Gjuha shqipe flitet nga të paktën gjashtë milion njerëz, kryesisht në Shqipëri e në ishJugosllavi. Në Shqipëri vetë, kjo gjuhë flitet nga e gjithë popullsia prej 3,255,891 banorësh,1 përfshirë edhe disa pakica etnike dygjuhëshe. Statistika të besueshme për numrin e shqipfolësve në ish-Jugosllavi nuk ka, por ata janë çmuar midis dy dhe tre milionëve.
Gjuha shqipe ndahet në dy grupe dialektore kryesore: ai gegë në veri të vendit dhe ai toskë në jug2. Lumi Shkumbin në Shqipërinë e Mesme, duke rrjedhur pranë Elbasanit e duke uderdhur në Adriatik, formon kufirin e përafërt midis dy zonave. Këtu, në një zonë dhjetë deri njëzet kilometra të gjerë, gjejmë edhe dialekte të ndërmjetme. Grupi i dialektit gegë, i karakterizuar nga prania e zanoreve hundore, duke ruajtur n më të vjetër për r toskërishte (p.sh. geg.: venë, Shqypni; tosk.: verë, Shqipëri) si dhe për një radhë tiparesh të veçanta morfologjike, mund të klasifikohet më tej në një dialekt gegë veriperëndimor (Shkodër dhe zona përreth), në një verilindor (Shqipëria verilindore dhe Kosova), në një qendror (midis lumenjve Ishëm e Mat dhe drejt lindjes, përfshirë Dibrën dhe Tetovën) dhe në një jugor (Durrës, Tiranë). Grupi i dialektit toskë është përgjithësisht më homogjen, ndonëse atë mund ta ndajmë në nëngrupe dialektore veriore (nga Shkumbini në Vlorë në bregdet e në gjithë brendësinë e Shqipërisë jugore në veri të lumit Vjosë), labe (në jug të Vjosës deri në Sarandë), dhe çame (cepi jugor i Shqipërisë dhe brenda në Greqi). Gjuha e sotme letrare, e miratuar në Kongresin e Drejtshkrimit më 20-25 nëntor 1972, është një bashkërendim i dy grupeve dialektore ndonëse bazohet në masën 80% mbi atë toskë. Tani kjo është bërë normë e pranuar gjerësisht si në Shqipëri ashtu edhe në ish-Jugosllavi3.
Në ish-Jugosllavinë, shqipja flitet nga një numër midis dy e tre milion vetësh dhe vjene dyta pas serbo-kroatishtes në ish-federatë. Qendra e popullsisë shqiptare është Krahina Autonome e Kosovës me kryeqytet Prishtinën, tani Republika e Kosovës e vetëshpallur nën pushtimin e dhunshëm ushtarak të Serbisë. Në Kosovë, shqiptarët përbëjnë rreth 90% të popullsisë, të tjerët rreth 10%, kryesisht serbisht folës. Që nga vendosja e kontrollit ushtarak serb më 1989-1990, gjendja e të drejtave njerëzore e gjuhësore të shumicës shqiptare është tej keqësuar në mënyrë dramatike. Deri në atë kohë, të dyja gjuhët njiheshin zyrtarisht dhe ishin në përdorim të plotë në të gjitha fushat e jetës në këtë rajon politikisht të turbullt4. Gjuha amtare e shumicës së shqiptarëve të Kosovës është gegërishtja verilindore, të cilën e zumë në gojë më sipër, ndonëse në të vërtetë të gjitha botimet këtu, ashtu si në Shqipëri, janë në shqipen letrare. Edhe në radio, televizion dhe në shkollë, që nga kopshtet e fëmijëve e deri në universitet, përdoret gjuha letrare shqipe5 . Shqiptarët kanë një ritëm jashtëzakonisht të lartë lindjesh, prandaj edhe përpjesëtimi i tyre në popullsinë e Kosovës dhe gjetkë në ish-Jugosllavi rritet nga viti në vit.
