Për shkak të “mosmarrëveshjeve” tradicionale mes shteteve të dala nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, të cilat janë përshkallëzuar muajt e fundit, në qarqet politike dhe mediale perëndimore, rajoni ynë trajtohet sërish sikurse në vitet 1990 – si një fuçi baruti. Shkaku i të gjitha konflikteve, ashtu sikurse në vitet e nëntëdhjeta, është Serbia, d.m.th. politika e saj e ndërhyrjes pak a shumë të hapur në punët e brendshme të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në një intervistë ekskluzive për “Pobjeda”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se ndaj vendeve të dala nga shpërbërja e Jugosllavisë së madhe, Serbia sot po sillet në mënyrë paternaliste dhe hegjemoniste, tamam si një “Rusi e vogël”.
Dëshmi për këtë janë edhe tensionet e fundit në kufirin Serbi-Kosovë, pas të cilave forcat e Kosovës u detyruan të reagojnë. Dy muaj pas incidentit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pohon se pavarësisht trazirave në kufi, marrëdhëniet mes dy vendeve kanë mbetur të pandryshuara.
„Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë të njëjta: nuk janë as më të mira e as më të këqija“, shpjegon kryeministri Kurti. „ Kemi të bëjmë me një shtet që nuk e njeh Kosovën, i cili është autokratik dhe me prirje nga Moska. Nga ana tjetër, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, ka integritetin e vet territorial, por edhe shumë probleme.
POBJEDA: Cilat janë problemet e Kosovës?
KURTI: Problemi ynë më i madh është Serbia, e cila as nuk mund ta marr me mend dhe as ta pranojë Kosovën si shtet fqinj të barabartë.
A varen paqja dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor nga marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës?
KURTI: Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për paqe dhe stabilitet afatgjatë dhe për t’i arritur ato, ne kemi nevojë për demokraci, drejtësi dhe zhvillim, të cilat janë edhe baza e vlerave evropiane. Fatkeqësisht, situata aktuale në Ballkanin Perëndimor duket si një kopje në miniaturë e Federatës Ruse.
Në çfarë kuptimi?
KURTI: Serbia në Ballkanin Perëndimor po sillet si Rusia me fqinjët e saj: entitetin boshnjak-hercegovinas Republika Srpska po përpiqet ta shndërrojë në Bjellorusi dhe Malin e Zi në Ukrainë. Në thelb, Serbia nuk e njeh shtetësinë e vendeve jashtë BE-së – Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kosovën, madje edhe Maqedoninë e Veriut. Përkundrazi: ajo këto shtete i konsideron si të përkohshme dhe angazhohet me të gjitha kapacitetet e saj për të shkatërruar shtetësinë e tyre.
Janë dy shkaqe të tensioneve në rritje që po prodhon Serbia.
Cilat janë ato?
KURTI: Mungesa e demokracisë dhe dështimi për t’u përballur me të shkuarën. Serbia po i eksporton këto dy defekte të brendshme në rajon, duke e destabilizuar atë. Në këtë kuptim, Serbia po e kupton dialogun mes dy vendeve tona si dialog për statusin e Kosovës, për çështjet e brendshme të Kosovës, dhe jo atë që ai realisht është: dialog për statusin e marrëdhënieve tona dhe normalizimin e tyre. Për ta pranuar këtë, Serbia duhet të ndryshojë shumë: duhet të demokratizohet, të vendosë shtetin e së drejtës, të përballet me të kaluarën… Së fundi, duhet të krijojmë një lloj simetrie të reciprocitetit të të drejtave të pakicave.
Cila ka qenë arsyeja specifike e tensionit në muajt e fundit?
KURTI: Marrëveshja e Brukselit për targa të regjistrimit ka skaduar më 15 shtator 2021, kështu që në përputhje me detyrimet dhe të drejtat e qytetarëve vendosëm për reciprocitet. Ka më shumë se dhjetë vite që qytetarët tanë shkojnë në Serbi, por gjatë hyrjes ata janë të detyruar të paguajnë pesë euro dhe të vendosin targa të përkohshme serbe. Ky parim nuk vlente për automjetet nga Serbia që hynin në Kosovë. Si shtet kemi vendosur të vendosim masën e reciprocitetit, pas së cilës pjesëtarët e strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë kanë bllokuar rrugët. Qeveria ishte e detyruar të dërgojë një njësi speciale për të mbrojtur policinë tonë kufitare, pasi bllokada serbe ishte e pazakontë – barrikada dhe buldozerë. Në ndërkohë është djegur qendra e regjistrimit të automjeteve në Zubin Potok – për fat të mirë nuk ka shpërthyer një granatë dore – dhe është e qartë se bëhet fjalë për një sulm të organizuar ndaj institucioneve të vendit tonë.
