Në 12 shtator agjencia prestigjioze amerikane e lajmeve “Asoshiejted Press” njoftonte nga Podgorica: “Në selinë e qeverisë në Malin e Zi anëtar të NATO-s kompjuterat janë fikur, interneti është mbyllur dhe websajtet kryesore të qeverisë janë mbyllur. Sulmi kibernetik ka filluar që në 20 gusht”.
Në 10 shtator në të njejtën ditë kemi sulme kibernetike kundër institucioneve shtetërore të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Bllokimi informatik i një shteti duket si formë e një pushtimi pa tanke dhe pa ushtri të huaj, por që arrin efektin e bllokimit dhe të paralizimit të jetës institucionale në një shtet anëtar të NATO-s njësoj sikur të pushtohet.
Agjencia e Sigurimit Kombëtar të Malit të Zi njoftoi në 26 gusht se disa agjenci të specializuara të Rusisë qendrojnë prapa sulmeve kibernetike në sistemet kyçe të institucioneve shtetërore të vendit. Në një deklaratë për mediat Agjencia malazeze e Sigurimit Kombëtar njoftoi se “shërbimet e koordinuara ruse janë prapa sulmeve kibernetike, të cilat ndodhin për herë të parë në Mal të Zi”.
Sulmet kibernetike ruse kundër Malit të Zi nuk janë as rastësi dhe as rast i izoluar. Kemi një ofensivë të vërtetë ruse të sulmeve kibernetike të njëkohëshme ndaj pothuaj të gjitha shteteve të rajonit. Kjo ofensivë kibernetike ruse filloi dhe po vazhdon që nga agresioni i tanishëm ushtarak rus kundër Ukrainës dhe krahas tij. Pra duhet konsideruar pjesë e agresionit rus dhe e konfliktit gjeopolitik dhe gjeoushtarak të Rusisë me Aleancën Atlantike.
Në 29 gusht qendra e specialzuar kibernetike “cybernews.com” bënte të ditur se Mali i Zi, Sllovenia dhe Moldavia kane pësuar sulme kibernetike masive. Në 28 gusht portali i specializuar për çeshtjet e zbulimit “intellinews.com” njoftonte se “Rusia është akuzuar se qendron prapa valës së sulmeve kibernetike ndaj websajteve dhe mediave sociale të institucioneve shtetërore dhe të partive politike në Europën Juglindore”.
Kryetari i delegacionit të BE dhe përfaqësues i posaçëm i BE në Bosnje-Hercegovinë, Johannes Sattler, tërhoqi vëmendjen në 10 shtator se sulme të mëdha kibernetike janë rregjistruar në vendet e rajonit.
Pra Ballkani ndodhet në mesin e një luftë të re ruse, që e ka emrin luftë kibernetike, me pasoja të renda për sigurinë, jetën, shoqërinë, sovranitetin dhe pavarësinë e shteteve dhe popujve të këtij rajoni.
Cilat janë disa nga karakteristikat e luftës kibernetike ruse në rajon?
Së pari, ajo është një ofensive kibernetike ruse e njëkohëshme në të gjitha shtetet atlantike të rajonit dhe ka karakter rajonal, çka don të thotë se lidhet me strategjinë e re rajonale të Moskës. Drejtori i Agjencisë kroate të Sigurisë dhe të Zbulimit, Daniel Markiç, deklaronte se “Rusia ka rritur sulmet kibernetike ndaj Kroacisë dhe sulmet kryesore kanë synuar të vjedhin informacione sensitive nga ministritë dhe administrata e taksave. Disa nga sulmet kibernetike erdhën nga grupe të lidhura me agjencitë ruse të spiunazhit”.
Së dyti, ajo është një luftë ruse e përqendruar në shtetet e rajonit, që janë anëtarë të NATO-s. Portali rumun “romania-insider.com” bënte të ditur se sulmet kibernetike ruse kanë goditur mbi 300 websajte rumune dhe midis objekteve të sulmeve janë qeveria, ministria e mbrojtjes, ministria e brendëshme, xhandarmëria rumune, ministria e financave, administrata e taksave, shërbimet e telekomunikacionit ,etj.
Së treti, lufta e re kibernetike ruse është fokusuar kundër shteteve të rajonit, të cilat Rusia pas invazionit të saj ushtarak në Ukrainë i përcaktoi zyrtarisht si shtete armike.
Së katërti, lufta e re kibernetike ruse ka si objektiv jo vetëm paralizimin e institucioneve shtetërore në vendet ballkanike, por edhe ndërhyrjen në jetën politike e sociale të atyre vendeve, provokimin e trazirave dhe të destabilizimit. Gazeta “Sarajevotimes” shkruante në 11 shtator se Rusia mund të përfitojë nga dobësia e institucioneve të Bosnje-Hercegovinës dhe të ndikojë në rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të 2 tetorit. Sipas gazetës në fjalë, “ka një shqetesim brenda në NATO dhe në BE që Bosnje-Hercegovina mund të jetë objekt i sulmeve kibernetike dhe të tjera nga Rusia”.
