Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë
Dialogu Kosovë-Serbi dhe marrëveshja eventuale tashmë varet vetëm nga dy njerëz: Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurti.
Aleksandar Vuçiqi i kontrollon 245 deputetë nga 250 sa i ka Parlamenti i Serbisë, ndërsa ata 5 të tjerët, tre preshevarë e dy sanxhaklinj, janë miq të Albin Kurtit. Në rast se Aleksandar Vuçiqi dhe Albin Kurti nënshkruajnë një marrëveshje, atë do ta votonin të 250 deputetët e Parlamentit të Serbisë.
Albin Kurti i kontrollon 80 deputetë nga 120 sa ka Parlamenti i Kosovës. Aleksandar Vuçiqi i kontrollon 12 deputetë të Kosovës (10 serbë, 1 goran e 1 rom). Marrëveshjen eventuale Vuçiq-Kurti do ta votonin minimum 92 deputetë të Kosovës, pra më shumë se 3/4 e Parlamentit të Kosovës e, ndoshta, edhe 100%.
Studimi i situatës për marrëveshjen eventuale Kosovë-Serbi tani thjeshtohet: dëshira për marrëveshje dhe frika që kanë këta dy persona.
Albin Kurti frikësohet vetëm nga amerikanët, kurse Aleksandar Vuçiqi edhe nga amerikanët edhe nga rusët.
Serbia, që nga paraqitja e saj si shtet modern, ka bërë politikë të ndikuar mes Rusisë dhe Perëndimit (fillimisht Austro-Hungarisë e, më pas, Francës dhe Anglisë dhe, së fundmi, Amerikës). Përgjatë historisë së Serbisë moderne ndikimi herë më i madh rus e herë më i madh i Perëndimit e ndryshonte skenën politike të saj. Disa liderë politikë të Serbisë e paguanin me kokë rritjen ose zvogëlimin e ndikimit të njërës ose palës tjetër. Gjorgje Petroviq – Karagjorgje më 1817, Mihajlo Obrenoviq më 1868, Aleksandar Obrenoviq më 1903, Aleksandar Karagjorgjeviq më 1934, Milan Nediq më 1946, Zoran Xhingjiq më 2003 e paguan me kokë. Disa liderë të tjerë e pësuan më butë, vetëm me rënie nga pushteti: Millosh Obrenoviq më 1839, Aleksandar Rankoviq më 1966, Marko Nikeziq më 1972 e Boris Tadiq më 2012.
Në skenën politike kosovare, kushdo që u bë i padëshirueshëm për amerikanët, i tha lamtumirë politikës ose hëngri flakaresh të përkohshme, siç e hëngri Albin Kurti në pranverë të vitit 2020.
Sidoqoftë, tashmë është në dorën e Albin Kurtit ta bëjë pazarin përfundimtar me Serbinë rreth njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë, gjë që është interes kombëtar strategjik i Kosovës.
Kosova është vend pa dalje në det. Ajo kufizohet vetëm me 4 fqinjë: Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë. Është vend më i vogël e më i dobët në çdo aspekt sesa secili nga fqinjët e saj. Tre fqinjët më të vegjël e kanë njohur pothuajse menjëherë pas shpalljes së pavarësisë më 2008, ndërsa fqinji më i madh, vendi nga i cili ka ceduar, nuk e njeh akoma. Në një situatë të tillë, Kosova mbahet në saje të aleatëve të saj strategjikë: Amerikës, Anglisë, Bashkimit Europian dhe Turqisë, të cilët edhe ia kanë siguruar njohjet e më shumë se gjysmës së kombeve të botës.
Kombet më të rëndësishme të botës e kanë njohur Kosovën, por, megjithëkëtë, Kosova nuk po i realizon dot synimet e saj strategjike: anëtarësimi në OKB, UNESCO, INTERPOL, NATO dhe në Bashkimin Europian. Vendet kryesore, që e pengojnë Kosovën në këtë rrugëtim të saj strategjik, janë Rusia e Kina për në OKB, kurse Spanja, Greqia, Rumania e Sllovakia për në NATO e në Bashkimin Europian. Natyrisht, duke llogaritur se vota e Qipros për Kosovën në BE ndikohet nga vota greke për anëtarësim të Kosovës në BE.
