LDK-ja atëbotë pati fituar 45.7 për qind (2001) dhe 45.42 (2004). Pas 20 vjetësh, LVV-ja ka fituar 47.69 për qind apo 320 mijë vota nga mbi 90 për qind të vendvotimeve të procesuara. Në koalicion me LVV-në ishte edhe lista e Vjosa Osmanit e cila ndau rrugët me LDK-në vitin e kaluar.
Rezultat historik të dobët kanë shënuar partitë që në periudha të ndryshme qeverisën vendin dy dekadat e kaluara. LVV-ja ka marrë vota më shumë se PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja bashkërisht.
Mbështetur në rezultatet preliminare, PDK-ja ka fituar 17.36 për qind, LDK-ja 13.41 për qind, kurse AAK-ja 7.45 për qind.
Nisma e Fatmir Limajt nuk ka arritur ta kalojë pragun, duke mbetur në 3 për qind.
Është edhe një kontingjent i votave nga diaspora që nuk janë numëruar ende dhe mund ta ndryshojnë rezultatin përfundimtar.
Vetëvendosje ka dalë forcë e parë edhe në shumicën prej komunave të mëdha përfshirë Prishtinën, Podujevën, Prizrenin, Gjilanin, Ferizajn, Pejën e Gjakovën.
PDK-ja ka arritur t’i ruajë bastionet e saj në Skenderaj dhe Drenas.
Kurse LDK-ja nuk ka arritur të fitojë në asnjë komunë, duke dështuar edhe në bastionet e saj.
Ka dalë vetëm e dyta apo e treta edhe në komunat ku udhëheq në nivel komunal, sikurse në Pejë dhe Istog. Ajo është prapa Vetëvendosjes edhe në Gjilan e Lipjan. Dalja e qytetarëve në zgjedhje ka qenë 45.06 për qind.
Kurti e Osmani: Jo hakmarrje
Rreth një orë pas mbylljes së qendrave të votimit dhe publikimit të projeksioneve, sikurse ai i “Kohës” që e nxirrte Lëvizjen Vetëvendosje parti fituese me mbi 50 për qind, simpatizantë të këtij subjekti kanë dalë për të festuar në rrugët e Prishtinës, Gjilanit, Gjakovës, Lipjanit- pavarësisht thirrjes së zyrtarëve të VV-së që festa të bëhet në shtëpi për shkak të rrezikut nga pandemia me COVID- 19.
E, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pak para mesnatës u është drejtuar qytetarëve si kryeministër në ardhje nëpërmjet një konference për media bashkë me kandidaten për presidente, Vjosa Osmani.
“Sot Kosova votoi për të ardhmen faqebardhë. Sot vota, zëri juaj kumboi si kurrë më parë. E kemi pritur gjatë këtë ditë, por vota juaj e solli ndryshimin aq shumë të pritur dhe të dëshiruar. Jemi të vetëdijshëm për barrën e madhe që kemi si rezultat i besimit të madh që na keni dhënë. Ky besim do të jetë udhërrëfyes në këtë drejtim, përgjegjësia që na keni veshur është një nder i madh. Ky assesi nuk është mandat për hakmarrje as i kthimit prapa. Është mandat i punëve që do të kryhen, ku garantojmë mirëqenie, luftojmë korrupsionin, e luftojmë me zell të madh për barazinë”, ka thënë Osmani.
Kurse Kurti zgjedhjet i ka quajtur referendum.
“Ky referendum për drejtësi, punë e kundër kapjes së shtetit e korrupsionit, u fitua. Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës. Nesër fillon një ditë e re. Kjo fitore madhështore është vetëm mundësia që ta fillojmë ndryshimin. Rruga përpara është e gjatë, do të kemi pengesa dhe do të bëjmë ndonjë gabim, por qëllimin e kemi fisnik. Nuk do të hakmerremi ndaj askujt, por do të kërkojmë përgjegjësi ndaj secilit”, ka deklaruar Kurti, i cili nuk mund t’i prijë listës së VV-së dhe të garojë për deputet për shkak të një dënimi nga viti 2018. “Kjo nuk është fitore për mua dhe Vetëvendosjen, por është fitorja juaj. Kjo fitore do të mbahet mend nga gjeneratat që do të vijnë si dita që u tejkaluan përçarjet. Këto zgjedhje do të mbahen mend për radhët e gjata të qytetarëve për të votuar, për votimin masiv me postë, për aeroplanët, veturat e autobusët e ardhur nga mërgata”, ka theksuar Kurti.
Ka shtuar se koalicion nuk do të bëjnë me, siç ka thënë, ata që duhet të reformohen në opozitë, duke iu referuar PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.
Deklarim ka pasur edhe nga selia e Partisë Demokratike ku ushtruesi i detyrës së kryetarit, Enver Hoxhaj e ka pranuar humbjen. Por e ka bërë të qartë se nuk do të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme.
“Populli i Kosovës ka folur dhe vullneti i tyre duhet respektuar. Rezultati i sotëm që vë Lëvizjen Vetëvendosje të parën dhe PDK-në të dytën, për ne është mesazh i qartë. E uroj Lëvizjen Vetëvendosje për rezultatin dhe i inkurajoj që të punojnë me përgjegjësi për realizimin e premtimeve të tyre para qytetarëve”, ka thënë Hoxhaj.