Kush mori pjesë në këtë? Kush janë personat që kanë organizuar barrikadat dhe bllokadat?
KURTI: Të dhënat nga institucionet tona të sigurisë tregojnë se bëhet fjalë për persona me precedentë penalë. Disa prej tyre morën pjesë edhe në tentativën për grushtshtet në Mal të Zi, në vitin 2016.
Tashmë e përmenda që Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por nuk mund të kërkojë nga ne që të mos e njohim veten. Ne duam të largojmë barrierat, por përderisa Serbia insiston në barriera, ne ligjërisht do t’i përgjigjemi kësaj.
Ju e dini se nocioni “reciprocitet” ndryshe interpretohet në Serbi, ndryshe në Kosovë.
KURTI: Qytetarët e Republikës së Kosovës gjithmonë kanë kërkuar që të trajtohen ashtu siç i trajton Kosova qytetarët e vendeve të rajonit. Ne kërkojmë marrëdhënie të barabarta ndërshtetërore, respektim të të drejtave universale dhe drejtësi mes shoqërive. Me fjalë të tjera, Republika e Kosovës dëshiron që qytetarët, ndërmarrësit, profesionistët, punëtorët e saj të trajtohen njësoj si qytetarët e vendeve të tjera – pa paragjykime, pa pengesa, me respektin e duhur për kryerjen e aktiviteteve jetësore dhe profesionale. Qytetarët e Kosovës dhe autoritetet e Kosovës nuk duhet të diskriminohen apo të pengohen në synimin e tyre eventual për të bashkëvepruar me autoritetet serbe në një kontekst komercial, qytetar apo ndonjë kontekst tjetër shtetëror.
,,Ne duam t’u lëmë kohë shtesë disave në Prishtinë për të ndryshuar vendimet e tyre të këqija. Nëse ata nuk duan, ne do të marrim masa me qëllim të mbrojtjes së interesave të Serbisë.“ – tha së fundi presidenti Aleksandar Vuçiq. Si e keni kuptuar këtë porosi?
KURTI: Nuk e kam kuptuar. Sa herë që Serbia thotë se po mbrohet, ta dini se ajo po sulmon. Ne kemi qenë të bindur për këtë për të paktën tre dekadat e fundit.
Këtë e pamë edhe në rastin e aplikimit të reciprocitetit të targave dhe situatën e krijuar në vendkalimet kufitare Bërnjak dhe Jarinje. Fatkeqësisht, Serbia reagoi ashpër edhe atëherë, duke mbledhur trupa në kufi, duke përfshirë tanke T-72, autoblinda “Lazar” 3 dhe mjete luftarake multi-funksionale BOV M16 MILOŠ; në të njëjtën kohë, angazhoi avionë luftarakë rus MIG29, si dhe helikopterë të prodhimit rus për fluturime ndërkufitare.
Serbia shpenzon shumë më tepër për ushtrinë sesa pesë vendet e Ballkanit Perëndimor së bashku. Përkundër kësaj, ajo ka marrë ndihmë dhe donacione nga BE-ja, pa detyrimin për të zbatuar vlerat evropiane. Serbia në vend që të demokratizohet, ajo është militarizuar nga Rusia dhe Kina.
Në kohën e incidentit në kufirin e dy vendeve tuaja, ambasadori i Federatës Ruse në Beograd ka vizituar kufirin i shoqëruar nga ministri i luftës Nebojša Stefanović. Cili është mesazhi?
KURTI: Ndërkohë që ministri i Mbrojtjes i Serbisë dhe ambasadori rus në Beograd po inspektonin forcat ushtarake serbe në pikën kufitare Jarinje, ku ndodheshin edhe automjete të blinduara, mbi ta kishin fluturuar avionët ushtarak MiG-29 që Serbia i kishte marrë nga Federata Ruse. Në atë moment, pa fajin e Kosovës, tensionet u rritën ndjeshëm. Synimi ishte të na frikësonin, të na kërcënonin
A ju frikësuan?
KURTI: Natyrisht që jo. Kosova nuk u tërhoq, në fund gjithçka përfundoi në Bruksel. Jam i kënaqur që kemi arritur të vendosim një masë reciprociteti për targa të regjistrimit.
