Banorët kishin gjetur poshtë urës kryesore mbi Vardar, në qendrën e qytetit, kapica me kufoma shqiptarësh
Si pashë fshatra të tëra shqiptare afër Shkupit të shndërruara në grumbuj shkrumbi
Nënoficeri i urdhëronte: “Poshtë!” Shqiptarët gjysmë të vdekur nga frika uleshin në gjunjë: “Lart !” dhe ata ngriheshin
Gjatë luftës pata mundësinë, nuk di të them se me dëshirë apo pa dëshirë, të vizitoja Shkupin, pak ditë pas betejës së Kumanovës. Acarimi me të cilën në Beograd kishin pranuar kërkesën time për një lejë dhe pengesat artificiale që më parashtroheshin nga Ministria e Luftës më kishin bërë të nuhasja se zotërinjtë që drejtonin ngjarjet luftarake nuk e kishin ndërgjegjen e pastër dhe ngjarjet që po ndodhnin aty poshtë korrespondonin shumë pak me të vërtetat zyrtare të komunikatave qeveritare.
Përshtypja, apo më mirë parandjenjat, u përforcuan nga takimi i favorshëm në tren, në Nish, me një oficer që ishte duke shkuar në Shkup me një mision nga shtabi i përgjithshëm. Ky oficer, një burrë i drejtë dhe i ndershëm që e njihja prej kohësh, kur mori vesh se isha duke shkuar në Shkup me një lejë të rregullt, nuk mundi dot të përmbante mospëlqimin e tij.
I shpëtoj të thoshte se nëse nuk do të kisha ndonjë çështje urgjente të mos e bëja atë udhëtim në Shkup, duke shtuar se autoritetet e Beogradit nuk e dinin atë që ne bënim dhe duhet ti ndalohet “të huajve” që të udhëtojnë në Shkup. Me të mbërritur në Vranjë, në kufirin serb, oficeri, e pa se nuk kisha ndërruar mendjen. Atëherë ndërroi tonin e bisedës, mërmëriti disa fjalë të pakuptueshme dhe kërkoi të më përgatiste nga përplasja me gjendjen e Shkupit.
“Janë gjëra të papëlqyeshme, por fatkeqësisht të pa evitueshme ” më tha në thelb. Vërejtjet e bashkëbiseduesit tim përmendnin, mes të tjerave, e më duket bile edhe e natyrshme, “çështjet e Shtetit”. Të gjithë këto më bënë akoma më shumë me mëdyshje. Me sa duket, mendova, krimet, për të cilat një farë ekoje kishte mbërritur edhe në Beograd, nuk ishin episode aksidentale, të vetmuara e të jashtëzakonshme përndryshe një oficer i nderuar nuk kishte pse t’i justifikonte si “çështje të Shtetit” Megjithatë dikush duhet të ma bënte të ditur. Kush? Autoritetet ushtarake? Qeveria?
Përgjigja e kësaj pyetje më erdhi shumë shpejt me mbërritjen time në Shkup. Në të vërtetë shumë më parë, përgjatë kufirit të vjetër serb, na pllakosën tmerret. Ishte pesë e pasdites, dhe ishim duke u afruar në Kumanovë; dielli po perëndonte dhe ishte duke u errësuar. Mirëpo sa më shumë që qielli errësohej aq më shumë shquheshin vezullimet e zjarreve. Rreth e rrotull nesh gjithçka ishte në flakë.
Fshatra të tëra shqiptare ishin shndërruar në grumbuj shkrumbi të ndezura – afër edhe larg, bile edhe ngjitur me strukturat e mëdha të hekurudhës. Ishte e para, e drejtpërdrejtë, shfarosje e vërtetë reciproke e qenieve njerëzore, të cilat unë kurrë nuk i kisha parë në luftë. Banesa, pasuri të grumbulluara nga baballarët, gjyshërit dhe stërgjyshërit ishin duke u kthyer në hi. Në monotoninë e saj flakëruese kjo skenë na shoqëroi për gjithë udhëtimin deri në Shkup.
Arritëm në orë dhjetë të mbrëmjes.
