Vetëm pasi t’i lexojmë kujtimet e Ismail bej Vlorës, Eqrem bej Vlorës, Surreja bej Vlorës e Ferid bej Vlorës, e së fundmi edhe studimin voluminoz të Daut Dautit, do të mund ta kuptojmë se pse (s’)u bë Shqipëria ashtu siç duhej e pse edhe Kosova (s’)po bëhet si duhet.
Përmes këtyre veprave, e jo vetëm, ne arrijmë t’i kuptojmë hilet e “të mëdhenjve” ndaj “të vegjlive”, arrijmë ta kuptojmë se kush në të vërtetë ishim, se ku gabuam ne e ku gabuan të tjerët. Duke i lexuar këto vepra, ne krijojmë një pasqyrë më të saktë se cili ishte vërtetë halli ynë, por gjithashtu arrijmë të kuptojmë se edhe çfarë aristokratësh kishim në të kaluarën që për fat nuk i kemi as sot. Duke i lexuar këto vepra, ne e kuptojmë më së miri se sa të trullosur jemi nga historitë bajate enveriste që na trumbetohen edhe sot e kësaj dite nëpër studiot televizive.
I përmenda fillimisht kujtimet e katër pinjollëve të fundit të familjes Vlora e pastaj e rendita edhe Daut Dautin, që jeton dhe vepron në Londër, për të dëshmuar se ky studim i tij, e heq pluhurin e historisë sonë moderne të periudhës më të ndjeshme të kombit tonë – atë të fundit të shekullit 19 dhe fillimit të shekullit 20. Ai hapë dritaret e atyre dhomave të errëta që nuk kanë lënë të futet drita e së vërtetës për ta kuptuar se çfarë në të vërtetë ka ndodhur me ne në atë periudhë. Dauti më mirë se shumëkush tjetër ka arritur ta zbërthejë shkakun se pse më shumë se gjysma e kombit shqiptar ngeli jashtë kufijve të vet natyralë. Dhe, ajo që është më me rëndësi, ai përmes këtij studimi ka arritur ta zbërthejë më së miri formulën e besimit të verbër që shqiptarët e kanë zakon ta shfaqin ndaj Fuqive të Mëdha – si në të kaluarën ashtu edhe sot. Të dashur miq, ju sugjeroj ta lexoni këtë studim brilant të Daut Dautit!
Diskutim rreth këtij postimi