Kur flasim për Federatën Ruse, ai vend ka gjashtëmbëdhjetë vjet që ka zyrën e tij ndërlidhëse në Kosovë, e cila punëson dhjetëra diplomatë. Kohët e fundit ju shpallët dy diplomatë rusë të kësaj zyre të padëshiruar dhe “të rrezikshëm për sigurinë kombëtare”. Cili është roli dhe funksioni i zyrës ndërlidhëse ruse në përgjithësi?
KURTI: Dy zyrtarë rusë në Kosovë i shpallëm persona non grata për shkak të aktiviteteve të tyre të dëmshme me të cilat cenonin sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Institucionet tona nuk do të hezitojnë të veprojnë sa herë që cenohet siguria dhe rendi kushtetues në vend. Në raport me të gjitha shtetet ballkanike, Kosova është kundërshtarja më e madhe e politikës dhe ndikimit të Federatës Ruse. Në këtë drejtim, institucionet shtetërore të Kosovës punojnë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me BE-në, NATO-n dhe SHBA-të.
Çfarë saktësisht nënkuptoni kur thoni se Kosova e kundërshton ndikimin e Rusisë?
KURTI: Është e qartë se Rusia vazhdimisht po përpiqet të dobësojë BE-në, deri në pikën e shpërbërjes së saj. Ashtu siç Serbia është nostalgjike për Jugosllavinë, e cila ishte e dominuar dhe në të cilën Slobodan Milosheviqi komandonte ushtrinë jugosllave në vitet 1990, edhe presidenti i Rusisë është nostalgjik për kohën e BRSS-së, kur forcat sovjetike sundonin vendet e Evropës Lindore. Kjo nostalgji për pushtet është një ngjashmëri shtesë midis Rusisë dhe Serbisë, e cila rrit rrezikun për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, besoj se përpjekjet tuaja do të dështojnë. Ne i njohim mirë edhe aleancat dhe partneritetet tona me Perëndimin janë të palëkundura.
Serbia po pretendon se Kosova nuk e respekton marrëveshjen e Brukselit, d.m.th që po refuzon formimin e Bashkësinë e Komunave Serbe në veri të Kosovës. A kanë të drejtë ata që e shohin BKS-në si Republika Srpska e re në Ballkan?
KURTI: Gjatë vitit 2013 është bërë presion i madh te deputetët që të arrihet kjo marrëveshje sa më shpejt. Mungonte transparenca dhe informacioni. Sot, institucionet e Kosovës drejtohen nga njerëz që kundërshtuan marrëveshjen në vitin 2013 dhe që arritën një fitore plebishitare në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.
Vjosa Osmani, Glauk Konjufca dhe Ju?
KURTI: Ashtu është. Së dyti, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga dhjetori 2015 me të drejtë thotë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk është i integruar në sistemin ligjor dhe kushtetues të Kosovës. Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese konstatoi se vetë ideja e AKS-së shkel 23 nene të Kushtetutës së Kosovës, e cila nuk parasheh asnjë integrim territorial në baza etnike. Ne kemi një krijesë të tillë në BeH: quhet Republika Srpska, është ndërtuar në Dejton dhe i shërben Beogradit dhe jo serbëve. Prandaj Beogradi dëshiron një krijesë të ngjashme edhe në Kosovë. Në BeH kemi një shtet që nuk është republikë dhe brenda saj një republikë që nuk është shtet. Brenda Kosovës, Beogradi dëshiron një Asociacion që do të quhet republikë, por nuk do të jetë shtet. Shpresoj se kemi nxjerrë disa mësime nga e kaluara dhe kemi studiuar dhe analizuar si duhet Serbinë dhe politikën e saj. Të cilën, për fat të keq, e ndjemë në lëkurën tonë.
Në shkurt 2020, Matthew Palmer, atëherë i dërguari special i Sekretarit të Shtetit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, dhe sot një njeri kyç i SHBA-së për reformën zgjedhore në Bosnje dhe Hercegovinë, nuk përjashtoi mundësinë e “shkëmbimit të territoreve” midis Serbisë dhe Kosovës në një intervistë me EU Observer. A i ka ardhur fundi kësaj ideje të rrezikshme përfundimisht?