Kur zbrita nga vagoni i kafshëve në bordin e të cilit kisha udhëtuar, mbi qytet mbretëronte heshtja, rrugëve nuk dukej frymë e gjallë. Vetëm përpara stacionit, kishte një grup ushtarësh prej të cilëve dëgjohej zëri dërr-mërr i një pijaniku. Pasagjerët e tjerë që zbritën nga treni u larguan nëpër rrugët e tyre dhe unë mbeta mbrapa në stacion i vetëm. Ju afrova grupit. Katër ushtarë me bajoneta të ngritura rrethonin dy të rinj shqiptarë me kapelën e bardhë në kokë.
Një nënoficer i pirë, një komitaxhi (çetnik), mbante në njërën dorë një kamë (shpatë maqedonase) dhe në tjetrën një shishe me konjak. Nënoficeri i urdhëronte: “Poshtë!” Shqiptarët gjysmë të vdekur nga frika uleshin në gjunjë: “Lart !” dhe ata ngriheshin. Kjo skenë u përsërit shumë herë. Më pas nënoficeri mes kërcënimesh dhe mallkimesh, ja drejtonte shpatën në fillim në grykë pastaj mbi gjoksin e viktimave. I detyronte ndërkohë të pinin konjak dhe….i puthte.
I dehur nga pushteti, nga konjaku dhe nga gjaku nënoficeri kënaqej e argëtohej me ata si një i poshtër, si një mace rrugësh që lot me një mi. Kishte të njëjtat teka të njëjtën psikologji. Tre ushtarët e tjerë, që nuk ishin të pirë, qëndronin si hunj dhe mbikëqyrnin dy shqiptarët për të mos lejuar që të arratiseshin ose për të penguar çfarëdo lloj përpjekje për rezistencë. Nënoficeri zbavitej me kënaqësitë e tij. “Janë arnautë” më tha thjesht një nga ushtarët: “Tani do t’i therim”.
I kapluar nga tmerri u largova nga grupi.
Ishte e padobishme të kërkoje t’i mbroje shqiptarët. Vetëm një fuqi e armatosur do të kishte mundur t’i shpëtonte ata të dy nga thonjtë e ushtarëve dhe të nënoficerit. Dhe kjo ndodhte përpara stacionit të hekurudhës, pak më parë se të arrinte një tren. U largova tutje i tmerruar, për të mos dëgjuar ulërimat e dhimbjeve ose thirrjet për ndihmë. Gjatë rrugës gjithçka ishte e qetë.
Të krijohej ndjenja se ishe në një qytet të braktisur. Qysh më gjashtë të mbrëmjes të gjitha kangjellat dhe portat ishin të mbyllura. Me rënien e errësirës komitaxhinjtë bëheshin të papërmbajtur. Shkallmonin shtëpitë turke apo shqiptare, e në të gjitha kryenin të njëjtat rituale të grabitjeve dhe të vrasjeve. Shkupi kishte gjashtëdhjetë mijë banorë e gjysma e të cilëve shqiptarë e turq. Një pjesë ishte arratisur por më të shumtit kishin mbetur në qytet.
Dhe çdo natë kishte një lumë gjakderdhjesh. Para arritjes time në Shkup, çdo mëngjes, për dy ditë me radhë, banorët kishin gjetur poshtë urës kryesore mbi Vardar, që do të thotë mu në qendrën e qytetit, kapica me kufoma. Ishin shqiptarë me kokën e prerë; disa thonin që ishin shqiptarë nga qyteti të vrarë nga komitaxhinjtë, të tjerët insistonin që kufomat kishin mbërritur deri aty të sjellë nga korrentet e ujërave. Sidoqoftë ishte e qartë që ata burra me kokë të prerë nuk ishin vrarë në luftime. Shkupi pothuaj se është katandisur në një kamp ushtarak.
Banorët, myslimanët mbi të gjithë, fshihen dhe nëpër rrugë takohen vetëm ushtarakë. Mes masës së ushtarëve shikohen edhe fshatarë serbë me prejardhje nga të gjitha anët e Serbisë. Me pretekstin se kishin ardhur të takonin të bijtë ose vëllezërit nëpërmjet fushë Kosovës ata dalldiseshin në grabitjet. Shkëmbeva disa fjalë me një treshe prej këtyre çakajve. Kishin ardhur më këmbë që nga Shumadija në qendër të Serbisë dhe kishin përshkuar gjithë fushën e Kosovës.
