Paralele historike/ Dikur ideja e Federatës Ballkanike, sot Minishengeni Ballkanik
Çfarë ishte Federata Ballkanike apo “minishengeni” Tito-Dimitrov-Enver?!
Prof.Dr.Elmas LECI
Drejtor Ekzekutiv
Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare
75 vjet me parë, sipas proces-verbalit të takimit të Enver Hoxhës me Josif Broz Titon në Beograd në vitin 1946, duket se mori jete ideja e Federatës Ballkanike, ide që nuk u realizua falë faktit të rivalitetit Stalin-Tito, pa për të qenë për Enver Hoxhën, ai e “shiti” Shqipërinë dhe e dha pëlqimin e tij të anëtarësimit në atë Federatë. Po çfarë ishte ideja e Federatës Ballkanike, çfarë përfshinte ajo, si u punua për të, cilat ishin fushat që do të operonte dhe a është e ngjashme me “Minishengenin” e sotëm ballkanik?! Le ta shohim përmes fakteve historike:
Në vizitën e tij të parë në Beograd në vitin 1946, Enver Hoxha përveç të tjerave nënshkroi edhe dy marrëveshje të fshehta me Beogradin të përgaditura paraprakisht nga Nako Spiru, atë për “Sigurinë dhe Mbrojtjen e Interesave Jugosllave në Shqipëri” si dhe atë për “Veprimet në rast rrezikimi të Udhëheqjes Shqiptare dhe masat mbrojtëse me hedhjen e njësiteve jugosllave në Shqipëri”. Por ajo më e rëndësishmja ishte marrëveshja për krijimin e Federatës Ballkanike, ku Enver Hoxha, siç lexojnë nga dokumentat, dha pëlqimin e plotë mbi propozimin e mendimin e vjetër e të ri të Titos për krijimin e Federatës Ballkanike, ide që nuk ishte e panjohur për shumë e shumë njerëz me ide komuniste, që kishin dalë nga shkolla e Kominternit.
Ideja me të cilën Enver Hoxha u dakordësua me Titon në Beograd, për krijimin e Federatës Ballkanike, që do të përfshinte Jugosllavinë (brenda saj edhe Shqipërinë) e Bullgarinë, synonte që Tito të ishte në krye të Ballkanit, megjithëse kjo ishte edhe një karshillëk ndaj Stalinit, që më pas po vetë Stalini për arsyen e sipërpërmendur e siluroi dhe e asgjësoi.
Megjithëse për disa vite pas Lufte, Stalini qe dakord që marrëdhëniet midis Moskës e Tiranës të realizoheshin nëpërmjet Beogradit, në forma të ndryshme ai filloi të dyshonte te Tito për karshillikun që po i bënte dhe për synimet hegjemoniste që manifestonte. Pretendimet territoriale të Jugosllavisë ndaj fqinjëve, e kishin bërë Stalinin të dyshonte për aktivitetin e qëllimet e Titos dhe bashkëpunëtorëve të tij. Fakti që as Gjilasi, as Hebrangu, e as ndonjë personalitet i lartë jugosllav, nuk i kishte thënë asgjë Stalinit, se në planet e veta udhëheqja jugosllave kishte edhe përfshirjen e Shqipërisë në Federatën Jugosllave, e mandej në atë Ballkanike, për të cilat Stalini kishte të dhëna (me dhjetra këshilltarë e zbulues sovjetikë punonin në këtë periudhë në Jugosllavi), kishin rritur dyshimet tek Stalini se mbas këtyre veprimeve diçka fshihej. Jo përfshirja e Shqipërisë (me Jugosllavinë) e bënte atë dyshues, se atë direktivë ai e kishte dhënë vetë, por mënyra si vepronte Tito, mungesa e sinqeritetit dhe fshehja prej tij dhe udhëheqjes sovjetike e këtyre veprimeve, e bënin atë të ishte më i vemendshem ndaj veprimeve të jugosllavëve. Në prill të vitit 1945 Tito bëri vizitën e parë zyrtare në Moskë, në cilësinë e kryetarit