Shkruan: Xhevdet Kallaba
Pa dyshim, ky person është sociologu dhe publicisti i veçantë ndër shumë autorë që jetojnë e veprojnë në Kosovë, madje edhe në Shqipëri, profesor Sylejman Morina.
Duke pasur parasysh shumësinë e artikujve të botuar në gazeta e portale, por edhe botimin e parë dhe tash të dytin të librit “Arbneshi nuk harrohet” krijohet përshtypja se z. Morina është kroniku kujdestar nga Kosova për arbëreshët e Zarës.
Miqësitë e ndërtuara që në moshë studentore me figura të ndryshme historike, kulturore, letrare e sportive me arbëreshët e Zarës dhe jo vetëm, zoti Sylejman Morina me kujdes të shtuar i kultivoi për më shumë se gjysmë shekulli. Madje, shumë miq të tij sikur kanë mbetur amanet i familjarëve të tyre, të cilët, sot, me respektin më të madh shkëmbejnë biseda e shkrime dashamirëse.
Lirisht mund të thuhet se, falë këtij bashkëpunimi të z. Morina me intelektualë arbëreshë të Zarës shumë syresh janë lidhur edhe më fort me Kosovën.
Në takime të drejtpërdrejta ose të tërthorta me intelektualët arbëreshë, z. Morina përjeton të njëjtën dhembje me arbëreshët e Zarës, të cilët, po ashtu kishin probleme identitare, si pasojë e përpjekjeve hegjemoniste sllave drejt shuarjes së gjuhës amtare, në veçanti dhe tjetërsimit kombëtar në përgjithësi. “Arbneshët është dashur që gjithnjë, publikisht, të jenë kroatë e jugosllavë të devotshëm. Shpirtrat e tyre ishin të lirë vetëm brenda kasolleve të gurit, gjuha e tyre kumbonte mes anëtarëve të familjeve në punët e fushës dhe mes fqinjëve. Ndjenjat e tyre shpaloseshin vetëm në praninë e miqve besnikë e të sinqertë”, shkruan z. Morina në parathënien e librit, duke kujtuar se të njëjtin fat e përjetonin edhe bashkëkombësit e tij në Kosovë, njëmijë kilometra larg Zarës, por ngjitas shpinë për shpinë me shtetin amë – Shqipërinë. Sidoqoftë, autori, tashmë, e sheh një dritë në tunel për ardhmërinë e arbëreshëve, mbase të dëmtuar gjuhësisht, por ende të begatuar kulturalisht, dhe kjo falë shoqërive kulturore që veprojnë tek arbëreshët. Shembulli më i mirë është manifestimi identifikues i arbëreshëve të Zarës, pra, festa kushtuar «Zonjës Loret» apo si i thonë arbneshët, «Zoja Jonë», që ka karakter fetar, por që shpirtërisht përjetohet më mirë se në sistemin komunist.
Sylejman Morina
Autori Morina librin e fillon me një pjesë të letërkëmbimit me arbëreshin dhe profesorin e mirënjohur Aleksandër Stipçeviq si dhe me një falënderim që ua drejton të gjithë bashkëbiseduesve që pranuan të bëhen pjesë e këtij libri.
Pastaj vazhdon me prezantimin e aktiviteteve të tjera, sidomos letrare-kulturore siç është libri “Rrëfimet e pleqve tanë mbi traditën e arbneshëve të Zarës”, të bashkautorëve zaras, Bernard Kotllar e Drago Mariq, të cilët përshkruajnë qenien arbneshe në mënyrë burimore, në kohëra të ndryshme, duke ua bërë të mundur brezave të rinj, që sa më mirë t’i njohin rrënjët e tyre.
Si vëzhgues i vazhdueshëm i jetës kulturore-kombëtare-sportive në Zarë, z. Morina ndërton një strategji personale ku edhe ai do të jetë pjesë e përjetimit të daljes së arbëreshëve në sipërfaqe. Rritën e sukseseve të arbëreshëve e sheh sikur ajo të ishte rrita e fshatit të tij- Hodonocit, apo e Dardanës së tij të dashur, dhe njësoj të shtypur në dhëmbëzorët e politikave diskriminuese sllave. Pra, ai hulumton dhe i gjen aktorët e rëndësishëm ndërlidhës në Zarë, siç janë gazetari i mirënjohur Drago Mariq, kryebashkiaku Bozhidar Kallmeta, akademikët Aleksandër dhe Enio Stipçeviq, Josip Matasin e Maksimilana Barançiqin, Bernard Kotllarin e shumë të tjerë.
Gjithsesi, autori ndërton edhe një respekt personal, duke intervistuar dhe shkruar për të arriturat individuale e grupore të shumë krijuesve zaras, siç janë: prof. dr. Sc. Sergjo Dokoza, Ivica Mateshiq –Jeremija, Gjanfranko Kotllar, prof. Mirta Tomas, prof. Daniela Petani, Dino Peroviq dhe Ivan Raos, Gjuzepe Pino Gjergja, Lucija Peroviq, shoqatën kulturore artistike «Vicko Zmajeviq» e shumë të tjerë.
