„Konsideroj që arsyeja e vetme e shkarkimit tim është ai politik. Komuna e Preshevës ka qenë njëra ndër komunat me menaxhim më të mirë sa i përket vaksinimit të popullatës tek ata me mbi 65 vjet. Ne kemi qenë në top 5 komunat sa i përket vaksinimit të popullatës.“, na tha ndër të tjera, z.Salihu.
Në këtë kohë të rëndë kur pandemia thuajse në çdo skaj të botës po qëndron dhe po merr jetë njerëzish, në Luginë të Preshevës, në vend se të bashkëpunohet, atje po krijohet panikë te qytetarët e Preshevës me rrethinë, duke e shkarkuar edhe drejtorin e shtëpisë së Shëndetit. Presheva me rrethinë, duke lënë anash simpatitë politike lokale, të gjithë së bashku, përcillnin çdo informacion që vinte nga drejtori i Shtëpisë së Shëndetit, ku ai në forma të ndryshme në fillim të pandemisë, mundohej që në mënyrë profesionale me ato mundësi që kishte, që ti informoj banorët e asaj treve me një pandemi që e ka kapluar gjithë botën. Qysh në fillim edhe lexuesit tanë, kanë pasur mundësi të lexojnë një intervistë nga drejtori z.Driton Salihu, ku ai gjithnjë i bënte thirrje banorëve, që ti respektojnë masat e vendosura dhe ashtu u veprua, për një kohë, Presheva me rrethinë, nuk kishte as një person të infektuar. Kur dihet, se ekziston shtëpia e shëndetit dhe është stafi që punon aty dhe punonte në çdo kohë edhe në fillim të pandemisë edhe telefoni privat i drejtorit nuk pushonte, për t`u informuar, ku edhe vetë ai nuk pritonte, por postonte gjithnjë informacione përmes FB, se si është gjendja dhe të mos bëhet panikë, por jepte informacione profesioniste. Shkurt e shqip, qytetari ndjehej më i besueshëm, kur në krye të një institucioni të shëndetësisë është një shqiptarë. Edhe pse një qytet me një përqindje mbi 90 përqind shqiptarë në pandemi, aty shkarkohet drejtori i shëndetësisë dhe në vend të tij vendoset një mjekë serb. Për të kuptuar më shumë pse ka ndodhur ky rast, se si është gjendja aktuale në Preshevë e me rrethinë në këtë pandemi si dhe për projektet që i ka pasur ndërmend ti ndërmarrë, na flet ekskluzivisht, Dr.Driton Salihu, tash më, i shkarkuar nga detyra e të parit të shtëpisë së shëndetit në këtë qytet.
Z.Salihu, përshëndetje të përzemërta. Të falënderoj fillimisht për kohën, që do të ndani për të realizuar këtë intervistë. Lajmin për shkarkimin tuaj nga detyra e e drejtorit të Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë, thuajse çdo banorë i Preshevës e me rrethinë e kanë pritur keq, sepse jemi në një kohë të rëndë të Pandemisë me Covid-19, plus kur dihen sukseset tua gjatë gjithë pandemisë. Lexuam disa prononcime tuat në disa media, por a mund t`na tregoni drejt, keni menduar, se do merrni një shkarkim nga detyra në këtë kohë?
Ju falënderoj edhe juve gjithashtu. Presheva po kalon një situatë të vështirë epidemiologjike, sidomos nga muaji mars kur ndihmë në shtëpi të shëndetit kanë kërkuar 2211 pacient me simptome febrile ku prej tyre 412 kanë qenë pozitiv në Covid-19, çka është një shifër e lartë për një komunë si Presheva. Deri sapo përballeshim me pandeminë globale dhe vaksinimin masiv, unë me një letër nga ministri i shëndetësisë së Serbisë jam shkarkuar dhe në vend timin është emëruar një mjek i kombësisë serbe.
Pse, sipas jush jeni shkarkuar?
Në dokument shkarkimin nga ministria e shëndetësisë nuk ka asnjë edhe një arsyeje të vetme për shkarkimin tim. Në momente kur përballesh me probleme në menaxhimin e shëndetësisë, por gjatë kësaj rruge duhet të përballesh edhe me letra “anonime” e procese të montuara gjyqësore e sabotime të iniciuara nga persona të ndryshëm.