Lufta e re kibernetike ruse e shpërthyer në rajon pritet të ketë efekte dhe komplikime të rënda në jetën shtetërore, administrative, politike, sociale, ekonomike, etj, njësoj siç do të kishte një luftë e drejtëpërdrejtë pushtuese me tanke dhe me trupa.
Spektri i luftës kibernentike, që Rusia po zhvillon në Ballkan, sinjalizon për disa fronte. Është fronti i paralizimit të qeverive, institucioneve shtetërore dhe të gjithë shtetit, disfunksionimi i përgjithëm i shtetit dhe shkëputja e plotë e qeverisë nga qytetarët. Është fronti i bllokimit të informacioneve të rëndësishme jetike për institucionet qeveritare në vendet e NATO-s në Ballkan. Është fronti i ndërhyrjes kibernetike për destabilizimin politik dhe për devijimin e proceseve dhe rezultateve elektorale në vendet e rajonit.
Sulmet kibernetike ruse në zgjedhjet në Ballkan janë një realitet, njësoj siç kanë bërë në zgjedhjet presidenciale në Amerikë në 2016 apo në zgjedhjet në Francë në 2017 apo në referendumin për Brexitin në Britaninë e Madhe.
Kanë ndërhyrë në mënyrë flagrante në Malin e Zi në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit 2020, kur arritën të devijojnë rezultatet dhe të sjellin në pushtet partitë radikale proserbe, proruse dhe antiatlantike. Kanë ndërhyrë në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, në Bullgari, në Greqi, etj. Strategjia e ndërhyrjes kibernetike ruse në proceset politike dhe elektorale të rajonit është që të forcojnë pozitat politike dhe elektorale të forcave proruse dhe antiperëndimore në vendet e Ballkanit.
Veçori e luftës kibernetike ruse në Ballkan është që shoqërohen me sponsorizimin dhe organizimin e protestave dhe trazirave nga forcat ekstremiste politike vendase, me protesta civile dhe me futjen në intrigat destabiizuese të së ashtuquajturës shoqëri civile nëpërmjet shoqatave ojq-iste apo “studimore” dhe filantropiste, të financuara nga institucionet ruse.
Në luftën e re kibernetike ruse në Ballkan i duhet kushtuar shumë vëmendje shtetërore dhe publike shkallëzimit të pritshëm të sulmeve kibernetike në drejtim të infrastrukturës kritike dhe jetike të shteteve të dobëta ballkanike. Përveç paralizimit të institucioneve qeveritare dhe shtetërore me hakerimin e sistemeve informative, ekspertët amerikanë parashikojnë që një objektiv tjetër i shkallëzimit të luftës kibernetike kundër vendeve të NATO-s mund të jetë goditja e infrastrukturës kritike të shteteve ballkanike dhe konkretisht sistemi i energjisë elektrike, sistemi i ujësjellësve, shërbimi mjekësor kombëtar, shërbimi policor, shërbimet mjekësore, digat për shkaktimin e përmbytjeve masive, transporti publik dhe komunikimi publik, etj. Kjo nuk është fantashkencë, por një realitet i kapshëm.
Kuptohet se goditja kibernetike ruse e sistemit të sigurisë fizike kombëtare të shteteve të NATO-s në rajon do të kishte pasoja katastrofike nga një luftë pa pushtues direkt me trupa, por me pushtim të telelekomanduar kibernetik nga Kremlini.
Në jurisprudencën ndërkombëtare, në zyrat përgjegjëse të qeverive serioze dhe në diplomacinë ndërkombëtare ka lindur dhe po zhvillohet një diskutim intensiv nëse duhen konsideruar në planin juridik sulmet kibernetike si akte lufte. Në fakt duket unanim qendrimi se sulmet kibernetike, që po paralizojnë qeveri, institucione shtetërore, jetën normale publike dhe ekonomike, po destabilizojnë shtetet dhe po prishin ekuilibra jetike të ekzistencës së shteteve dhe të popuve, duhen konsideruar akte lufte.
Në mbështetje të këtij qendrimi nxit sidomos alternativa tepër e rrezikshme e goditjes së sigurisë fizike të shteteve dhe të popujve nëpërmjet sulmeve kibernetike kundër infrastrukturës kritike. Por duke qenë se është një formë e re e luftës midis shteteve dhe jo një agresion klasik pushtimi fizik, ende nuk ka gjetur pasqyrim të përkufizuar në formën e një dokumenti ligjor ndërkombëtar të pranuar ndërkombëtarisht, ku të klasifikohet akt lufte.
