Ardhja e diplomatit amerikan Hilli në Beograd është paraprirë nga emërimi i Gabriel Escobar si Përfaqësues special i presidentit amerikan për Ballkanin Perëndimor.
Përveç dy amerikanëve, Bashkimi Evropian ka të dërguarin e vet të ngarkuar për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak, Mbretëria e Bashkuar ka përfaqësues special, Stuart Peach, dhe Gjermania së fundmi emëroi ish-deputetin e Gjelbërve të Bundestagut, Manuel Sarazin, si përfaqësues të saj special për rajonin.
Këta të katër do t’i kenë duart plot punë, prandaj shtrohet pyetja se si do të bashkëpunojnë dhe harmonizojnë politikat e tyre.
Themeluesi i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiq, tha për “Danas” se kemi hiperinflacion të dërguarve specialë.
“Veçanërisht është aty burokracia imagjinative e Komisionit Evropian. Nuk e di kush çfarë po bën në emër të BE-së. Opinioni ynë e di për Lajçakun kur është fjala për dialog dhe nuk ka dialog. Pastaj fituam Borrellin, i cili duhet të merret me Kosovën dhe që thotë se është i pakënaqur me të dërguarin [Lajçak], por nuk po e zëvendëson. Kemi Komisionerin për Zgjerimin dhe njerëzit në disa shtete që raportojnë. Kemi një absurditet. BE-ja ka një të tillë [përfaqësues], Gjermania ka një të veçantë, sepse është e pakënaqur me Lajçakun, që është e qartë që nga fillimi, dhe Amerika e ka të vetin. Pra, tre që bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. U tha publikisht, kur Scholz (kancelari gjerman Olaf Scholz) u takua me Biden në Uashington, se Gjermania, Britania dhe Amerika do të përballeshin dhe do të zgjidhnin problemet e Ballkanit Perëndimor në tri vitet e ardhshme. Sa i përket Lajçakut, ai erdhi në situatë për t’u informuar për këto duke shkuar te Stuart Peach. Dhe ata ranë dakord për diçka. Mendoj se rasti ishte një takim në Budapest ku Peach doli me ide të qarta që të cilat të gjithë duhet t’i përfaqësonin. Është e qartë se nuk ka unitet mes burokracisë së Komisionit Evropian, i cili nuk mund të harmonizohet mes vete, dhe Uashingtonit dhe Londrës”, thekson Janjiq, transmeton Telegrafi.
Komisioni Evropian do të zbatojë atë për të cilën dakordohen tre të tjerët
Janjiq thotë se bota po kthehet pak në vitet ’90-ta, kështu që në fund këtu do të shfaqet një Grup Kontakti për Ballkanin, pa Rusinë, i ashtuquajturi QUINT (SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia).
“Po shohim që QUINT-i po vepron relativisht me efikasitet, por deri më tani nuk ka lëvizje praktike ndaj vendeve, në këtë rast Kosovës dhe Serbisë. Rregulli i suksesit është kur Uashingtoni dhe Brukseli flasin me një gjuhë, atëherë problemi zgjidhet. Ata nuk flasin me një gjuhë, humbet kohë duke shkuar nga problemi në problem, dhe tani problemi është Ukraina dhe gjithçka tjetër po neglizhohet”, thotë Janjiq.
I pyetur se cili është qëndrimi i britanikëve pasi nuk janë pjesë e administratës së Brukselit, Janjiq thotë se ky rregull vlente derisa Britania ishte në BE.
“Tani që [Britania] doli, po i kthehen formulës së vjetër, sepse Britania ka kanalet e veta të ndikimit në Ballkan. Britania ka marrëdhënie jashtëzakonisht të mira dhe mund të ketë një ndikim të fortë përmes Katarit, Emirateve, që është shumë e rëndësishme për financimin e elitave në Serbi dhe Kosovë, ata kanë një ndikim jashtëzakonisht të rëndësishëm në Paqësor, që do të thotë në Kinë, si dhe ndikimin e veçantë në Rusi. Ata janë më efikasë sesa një Sllovaki. Pra, për këtë, mendoj se Biden dhe Scholz janë pajtuar që treshja [e emisarëve] të punojë, kurse Komisioni Evropian do të vijë në një situatë në të cilën OKB-ja duhet të realizojë atë për çfarë ata do të pajtohen”, thekson Janjiq.
Escobar dhe Sarrazin mund të jenë më të ashpër
Aleksandar Ivkoviq, redaktor i lajmeve në portalin European Western Balkans, thotë se përshtypja nga periudha paraprake është se asnjëri nga të dërguarit nuk e ka fjalën kryesore gjatë gjithë kohës, por angazhimi i Escobar si përfaqësues i SHBA-së e ka peshën më të madhe politike.
“Kjo u pa, për shembull, në rastin e krizës së targave të automjeteve nga viti i kaluar, kur, siç doli, prania e Escobar ishte e rëndësishme për të paktën arritjen e një marrëveshjeje kalimtare”, shpjegon ai.
Ai mbi të gjitha pret që Lajçak dhe Escobar do të përpiqen në opinion të tregojnë unitet dhe bashkëpunim të mirë, për shembull përmes vizitave të përbashkëta në rajon.
“Politika e kësaj administrate amerikane është aleancë me BE-në për çështjen e Ballkanit Perëndimor, por kjo nuk do të thotë se ende nuk ka hezitime dhe matje të lëvizjeve të caktuara”, thotë Ivkoviq.
Siç thotë ai roli i Stuart Peach është disi më pak i rëndësishëm politikisht për shkak të zvogëlimit të rolit të Britanisë së Madhe në rajon dhe ka përshtypjen se do të përpiqet të bashkëpunojë me BE-në.
“Manuel Sarrazin mbetet i panjohur dhe do të jetë interesante të shihet nëse ai do të kërkojë më shumë kompromise nga Serbia lidhur me Kosovën, por edhe për BeH, nga Miroslav Lajçak dhe si do të jetë bashkëpunimi mes tyre. Përshtypja ime është se Gabriel Escobar dhe Manuel Sarrazin mund të pritet të jenë më të ashpër ndaj autoriteteve në Serbi, nëse ata e gjykojnë të nevojshme. Kjo për shkak se të dy përfaqësojnë administrata që nuk kanë marrëdhënie të ngushta me autoritetet në Beograd. Gabriel Escobar tashmë ka disa episode të ngjashme në rajon – për shembull, ai shprehu publikisht shqetësimin për korrupsionin në Mal të Zi gjatë një takimi me presidentin Milo Gjukanoviq vitin e kaluar. Për Sarrazin, megjithatë, mbetet për t’u parë se sa e ka në të vërtetë mbështetjen e qeverisë për një qasje më të ashpër. Mendoj se qeveria [gjermane] ende po e peshon se sa do të bëjë presion, veçanërisht ndaj liderëve në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë, gjë që mund të shihej gjatë vizitës së ministres së jashtme Bearbock, e cila u zhvillua me tone diplomatike”, thotë Ivkoviq.
Ai përfundon se nuk duhet të harrojmë se përfaqësuesit specialë për Ballkanin Perëndimor janë me ndikim aq sa qeveritë e tyre janë të gatshme të merren seriozisht me mesazhet që dërgojnë. /Telegrafi/
Diskutim rreth këtij postimi