Republika jugore e Maqedonisë vlerësohet të ketë të paktën një gjysmë milioni shqipfolës, çka është e barabartë me deri 40% të mbarë popullsisë së republikës, ndonëse edhe këtu nuk ka statistika të besueshme. Popullsia shqiptare gjendet në Shkup dhe përreth tij, ku ajo përbën një pakicë me peshë, e sidomos nga Tetova, Gostivari, Dibra dhe deri poshtë në Strugë, ku edhe përbën shumicën. Shqiptarët në Maqedoninë perëndimore gëzojnë njëfarë statusi ligjor, por prapëseprapë nuk kanë të drejta gjuhësore e kulturore të plota. Shumica e shqiptarëve të Maqedonisë flasin në dialektin gegë, ndonëse folës të toskërishtes mund të gjenden në jug të Ohrit.
Gjithashtu, një pakicë prej rreth 50,000 shqipfolësish gjenden në Mal të Zi, kryesisht përgjatë kufirit me Shqipërinë, d.m.th. në rajonet e malësisë së Gucisë dhe Plavës, në Tuz në jugtë Podgoricës, dhe në Ulqin në bregdetin jugor malazez. Përveç këtyre, janë edhe të paktën 100,000 shqipfolës të shpërndarë nëpër Serbinë jugore. Është fakt se shqiptarët sot mund t’i gjesh në të gjitha rajonet e ish-Jugosllavisë, shumë prej tyre të emigruar nga rajoni i varfër dhe i turbullt i Kosovës në republikat më të begata e të qëndrueshme veriore (Kroaci dhe Slloveni) në kërkim të lirisë, punës dhe një niveli më të mirë jetese. Një numër i madh shqiptarësh nga Kosova gjenden si punëtorë emigrantë dhe si refugjatë në Evropën Perëndimore, sidomos në Gjermani dhe në Zvicër.
Një befasi për shumë njerëz është qenia e një pakice të madhe shqiptare në Italinë jugore, të ashtuquajturit arbëreshë6 . Ata janë pasardhësit e refugjatëve që lanë Shqipërinë pas vdekjes se Skënderbeut më 1468. Falë një mjedisi politik e social më të favorshëm se ai në Ballkan, arbëreshët qenë në gjendje të japin një ndihmesë vendimtare në zhvillimin e letërsisë shqiptare dhe në lëvizjen kombëtare në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Letërsia e hershme shqiptare, siç do ta shohim, është deri në një shkallë të madhe letërsi arbëreshe. Si pakicë gjuhësore, arbëreshët tani përbëjnë rreth 90,000 folës, shumë prej të cilëve jetojnë në fshatrat malore të Kozencës në Kalabri dhe në afërsi të Palermos në Sicili. Gjuha e tyre, e cila ende nuk përfiton nga statusi zyrtar që u është dhënë pakicave të tjera kombëtare në Itali (gjermane, franceze, sllovene, etj.), po vjen duke u shuar për shkak të ndikimit të fortë kulturor të italishtes si dhe për shkak të emigrimit ekonomik. Ajo është tepër arkaike dhe dallohet shumë nga shqipja që flitet sot në Ballkan, deri aty sa folësit arbëreshë e kanë të vështirë të komunikojnë në shqip nëse nuk njohin gjuhën letrare shqipe. Emigrimi masiv i shqiptarëve në Itali më 1990-1991 ndoshta do të ndihmojë për ta stabilizuar gjuhën.
Në Greqi, numri i madh i shqiptarëve që populluan një pjesë të mirë të zonës qendrore e jugore në mesjetën e vonë është asimiluar gjerësisht. Gjuha shqipe e atjeshme, e njohur në shqip si arbërishte e Greqisë dhe në greqishte si Arvanitika7 , prapëseprapë mund të dëgjohet ende në rreth 320 fshatra, kryesisht përreth Levadhias, në Eubenë (Evinë) e jugut, Atikë, Korint dhe në Androsin verior. Përderisa kjo gjuhë nuk gëzon ndonjë status zyrtar, statistika zyrtare për numrin e folësve nuk ka. Arbërishtja e Greqisë, e cila po shuhet me shpejtësi, mendohet si forma më arkaike e shqipes që flitet sot.