Më i riu, me shtat të shkurtër e me pamjen e një kapadaiu, mburrej se kishte vrarë në Kosovë, me një pushkë automatike dy arnautë. “Ishin katër mirëpo dy arritën të shpëtonin”. Shokët e tij të udhës, fshatarë të moshuar e me një pamje serioze, konfirmuan këtë tregim. “Gjynah – filluan të ankohen – që nuk kemi shumë para me vete. Këtu ka qe dhe kuaj të shumtë- Ushtari, që merr një rrogë prej dy dinarë (shtatëdhjetë e pesë kopejka) shkon në fshatin shqiptar më të afërt dhe merr një kalë shumë të mirë. Nga ushtarët mund të sigurosh dy dema bile nga ata më të mirët për 20 dinarë.” Nga zona e Vranjës masa e popullsisë zbrisnin nëpër fshatrat shqiptare dhe kanë vënë dorë mbi gjithçka që mund të rrëmbeheshe.
Fshatarësia ngarkonin mbi kurriz deri tek portat dhe dritaret e shtëpive shqiptare. Dy ushtarë që i përkisnin prapavijave të ngarkuar për të çarmatosur Shqiptarët e fshatrave u shkëputën nga radhët. Njëri prej të dyve më pyeti se ku mund ta shkëmbeje një lirë flori. I kërkova të ma tregonte, me që nuk më kishte ndodhur kurrë të shikoja një monedhë ari turke. Ushtari shikoi rreth e rrotull me dyshim dhe pastaj e nxori lirën nga çanta. Me një gjest shumë të qartë më dha të kuptoja se kishte edhe të tjera brenda çantës, mirëpo nuk deshte që të merrej vesh nga të tjerët. Dhe një lirë turke, siç dihet, vlente njëzet e tre franga.
Tre ushtarë më kaluan pranë dhe më ndodhi që të më zinte veshi bisedën e tyre. “Nuk kam idenë se sa shqiptarë kam vrarë- thoshte njëri prej tyre – mirëpo nuk kishin asgjë që t’ja vlente barra qiranë për të marrë. Pastaj vrava një bula (grua myslimane) dhe i gjeta në trup 10 lira ari.”
Dhe kështu flisnin fare hapur, me një qëndrim krejt indiferent, si për një gjë normale. Njerëzit nuk arrinin dot të merrnin vesh mbi ndryshimet e mëdha të brendshme të shkaktuara në pak ditë nga lufta. Ja se deri në çfarë niveli njeriu varej nga kondita të paracaktuara. Në kontekstin e brutalitetit të organizuar nga lufta njerëzit kafshëzohen pa arritur që ta kuptojnë.
Një skuadër ushtarësh ishte në marshim gjatë rrugës kryesore të Shkupit.
Një turk, i pirë e me shumë të ngjarë gjysmë i çmendur, mallkonte në drejtim të ushtarve. Këta të fundit qëndrojnë, shtyjnë turkun drejt murit të shtëpisë më të afërt dhe e vrasin në vend. Skuadra vazhdon pastaj drejt rrugës së vet, duke u imituar nga kalimtarët. Incidenti u mbyll. Të njëjtën mbrëmje takova në një hotel një kapter të cilin e njihja. Reparti i tij kishte qëndruar në Ferizov, një farë shqiptari i Serbisë së Vjetër. Kapteri kishte marrë si detyrë që të tërhiqte me trupat e tij një top të rëndë nga të rrethimeve nëpërmjet grykave të Koçani-t deri në Shkup. Që këtu, topi duhej të transportohej deri tek ushtria që ishte rreshtuar para Adrianopolit.
