmon: “Njoha shumë të krishterë në mesin e këtyre bullgarëve, greko-arnautëve, cincaro-arnautëve, të cilët, kur Gushanci shkoi nga Beogradi, mbetën në mesin e serbëve…”
Duhet qartësuar këtu rolin historik të Kondos dhe rëndësinë e “kalimit” të tij. Thënë më saktë, ai me djelmoshat e tij, të cilët si kërxhali (mercenarë) flisnin mirë turqisht, i mashtroi rojat turke në muret e Beogradit, “i bluante si hallvë” dhe mundësoi hyrjen e kryengritësve në qytet. Para kësaj, në vetë fillimin e kryengritjes, shqiptari Rexhepaga (nipi i drejtuesit të kampit ushtarak Ada Kale, në të cilin u strehuan dainjtë) dhe djelmoshat e tij, bashkë me kryengritësit, pas luftës së ashpër në natën mes 5 dhe 6 gushtit 1804, vranë dainjtë dhe njerëzit e tyre.
Këto raste nuk janë të izoluara, dhe janë kontribut në kryengritjen e Parë serbe të cilën e dhanë jo vetëm shqiptarët që ikën nga ushtria turke, por edhe disa fise shqiptare katolike (Klimentët, Grudët, Shoshët), ndërsa kryengritësit shpesh gjenin armët në Metohi, ku ato kryesisht prodhoheshin nga shqiptarët myslimanë, andaj dhe në njërën pistoletë që ende ruhet në Muzeun e Kryengritjes së Parë Serbe, që konsiderohet se i ka takuar Karagjorgjes, është skalitur emri i mjeshtrit – “Osman”. Është kuriozitet i posaçëm letra e Petrit i (Petri i shenjtë i Cetinës) e 25 marsit 1805, në të cilën ai flet për armëpushim me turqit dhe porositë fiset malazeze “të rrini në paqe dhe të kaloni nga uniteti me arbanasit”, të cilët ishin nisur në luftë kundër vezirit të Shkodrës. Sa i përket traditës popullore, Vuk Karaxhiqi e ka shënuar këngën epike Jani Kondo e me lindje ish-arnaut, e cila e lavdëron atë si trim më të madh sesa Marko Kraleviqi, ndërsa Stojançeviqi e përmend se fitoret e Karagjorgjes janë kënduar nga këngëtarët malësorë, mes të cilëve ishte edhe rrëfimi për prejardhjen e tij nga Kuçët, përndryshe një fis me prejardhje të përzier serbo/malaziase-shqiptare. Madje edhe Qoroviqi në Historia e Serbëve thotë se të parët meshkuj të Karagjorgjeviqit vinin nga Klimentët, gjë që mbështetet edhe nga festa e Karagjorgjes (Shën Klimenti).
“Përvetësimi” i Kondos
Problemi me prejardhjen shqiptare të Kondos vjen, pra, prej asaj që jemi mësuar që për shqiptarët të mendojmë vetëm dhe përjashtimisht si armiq. Atëherë, si u bë që tani, përnjëherë, shqiptarët u ndihmojnë serbëve në çlirimin e Beogradit dhe Serbisë? Andaj, që mos t’i ngatërrojmë më shumë beogradasit dhe kalimtarët e rastit, më mirë është që të heshtim apo të ndryshojmë shënimet për prejardhjen e Kondos në mbishkrimet e rrugëve.
Ky problem, në fakt, nuk është i ri, dhe në kulturën serbe ekziston më shumë se njëqind vjet, ndërsa zgjidhet ashtu që gjithçka që është pozitive për shqiptarët thjesht të heshtet apo të ndryshohet njëjtë sikur në rastin e mbishkrimit të rrugës për Kondon. Një ilustrim i përshtatshëm i kësaj teze është libri i “përhershëm” shkollor i historisë i Mihailo Joviqit, një libër me gjasë më i përdorur në historinë e shkollës serbe, i cili ishte në përdorim në shkolla prej vitit 1882 e deri më 1944, dhe që pati me dhjetëra botime dhe revizione. Kështu, për shembull, në kapitullin për Kryengritjen e Parë serbe, Joviq në botimet më të hershme nga vitet 1882 dhe 1886 rrëfen gjerësisht për Kondon, si një shqiptar dhe rolin e tij prej trimi në marrjen e kështjellës së Beogradit dhe, rrjedhimisht, çlirimin e Beogradit prej turqve në vitin 1806.
“Disa herë serbët e sulmuan atë, por nuk mund ta merrnin. Atëherë serbëve u vjen një arnaut nga ushtria turke. Emrin e kishte Kondo. Kondo ishte një njeri shumë trim dhe i njihte të gjitha rrugët nëpër muret e qytetit. Ai e mori me vete një trim të mirë serb, Uzun Mirkon, dhe pesë shokë të tjerë, kaloi gjatë natës në prag të 30 nëntorit përtej mureve të qytetit dhe hyri në qytet”. (Joviq 1882: 119-20)
“Disa herë serbët e sulmuan Beogradin, por nuk mund ta merrnin. Atëherë serbëve u vjen një arbanas, Kondo. Kondo ishte një njeri trim, dhe i njihte rrugët nëpër muret e qytetit. Ai mori disa shokë serbë, hyri në qytezë natën, kaloi nëpër portën turke dhe ua hapi një portë serbëve”. (Joviq: 1886: 107)
Këtë pjesë për trimërinë e Kondos që ua mundësoi kryengritësve serbë që të merrnin Beogradin nuk e gjeta në botimet nga viti 1894, e as në botimet e mëpastajme të librit të Joviqit. E gjithë kjo flet shumë për atë se përmendja e shqiptarëve në tonin pozitiv, e madje edhe në atë neutral, është bërë e padëshirueshme nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, posaçërisht në prag të luftërave ballkanike, ndërsa pasqyrimi i tyre në dritë negative u bë e dëshiruar në arsimimin serb.