të Jugosllavisë. Siç shkruan Gjilasi në kujtimet e tij “Në marrëdhëniet midis Stalinit dhe Titos mund të vije re diçka të veçantë, të pathënë, sikur ata kishin pakënaqësi ndaj njëri-tjetrit, por që secili prej tyre përmbahej…”. Në prag të vizitës tjetër në Moskë, më 22 prill 1946, Tito u takua në Beograd me ambasadorin sovjetik në Jugosllavi A.J.Llavrentiev. Sipas materialit sekret të këtij të fundit dërguar Moskës, Tito trajtoi disa probleme tepër të rëndësishme, që kishin të bënin me Shqipërinë. Më poshtë Llavrentievi shkruante se “nga biseda me Titon, kuptohej se sipas tij, në fund të fundit, Shqipëria duhej të përfshihej në përbërjen e Jugosllavisë Federative…
Gjatë vizitës së Titos te Stalini, vetë Stalini ishte shprehur si për Shqipërinë nën Jugosllavinë, ashtu edhe për krijimin e Federatës Ballkanike, veçse me disa korrektime. Në atë takim, Stalini sipas proces verbalit të takimit, ky e pyet Titon “në se Enver Hoxha ishte dakord që Shqipëria të përfshihej në Federatën Jugosllave”. Tito i dha përgjigje pohuese. Mirëpo Stalini i a ktheu se “në kohën e tashme do të ishte e vështirë që të zgjidheshin dy çështje njëherësh, të tilla si përfshirja e Shqipërisë nën Jugosllavi dhe çështja e Triestes”. Tito, dashje pa dashje u shpreh dakord me këtë sugjerim të Stalinit. “Si rezultat, – vazhdoi Stalini, – do të ishte e urtë që fillimisht të shqyrtohej çështja e miqësisë dhe e ndihmës reciproke (traktatit të këtij lloji) mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë”. Tito iu përgjigj se “mbi të gjitha ky Traktat do të gjente një formulë, që t’i çonte Shqipërinë e Jugosllavinë më afër së bashku”.Të njëjtën linjë për bashkimin me Jugosllavinë, e Federatën Ballkanike
Enver Hoxha e vazhdoi edhe kur ferra e kish marrë uratën mes Stalinit e Titos, me 22 janar të vitit 1948, ku në një mbledhje të Byrosë Politiku, udhëzonte se “të gjithë sektorët të shkojnë në atë rrugë, me baza federale, duke qenë kështu Sekretar i Përgjithshëm Titoja. Kështu vendi do të shkojë në një Federatë”. Ndonëse pasazhi i mësipërm i përket fazës së parë të dakordësisë për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavisë, kjo që kemi në analizë është faza për krijimin e Federatës Ballkanike. Në fakt Enver Hoxha edhe “për përfshirjen e Shqipërisë në Federatën Ballkanike tregonte shumë interes”. Me pas duhet theksuar se Enver Hoxha i ka shtrembëruar faktet historike dhe gjërat në lidhje me marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, për bashkimin e Federatën. Ja si shprehet ai pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë: “…shqiptarët i kuptuan lojërat jugosllave që përgatitnin ata për aneksimin e Shqipërisë si Republikë e Shtatë e Jugosllavisë dhe për këtë arsye populli ishte kundër çdo Federate Ballkanike apo ndonjë federate tjetër të ngjashme”.Si të mos ishte po ai, vetë Enver Hoxha, që i kishte shkruar Titos më 17 mars të vitit 1948, ku urgjent i kërkonte Bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë në Federatën Ballkanike, që dëshmohet edhe nga një letër që i dërgoi Nako Spiru Enver Hoxhës në Moskë, pasi në atë kohë ai ndodhej në BS, ku e informonte se “pas fjalëve