KURTI: Unë dua që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të zhvillohet për të drejtat dhe nevojat e qytetarëve dhe jo për shkëmbimin e territoreve. Ne jemi një shtet demokratik dhe zgjidhje të tilla nuk do të jenë në tavolinë. Fitorja ime në zgjedhje tregoi se populli i Kosovës nuk dëshiron ndarje të territoreve. Mendoj se as serbët nuk e duan këtë. Ndarjen e dëshiron vetëm presidenti i Serbisë. Por, prej kur unë jam kryeministër, Aleksandar Vuçiq nuk e përmend më demarkacionin me shqiptarët dhe zgjidhjet territoriale. Në vend të kësaj, ai kërkon “bosnjëzimin” e Kosovës: një entitet autonom serb brenda Republikës sonë për ta bërë Kosovën një shtet jofunksional. Ai nuk ia arriti, sigurisht. Nuk ka ndarje të Kosovës.
Presidenti Aleksandar Vuçiq e kushtëzoi vazhdimin e bisedimeve në Bruksel me “kthimin e situatës në gjendjen e para 20 shtatorit”.
KURTI: Bisedimet midis grupeve teknike të udhëhequra nga kryenegociatorët janë duke u zhvilluar në Bruksel. Suksesi i negociatave dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë varen në radhë të parë nga gatishmëria e Beogradit për të ndryshuar qasjen e tij dhe vetveten. Në Serbi nuk ka pluralizëm. E keni një parti. Ajo parti është edhe shteti. Dhe ai shtet është kisha. Dhe kjo kishë është partia. Nuk ka pluralizëm. Ata thjesht aktrojnë se janë demokraci.
A e keni përshtypjen se kryeministri Edi Rama më mirë po kuptohet me Presidentin e Serbisë se sa me Juve?
KURTI: Së fundmi, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Republikës së Shqipërisë patën një takim të përbashkët, gjatë së cilës ne së bashku me kryeministrin Rama dhe ministrat e tij nënshkruam trembëdhjetë marrëveshje të reja bashkëpunimi. Takimi i dy qeverive dhe marrëveshjet e nënshkruara janë në sfondin e integrimit në BE, që është perspektiva jonë. Marrëveshjet si këto do të na lejojnë të përkthejmë vizionet dhe programet e të dyja qeverive në veprime më konkrete, në mënyrë që të jenë efikase dhe frytdhënëse.
Ju nuk iu përgjigjët pyetjes sime, ndaj më lejoni ta provoj këtë: kryeministrat Rama, Zoran Zaev dhe presidenti Vuçiq u propozojnë vendeve të Ballkanit Perëndimor projektin “Ballkani i Hapur”. A është kjo ide e pranueshme për Kosovën?
KURTI: Nuk mund të kemi Ballkan të Hapur derisa Serbia të jetë e mbyllur për Kosovën, derisa të mos na pranojë pasaportat, dokumentet e identifikimit, diplomat, certifikatat dhe vulat e Kosovës. Ballkani i Hapur më shumë i ngjan një Ballkani që është i hapur ndaj ndikimeve nga Lindja, veçanërisht nga Federata Ruse dhe Kina; e hapur ndaj autokracisë, korrupsionit, kriminelëve të luftës… Të gjitha këto në kundërshtim me vlerat evropiane të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Në një farë mënyre, nga këndvështrimi i Serbisë, Ballkani i Hapur do të thotë që vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor mbeten të hapura ndaj Federatës Ruse dhe Kinës ashtu siç është e hapur Serbia. Kosova e kundërshton këtë synim, duke insistuar se Evropa është kontinenti ynë dhe BE-ja është fati ynë.
Deri në çfarë mase jokonsistenca dhe pasiviteti i asaj BE-je, si dhe mbyllja e syve ndaj qasjes së Presidentit Vuçiq ka kontribuar në destabilizimin e rajonit?
KURTI: Disa vende anëtare të BE-së e kanë kthyer konsensusin si gjithëpërfshirje në një “armë vetoje”, e cila po keqpërdoret si nga Serbia ashtu edhe nga Rusia.
A e kupton këtë administrata e re amerikane? Çfarë prisni nga rikthimi i tyre në Ballkan?
KURTI: Ne gjithmonë e mirëpresim angazhimin amerikan në Ballkan, por SHBA-ja vendos vet për llojin dhe intensitetin e angazhimit. Qeveria e Kosovës po punon ngushtë me administratën e Presidentit Biden për të forcuar demokracinë, për të zbatuar reformat e nevojshme për anëtarësimin në NATO dhe BE dhe për të thelluar miqësinë ashtu që të sigurohet paqja dhe siguria e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë. Prania e trupave amerikane në Kosovë është një manifestim i përkushtimit të Amerikës për Kosovën dhe sovranitetin e saj, por edhe për paqen në rajon dhe Evropë, si dhe luftën kundër parandalimit të përhapjes së faktorëve keqdashës të palëve të treta.
