Të nderuar lexues, keni para jush një libër që përshkruan në mënyrë autentike dhe në detaje vuajtjet e shqiptarëve nga Republika e Kosovës që ndodhën gjatë sulmit të përgjithshëm të armatosur të Serbisë mbi atë vend dhe njerëzit e tij liridashës. Autori i librit, Ali Daci përshkruan të gjithë golgotën nëpër të cilën kaluan të përndjekurit shqiptarë, ndërsa përpiqeshin të shpëtonin jetën e tyre para ushtarëve të etur për gjak, duke u larguar nga shtëpitë e tyre në Republikën e Kosovës drejt të afërmve dhe bashkatdhetarët të tyre, në komunën e Rozhajës dhe në qytete dhe fshatra në afërsi.
Kur autori Daci përshkruan situatën e vështirë në lidhje me kujdesin për refugjatët në komunën e Rozhajës, në të cilën ai personalisht luajti një rol të madh dhe bëri shumë përpjekje, nga të dhënat që kishte në dispozicion shtabi komunal i krizës i Lidhjes Demokratike, duket qartë sa të vështira ishin ato shtigje të përgjakura për shqiptarët e Kosovës, por edhe për shqiptarët e tjerë. Si vendas në Gadishullin Ilirik (Ballkan), shqiptarët gjatë agresionit shekullor të gjenocidit, veçanërisht gjatë okupimit të të ashtuquajturës Jugosllavi, ishin nën një goditje më të madhe se kombet e tjera dhe vendet fqinje, të cilat përndryshe ishin viktima të politikës kriminale ekspansioniste serbe.
Në të vërtetë, tragjedia boshnjake dhe viktimat e agresionit gjenocidal serb në Bosnje dhe Hercegovinë 1992-1995 ishte më e madhe se ajo shqiptare. Megjithatë, veprimet e gjithëmbarshme të ideologjisë ekspansioniste serbe ndër shekuj duket se ishin të drejtuara më shumë kah minimizimi i faktorit shqiptar.
Shembull konkret që tregon “kujdesin” serb për shqiptarët kemi edhe nga territori i Malit të Zi, i cili atëherë nuk ishte zyrtarisht në luftë. Në fakt, hordhitë e armatosura gjenocidale përndoqën të ikurit edhe në territoret e “qeta”. Kështu, ndodhi që shpesh takuan grupe ose kolona të njerëzve të pafuqishëm, fëmijë, gra e pleq. Në këto raste të shumta të sulmeve të forcave serbe në të përndjekurit, pati shumë të masakruar dhe të vdekur.
Gjithashtu, urdhërdhënësit serbë u përkujdesën që të mos lejojnë kurrfarë procesi arsimor për fëmijët e përndjekur. Me këtë lloj agresioni është i njoftuar mirë edhe Daci, i cili ishte i angazhuar në përpjekjet për të organizuar procesin arsimor, aq sa ishte e mundur. Në fakt, duke u kujdesur për të ikurit nga Republika e Kosovës, Daci dhe bashkëpunëtorët e tij nga Shtabi i krizës kishin probleme të mëdha në përpjekjet e tyre që fëmijëve t’u krijojnë kushte minimale për shkollim. Duke pasur parasysh se Qeveria e Malit të Zi (“Serbia në formatin e vogël”) nuk dëshironte as të dëgjonte për këtë problem, Shtabi i krizës u gjet në situatë absurde: u detyruan të kërkojnë ndihmë nga Republika e Kosovës, prej nga nxënësit dhe prindërit e tyre ishin përndjekur.
E gjithë kjo është planifikuar me kujdes në Beograd, prej nga kanë ardhur urdhrat për sulmet individuale dhe të përgjithshme ndaj shqiptarëve. Të dhënat që Daci jep në librin e tij tregojnë pikërisht këtë, që për kryesit e gjenocidit ishte e rëndësishme që ta shkatërrojnë shoqërinë shqiptare në maksimum dhe ta minimizojnë forcën e faktorit shqiptar në këto anë.
Ajo që shpesh vihet re në mesin e sanxhakasve, madje edhe më shpesh në mesin e boshnjakëve, më pak në mesin e shqiptarëve të paasimiluar, është një zakon i vendosur ose sistem i legalizuar gjenocidi, me të cilin ndryshohet dhe shtrembërohet në mënyrë drastike historia dhe ngjarjet e caktuara nga e kaluara dhe njerëzit tanë/populli beson në të.