që më tha Zllatiçi lidhur me propozimet e Vukmanoviç Tempos dhe të Koça Popoviçit që “Jugosllavia të bashkohet me Bullgarinë, ku do të bëjnë një shtet të vetëm, kjo tha ai mund të ndodhë edhe me ne””, gjëra të vërteta që dolën edhe në mbledhjen e Byrosë Politike për çështjen e bashkimit me Jugosllavinë, ku ishte dakord edhe vetë Enver Hoxha. Ka edhe një Letër sekrete që Enver Hoxha i dërgon Titos për bashkimin në Federat. Me anë të saj Enver Hoxha i kërkon Josif Broz Titos, Bashkimin e Shqipërisë së pari me Jugosllavinë dhe pastaj edhe në Federatën Ballkanike. “… ne kemi nevojë të na thuhet nga ju -i shkruan Enver Hoxha Josif Broz Titos, -se ka ardhur momenti kur neve duhet të marrim në shqyrtim çështjen e Bashkimit dhe të mbërrijmë në konkluzione. Nga ana tjetër do të dëshironim të na jepnit disa sqarime më plotësuese, që ju i shihni të arsyeshme në lidhje me faktorë të tjerë rreth këtij problemi. Ne kemi bindjen se si kurdoherë Komiteti Central i Jugosllavisë, do të na sqarojë dhe do të na këshillojë hapur dhe shoqërisht mbi këtë çështje të rëndësishme për të dy vendet tona. Pranoni të falat e mia më të nxehta dhe shoqërore. Enver”. Kjo është Letra sekrete që mbështet apo e sanksionon përfshirjen e Shqipërisë nën Jugosllavinë dhe në Federatën Ballkanike. Pra me jugosllavët kemi dy akte, një legal, Traktatin me Jugosllavinë dhe një ilegal Letrën e mësipërme, e cila përshkruan hollësisht qëllimin, që zbulon ashiqare planin antikombëtar që është një akt tradhtie i lartë i Enver Hoxhës.
Tito kishte mundur të depërtonte thellë në udhëheqjen shqiptare me disa elementë filo jugosllavë, të cilët mbanin disa poste me rëndësi në krye të pushtetit e të partisë, në veçanti në funksione kyçe që nga Enver Hoxha e Koçi Xoxe, të cilët me kohë ishin pro në unision e në rivalitet me njëri tjetrin për Bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë e për krijimin e Federatës Ballkanike. Por edhe me “lidhjet e reja” e të dyfishata Enver Hoxha, të vetmin shpëtim e gjente në forcimin e pushtetit të tij personal, pasi gjithnjë e shihte si me rrezik të ardhmen e vet. Kërcënues për të por që mbështeteshin nga Beogradi, ishin Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Kristo Themelko e Ramadan Çitaku. Por edhe vetë Enver Hoxha, edhe më tutje i qëndronte besnik boshtit Beograd-Moskë, prandaj u kritikua nga Tuk Jakova në Plenumin 11-të se “nuk u kishte rezistuar sa duhet presioneve të Beogradit”.
Siç e cilësuam, në fillim të vitit 1947, u zbuluan krejtësisht politika dhe synimet e vërteta të Titos në raport me Shqipërinë. Qeveria Jugosllave i propozoi Nako Spirut planin për nënshkrimin e asaj Marrëveshjeje të fshehtë, që theksuam në fillim, “Për Sigurimin dhe Mbrojtjen e Interesave Jugosllave në Shqipëri”, si dhe “Për Mbrojtjen në rast rreziku të Udhëheqjes Shqiptare”, ku marrëveshje të tilla, Tito po nënshkruante edhe me Bullgarinë dhe ato ishin ide të hershme për bashkimin në Federatën Ballkanike. Në përputhje me hierarkinë e marrëdhënieve në bllokun lindor, -shkruan në disertacionin e saj Dr. Elizabeta Luli, – Tito mendoi të ushtronte presion te bullgarët duke iu ankuar Stalinit për ta.
