Në vitet 1996-1999, pas Konferencës së Dejtonit (1995), prof. Roux-i erdhi në Ballkan me dy ekspertë të tjerë francezë për Ballkanin (prof. Olivier Deslondes nga Universiteti Lyon dhe dr. Gilles de Rapper, etnolog, profesor në disa universitete në Francë). Ishin të dërguar nga qarqet ushtarake franceze për të mbledhur të dhëna dhe fakte se a do të ketë luftë në Kosovë pas Dejtonit. Në të gjitha raportet e tyre drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, ky ekip thoshte se në Kosovë do të ketë luftë, mirëpo kjo ministri nuk u kishte besuar!
Ky ekip, meqë në Kosovë nuk mund të hynte, qëndronte në vendet përreth dhe kryesisht në Maqedoni, ku edhe takoheshim. Ma bënte një telefonatë, duke përdorur parullën: “Tezja est à Shkup” për të pasuar përgjigjja ime: ”D’accord, demain”! Të nesërmen shkoja me autobus drejt në Qendrën Kulturore Franceze, te personi i caktuar për të marrë informatën se ku ishin të vendosur. Qëndroja 2-3 ditë për t’i informuar për dhunën dhe terrorin që bënte regjimi serb mbi shqiptarët; flinim me një dhomë 4 veta në një hotel të ish-sindikatave të Maqedonisë. Disa herë me mua ishte edhe Eqrem Basha.
Me Michelin na ka lidhur një miqësi e gjatë, që nga vitit 1971 kur erdhi për herë të parë në Kosovë me qëllim të fillimit të hulumtimeve për doktoratën shtetërore. Pastaj unë qëndrova shumë herë te ai në Brax dhe Toulouse dhe ai tek unë në Prishtinë; në çastet më të rënda u kujdes dhe e ndihmoi familjen time, por dhe familjet shqiptare dhe boshnjake të ikura nga luftërat e viteve 90 dhe të instaluara në rrethinën e Toulouse-it. Miqësia jonë u forcua edhe më shumë gjatë udhëtimeve të përbashkëta, diskutimeve tona të gjata dhe korrespondencave, në të cilat këmbyem pikëpamjet mbi ngjarjet dramatike në Ballkan, veçanërisht në Kosovë. Mësova shumë nga mprehtësia e maturia dhe përkujdesja e shqetësimet e tij për të vërtetën për të cilën shkruante dhe fliste për këto ngjarje. Shqetësimi i tij për të vërtetën përcillej gjithashtu nga një hidhërim njerëzor karshi jonjerëzores dhe egërsisë së regjimit të Beogradit.
Duke qenë shkencëtar rigoroz, në analizat e tij të thella për çështjet e ndryshme të Kosovës, të shqiptarëve dhe të Ballkanit, dinte ta ruante para së gjithash gjykimin e qartë shkencor dhe joemocional. Dinte t’i mbante lidhjet profesionale dhe lidhjet miqësore me kolegët dhe miqtë e tij në Ballkan. Në Toulouse Roux-i më njoftoi me prof. Alain Ducellier, medievistin dhe bizantologun e njohur në gjithë Francën, që ishte edhe një mik i shqiptarëve; ai vinte shpesh në Tiranë dhe kishte bashkëpunim të sinqertë me prof. Aleks Budën dhe prof. Stefanaq Pollon.