Kjo sfidë në asnjë moment nuk ndaloi motivacionin tim për një shëndetësi efikase dhe profesionale për Komunën e Preshevës. Këto në foto, që do ta shihni edhe në profilin tim në FB janë vetëm një pjesë e letrave “anonime” të cilat janë dërguar në Beograd për rë inicuar kontrollime të inspektorëve, për të shpifur, e shantazhuar dhe komprometuar Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë. Ata të cilët kanë qenë pjesë e këtij komploti e mbajnë përgjegjësinë për këtë katrahurë.
Mua më mbetet vetëm keqardhje për pacientet tanë që më së pakti e kanë merituar këtë situatë.
Sigurisht, keni pasur kontakte më herët me ndonjë zyrtarë të ministrisë së shëndetit të Serbisë më herët, se si të menaxhohet kjo pandemi?
Po kontaktet kanë qenë të vazhdueshme me Institutin për shëndet publik pasi ka të bëj me vaksinimin e popullatës po edhe testimet me Covid-19.
Pandeminë e keni menaxhuar që në fillim mirë, por tash, dita ditës, po vijnë lajme nga Presheva me rrethinë, se shumë po ka të infektuar dhe po ndahen nga jeta. Ku është faji?
Rastet e vdekjeve janë rritur, pasi Covid-19 nuk po pyet më as moshën po as gjininë. Të gjithë ata që po kanë sëmundje dytësore po edhe në një far mënyre po lajmërohen me vonesë, një numër i tyre po përfundon edhe me fatalitet.
Ishit i vetmi drejtor shqiptar i Shtëpisë së Shëndetit në Republikën e Serbisë. Mos ndoshta, pse jeni shqiptarë jeni larguar?
Në 321 shtëpi të shëndetit që janë në Serbi, unë i vetmi i kombësisë shqiptare. Konsideroj që arsyeja e vetme e shkarkimit tim është ai politik.
Komuna e Preshevës ka qenë njëra ndër komunat me menaxhim më të mirë sa i përket vaksinimit të popullatës tek ata me mbi 65 vjet. Ne kemi qenë në top 5 komunat sa i përket vaksinimit të popullatës.
Doktor, padyshim se edhe stafi i mjekëve e kanë pritur keq. Si ishte reagimi i tyre?
Në një komunë ku janë 95% e banorëve shqiptar dhe një drejtues i një institucioni kaq të rëndësishëm vendoset i kombësisë serbe, atëherë len të kuptohet edhe revoltimi i shumicës së qytetarëve.
Cili është suksesi juaj më i madh gjatë mandatit tuaj?
Ne kemi qenë përfitues i projektit më të shtrenjtë financiar në Renovimin e plotë të objekteve të Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë, projekt i cili ende nuk është tenderuar nga Qeveria serbe, edhe pse të gjitha procedurat paraprake kanë kaluar që nga 2017-ta.
Renovimi i urgjencës me mjete Ndërkombëtare, realizimi i Programit të asistencës shtëpiake në bashkëpunim me Komunën e Preshevës për punësimin e stafit mjekësor, zgjerimin dhe avancimin e shërbimeve mjekësore në vendbanimet e komunës së Preshevës, renovimi i ambulanteve në vendbanimet e komunës sonë, rekonstruksioni i sistemit të ngrohjes qendrore në një sistem ekologjik, sigurimi i autoambulancave si donacion nga vendet evropiane, vendosja e Sistemit të menaxhimit të orarit të punës për stafin medicinal, sigurimi i vendeve të punës në afat të pacaktuar për një numër të konsiderueshëm të punëtorëve medicinal, pajisje me aparaturë të re në laborator e shumë projekte të tjera që janë me rëndësi vitale për një shëndetësi më të mirë për qytetarët e Preshevës.
„Këto dy komuna kanë rreth 80.000 banorë dhe shërbimin shëndetësorë dytësor Presheva e ka 45 kilometra larg në qytetin e Vranjës“
Përpos disa projekteve, që i keni realizuar, sa jemi të informuar, keni pasur edhe një projekt kërkese për të realizuar edhe spitalin e parë shqiptarë në Luginë të Preshevës, aty diku në mes të Preshevës e Bujanocit?
Presheva dhe Bujanoci e kanë momentin e fundit që të kenë një spital rajonal. Këto dy komuna kanë rreth 80.000 banorë dhe shërbimin shëndetësorë dytësor Presheva e ka 45 kilometra larg në qytetin e Vranjës.