Këto 6 kombe, njohja e të cilave është jetike për Kosovën, qëndrimin e tyre ndaj Kosovës e bazojnë në qëndrimin serb. Prandaj njohja nga ana e Serbisë del të jetë më qenësorja për Kosovën, sepse jo vetëm që është fqinji i saj më i madh, por edhe hap rrugë për njohjet e 6 vendeve të tjera.
Në teori, 3 janë rrugë që Kosova ta marrë njohjen nga Serbia. E para – me lutje e me shpresë mirëkuptimi, e dyta – me dhunë, e treta – me ndonjë pazar ku Kosova i bën ndonjë lëshim Serbisë.
Sa i përket të parës, Serbia asnjëherë nuk është treguar gjeneroze. Slloveninë e Kroacinë i ka njohur tek pasi ato janë anëtarësuar në OKB dhe njohja e tyre nga Serbia nuk ka pasur ndonjë rëndësi të madhe. Bosnjë e Hercegovinën e ka njohur tek pasi e ka bërë joviabile për ekzistencë përmes Marrëveshjes së Dejtonit. Maqedoninë e Malin e Zi i ka njohur tek pas marrëveshjeve tejet poshtëruese për këto vende.
Sa i përket të dytës, Kosova nuk ka avionë që ta sulmojë Beogradin që ta detyrojë t’ia japë njohjen. Aleatët e Kosovës, që e bombarduan Beogradin më 1999 për ta mbrojtur Kosovën nga gjenocidi, që nga viti 2008 nuk janë të gatshëm të bëjnë ndonjë gjë më tepër sesa presion diplomatik Serbisë për ta njohur Kosovën. Për më tepër, të gjithë aleatët e Kosovës i sugjerojnë Kosovës kompromise në këmbim të njohjes. Këtë e thotë edhe letra e fundit të Presidentit Biden drejtuar Presidentes së Kosovës, ku kërkohen – siç thuhet – “kompromise të dhimbshme”.
Mbetët pra e treta – të bëhet një pazar ku Kosova duhet të japë diçka në këmbim të marrjes së njohjes nga ana e Serbisë. Për këtë edhe po zhvillohen negociatat, ku Serbia tenton ta shesë njohjen sa më shtrenjtë, ndërsa Kosova ta blejë atë sa më lirë. Marrëveshjet e tjera janë vetëm ngrohje e këtij pazari ose hapa drejt këtij pazari.
Po cila është pozita startuese në këtë pazar mes Vuçiqit dhe Kurtit?
Vuçiqi thotë se kurrë nuk do ta njohë Kosovën dhe publikut vendor e vendeve të botës së tretë dialogun ua interpreton si biseda për kushtet e kthimit të Kosovës nën sovranitetin e Serbisë. Natyrisht, vetë e ka të qartë se për çfarë po zhvillohet dialogu.
Pozicioni startues i Albin Kurtit është se Kosova i ka bërë mjaft lëshime Serbisë: 1. Zonat e mbrojtura rreth kishave e manastireve serbe; 2. Krijimin e 6 komunave të reja me shumicë serbe në Kosovë; 3. Decentralizimin (zbritjen e pushtetit më të madh në nivel lokal për shkak të 10 komunave me shumicë serbe); 4. Bërjen e gjuhës serbe gjuhë zyrtare jo vetëm në këto 10 komuna, por në tërë Kosovën; 5. Garantimin permanent mbiproporcianal të pjesëmarrjes së serbëve në Parlament e në Qeveri; 6. Pamundësinë e ndryshimit të kushtetutës së Kosovës pa dakordimin e së pakut4 deputetëve serbë, etj. si dhe gjëra të tjera më pak të rëndësishme.
Të gjitha këto lëshime kanë qenë të pamjaftueshme për Beogradin më 2008 për ta njohur Kosovën. Kërkesa e Serbisë ka qenë diçka më shumë.
