Daut Dauti
Shërbimi Sekret Ushtarak Britanik i ka përgjuar veprimet e nacistëve gjermanë në lidhje me formimin dhe operacionet e Divizionit Skenderbeg. Sot, në arkivin britanik ekziston një dosje voluminoze e kësaj pune. Por, nuk është shënuar asnjë veprim i këtij divizioni për qëllimin që ishte formuar.
Në fotografinë e parë të postuar këtu (Document Top Secret), të datës 12. 5. 1944, bëhet me dije për një udhëtim të Xhafer Devës dhe Ago Agait, të cilët kthehen nga Gjermania me aeroplan përmes Beogradit. Po aty thuhet se njësitë shqiptare janë duke dështuar kundër komunistëve. [Pason teksti i cili për përgjuesit ka qenë i palexueshëm]. Por, fjalia e fundit është e qartë : ‘Në këto rrethana, prospekti i veprimeve të [Divizionit] Skenderbeg është zero.’
Në dokumentin e dytë zyrtari gjerman në Tiranë, me siguri udhëheqës i shërbimit sekret nacist, flet për një milici të armatosur e cila e ka ndihmuar Divizionin Skenderbeg. Kur kjo njësi është bombarduar nga aeroplanët britanikë, të armatosurit i kanë hedhur armët dhe kanë ikur në mal. Në pasusin e dytë, zyrtari gjerman ankohet në Berlin për shkak se fondet që i janë dërguar atij, janë të pamjaftueshme. Ai kërkon që Kaltenbrunner (ministri i brendshëm gjerman) të dërgoj më shumë para në Tiranë . Këto para janë të dedikuara për ryshfete. Dmth zyrtari gjerman thot se qeveria e Shqipërisë, gjegjësisht gjandarmëria dhe zyrtarët tjerë, kërkojnë ryshfete nëse gjermanët dëshirojnë ta kryejnë ndonjë punë përmes tyre.
Ky dokument nuk flet vetëm për korrupcion. Është dokument që bënë me dije se qeveria shqiptare e asaj kohe, e kryesuar nga Rexhep Mitrovica, nuk ka qenë e themeluar e as e kontrolluar nga gjermanët. Sikur të ishte e tillë , nuk do të kishte nevojë për ryshfete.
Në fakt, shqiptarët, ndoshta të vetmit në Evropë, as që kanë patur lëvizje fashiste. Por, gjërat kanë ndryshuar pas luftës kur historia e shtetit komunist i ka shpallur fashistë apo bashkëpunëtorë të fashizmit të gjithë ata që nuk ishin komunistë apo që edhe ishin komunistë, por nuk u pajtuan me sistemin e vendosur në Shqipëri pas viti 1945.
Qeveria e Rexhep Mitrovicës, ku Xhafer Deva ishte ministër i brendshëm, nuk ka bërë asnjë veprim fashist, siç kanë bërë të gjitha qeveritë evropiane në shfarosjen e hebrenjëve. Kjo qeveri nuk e ka bërë as ‘masakrën’ për të cilën akuzohet kinse ka ekzekutuar qindra anti fashistë.
Qeveria e Rexhep Mitrovicës ka qenë ndër qeveritë me njerëz të arsimuar dhe patriotë. Shumica e anëtarëve të kësaj qeverie kanë studjuar në Austri ose Gjermani. Por, Rexhep Mitrovica, së bashku me grupin që u morën vesh, e ka luajtur rolin e domosdoshëm. Ky grup i intelektualëve, menjëherë pas kapitulimit të Italisë dhe rënies së qeverisë së atë hershme shqiptare, ka treguar pjekuri duke e zbatuar parimin themelor politik, i cili thotë se vendi nuk guxon të mbetet pa qeveri asnjë sekond; çfarëdo që është një qeveri, është më e mirë se ajo që nuk ekziston.
Qeveria e Rexhep Mitrovicës dhe Xhafer Deva mund të akuzohen ndoshta për përzënien e serbëve. Kështu së paku thotë historia e Serbisë . Dhe, sot të gjitha akuzat për qeveritë e shqiptarëve gjatë luftës, kur qenë bashkuar pjesërisht trojet shqiptare, kanë origjinë në Serbi. Askund tjetër. Asnjë nga anëtarët e këtyre qeverive nuk kanë qenë kurrë të akuzuar nga askush, pos Beogradit dhe Tiranës komuniste, për krime të luftës apo për ndonjë lloj tradhëtie. Kjo është për shkak se nuk kishte baza për akuza.
Por, një gjë duhet mbajtur në mend. Këto qeveri kanë kontribuar shumë në aspektin kombëtar. Pa këto qeveri nacionalizmi shqiptar jashtë Shqipërisë me siguri do të vdiste pas Luftës së Dytë Botërore. Këto qeveri e mbollën patriotizmin te shqiptarët. Këto qeveri e bindën shqiptarin e pashkolluar të Kosovës se mund të krijojnë shtet me adminstratë dhe forca të armatosura shqiptare. Këto qeveri kanë dështuar, por pas vetes kanë lënë idenë patriotike.
Shumë grekë që gjatë luftës ishin fashistë të tërbuar, sot janë heronj të respektuar në Greqi. A ka protestuar ambasadori gjerman për renovimet që i bëhën shtëpisë se Ivo Andrićit më shumë se shpesh? Njeriut që e shkroi ABC-në më të përsosur për zhdukjen e shqiptarëve dhe shtetit të tyre. A ka protestuar ambasadori gjerman për rehabilitimin e kriminelit të luftës dhe bashkëpunëtorit fashist, Draža Mihailovićit? Natyrisht që jo. As që duhet se nuk është punë e tij se çfarë objekte renovojnë shtetasit e vendit në të cilin ai është dërguar përfaqësues. Por, pse ky ambasador për Kosovën nuk e merr të njejtin që ndrim që ka edhe për Serbinë ose Greqinë?
Diskutim rreth këtij postimi