Unë iu kam drejtuar me arsyeje të qarta presidentit serb, kryeministres së Serbisë, ministrit të shëndetësisë si dhe së bashku me vetëqeverisjen lokale që kjo iniciativë sa më shpejtë të aktualizohet pasi momentalisht kërkesat primare janë që reparti i pediatrisë dhe sëmundjeve interne janë të patjetërsueshme për qytetarët e komunës së Preshevës që mos të udhëtojnë në qytetet tjera.
Na flisni më shumë ju lutem në lidhje me këtë projekt, ku e keni menduar mbështetjen, nga Ministria e Serbisë, Shqipërisë, Kosovës apo nga diaspora jonë, apo tek të gjitha nga pak, me rëndësi të realizohet ky projekt?
Ne për fillim kemi nevojë vetëm për leje nga Ministria e shëndetësisë gjegjësisht nga qeveria e Serbisë. Vendin, ndërtimin apo edhe realizimin e këtij projekti e kemi më të lehtë, pasi siç dihet edhe diaspora e jonë ka shpreh interesim të madh që Presheva dhe Bujanoci të ketë spital, po ashtu edhe qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë me fondin e premtuar të solidaritetit mund të jap kontribut të veçantë. Ne staf kemi, po edhe me angazhimin e mjekëve shtesë, do të kompletohej i tërë spitali.
„Pasjani në Gjilan e cila ka 3-4 herë më pak banor se Presheva ka spital“
Pse sipas jush, nuk është ndërtuar deri më tash, një spital në Luginë të Preshevës?
Nuk ka pas interes as shteti, po edhe asnjëherë nuk është bë një kërkesë e mirëfilltë dhe e detajizuar që Presheva të ketë spitalin rajonal.
Kur një komunën si Pasjani në Gjilan e cila ka 3-4 herë më pak banor se Presheva ka spital, atëherë edhe pse Lugina e Preshevës mos të ketë?
Qytetarët e Luginës së Preshevës, siç e dini edhe Ju, duhet të shkojnë në Vranjë, Nish, Shkup edhe më larg për ndonjë sëmundje serioze, pse a nuk ka kapacitet mjekësorë lugina. Komenti juaj?
Po, qytetarët e Preshevës për edhe një shërbim më të vogël sekondar mjekësor duhet të udhëtojnë për në spitalet tjera nëpër Serbi.
Ti kthehemi shkarkimit tuaj nga detyra, a keni bërë ndoj ankesë apo keni ndërmend që të ankoheni?
Vendimi për shkarkim është i plotfuqishëm andaj edhe nuk ka asnjë mënyrë ankese.
Besoni, se do të fitoj drejtësia?
Të shohim, është vendim arbitrar nga Ministria e shëndetësisë.
Z.Salihu, edhe njëherë, si e shini shëndetësinë e Preshevës me rrethinë, mu në valën e tretë të Covid-19, ku dita ditës po merr jetë?
E rënduar, andaj edhe qytetarët duhet të kenë shumë kujdes në preventivën ndaj kësaj pandemie. Ende asgjë nuk ka përfunduar edhe pse vaksinimi po shkon mirë.
Për fund të kësaj interviste, mundem të them, nga shumë mendime të banorëve të asaj ane, sa i kemi përcjellur, se kanë thënë, po e humbëm një drejtorë, që nuk është ndal asnjëherë, që të jetë sa më afër nesh, sidomos tash me pandemi. Komenti juaj?
Ne kemi dhënë maksimumin dhe me mundësitë tona i kemi dalë në ndihmë të gjithë qytetarëve që kanë pas nevojë në luftë kundër Covid-19 dhe ia kemi arritur të menaxhojmë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Të flm edhe njëherë e u dëgjofshim për gëzime.
Ju lutem. Ju falënderoj edhe juve dhe përshëndes të gjithë lexuesit tuaj kudo që ndodhen. Lutem, që të kalohet kjo pandemi sa më shpejt, por edhe kësaj here, edhe pse nuk jam në detyrë, si bashkëqytetarë, ju kisha lutur të gjithë banorëve, që të kenë kujdes, ti mirëmbahen rregullave, sepse pandemia është e pamëshirshme. Prandaj, ju lutem, kujdes, jo panikë, por të kemi mirëkuptim për rregullat që janë vendosur, që të gjithë së bashku të dalim fitues para kësaj pandemi
/Bota sot/
Diskutim rreth këtij postimi