Nga Enver Robelli
Për shqiptarët e Kosovës udhëtimi në Sarajevë është pothuaj i pamundshëm. Për shkak të bllokadës nga entiteti serb, Bosnjë-Hercegovina nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës dhe nuk ka hequr vizat. Përkundër pengesave burokratike, faktet s’mund të zhduken. Sarajeva është një qytet i rëndësishëm edhe për historinë shqiptare.
Në Fakultetin Katolik të Sarajevës ka studiuar shkrimtari e teologu Gjergj Fishta. Në Sarajevë u lind aktori Bekim Fehmiu. Në Sarajevë u lind edhe Robert Shvarci, familja e të cilit në vitet ’30 iku në Shqipëri pasi Adolf Hitleri mori pushtetin në Gjermani dhe filloi fushatën për shfarosjen e hebrenjve. Robert Shvarc ka merita të mëdha në sjelljen në shqip të shumë romaneve të rëndësishme të letërsisë gjermane. Në Sarajevë u lind Tinka Kurti, njëra prej aktoreve më të mëdha të skenës shqiptare.
***
Një ditë marsi në njërin nga lokalet e Bashçarshisë, qendrës osmane të Sarajevës, u prezantua një njeri. Tha: «Quhem Hajrudin Zagora». Tregoi se më 1928 babai i tij erdhi në Sarajevë nga Shkodra. Hajrudin Zagora është njëri prej arkitektëve më të njohur të Fakultetit të Arkitekturës në Sarajevë. Tani është në pension. Gjatë luftës së fundit forcat serbe vranë vëllain e tij, ndërsa Hajrudin Zagora u plagos.
***
Marsi, prilli dhe maji janë muaj të kujtimeve të dhimbshme në Sarajevë. Në pranverë të vitit 1992 ultranacionalistët serbë filluan zbatimin e programit të tyre për shfarosjen e boshnjakëve (myslimanëve). Pakkush e di se të parët që u vunë në shënjestër të kriminelëve serbë ishin shqiptarët. Para se të hapnin zjarr mbi civilët në Sarajevë, falangat e kriminelit serb Zhelko Razhnjatoviq Arkan vranë në Bijelinë mbi 10 civilë shqiptarë. Pas hyrjes në Bijelinë Arkani deklaroi «solemnisht» para kamerës se forcat e tij kishin vrarë «20 shqiptarë», të cilët, sipas tij, qenë të armatosur me kallashnikovë dhe armë të prodhimit kroat. Njëra nga gënjeshtrat e shumta të propagandës serbe.
***
Në Alipašino Polje, në lagjen Ali Pasha, të Sarajevës jetojnë rreth 60 mijë banorë. Dhe në këtë lagje gjendet një rrugë me emrin Bajram Zenuni. Shqiptari Bajram Zenuni konsiderohet si njëri nga heronjtë e parë të Sarajevës. Ai u vra më 2 maj 1992 duke mbrojtur antenën (repetitorin) e Televizionit të Sarajevës në kodrën Vlašić (Vllashiq). Qëllimi i forcave serbe të ndihmuara nga Armata Popullore e Jugosllavisë (APJ) ishte që para se të fillonin rrethimin e Sarajevës të merrnin nën kontroll mjetet e informimit publik. Një qytet në terr informativ nuk do të kishte mundësi të njoftonte botën mbi krimet serbe. Inxhinieri Bajram Zenuni u kyç në ditarin qendror të lajmeve të Televizionit të Sarajevës, të cilin e moderonte gazetari i njohur Senad Haxhifejzoviq, dhe tregoi mbi rrezikun që i kanosej. Pas pak Zenuni dhe kolegët e tij Zekerijah Šiljak, Ivica Tomić dhe Seid Sažić u vranë, të tjerët (mbi 20) u morën peng nga ushtria serbe dhe u dërguan në Skender Vakuf. Më vonë ata u shkëmbyen. Bajram Zenuni ishte vetëm 33-vjeçar kur e vranë forcat serbe. Zërin e tij edhe sot e kujtojnë shumë qytetarë të Sarajevës që kanë mbijetuar luftën.
***
Bajram Zenuni është dekoruar me «Zlatni liljan» (Zambakun e artë) për meritat e tij në mbrojtjen e Sarajevës. Rruga që bart emrin e tij gjendet afër ndërtesës së selisë së televizionit të Sarajevës, ku në hyrje është vendosur një pllakë me emrin e tij. Në antenën ku u vra po ashtu është vendosur një pllakë përkujtimore. Bajram Zenuni pas vetes la djalin Alenin dhe vajzën Berinën, e cila u lind vetëm një muaj pas vrasjes së babait të saj. Aleni është politolog dhe magjistër i menaxhmentit. Jeton në Sarajevë.
***
Më 20 mars 1995 njësitë e Korpusit të ‘7 të Ushtrisë së Bosnjë-Hercegovinës filluan operacionin për marrjen e pikës së Vlašić-it. Më 24 mars 1995 operacioni u krye me sukses. «Në Vlašić po valon flamuri i Republikës së Bosnjë-Hercegovinës», njoftuan atëbotë mediat boshnjake. Kjo ishte një fitore edhe e Bajram Zenunit.
Që para shpërthimit të luftës lideri i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiqi, insistonte që televizioni i Sarajevës të ndahet në tri kanale me frekuenca nacionale. Sipas porosisë së tij veproi APJ, duke marrë nën kontroll repetitorët kryesorë në Bosnjë-Hercegovinë. Megjithatë, e vërteta për rrethimin e Sarajevës, për vrasjen e mbi 10 mijë civilëve, mes tyre 1600 fëmijë, u shpalos para botës perëndimore, ndonëse ajo për gati 4 vjet nuk ndërmori pothuaj asgjë për t’i dhënë fund terrorit serb mbi boshnjakët. Në mbrojtje të Bosnjës u vranë 186 shqiptarë. Njëri ndër ta: Bajram Zenuni.
Diskutim rreth këtij postimi