-E çfarë bën tani mes shqiptarëve në Ferizov? – e pyeta
-Pjek pula dhe vras arnautët. Mirëpo jam bërë derr- shtoi me një të hapur të gojës, duke shoqëruar fjalët me një gjest rraskapitës dhe indeferent. – Mes tyre ka pasunarë. Afër Ferizovit hymë në një fshat të kamur, me shtëpi që ngjanin si kështjella. U futëm në oborrin e njërës prej këtyre shtëpive. Pronari, një plak shumë i pasur, kishte tre djem. Me që ishin vetëm katër kishin shumë gra. I nxorëm të gjithë jashtë shtëpisë, i vumë në rresht e pastaj i therëm burrat para syve të tyre. Gratë nuk nxorën asnjë rënkim sikur të mos ju interesonin fare. Na pyetën vetëm nëse mund të hynin në shtëpi e të merrnin gjërat e tyre si gra. I lamë që t’i merrnin. Ç’ do njërit prej nesh i bënë nga një peshqesh shumë të shtrenjtë. Në fund i vumë zjarrin shtëpisë.
-Po përse përdorët gjithë atë brutalitet? – e pyeta i skandalizuar nga tregimi i tij.
-Nuk mund të bëhej ndryshe dhe pastaj të bëhet zakon. Desha të thoja që në kohë të tjera nuk do të kisha qenë i zoti të vrisja një plak apo një fëmijë të pafajshëm. Kur je në luftë, dihet, komandanti të jep urdhra, të cilat duhet që t’i zbatosh. Në fakt si kjo që të tregova kanë ndodhur shumë edhe së fundi. Ndërsa tërhiqnim atë topin drejt Shkupit u takuam me një karrocë brenda të cilës ishin shtrirë katër fshatarë me kuverta të mbuluar deri në mes. E ndjeva menjëherë erën e jodoformit. Diçka nuk shkon, mendova. I urdhërova të ndalonin karrocën dhe i pyeta se kush ishin dhe ku shkonin. Bënë gjoja sikur nuk kuptonin serbisht dhe nuk u përgjigjën. Në drejtimin e karrocës ishte një evgjit. Na shpjegoi se ishin katër shqiptarë që ktheheshin nga luftimet në Merdar. Kishin mbetur të plagosur në këmbë dhe po ktheheshin në shtëpi. Ishte gjithçka e qartë.
-Zbrisni – ju thashë atyre. E kuptuan por nuk deshën të zbrisnin nga karroca. Ç’farë mund të bëja? Ngrita bajonetën dhe i vrava që të katërt mbi karrocë.
E njihja atë burrë. Kishte punuar si kamerier në Kragujevac. Ishte një djalë pa ndonjë cilësi të veçantë me një natyrë aspak agresive një kamerier si të gjithë. Në atë kohë bile kishte hyrë të bënte pjesë në sindikatat e kamarierëve, më duket se për një farë kohe kishte qenë bile sekretari, më pas u largua…e tani vetëm pas tre javësh që ka filluar lufta dhe ja se në çfarë ishte shndërruar. -Por kështu po veproni si banditë. Vrisni dhe vidhni në mënyrë ç’njerëzore! Bërtita duke ju larguar atij burri, për të cilin ndjeja një neveri fizike. Kapteri u duk sikur u drodh i tëri. Ndonjë kujtim i hidhur duhet t’i ketë shkaktuar një ringjallje që përpiqej ta shtypte brenda vetvetes. Qe kështu pra që u përpoq të justifikohej duke shpallur me ton solemn e të bindur një frazë që hidhte një dritë akoma më ogurzezë nga ajo që kisha parë dhe dëgjuar. Jo, nuk është e vërtetë. Ne të ushtrisë së rregullt i përmbahemi rregullave dhe nuk vrasim kurrë persona nën dymbëdhjetë vjeç. Nuk mund të bëhem garant për komitaxhinjtë, ata janë krejt ndryshe, mirëpo mund të garantoj për ushtrinë. Kapteri nuk mund të garantonte për komitaxhinjtë. E në të vërtetë ata nuk njihnin asnjë kufizim. Pjesa më e madhe ishin rekrutuar mes horrave, vagabondëve, fundërrinat e proletariatit dhe nga llumi i shoqërisë. Kishin shndërruar vrasjet, vjedhjet e dhunën në një sport zbavitës. Veprimet e tyre flasin vetë, deri autoritetet ushtarake u vunë në vështirësi nga kriminelë gjakatarë, në të cilët kishte degjeneruar lufta e çetnikëve dhe morën masa të ashpra. Nuk pritën bile as fundin e luftës por i çarmatosën dhe i dërguan në shtëpi.