Autori Sylejman Morina, përmes angazhimit të tij në shkrimin e këtij libri, ndërton edhe ura përafrimi ndërmjet krijuesve lokalë dhe atyre që për arsye avancuese e kanë lëshuar Zarën për ta dhënë kontributin e tyre profesional e kombëtar në vende të tjera. Ta zëmë intervistat që i bën me krijuesit, si: Aleksandër Stipçeviq, akademik Shime Deshpali, Mario Kotllari, Pal Deshpali, basketbollisti Lala Pino, akademik Hërvoje Mazija, pastaj edhe me disa personalitete arbëreshe që kanë lindur ose jetojnë jashtë Zarës si: Bruna Petani, prof. dr. sc. Tomislav Vladoviq – Rela etj.
Pra, disi, autori Morina është në lëkurën e përditshmërisë së arbëreshëve të Zarës. Edhe shumë arbëreshë në Zarë e ndiejnë mungesën e sociologut e publicistit Sylejman Morina, ndaj edhe pyesin njëri-tjetrin nëse i është lajmëruar ndokujt prej miqve të tij.
Morina e bashkëndien rëndë vdekjen e arbneshit Ivica Mateshiq – Jeremija për figurën e të cilit në këtë libër shkruan rreth nëntë faqe libri. Ndër tjera ai sqaron se si është njoftuar me Ivicën: “Ishte atashe ushtarak në Ambasadën Kroate në Itali, kur e kisha realizuar një intervistë, të cilën e kisha botuar në disa gazeta të përditshme të Kosovës «Koha Ditore», «Zëri» dhe në disa gazeta të tjera. Lidhjet tona që nga ajo kohë asnjëherë nuk janë shkëputur. Në Zarë jemi takuar edhe gjatë promovimit të veprës sime «Arbneshi nuk harrohet» (2018), ku edhe ia dhurova një kopje, të cilën e pranoi me kënaqësi. Ai tha: «edhe unë juve do t`jua dhuroj një vepër timen». Më dhuroi veprën «Pjesma Garde hrvatske» (Kënga e Gardës Kroate). Priste me pa durim që një vepër e tij të promovohet në Prishtinë, dhe aty të takoheshim, por sëmundja sa vjen e i rëndohej deri në vdekje.
Sylejman Morina vazhdon të japë kontributin e tij për arbëreshët, dhe jo vetëm për ata, duke mbajtur lidhje të vazhdueshme Kosovë-Zarë. Vitet e fundit në sfond të bashkëpunimit Morina e ka një bashkëvendës kosovar nga komuna e Deçanit. Ai është aktivisti dhe intelektuali Vesel Leka, i cili ka bërë një punë shumë të madhe e të çmueshme në organizimin dhe fuqizimin e shqiptarëve të Zarës, ndërlidhjen e shoqatës së shqiptarëve me shoqatat e arbëreshëve, si dhe ndërlidhjen e këtyre të fundit me institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës. Ai ka kontribuar dhe po kontribuon vazhdimisht në organizimin e mësimit të gjuhës shqipe për nxënësit shqiptarë të shkollave fillore e të mesme të Zarës. Madje, ka organizuar vizita me arbëreshë në trojet shqiptare, si dhe vizitën zyrtare në Shqipëri me kolektivin e shkollës fillore të Arbanasit «Kruno Kërstiq», ku ishin takuar edhe me Presidentin Meta.
Zoti Leka, tash e tutje do të jetë dorë e djathtë e Sylejman Morinës në Zarë, sidomos në aspektin teknik. Ai, madje, është zotuar se do të merret shumë seriozisht me organizimin e përurimit të këtij libri që pritet të mbahet në maj të këtij viti (2023), në Zarë.
Për këtë libër shkrimtari e kritiku letrar Prend Buzhala ka shkruar pasthënien “Kujtesa e pavdirë arbneshe”. Në hyrje të pasthënies Buzhala përkujton se – “ky është vëllimi i dytë që u kushtohet arbëreshëve të Zarës, pas të parit, të botuar më 2018. Që të dy vëllimet duan të dëshmojnë dhe theksojnë interesimin e vazhdueshëm dhe preokupimet e tij për arbëreshët e Zarës, nga njëra anë, si dhe gamën e gjerë informative e njohëse si gjurmues i tematikës së madhe e të rëndësishme mbi trashëgiminë dhe kulturën e këtyre arbëreshëve, të sotmen dhe të djeshmen e tyre, jetën shoqërore, të përditshme dhe atë familjare e deri te sporti dhe politika. Preokupimet e përkushtimet e tij kanë të bëjnë me një lëndë të pasur, të larmishme me projekte të ndryshme, me intervista, shkrime, letërkëmbime, dokumente, kronika e recensione”, vlerëson z. Prend Buzhala.
Krahas punës vetëmohuese të redaktorëve të librit Nexhat Rexha dhe Prend Buzhala kontribut të çmuar ka dhënë edhe Skender Hajdari, i cili me pedanteri e profesionalizëm librin e ka përgatitur për shtyp.
Redaksia e portalit Inforogana.com do të jetë sponzor medial në përurimin e këtij libri në Zarë.
Kështu, duke i uruar suksese të mëtejme zotit Sylejman Morina në fushën e publicistikës, me theks të veçantë për arbëreshët e Zarës, e përgëzojmë për këtë libër dhe i urojmë përurim të suksesshëm në qytetin e arbëreshëve, në Zarë!
Diskutim rreth këtij postimi