Edhe pse serbët shpesh e pranojnë se gënjeshtra është “interes nacional” i tyre, sikur që e përmend në disa pjesë në librin e tij “Shpërnguljet”, gjenocidisti Dobrica Qosiq, viktimat e këtushme, me qëndrimin e tyre ndaj xhelatit, sikur thonë se ”ju nuk jeni gënjeshtarë, ne ju besojmë”. Duket e pakuptimtë, por është e vërtetë. Në masë të madhe boshnjakët, por edhe sanxhakasit dhe shqiptarët, i marrin trillimet tragjikomike gjenocidale si burim informacioni ose literaturë shkollore. Për këtë edhe nuk është për t’u çuditur me numrin e madh të bashkatdhetarëve tanë, të cilët edhe e arsyetojnë deri në një masë pushtimin dhe torturat. “Lufta kundër terroristëve shqiptarë” dhe trillime të ngjashme, për fat të keq, në të kaluarën kishin ndikim te boshnjakët, të cilët harronin faktin se gjenocidistët në njëqindvjetëshin e fundit në territorin e Gadishullit Ballkanik, vranë, sipas disa të dhënave, mbi njëqind mijë fëmijë “terroristë”!
Jo një, dy ose pesë fëmijë, të cilët “rastësisht do të mund të qëlloheshin nga granata me të cilën janë goditur caqet legjitime terroriste”, veçse mijëra e mijëra fëmijë. Prej të palindurve, të gjendur në barkun e nënave të tyre, foshnjave gjysmëvitëshe ose një vit jete, deri te djemtë dhe vajzat prej 12 ose 14 vjeç. Këta fëmijë, përveç me granata topi, janë vrarë me snajperë, thika, zjarr (janë djegur të gjallë) etj.
Është e pabesueshme se sa të etur për gjak kanë qenë gjenocidistët karpatas, e edhe më e pabesueshme toleranca e viktimave. Madje, te një pjesë e caktuar e boshnjakëve është vërtetuar prezenca e sëmundjes psikike të quajtur “Sindroma e Stokholmit”. (Për ata që nuk e dinë: tipar kryesor i kësaj sëmundjeje është që viktima ndjen nevojën për vazhdimin e dhunës të cilën e ka përjetuar nga dhunuesi/xhelati.)
Pikërisht për këtë është e rëndësishme që vetes dhe të tjerëve t’ua përkujtojmë, sepse njeriu është “harrestar”. Autori i librit, Ali Daci këtë synon, të vetëdijesojë viktimat e tashme potenciale se çka i pret nga gjenocidistët, nëse nuk organizohen dhe nuk i bashkojnë potencialet mbrojtëse. Domethënë, përveç që gjeneratat e reja mund ta njohin prirjen (kodin) serbe gjenocidale, kuptojnë që libri i tillë ka dalë në bazë të përjetimeve nga e kaluara e afërt dhe na përkujton edhe neve që veç i njohim serbët.
Për shembull, gjatë një prej shumë sulmeve kundër të përndjekurve në rajonin e komunës së Rozhajës, në vendin Kalluxherski Llaz, pasi që bandat e armatosura serbe (ushtarake dhe paraushtarake) shtinë mbi kolonën me gra, fëmijë e pleq, një grua ngriti mbi kokën e saj një shall të bardhë, duke e valëvitur dhe duke u dhënë shenjë sulmuesve se është fjala për civilë të pafuqishëm, ajo e shkretë mori përgjigje – plumbin në kokë. Nga ky, por edhe nga shumë shembuj të tjerë, duket qartë se serbët nuk njohin absolutisht gjendjen e viktimës së pafuqi.
Nisur nga kjo, bashkëpunimi, homogjenizimi ose bashkimi i shqiptarëve, ose kombinimi i këtyre procese, është një domosdoshmëri dhe atë në mënyrë që e gjitha të jetë brenda ligjit dhe e institucionalizuar. Por, kjo është një temë e gjerë dhe segment i betejës së përgjithshme vetëmbrojtëse.
Në përgjithësi, autori, me shembuj konkretë nga përvoja personale dhe e njerëzve të afërt me të (familjarë, fqinj, miq etj.), shpërfaq pasojat që pësojnë viktimat kur janë të pafuqishme para serbëve, sikurse që i kontribuon njohjes së saktë të kodit gjenocidal (jo)njerëzor, që para disa shekujsh u soll nga Karpatet, për t’u shërbyer udhëheqësve të atëhershëm dhe i cili, me kohë, u kthye në gjarpër të madh helmues. Në fakt, ky lloj edhe ishte gjarpër që atëherë, por pronarët dhe më vonë fqinjët e forcuan.
…
Përveç që përshkruan mundimet e të përndjekurve, të cilët as në refugjatllëk në territorin e Malit të Zi nuk gjetën qetësi nga xhelatët e tyre gjenocidale, autori përshkruan edhe terrorin të cilin forcat e armatosura jugosllave e kryen ndaj atyre që u ofruan ndihmë të përndjekurve.
Banorët e vendbanimeve nga komuna e Rozhajës iu nënshtruan maltretimeve të përditshme.
Gjithashtu, Daci përshkruan edhe vuajtjet dhe pësimet në disa pjesë të Republikës së Kosovës. Nga deklaratat e shumë të përndjekurve, të cilat i kanë dhënë gjatë ose pas luftës, mund të konstatohet se kryesit e gjenocidit ishin të instruktuar në detaje nga Beogradi që ta shkatërrojnë maksimalisht popullatën civile shqiptare. Kështu, një nga bashkëbiseduesit e Dacit e përshkruan gjendjen në qytetin e Pejës dhe thotë se atje ka parë vetëm ushtarë, policë (serbë) dhe romë. Gjenocidistët ua mundësuan romëve të marrin shtëpitë e shqiptarëve, pasi forcat e armatosura serbe i ndoqën civilët shqiptarë prej tyre.