Gjetiu në Ballkan, folës shqiptarë ndeshen fare rrallë. Asgjë nuk ka mbetur nga ato bashkësi të mëdha emigrantësh shqiptarë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, që lulëzuan dikur në Bukuresht e në Sofje me institucionet e tyre kulturore (shoqata, klube, gazeta, shtypshkronja, shkolla). Megjithatë, kjo gjuhë mund të dëgjohet në rajonin kufitar bullgaro-greko-turk, sidomos në fshatin bullgar të Mandricës8.
Gjithashtu, një numër i paktë shqipfolësish gjenden në Ukrainë 9 , sidomos në katër fshatra (Zhovtnevoje, Gamovkë, Georgievkë dhe Denvenskoje) në krahinat e Melitopolit dhe Odesës. Numri i shqiptarëve të Ukrainës, pasardhës të kolonëve të shekullit të nëntëmbëdhjetë të ardhur nga krahina e Varnës e Bullgarisë, vlerësohet më 1959 në rreth 5000.
Pak kanë mbetur nga ato koloni shqiptarësh që lulëzonin dikur anembanë Perandorisë Osmane10. Pakica shqiptare në Egjipt tani është shkrirë, ndonëse bashkësi shqiptare ende gjenden në numër të madh në Turqi (Stamboll etj.) dhe deri diku në Siri, sidomos në Damask.
Së fundi, grupe shqipfolësish në madhësi të ndryshme mund të ndeshen në vende emigrimi si në Shtetet e Bashkuara11 (Boston, Nju Jork, Kënetikët, Nju Xhersi, Detroit), e deri në një farë mase në Kanada, Australi dhe Argjentinë. Gjithashtu, shumë shqiptarë kanë emigruar në Evropën Perëndimore (Itali, Greqi, Gjermani) dhe në Amerikë me rënien e diktaturës në Shqipëri gjatë viteve 1990-1991.
————–
1 Shifra e popullsisë për v. 1990, kr. Vjetari Statistikor 1991, f. 37.
2 Për dialektet e shqipes kr. Desnickaja 1968, 1972, dhe Gjinari 1963, 1966.
3 kr. Kostallari 1973, Byron 1976, 1979b, Pipa 1989, dhe Samara 1989.
4 kr. Reuter 1982, Pipa & Repishti 1984 dhe Kohl & Libal 1992.
5 Radioja dhe televizioni në gjuhën shqipe u pezulluan pas vendosjes së kontrollit ushtarak serb, kurse mundësia e arsimimit është pakësuar shumë nga pushtetarët e Beogradit.
6 kr. Shuteriqi 1965, dhe Sokolova 1983. 9 kr. Derzhavin 1948. 10 Për shqiptarët në vendet arabe, kr. Mufaku 1981a, 1983, 1990, dhe Azemi &Halimi 1993.
7 kr. Albanian struggle… 1939, Demo 1960, Noli 1960, Pipa & Prifti 1980 dhe Nagi 1989.
8 kr. Shuteriqi 1965, dhe Sokolova 1983.
9 kr. Derzhavin 1948.
10 Për shqiptarët në vendet arabe, kr. Mufaku 1981a, 1983, 1990, dhe Azemi & Halimi 1993.
11 kr. Albanian struggle… 1939, De
Shkëputur: nga libri :
HISTORI E LETËRSISË SHQIPTARE nga ROBERT ELSIE
Përkthyer nga origjinali anglisht “History of Albanian Literature (1995)” nga Abdurrahim Myftiu, Tiranë (1997)
Diskutim rreth këtij postimi