Se çfarë është ajo më shumë që e kërkon Serbia u pa nga dy non-paper-ët që qarkulluan kohëve të fundit. Autorësia e tyre duket të jetë Beogradi. E para u lansua përmes Bosnjës, duke iu veshur Sllovenisë. E dyta u lansua përmes gazetës së Veton Surroit në Prishtinë dhe iu atribuua Francës e Gjermanisë. Natyrisht, Sllovenia, Franca e Gjermania e mohuan autorësinë e këtyre non-paper-ëve, por efekti i tyre u arrit.
Se si do të zhvillohet pazari mes Albin Kurtit që shenja e tij e karakterit është dashi dhe Aleksandar Vuçiqit, që shenjë e tij e karakterit është peshku, përgjigjen më të mirë mund ta japin psikologët. Peshku është e vështirë të kapet, por pika e dobët e peshkut është karremi. Serbia, në të gjitha anët, është e rrethuar me vende të NATO-s, pos Kosovës e Bosnjës, të cilat NATO nuk i ka në gjirin e vet, por i ka nën kontroll. Megjithëkëtë, Vuçiqi është një peshk që nuk gozhdohet lehtë.
Filozofia e dashit, të cilën e përfaqëson Albin Kurti, u tregua e suksesshme në politikën e brendshme. Ai pati durimin që të mos joshet me copëza pushteti derisa gjithë klasën politike e vuri nën brirët e tij. Në momentin që mori 50% të votave, nuk bëri asnjë kompromis me liderët rivalë për zgjedhjen e Presidentes, ku i duheshin 2/3 e votave të Parlamentit, por thjesht i frikësoi ata me zgjedhje të reja. Në këtë situatë gjithë opozita iu dorëzua dhe ia bënë votat e duhura. LDK-ja nga 15 i fali 12 vota, AAK e Haradinajt ia huazoi një deputete (demek ajo e votoi presidenten pa lejen e partisë), PDK-ja ia fali një deputet komplet, ndërsa Lista Serbe ia huazoi votat e deputetit goran dhe deputetit rom, deputetë këta që janë nën kontrollin e saj.
Natyrisht, këtë agjendë politike ai nuk do të mund ta shtyjë në frontin e jashtëm. Aspirata e tij për ta sfiduar Edi Ramën dhe për ta pushtuar Shqipërinë dështoi që në start. Kandidatët e tij për deputetë në Shqipëri fituan më pak se 0.1% të votave, në anën tjetër Edi Rama fitoi edhe më bindshëm në Shqipëri sesa Albin Kurti në Kosovë. Dallimi ishte se Kurti fitoi me vota të lira në zgjedhje demokratike, kurse Edi Rama me blerje votash e shantazhe të mundësuara këto nga qëndrimi 8-vjeçar në pushtet. Sidoqoftë, në fund Kurti u detyrua ta urojë.
Në drejtim të Serbisë, Kurti po mundohet ta zë pozicion startues serioz para ndërmjetësve evropianë, në njërën anë, por edhe të aktrojë neglizhencë për atë që Vuçiqi e ka në dorë t’i japë njohjen. Këtë e bënë për t’ia ulur pazarin Vuçiqit. Dallimi mes Albin Kurtit dhe paraardhësve të tij është thelbësor. Isa Mustafa dhe Avdullah Hoti merrnin pjesë në dialog vetëm sa për të shfaqur lojalitet ndaj Amerikës dhe vepronin ashtu si ata i perceptonin sinjalet e Amerikës pa u thelluar në to. Hashim Thaçi tentonte me çdo kusht të kishte marrëveshje me Vuçiqin dhe nuk shqetësohej për çmimin që do ta paguante Kosova. Madje, ai ishte i gatshëm që ta zhbënte atë duke i bërë copat e saj pjesë të Shqipërisë e të Serbisë. Ndërkaq Albin Kurti do të negociojë me koprraci të madhe, duke e ditur se çfarë do, por duke qenë fare pak i gatshëm të ofrojë ndonjë gjë për këmbim. Ky qëndrim rrezikon t’ia humbë Kosovës rastin e mirë që ta bëjë hapin e madh në këto rrethana të favorshme.
I tërë ky pazar mund të përshkruhet me 5 fjalë – beteja mes dashit të vogël e peshkut të madh.
/shenja/
Diskutim rreth këtij postimi