Në përndjekjen e shqiptarëve nga shtëpitë e tyre, krahas forcave ushtarako-policore, morën pjesë edhe civilët serbë.
…
Krejt logjikshëm, autori përshkruan pozitën e njëjtë të viktimave nga etnia shqiptare, sanxhake dhe boshnjake, sepse të tri këto grupime/popuj, në historinë e largët ose të afërt, ishin viktimë e hegjemonisë famëkeqe serbe.
Natyrisht, në Republikën e Kosovës dhe në rajonin e Malësisë, viktima ishin shqiptarët, duke pasur parasysh se në ato rajone janë në numër më të madh. Megjithatë, Daci përkujton tragjedinë që pësuan boshnjakët në Bosnje dhe Hercegovinë dhe krahason metodat gjenocidale që serbët përdorën në të gjitha vendet në të cilat shkeli çizmja e tyre (ushtria).
Edhe pse është i lidhur më shumë me kombin e tij shqiptar, Daci nuk harron edhe viktimat e tyre, dhe nuk lë anash ndjeshmërinë ndaj boshnjakëve. Përkundër faktit se, në historinë e largët apo të afërt, funksionarë/përfaqësues të caktuar boshnjakë, ose një përqindje e këtij populli, me vetëdije i kontribuuan/ndihmuan në realizimin e planeve dhe projekteve famëkeqe. (Raif Dizdareviqi në vitet ’80 ose përkrahja e sotme e “mosndryshimit të kufijve”).
…
Daci në librin e tij, përveç përshkrimit të vuajtjeve dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri, thekson kontributin e individëve të veçantë në luftën çlirimtare ose në shpëtimin e të përndjekurve. Me të drejtë, autori thekson nismën që në qytetet shqiptare dhe në lagje, rrugët, sheshet, shkollat, institucionet dhe vendeve e tjera publike duhet të emërtohen sipas atyre trimave, të cilët u flijuan për lirinë dhe shpëtimin e shqiptarëve.
…
Ajo çka është e rëndësishme, nga shumë aspekte, gjë që autori e thekson, është qëndrimi krejtësisht injorues dhe nganjëherë obstruktiv i organeve shtetërore malazeze kundrejt gjithë këtyre zhvillimeve, respektivisht përpjekjeve të shqiptarëve për të pasur minimumin e të drejtave. Përveç që lejuan “sulme” krejtësisht të lira ndaj civilëve, organet malazeze (gjyqësia, legjislativi, ekzekutivi, siguria), edhe pastaj i bën obstruksion drejtësisë dhe ligjit. Kjo më së miri mund të shihet dhe pasojat e një politikë të tillë i ndjenë ata që provuan të nisin ndonjë procedurë penale, proces gjyqësor dhe akuza kundër kryesve të krimeve të luftës. Ali Daci dhe bashkëpunëtori i tij në këtë rast, avokati Velija Muriq, duke iu falënderuar angazhimit të tyre të madh, ia dolën të dokumentojnë dhe t’ua dëshmojnë organeve të drejtësisë se procesimi i rasteve ndaj kryesve të krimit është obligim ligjor që mund të përmbushet.
…
Në fund, ajo që më ka rënë në sy dhe me të cilën nuk do të pajtohesha në këtë libër është se për të përndjekurit është përdorur termi “refugjatë”. Në këtë rast, ku makineria e armatosur gjenocidale serbe ishte dukshëm e përgatitur dhe me paramendim për ndjekjen e gjithë popullatës shqiptare, termi më i përshtatshëm dhe më preciz për viktimat e terrorit është “të përndjekur”, në vend të “refugjatë”. Refugjat mund të jetë ai që është ndjekur ose dikush që me dëshirë është larguar nga shtëpia e tij. Në këtë rast, të gjenocidit serb mbi shqiptarët, askush nuk u largua me dëshirë. Të gjithë që u larguan nga shtëpitë e tyre, për këtë u urdhëruan nga komandantët agresorë serbë, ose iu ishte rrezikuar jeta dhe kjo është një arsye e mjaftueshme që viktima të marrë rolin e të përndjekurit.
Ka mundësi që përkthyesi nga gjuha shqipe në gjuhën boshnjake gaboi gjatë përkthimit të librit, kështu që e përdori termin “refugjat”. Përndryshe, përkthimi do të mund të ishte më i mirë, edhe pse kështu (me gabime të vogla), nuk e zvogëlon rëndësinë, domethënien dhe vlerën e librit.
Ali Daci meriton përgëzime për punën e tij dhe për rëndësinë e librit.
( Përktheu nga gjuha boshnjake Safet Zejnullahu)
Diskutim rreth këtij postimi