Ajri i Shkupit ishte duke ma zënë frymën nuk mundesha dot ta duroja më.
Interesi politik dhe kurioziteti intelektual për t’i parë gjërat me sytë tim ishte zbehur i gjithi, ishte shojtur krejt. Dëshiroja të ikja sa më parë që të ishte e mundur. U gjenda përsëri mbi vagonin e kafshëve duke parë fushat e Shkupi. Çfarë hapësirash, çfarë bukurije. Në një vend si ky njerzit do të kishin mundur të jetonin mirë, e në të kundërt…
Por nuk është rasti të t’i them ty këto gjëra, ke të njëjtat ide me mua. Një çerek ore më vonë treni doli nga stacioni. Hodha një sy jashtë. Dyqind hapa larg nga binarët dallova një kufomë me një fez (tip i kapelës turke-I.K.) aty anash. Surratin e kishte për tokë, me krahët të hapura. Pak më tutje, dy ushtarë serbë nga njësitet që mbikëqyrnin rojet në binarë bisedonin e talleshin duke qeshur. Një prej të dyve ishte duke treguar kufomën. Nga të gjitha shenjat dukej se kishte qenë vepër e tyre. Dalëngadalë po largohesha tutje nga ai vend.
Jo larg nga Kumanova, në një fushë të mbjellë me foragjere afër rrugës hekurudhore disa ushtarë po hapnin gropa të mëdha. Pyeta për arsyet. Më shpjeguan se duhej të groposnin një sasi të madhe mishi të qelbur i cili gjendej në pesëmbëdhjetë apo njëzet vagonë që kishin qëndruar mbi një binar të vdekur. Me sa duket ushtarët refuzonin racionin e mishit. Pra për atë që kanë aq nevojë, por ka diçka më shumë, e merrnin drejtpërdrejt nga shtëpitë e shqiptarëve. Qumësht, djathë, mjaltë. “Kam ngrënë më shumë mjaltë në këtë periudhë, me shpenzimet e shqiptarëve, se sa nuk kam mundur kurrë të ha në të gjithë jetën time” më tha një ushtar që e njihja.
Ushtarët vrasin çdo ditë viça, dele, derra, pula dhe hedhin tutje atë që tepron. “Mish kemi me bollëk” – më tha një oficer që merrej me furnizimet. “Ajo që na mungon është buka. Ju kemi shkrojtur nja njëqind herë në Beograd për t’i informuar që të mos dërgojnë mish por vazhdojnë të na sjellin në zbatim të procedurave të parashikura.” Desha që t’i shikoja nga afër këtë apo atë që pashë. Mishi qelbet, ai i lopëve si ai i njeriut. Fshatrat janë plot me kasaphana në flakë, ushtarë shfarosin njerëzit, “në moshë jo më të vegjël se dymbëdhjetë vjeç”. Duke ndenjur aty shndërrohesh në brutal, humbasin cilësitë njerëzore. Mjaft që të ngresh vetëm buzën e perdes, mbi të ashtuquajturat përleshjet e shquara ushtarake, dhe lufta të paraqitet, mbi të gjitha, në veshjen e saj të neveritshme.
Ishte e padobishme të kërkoje t’i mbroje shqiptarët. Vetëm një fuqi e armatosur do të kishte mundur t’i shpëtonte ata të dy nga thonjtë e ushtarëve dhe të nënoficerit. Dhe kjo ndodhte përpara stacionit të hekurudhës, pak më parë se të arrinte një tren. U largova tutje i tmerruar, për të mos dëgjuar ulërimat e dhimbjeve ose thirrjet për ndihmë. Gjatë rrugës gjithçka ishte e qetë. Të krijohej ndjenja se ishe në një qytet të braktisur. Qysh më gjashtë të mbrëmjes të gjitha kangjellat dhe portat ishin të mbyllura. Me rënien e errësirës komitaxhinjtë bëheshin të papërmbajtur.
/telelegraf/
Diskutim rreth këtij postimi