“Natyrisht, Partia Demokratike e Kosovës nuk do të jetë pjesë e qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje. Vlerat dhe orientimet tona politike janë larg njëra-tjetrës dhe ne nuk do të bëjmë kompromis me integritetin e këtyre vlerave që i kemi zhvilluar tradicionalisht, bashkë me qytetarët e Kosovës. Përkundër kësaj, Kosova ka nevojë për stabilitet dhe ne zotohemi që të jemi faktor stabiliteti nga pozicioni i partisë udhëheqëse të opozitës”.
Kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, e ka marrë përgjegjësinë për humbjen, teksa ka thënë se rezultatet janë tjera nga ato që ka pritur.
“Unë e marrë përgjegjësinë e plotë për këtë rezultat zgjedhor të LDK-së. Në ditët në vijim do të diskutoj gjerësisht me organet e LDK-së për këtë përgjegjësi. Pres që KQZ-ja të përmbyllë sa më parë procesin e numërimit të votave dhe certifikimit të rezultateve, që t’i hapet rrugë themelimit të institucioneve të reja të vendit”, ka thënë Hoti. “Unë do të jem gjithmonë mirënjohës për mundësinë që më është dhënë nga LDK-ja për t’iu shërbyer qytetarëve dhe do të mbetem mbrojtës i pa kompromis i demokracisë dhe orientimit properëndimor të Republikës se Kosovës. LDK-ja do të jetë opozitë konstruktive në mbrojtje të interesit të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës”.
Pas këtij rezultati, edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka paralajmëruar ndryshime por nuk ka treguar nëse do të japë dorëheqje.
“Ne do të bëjmë ndryshimet e nevojshme dhe LDK do të punojë shumë që të rikthehet dhe ta sendërtojë vizionin e saj rugovian për vendin”, ka shkruar Mustafa në “Facebook”.
Kurse kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se rezultati që i nxjerrë ata forcë e katërt në Kuvend ka qenë i pritshëm.
“Faleminderit prej qytetarëve për pjesëmarrje edhe pse në një kohë të vështirë. Në pjesën e parë të numërimit hetohet një orientim kah VV-ja dhe konstatohet një fitore. Shfrytëzoj rastin t’i uroj VV-së dhe të gjitha partive, ajo çka shohim në numërimin e rreth 10 për qind të votave të numëruara, janë rreth 10 për qind. Përputhet edhe me pritjet tona”, ka thënë Haradinaj në paraqitjen e parë pas mbylljes së votimit.
Befasi nuk ka pasur te komuniteti serb, ku Lista Serbe ka arritur të fitojë të gjitha komunat me të cilat udhëheq, në disa prej tyre me mbi 90 për qind. Në Zveçan ka fituar me 92 për qind, në Zubin-Potok 90 për qind, Leposaviq 78 për qind e Mitrovicë e Veriut 62 për qind. Fitore me mbi 50 për qind ka shënuar edhe në komunat në jug të Ibrit- Shtërpcë, Graçanicë, Kllokot, Partesh e Novobërdë.
Sipas vlerësimit të institucioneve, por edhe organizatat jo qeveritare, procesi është zhvilluar në frymë të lirë dhe demokratike. Ka pasur disa parregullsi por ato nuk kanë cenuar integritetin e zgjedhjeve.
Votimi mes vështirësive që shkaktuan reshjet e borës
Mes vështirësive që krijuan reshjet e borës dhe ngricat, në shumicën e qendrave janë hapur vendvotimet në ora 7:00. Në disa prej qyteteve ka pasur vështirësi në qarkullim për shkak të mospastrimit të rrugëve.
Në disa qendra të votimit në kryeqytet ka pasur mungesë të fletëvotimeve, gjë që ka krijuar tollovi brenda tyre. Kësisoj, në korridoret e shkollës fillore “Faik Konica”, një orë para mbylljes së vendvotimeve ka pasur fluks të qytetarëve në pritje të fletëvotimeve. Situatë e ngjashme ka qenë edhe në shkollën “Dardania”. Disa qytetarë të cilët në shenjë revolte janë kthyer pa votuar. Për tri orë ka pasur mungesë të zarfeve edhe në qendrën e votimit në Fakultetin Filologjik. Zyrtarë të KQZ-së e kanë arsyetuar mungesën e tyre me numrin e madh të votave me kusht, gjë që ka bërë të harxhohen më shpejtë ato.
Ndërkaq në Suharekë ka pasur rast kur votuesit janë kthyer mbrapshtë për shkak se janë paraqitur me letërnjoftim të skaduar. Por më pas KQZ-ja mori vendim gjatë ditës për lejimin e qytetarëve që të votojnë me letërnjoftim me afat të skaduar.
Grumbuj qytetarësh ka pasur edhe në Banjë të Malishevës, ku është vërejtur shkelje e masave anti-COVID sikurse edhe në disa qendra të tjera votuese nëpër komunat e Kosovës.