Si partneri ynë strategjik, SHBA-të i kanë dhënë besimin vendit tonë, kështu që Forca e Sigurisë së Kosovës për herë të parë është pjesë e stërvitjes “Defender Europe 21” në territorin e Republikës sonë. Pjesëmarrja e forcave të Kosovës në stërvitjen, në të cilën morën pjesë 27 shtete, ndërsa 16 prej tyre ishin nikoqire, dëshmon qartë synimin e Kosovës për të krijuar një mjedis të sigurt dhe paqësor në Evropë dhe më gjerë. Mbështetja e ushtrisë amerikane gjatë kësaj stërvitjeje është hallkë në zinxhirin mbështetës të SHBA-së për zhvillimin e vendit tonë, e veçanërisht për ndërtimin e kapaciteteve ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
FSK-ja shërbeu në mënyrë paqësore gjatë zbarkimit të parë të përbashkët me ushtrinë amerikane në Kuvajt dhe ndihmoi partnerët e SHBA-së dhe NATO-s në evakuimin e refugjatëve afganë, duke demonstruar aftësinë e saj për të shërbyer krah për krah me vendet anëtare të NATO-s.
Një raport i ri progresi i Komisionit Evropian për Kosovën tha se “paqëndrueshmëria politike në Kosovë ka kufizuar veprimin e qeverisë, duke përfshirë reformat e lidhura me BE-në”. Situata në veri të Kosovës u cilësua si “sfiduese”, veçanërisht në aspektin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe kushteve për lirinë e shprehjes. A jeni të kënaqur me raportin e KE-së?
KURTI: Raporti vjetor mat progresin në dy periudha gjashtëmujore – para dhe gjatë qeverisjes sonë, të cilat ndryshojnë si dita me natën. Në gjashtë muajt e fundit të qeverisjes sonë kemi stabilitet institucional, legjitimitet demokratik dhe besim të lartë tek institucionet nga ana e qytetarëve, që është një progres i madh shoqëror. Në fushën e sundimit të ligjit, në gjashtë muajt e parë të qeverisjes sonë miratuam Strategjinë e Sundimit të Ligjit, Projekt Kodin e Procedurës Penale dhe Ligjin për Agjencinë Kundër Korrupsionit, finalizuam draft dokumentin për verifikim dhe projektligjin e parë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar. E gjithë kjo do të forcojë dhe përmirësojë sistemin gjyqësor dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, nga data 1 prill deri më 30 shtator 2021 janë kryer 519 bastisje dhe 283 aksione policore. Po ashtu kemi intensifikuar luftën kundër kontrabandës, evazionit fiskal dhe krimit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Në fushën e vaksinimit dhe menaxhimit të pandemisë gjatë nëntorit 2021, kemi pasur një numër njëshifror të vdekjeve nga Covid-19; ne kemi dhënë mbi 1.6 milionë doza të vaksinës, 64 për qind e popullsisë mbi 16 vjeç janë me një dozë, ndërsa 57 për qind kanë marrë dy dozat. Ne jemi ende vendi i parë në rajon për sa i përket vaksinimit të popullsisë, që është një progres i padiskutueshëm.
Cilët janë treguesit ekonomik?
KURTI: Ekonomia konkurruese dhe zhvillimi ekonomik janë kritere të rëndësishme për përparimin drejt BE-së. Bazuar në projeksionet dhe statistikat aktuale për zhvillimin ekonomik, presim që në fund të këtij viti të kemi një rritje dyshifrore mbresëlënëse, e cila do të na forcojë ne si vendin me përqindjen më të lartë të zhvillimit ekonomik në Evropë. Sipas vlerësimit të Bankës Qendrore të Kosovës, ekonomia jonë do të rritet për 9.9 për qind. Të ardhurat buxhetore janë rritur për një të tretën, kemi ulur shumë shpenzimet e qeverisë dhe Kuvendi ka miratuar buxhetin për vitin 2022, i cili është 8.7 për qind më i lartë se rishikimi i buxhetit nga viti në vit. Qarkullimi në ekonomi u rrit me 30 për qind, eksportet me 68 për qind.