Libri i tij (“Les Albanais en Yougoslavie”) është në të vërtetë doktorata e tij shtetërore (doctorat d’état), që u botua në vitin 1992 nga shtëpia e njohur botuese “Editions de la maison des sciences de l’homme”. Në juri ishin tre profesorë nga Universiteti i Toulousit-Le Mirail dhe dy nga Parisi: Yves Lacoste, profesor në Universitetin Paris dhe drejtor i revistës “Herodote”, i njohur për studimet gjeopolitike të “Botës së Tretë” (Tiers monde) dhe prof. Aleksandre Popović, drejtor i Qendrës Nacionale për Hulumtime Shkencore (CRNS), me kombësi serb i Beogradit (i vëllai i Miqa Popoviqit, piktor, kritik i artit, shkrimtar dhe regjisor i filmit). Bashkëjetuesja apo gruaja legjitime e të ndjerit ishte një franceze (Nathalie Clayer), e cila merret edhe me probleme shqiptare dhe ka disa vjet që është drejtoreshë e CRNS-së. Kur bisedohej për formimin e jurisë për mbrojtjen e doktoratës diskutohej se a ka kuptim që për një temë të tillë të mos kishte në juri asnjë anëtar që e njihte problemin e Kosovës e të shqiptarëve në ish-Jugosllavi – u gjet Aleksandar Popoviqi nga Serbia, por ishte e preferueshme të ishte në mbrojtje edhe një shqiptar i Kosovës. Unë dëshiroja të ishte edhe një shqiptar nga Universiteti i Prishtinës, rrëfente më vonë Micheli, por kisha frikë, sepse, meqë i njihja rrethanat politike në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi, të cilat nga viti 1989 ishin shumë të përkeqësuara (autonomia tashmë ishte suprimuar me dhunë, kishte filluar të përjashtoheshin masivisht shqiptarët nga puna, të dëboheshin nxënësit, studentët dhe arsimtarët nga objektet publike shkollore dhe universitare, segregacioni, dhuna dhe represioni policor në rritje…), mendoja se ai profesor kur të kthehej në Kosovë do të kishte probleme me pushtetin partiak-politik dhe policor. Më thoshte se kishte një diskutim të ashpër me Popoviqin në seancën e mbrojtjes ngase ai insistonte vetëm në temat e mesjetës, që lidheshin kryesisht me kishat dhe manastiret ortodokse serbe, me të cilat unë nuk isha marrë – tema ime ishte çështja e shqiptarëve në Jugosllavi në kontekstin gjeohapësinor dhe gjeopolitik.
Në doktoratën e tij, problemi qendror metodologjik, por edhe përmbajtësor ishte si të definohej territori ku jetojnë shqiptarët në ishJugosllavi. Ai e ka quajtur “L’aire du peuplement des Albanias en Yogoslavie”. Fjala l’aire ka kuptime të ndryshme: ajri kryesisht, por edhe era, klima, nënqielli, hapësira, territori, sipërfaqja, zona etj. Në këtë rast do të thotë “Territori ose hapësira e popullimit të shqiptarëve në Jugosllavi” ose serbisht dhe kroatisht është më e qartë “Područje naseljenosti Albanaca u Jugoslaviji”. Në diskursin serb, politik e shkencor ka pasur shumë mospajtime dhe kritika – pse të definohet një territor jashtë kufijve adiministrativë të ish-republikave dhe KSA të Kosovës, sikurse po i ngjan një Republike shqiptare në ish-Jugosllavi, e cila herët a vonë do të bëhej shtet në vete dhe do të bashkohet me Shqipërinë etj. Shpjegimet e Roux-it ishin se me këtë definim kishte konstatuar se në atë shtet shqiptarët kanë një koncentrim, një tërësi kompakte, në këtë hark territorial: Kosova, Maqedonia P., Lugina e Preshevës apo Serbia e Jugut me Preshevën e Bujanocin dhe Mali i Zi me Ulqinin (73%). Për këtë tërësi ka shfrytëzuar dy kritere: i pari ka të bëjë me përqindjen e shqiptarëve në popullsinë e përgjithshme të komunave që i ka studiuar; dhe kriteri i dytë është në çfarë mase kjo tërësi e komunave prezenton popullatën shqiptare në ishJugosllavi, nga komuna e Drenasit më homogjenia me shqiptarë (gati 100%) dhe komuna e Strugës (rreth 42%), ku shqiptarët nuk janë shumicë. As Shkupin, thoshte ai, nuk kam mundur ta fus në hapësirën etnike shqiptare, sepse është kryeqytet i Maqedonisë, ndonëse atje jeton një komunitet i madh shqiptarësh. Mbi bazë të këtyre kritereve nxori hartën, që e prezenton në librin studimor “Les Albanais en Yougoslavie”.
Menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999, prof. M. Roux-i e shkroi librin tjetër “Le Kosovo – Dix clés pour comprendre” (“Kosova – dhjetë çelësa për ta kuptuar”), të përmbledhur në dhjetë pika ose sigla, të cilat po i japim në përkthim:
1. Çka është Kosova dhe çka janë banorët e saj, serbët dhe shqiptarët, a ka dallime midis tyre?;
2. Pse serbët e konsiderojnë Kosovën djepin e kombit të tyre derisa shqiptarët janë shumicë?;
3. Çfarë raporti ekziston midis shkatërrimit të ish-Jugosllavisë dhe luftës së vitit 1999?;