Në këtë kontekst është interesante të tërhiqet paralelja me kohët e sotme. Kondo i përmendur, vlen të theksohet, sipas burimeve të bashkëkombësve në këtë betejë kishte marrë pesë plagë, por kishte vazhduar të luftonte. Pas marrjes së kështjellës beogradase, ai u bashkohet kryengritësve me gjithë çetën e tij, dhe merr pjesë në luftimet e mëvonshme. Posaçërisht u dallua në Betejën e Lloznicës, më 1807, që ishte fitimtare për serbët. Aty diku edhe u vra, sipas disave në ato vite, e sipas disa tjerëve më vonë, më 1813, në kohën e dështimit të Kryengritjes së Parë serbe, sërish duke mbrojtur Lloznicën nga turqit që sulmonin. Përveç rrugës në Beograd, një shenjë kujtimi e re për Kondon është vendosur në manastirin Tronosha, afër Lloznicës, një pllakë përkujtimore te vendi ku, supozohet, ai është varrosur. Edhe ky mbishkrim memorial në mënyrë të ngjashme e hesht prejardhjen e Kondos, kështu që në pllakën përkujtimore në manastirin Tronosha
është ky tekst: “Këtu, skaj kishës, është varrosur Kondo Bimbasha. Hero në shumë beteja gjatë Kryengritjes së Parë serbe, posaçërisht meritor për çlirimin e Beogradit më 1806, dhe për fitoren e madhe të ushtrisë kryengritëse në Betejën e Lloznicës”. Asnjë fjalë, pra, për prejardhjen etnike shqiptare të Kondos.
Krejt në harmoni me këtë, artikulli në anglisht në Vikipedia për Kondon thotë se ka qenë një mercenar grek i otomanëve („Ottoman Greek mercenary“), ndërsa artikulli në gjuhën serbe thotë: me kombësi ishte cincar. Vikipedia përmban artikuj për Kondon edhe në dy gjuhë të tjera: bullgarisht, që thotë se Kondo ishte një vojvodë i krishterë me prejardhje të kontestuar etnike („християнски войвода със спорен етнически произход и родно място“) për të lënë të kuptohet me pas në mënyrë implicite se ishte bullgar, dhe greqisht, i cili për të thotë se është „Έλληνας βλάχικης καταγωγής“ – vllah, që për gjuhë amtare kishte greqishten, përkatësisht cincar. E shohim, pra, se praktikat, nisjen e së cilave e shohim në botimet e hershme të teksteve të Joviqit nga fundi i shekullit XX e këndej, vazhdojnë deri në ditët e sotme, përmes heshtjes së prejardhjes shqiptare të Kondos dhe/apo përvetësimit të tij nga ana e bullgarëve, cincarëve, grekëve; e pranueshme ishte çfarëdo, për aq sa ai nuk përmendet si shqiptar.
Efekti i së vërtetës
Qysh në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar Roland Barthi, Hajden Vajti dhe të tjerë kanë treguar se si historiografia në fakt ka më shumë ngjashmëri me letërsinë dhe fiksionin sesa me shkencat empirike. Historia nuk merret me fakte, por me të dhëna, gjurmë tekstuale që i palos në një tërësi koherente, një narracion, rrëfim; ajo nuk e emërton të vërtetën, por prodhon efektin e së vërtetës. E kaluara e serbëve dhe shqiptarëve, sikur mbase e kaluara e cilitdo prej dy popujve tjerë të afërt (jo vetëm gjeografikisht), është plot me antagonizma, shembuj të dhunës individuale dhe kolektive, si dhe i bashkëpunimit dhe miqësisë së ndërsjellë, përkohësisht të suksesshme apo të pasuksesshme, projekteve të realizuara dhe të parealizuara shtetërore. Andaj, në vend të përmirësimit të padrejtësive historike apo përcaktimit të së vërtetave universale, më mirë është të pyetemi për pasoja e një diskursi afatgjatë. Pamja e shqiptarit si një armik i përjetshëm dhe si një Tjetër qenësor është aq gjatë dhe thellë e shkruar në ne, saqë është bërë e pamundur që të mendohet jashtë këtyre kategorive. Në këtë kontekst fshirja e prejardhjes së Kondos nuk ka kurrfarë lidhjeje me të kaluarën nacionale dhe historinë, por me një logjikë të paepur këtu dhe tani e cila, meqë shqiptarët qenkan armiq tanë, ndërsa Kondo mik i yni, nuk e duron Kondon si shqiptar. Nëse kësaj ia shtojmë edhe përvetësimin e kohës së fundit të Kondos nga ana e grekëve dhe bullgarëve, del se Kondo, sot, për popujt ballkanas është ajo që, me gjasë, ishte para dy shekujsh për turqit – faktor trazues në Ballkan. Por, pa marrë parasysh këto përvetësime dhe heshtje të cilat, pra, kohë pas kohe i takojmë për, ja pra, më gjatë se një shekull, Kondo është aty, si pjesë e historisë sonë të përbashkët, të ndërthurur, dhe i hartës urbane të Beogradit, si shqiptar, ballkanas, beogradas, patriot serb, luftëtar kundër turqve dhe çlirimtar.
Për Rominën
Diskutim rreth këtij postimi