Pse, atëherë, Vetëvendosje fitoi vetëm katër komuna në zgjedhjet lokale në Kosovë të 17 tetorit? Çfarë nuk ishte e qartë për qytetarët?
KURTI: Ndoshta ka pasur lëshime nga ana jonë, nga ana e strukturave tona. Megjithatë, besoj se qytetarët nuk e duan më pak Lëvizjen Vetëvendosje. Përkundrazi. Në zgjedhjet e 17 tetorit ishim të parët me numrin e përgjithshëm të votave në nivel vendi, ashtu si në zgjedhjet parlamentare. Megjithatë, zgjedhjet lokale, ndryshe nga zgjedhjet parlamentare, janë një lloj tjetër loje dhe rregullash zgjedhore. Është pak a shumë si tenisi, ku mund të fitosh shumë gema, por në fund të humbësh setin. Sipas totalit të votave të qytetarëve jemi të parët në Republikë në zgjedhjet lokale, ndonëse kryetar komunash do të kemi vetëm në katër komuna. Aty ku jemi në opozitë do të bëjmë një opozitë të mirë dhe të fortë; aty ku jemi në pushtet do të bëjmë një qeveri të mirë dhe efikase.
Serbët në Kosovë nuk janë qytetarë të dorës së dytë
Cili është statusi i serbëve në Kosovë? A janë, siç pretendon Beogradi zyrtar, qytetarë të rendit të dytë?
KURTI: Nuk janë. Serbët në Kosovë përbëjnë pesë deri në gjashtë përqind të popullsisë dhe nuk janë të diskriminuar. Si Qeveri e Kosovës, programi ynë do t’i ndihmojë serbët po aq sa shqiptarët. Nëse i pyet serbët në Kosovë se cilat janë ankesat apo kërkesat e tyre kryesore, ata do t’ju thonë puna dhe drejtësia.
Është interesant fakti që asnjë serb në Kosovë nuk ka protestuar që Bashkësia e komunave me shumicë serbe nuk është zbatuar. Beogradi është ai që gjithmonë është zemëruar. Ajo që Serbia po përpiqet t’i imponojë shtetësisë së Kosovës dhe rendit tonë kushtetues nuk është dëshira apo vullneti i serbëve të Kosovës, por shprehje e aspiratave hegjemoniste të Serbisë.
Jemi të përkushtuar për afirmimin e komunitetit malazez
Si do t’i vlerësonit marrëdhëniet mes Kosovës dhe Malit të Zi pas ndryshimit të qeverisë në vitin 2020?
KURTI: Republika e Kosovës dhe Mali i Zi kanë bashkëpunim të ngushtë në shumë fusha. Axhenda e reformës është premtuese, sepse kemi hapësirë për të intensifikuar bashkëpunimin në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, të cilin duhet ta luftojmë së bashku në të dyja anët e kufirit. Gjithashtu, mund të bëhet më shumë për të lehtësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe për të hequr barrierat për zhvillim më të madh ekonomik dhe investime në të dy vendet. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë dhe të koordinojmë aktivitetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës me Qeverinë e Malit të Zi në iniciativat rajonale. Ne i jemi mirënjohës Malit të Zi për mbështetjen dhe angazhimin e tij në organizatat ndërkombëtare. Kosova dhe Mali i Zi ndajnë aspirata të përbashkëta për anëtarësim në BE dhe janë partnerë në përpjekjet e përbashkëta për demokratizimin dhe zhvillimin e rajonit.
Komuniteti malazez në Kosovë, siç është paralajmëruar në maj të këtij viti, duhet të bëhet kategori kushtetuese e Republikës së Kosovës sikurse serbët dhe boshnjakët dhe të fitojë statusin e pakicës. A kanë malazezët në Kosovë sot statusin e pakicës?
KURTI: Së bashku me përfaqësuesit e komunitetit malazez në Kosovë, jemi të përkushtuar për afirmimin e pozitës së komunitetit malazez, si dhe ndërtimin e marrëdhënieve të besimit dhe fqinjësisë mes dy vendeve dhe popujve tanë.
Ne dëshirojmë që shqiptarët në Mal të Zi dhe malazezët në Kosovë të gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre kolektive kulturore dhe politike, gjë e cila është një bazë e shëndetshme për marrëdhënie të mira mes dy vendeve tona dhe për një të ardhme më të mirë për të dy kombet.
bota sot
Diskutim rreth këtij postimi