4. Nacionalistët shqiptarë dhe veçanërisht këta të UÇK-së a kanë një projekt për formimin e “Shqipërisë së Madhe”?;
5. Pse dhe si fuqitë perëndimore dhe Rusia janë të implikuara në këtë konflikt?;
6. Pse NATO-ja kishte zgjedhur “luftën ajrore”?
7. Çfarë është bilanci i “spastrimit etnik”, i realizuar nga forcat serbe gjatë kohës së luftës?;
8. Pse opozita serbe e Milosheviqit ishte kështu diskrete?;
9. Çfarë skenarë politikë shihen për të ardhmen e Kosovës, të Serbisë dhe të Jugosllavisë?;
Nga ekspertët e gjeopolitikës dhe përmes tyre nga politikanët francezë kërkohej mendimi i prof. Roux-it nëse bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të ishte i mundur (është fjala për fillimin e viteve 90 të shek. XX). Shqipëria ende ishte e izoluar, e pazhvilluar ekonomikisht, me sistem njëpartiak, ku mbretëronte një ideologji marksisteleniniste, të cilën shqiptarët në ish-Jugosllavi, me sa kishte marrë opinione nga shumica e shqiptarëve kudo në ish-shtetin, nuk e pëlqenin – nënvizon prof. Roux. Por nëse ky regjim do të ndërrohej dhe Shqipëria do të zhvillohej dhe nëse Beogradi do të vazhdonte me represion dhe diskriminim, atëherë, thotë ai, shqiptarët do të bëheshin “irridentistë” – do të kërkonin bashkimin! Por në qoftë se Beogradi i ndërpret këto masa të dhunës dhe segregacionit, ekzistonte mundësia që Kosova të mbetej në Jugosllavi, ku shqiptarët do të qeverisnin me vetveten (vetëvendosja). Në anën tjetër, bashkimin nuk do ta lejonte Evropa nga se do të hapeshin proceset e tilla zinxhirore në Ballkan, para së gjithash në Maqedoni dhe në BeH. Ai mendonte se ndoshta bashkimi i shqiptarëve do të vinte brenda një Evrope të ardhshme, federale, të integruar.
Për zgjidhjen e problemeve politike dhe nacionale, Roux-i rëndësi të madhe i kushtonte zhvillimin ekonomik, madje këtë mendim e kishte edhe pas shpalljes së pavarësisë (2008), ndërsa nënvizonte se territori etnik shqiptar është më i pazhvilluar, me papunësi të madhe, me dendësi të madhe agrare, me të ardhura më të vogla për kokë të banorit, por shqiptarët nuk parapëlqejnë të shpërngulen në masë dhe të nguliten në një territor tjetër të Jugosllavisë, me shumë dallime sa i përket gjuhës, traditës, kulturës, zakoneve etj., sikurse që kishin probleme në gjysmën e shekullit të 19-të njerëzit e ardhur nga Franca Jugore në Paris dhe rajonin e tij si jofrankofon, por nuk priteshin mirë edhe nga vendorët, ndërsa shqiptarët do të priteshin edhe më keq në territoret e tjera të ish-Jugosllavisë. Në Serbi vetë kam vërejtur reaksione të tilla, nënvizonte Roux-i, sikundër që në kontakte me shkencëtarët serbë kishte hetuar se, me gjithë ngarkesat që kishin ndaj Kosovës, që e konsideronin si “djep të serbizmit mesjetar”, kishte hetuar se në një mënyrë e pranonin humbjen e saj.
Normën e natalitetit dhe të shtimit natyror të lartë të shqiptarëve qarqet serbe dhe pastaj edhe jugosllave e shpjegonin si një sjellje demografike të qëllimshme, në esencë nacionaliste. Në këtë temë Roux-i së pari i pasqyronte qëndrimet e specialistëve serbë dhe shqiptarë, që ishin diametralisht të kundërta, ndërsa vetë kishte qasjen e tij, por ekskluzivisht shkencore, duke iu referuar vetëm të dhënave zyrtare jugosllave (Kosova e fundit sa i përket prodhimit shoqëror për kokë banori). Shpjegimet e serbëve bazoheshin në kinse pengesat për zhvillimin shoqëror-ekonomik të Kosovës dhe shqiptarëve, por duke e lidhur procesin e lindjes me komponentin etnik, modelet e kulturës tradicionale, veçoritë ataviste me variablat specifike të vetëdijes, madje edhe me interesa dhe ideologji nacionaliste, me porosi shtetomëdha dhe me qëllim që, kinse duke i ndjekur serbët nga vatrat e tyre mesjetare, ta rrezikonin presporitetin gjeodemografik, shtetëror e kombëtar të Serbisë dhe serbëve dhe të krijonin “Kosovën etnikisht të pastër” dhe “Shqipërinë e Madhe”!