Proces i rregullit zgjedhor është zhvilluar edhe në njërën nga qendrat më të mëdha të votimit në Graçanicë, e cila popullohet me shumicë serbe. Në shkollën fillore “Mbreti Millutin” që numëron mbi 8 mijë votues, ka pasur fluks të qytetarëve pas mesditës.
Në disa raste nuk respektohej as distanca mes tyre, edhe pse në hyrje ishin vendosur shenjat dhe në disa tavolina ka pasur dezinfektues.
E, ata që shfrytëzuan të drejtën e votës kanë thënë se presin më shumë zhvillim dhe rikthim të serbëve të zhvendosur.
Tre të arrestuar, LDK e AAK thyejnë heshtjen
Sa u përket shkeljeve, Policia e Kosovës ka iniciuar tri raste të evidentuara gjatë procesit zgjedhor që kanë ndikuar në mbarëvajtje. Sipas Policisë, njëri është evidentuar në Lipjan ku ka pasur pengim të procesit të votimit me ç’rast është arrestuar një person. Një është arrestuar në Prizren e një tjetër në Fushë-Kosovë, për shkak të cenimit të fshehtësisë së votimit.
“Policia e Kosovës (PK) realizoi me sukses planin operativ për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, që kishte për qëllim ofrimin e sigurisë, mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para-gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Plani policor ka paraparë inicimin dhe procedimin e çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit, që sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike”, ka qenë njoftimi i Policisë.
Por Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës gjatë ditës së zgjedhjeve kanë thyer heshtjen zgjedhore duke u dërguar mesazhe qytetarëve, ku kërkohej të votohen deputetë të caktuar.
Ndërkaq një 81-vjeçar në Kaçanik ka vdekur pas votimit.
Policia e rajonit të Ferizajt ka njoftuar se të njëjtit i ishte keqësuar gjendja shëndetësore ku është dërguar me emergjencë në spitalin e Kaçanikut ku më pas edhe ka vdekur.
Ndërkombëtarët përgëzojnë për organizimin e zgjedhjeve
Përfaqësues të ambasadave të huaja në Prishtinë kanë përgëzuar institucionet për organizimin e zgjedhjeve, teksa aktivë kanë qenë edhe gjatë ditës duke iu bërë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës, me gjithë vështirësitë e krijuara nga reshjet e borës.
Ambasadori i SHBA-së, Philip Kosnett, ka thënë se e ardhmja e Kosovës është në duart e qytetarëve.
“E ardhmja e Kosovës është në duart tuaja. Mos lejoni borën apo COVID-in që t’u ndalojnë nga votimi. Raportoni te Policia e Kosovës, Prokuroria, autoritetet zgjedhore apo mediat, çdo parregullsi apo shkelje. Bëni zgjedhjet të lira, fer dhe të sigurta”, ka shkruar Kosnett në Twitter.
Kurse këshilltarja e lartë ligjore nga kjo ambasadë, Lana Owens, ka vizituar dhomën operative të Prokurorit të Shtetit, të cilët janë të angazhuar për mbrojtjen e votës gjatë ditës së zgjedhjeve.
Edhe ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, ka thënë se është i lumtur të shohë aq shumë njerëz duke votuar në Pejë, përkundër borës.
“Ndalja ime e parë në Pejë në këtë ditë të ngarkuar të mbikëqyrjes. Përkundër borës, kam qenë i lumtur të shoh aq shumë njerëz në Pejë duke votuar”, ka shkruar Abbott.
Edhe ambasadori i Italisë, Nicola Orlando, ka bërë thirrje që gjatë votimit të respektohen masat antiCOVID-19.
“Veproni në mënyrë të sigurt për të mbrojtur më të ekspozuarit: vendoseni maskën dhe mbani distancën. #Kosovavoton2021”, ka shkruar ambasadori Orlando.
Shefi i BE-së, Tomas Szunyog e ka vlerësuar impresionuese organizimin e zgjedhjeve në Kosovë, teksa ka vizituar qendrën e votimit në shkollën fillore, “Dardania”.
“Deri tash është vështirë të japim një konkludim konkret, por mund të shoh se njerëzit nëpër qendrat e votimit kanë njohuri për procesin dhe dinë çfarë po bëjnë, janë të vetëdijshëm për rëndësinë. Organizimi i zgjedhjeve është bukur impresionues. Natyrisht kemi parë se ka edhe vështirësi për shkak të pandemisë COVID-19 dhe të gjitha masave që duhet të ndërmerren lidhur me pandeminë. Kam dëshirë t’iu them të gjithë atyre që duan të votojnë që ai ose ajo duhet t’i respektojnë masat kundër pandemisë”, ka thënë Szunyog.
Lëvizja Vetëvendosje i kishte fituar edhe zgjedhjet e vitit 2019 duke siguruar 29 deputetë, vetëm një më shumë se Lidhja Demokratike. Por koalicioni qeverisës VV-LDK ishte më jetëshkurtri në historinë e qeverive. Albin Kurti ishte rrëzuar pas vetëm 51 ditësh me mocion mosbesimi që ishte iniciuar nga Lidhja Demokratike.
/koha net/
Diskutim rreth këtij postimi