Libri nuk krijon efekt në shoqëri nëse nuk lexohet. Një libër i këtillë duket se është ‘Imaginarni Albanac – Simbolika Kosova i figura Albanaca u srpskoj kulturi’ (Shqiptari i imagjinuar – Simbolika e Kosovës dhe figura e shqiptarit në kulturën serbe), i botuar më 2019 nga autori Aleksandar Pavlović.
Shkurtimisht, autori në këtë libër spjegon se si, fillimisht, figura e shqiptarit në kulturën serbe ka hyrë si pozitive. Pavlović këtë fakt e dëshmon me shkrimet e Vuk Karadžićit(1787–1864), Dositej Obradovićit (1739 – 1811) dhe shënimeve tjera, sidomos të autorëve malazezë.
Por, kjo gjendje ndryshoi kur politika serbe vendosi që territori serb të zgjerohej në jug. Kjo erdhi si rezultat që Serbisë iu pamundësua të zgjerohej në perëndim, në drejtim të Bosnjë e Hercegovinës. Prandaj, nga gjysma e shek. XIX, sidomos pas Kongresit të Berlinit (1878), shqiptari në literaturën serbe u shndërrua në njeri primitiv, agresiv, ardhacak dhe në diçka që ishte më i keq se turku. Shqiptari u bë krijesë e rrezikshme e turqëve për shkak se kërkonte shtet të vetin. Kjo ishte në kundërshtim me idenë ekspanzioniste serbe e cila do të shkaktoj gjakderdhje deri sot.
Ky ‘vlerësim’ i mentalitetit serb për shqiptarin qëndron edhe sot, tërësisht i paprekur. E dëgjojmë nga politikanët më të lartë serbë, nga historianët dhe nga mediat e tyre. Ky qëndrim denigrues, madje edhe fashist, dëshmon se Serbia nuk ka hequr dorë nga ekspanzionizmi. Nëse ndryshohet ky vokabular, fillojnë të ndryshojnë edhe veprimet politike. Por, nuk ka shenja për një gjë të tillë.
Libri ‘Imaginarni Albanac’ ndoshta ka patur ndonjë ndikim te një shtresë e intelektualëve serbë. Por, në opinion asgjë nuk ka ndryshuar dhe shqiptari mbetet i portretizuar si armiku kryesor dhe i përhershëm i serbit. Pavlović duket të jetë studjues serioz dhe me këtë libër kërkon afrim dhe miqësi të serbëve me shqiptarët. Por, nga opinioni serb, ky studim i tij përcillet me sharje dhe përbuzje nga më të këqiat. Ai është kritik edhe i teksteve shkollore në Serbi dhe për këtë arsye rrallë i ofrohet hapësirë në media.
Duket që literatura serbe ka shkuar aq larg me shtrembërime të fakteve dhe denigrime ndaj shqiptarëve sa që është vështirë të kthehet në rrugë normale. Me siguri kjo literaturë normalizohet kur të pushojë ëndërra e tyre për shtrirje në territoret shqiptare.
Diskutim rreth këtij postimi