Në luftën antinataliste ndaj shqiptarëve me masa administrative, antisociale dhe anticivilizuese të tipit indiano-kinez ishte krijuar një bllok i fuqishëm serbo-malazezo-maqedonas, i mbështetur nga gjithë ish-Jugosllavia. Këto teza Roux-i i kundërshtonte dhe sjelljen demografike të shqiptarëve e shpjegonte vetëm me argumente, si shkak të moszhvillimit, veçanërisht të lënies pasdore të femrës (papunësia, analfabetizmi, lidhja e saj për shtëpi dhe suazat familjare), sikurse në vendet e “Botës së Tretë” (Tiers Monde). Këtë e dokumentonte edhe në këtë studim (doktorata) dhe në shqyrtimet e tjera, duke theksuar se gjithnjë e më shumë po zvogëlohet norma e lindshmërisë (nga mbi 40 promila në gjysmën e viteve 60 të shekullit të kaluar kishte rënë nën 27 promila në vitin 1990) konform transformimit sociokulturor dhe përmirësimit të pozitës së femrës shqiptare në familje dhe shoqëri (arsimimi, punësimi, mobiliteti social e hapësinor; pjesëmarrja në raportet vendimmarrëse familjare dhe në proceset e tjera në shoqëri etj.).
Indeksi i prodhimit shoqëror për një banor në republikat dhe krahinat e ish-Jugosllavisë (mesatarja jugosllave = 100), sipas M. Roux, 1992. Nga fillimi i viteve 80 të shekullit XX, nga qarqet reaksionare serbe dhe instancat politike serbo-jugosllave doli edhe një tezë tjetër absurde, që u përsërit edhe në mitingjet populliste dhe shoviniste serbe, se kinse një numër i madh i shqiptarëve, rreth 400.000 sish, kanë ardhur nga Shqipëria në Kosovë pas vitit 1941 dhe gjoja në sajë të këtij imigrimi shqiptarët na e paskan krijuar një epërsi në strukturën etnike të Kosovës. Ndërsa faktet pasqyronin gjendje krejtësisht tjetër: sipas regjistrimit të vitit 1981, nga bota e jashtme në Kosovë kishin ardhur 3.331 persona. Prej tyre nga Shqipëria kishin ardhur 1.543 veta, prej të cilëve në Kosovë, sipas raporteve të policisë të vitit 1986 jetonin gjithsej 704 veta. Teza mbi numrin masiv të imigrantëve nga Shqipëria ishte, në të vërtetë, pjesë e një strategjie hegjemoniste serbe për spastrimin etnik të Kosovës, dëbimin jo vetëm të 400.000 shqiptarëve, por edhe të pasardhësve të tyre, e kjo praktikisht do të thoshte të të gjithë shqiptarëve. Insistimi kaq i madh i qarqeve politike e shkencore serbe në këtë tezë, si “argument demografik”, kishte për qëllim që shqiptarët t’i paraqiste si “kolonizatorë” dhe “ndjekës” të serbëve dhe se vetëm serbët na e kishin “të drejtën historike”, e në mbështetje të saj edhe “të drejtën aktuale” për të jetuar dhe qeverisur në Kosovë, ndërsa shqiptarët si “të ardhur” na qenkëshin të privuar nga këto të drejta. Për këto arsye, por edhe për shkak të jolojalitetit ndaj shtetit serb dhe si “shtetas të huaj”, sipas tyre, duhej të dëboheshin nga Kosova, “përtej Bjeshkëve të Nemuna”, me mjete dhe metoda gjenocidale si një ëndërr e kahmotshme e të gjitha regjimeve serbe, e cila fatmirësisht mbeti vetëm aspiratë hegjemoniste. Këto teza absurde me të dhëna të statistikës zyrtare jugosllave i kundërshtoi fuqimisht prof. Roux. E krahasonte lëvizjen e numrit të popullsisë së Shqipërisë para dhe pas Luftës II Botërore dhe lëvizjen e numrit të popullsisë shqiptare në Kosovë në vitin 1921 (sipas gjuhës amtare, kur Kosova kishte rreth 300.000 shqiptarë) dhe në vitin 1948 kur ishin regjistruar afër 500.000 shqiptarë, me dinamikën e shtimit natyror dhe vetvetiu demantoheshin manipulimet serbe.
vijon
Diskutim rreth këtij postimi