Në Shqipëri sulmi kibernetik i Iranit i datës 15 korrik 2022 u klasifikua agresion shtetëror dhe në 7 shtator për këtë Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Shqipëria është i pari shtet në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, që pret marrëdhëniet diplomatike me një shtet tjetër me arsyetimin e klasifikimit të sulmit kibernetik si një akt lufte. Kuptohet se sa e vështirë është që një përkufizim i sulmit kibernetik si akt lufte të pranohet dhe të konkretizohet me një dokument zyrtar të OKB, sepse shteti kryesor, që po e zhvillon luftën kibernetike kundër vendeve të NATO-s në Ballkan dhe në gjthë Europën, pra Rusia, është anëtar i përhershëm i Këshilit të Sigurimit të OKB me të drejtë vetoje dhe që nuk do ta pranonte ligjërimin e një dokumenti të tillë ndërkombëtar.
Ndërsa në jurisprudencën dhe në diplomacinë ndërkommebëtare vazhdon diskutimi për përkufizimin e sulmeve kibernetike si akte lufte, në planin e terrenit konkret ofensiva kibernetike ruse vazhdon me intensitet, duke konturuar pasojat e saj të paparashikueshme. Fakti është se lufta e re kibernetike ruse është përqendruar kundër shteteve të NATO-s në rajon, dhe nga pikëpamja strategjike është planifikuar si një goditje ndaj vetë NATO-s, nëpërmjet destabilizimit dhe dobësimit të krahut ballkanik të Aleancës Atlantike.
Pikërisht se kemi të bëjmë me goditje ndaj shteteve të NATO-s, edhe Aleanca Atlantike po e trajton luftën kibernetike ruse në Ballkan në referim të Nenit 5 të Traktatit Themelues të NATO-s për mbrojtjen kolektive. Ndaj ekipet e posaçme të mbrojtjes kibernetike nga SHBA dhe shtete të fuqishme të NATO-s u dërguan menjëherë në Shqipëri dhe në Mal të Zi, si dhe në vende të tjera aleate të rajonit të sulmuara kibernetikisht nga Rusia.
Ajo, që bie në sy menjëherë në luftën e re kibernetike ruse në Ballkan, është fakti demaskues se vetëm Serbia në rajon është shteti, që nuk ka pasur asnjë sulm kibernetik. Kjo don të thotë se Rusia nuk sulmon aleatin e saj të vetëm strategjik në Ballkan, i cili në rastin e agresionit rus në Ukrainë është shteti i vetëm europian, që ka mbështetur Rusinë dhe ka refuzuar sanksionet antiruse të BE, megjithse zyrtarisht është shtet kandidat i BE.
Kjo don të thotë që Serbia është në rezonancë me strategjinë antiatlantike të Rusisë në Ballkan. Kjo don të thotë që Rusia me luftën e re kibernetike kundër shteteve të NATO-s në Ballkan, synon t’ia dobësojë Serbisë shtetet rivale dhe kundërshtare të saj si Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, etj.
Për ekspertët strategjistë dhe të agjencive perëndimore të zbulimit lufta e re kibernetike ruse në Ballkan ka brenda saj edhe implikimin e shërbimeve sekrete serbe me shërbimet sekrete ruse në aspiratën e shkrirjes së “botës serbe” me “botën ruse” si strategji e deatlantizimit të Ballkanit. Drejtori i Agjencisë së Sigurimit dhe të Zbulimit i Kroacisë, Daniel Markiç, sipas gazetës “The Dubrovnik Times” deklaroi se “Sulmet kibernetike ruse u rritën pas invazionit rus në Ukrainë. Influenca ruse në rajon është e mirënjohur, veçanërisht në Serbi. Kështu që duhet të jemi të kujdesshëm”.
Kur drejtori i mirëiformuar i Agjencisë kroate të Sigurisë dhe Zbulimit tërheq vëmendjen për korelacionin Rusi-Serbi në sulmet kibernetike në rajon, duhet të jesh i verbër ose idiot i dobishëm i Rusisë dhe i Serbisë që të mos e shohësh realitetin bashkëpunimit antiballkanik dhe antiatlantik ruso-serb në rajon.
Tërësia e rreziqeve të mëdha, që po sjell lufta e re kibernetike ruse në Ballkan, i bie kambanës së nevojës së masave urgjente të shteteve atlantike të rajonit për të garantuar sigurinë kibernetike dhe fizike të shteteve dhe të popujve. Është koha e alarmeve shtetërore për të papriturat e frikshme, që po vijnë nga Rusia, dhe jo kohë e verëpirjeve të nanuritjeve në opiumin serbo-rus të “Ballkanit të hapur të paqes”.
Lufta e re ruse ka ardhur në Ballkan dhe këtë realitet të dhimbshëm tenton ta fshehë histeria diplomatike dhe propagandistike serbe dhe filoserbe për paqen dhe vëllazërim-bashkimin e ”Ballkanit të hapur”.
Ariu rus po e kafshon Ballkanin dhe Serbia po ia shtron sofrën.
Botuar në DITA
Diskutim rreth këtij postimi