Përtemën e Federatës, që më 9 janar të vitit 1945, Andrija Hebrang anëtari i udhëheqjes jugosllave, me porosi të veçantë të Titos, bëri një takim me Stalinin, ku ai fajësoi në sy të Stalinit palën bullgare, e cila sipas jugosllavëve po e sabotonte krijimin e Federatës së sllavëve të Jugut”. Drejt Federatës, theksoi Stalini në takim, -duhet ecur gradualisht e me “kujdes”, duke filluar në këtë etapë vetëm me nënshkrim dokumentesh, duke krijuar me këto lloj instrumentesh “aleanca dhe traktate për ndihmë reciproke”. Stalini e kërkonte këtë hap “me kujdes” sepse “çekuilibrimet” binin ndesh me marrëveshjet e të mëdhenjve në Jaltë. Këto ndikonin në vendimin sovjetik, sepse ishte kundërshtimi nga Qeveria Britanike për krijimin e Federatës ndërmjet Bullgarisë e Jugosllavisë, pasi ata (britanikët) ishin në dijeni të bisedimeve bullgaro – jugosllave të zhvilluara në fshehtësi. Këto gjëra në marrëdhëniet diplomatike, i stopoi Stalini, sepse Qeveria Britanike nisej nga fakti se Bullgaria si vend i mundur, duke qenë nën kontrollin e aleatëve, nuk mund të futej në këto lloj marrëdhëniesh me shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara, siç ishte Jugosllavia. Në të vërtetë kundërshtimi ishte kushtëzuar, para së gjithash nga bashkimi i këtyre dy shteteve, që do të forconte seriozisht pozitat e bllokut sovjetik në Ballkan, në veçanti në vend të sigurisë dhe tërësisë territoriale të Greqisë, e cila ndodhej nën patronazhin britanik. Ndër të tjera, në Londër e ndienin shqetësimin edhe për shkak se bashkimi i Maqedonisë së Vardarit dhe Pirinit në kuadrin e krijimit të Federatës së sllavëve të Jugut, do të çonte në rrezikun e shkëputjes së Maqedonisë së Egjeut nga Greqia.
Rrjedha e ngjarjeve dëshmoi se Stalini pati frikë nga tentativat për krijimin në kufijtë e Bashkimit Sovjetik të federatave të mëdha e të pakontrolluara tërësisht prej tij. Megjithatë pavarësisht nga presioni i kampit Lindor dhe atij Perëndimor, idetë dhe projektet imagjinare të Titos nuk do të reshtnin. Nga ana tjetër, duhet thënë se sipas shumë studiuesve, udhëheqja sovjetike nuk kishte një qëndrim të përcaktuar qartë për bashkimin e Bullgarisë me Jugosllavinë apo për krijimin e Federatës Ballkanike ose të Federatës së sllavëve të Jugut. Ndërsa për çështjen e Shqipërisë, Bashkimi Sovjetik ia kishte lënë me kohë tutelën mbi të Jugosllavisë, ndërsa vetë do të parapëlqente rolin e arbitrit. Në një raport të atyre viteve të Sekretarit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë Eduard Kardel, në informacionin për Stalinin “Për situatën politike në Jugosllavi” ai citonte: “Për sa i përket perspektivës, ne e konsiderojmë të domosdoshme që Jugosllavia të lidhet ngushtë me Bullgarinë dhe me Shqipërinë. Duke iu referuar faktit se kushtet e politikës së jashtme nuk janë të përshtatshme, ne ramë dakord me Shqipërinë dhe me vetë Enver Hoxhën që të lidhim me të, Paktin për Ndihmën Reciproke, i cili mund të nënshkruhet brenda një kohe të shkurtër”.
Më 22 prill të vitit 1946, ambasadori sovjetik në Jugosllavi Llavrentjev, u takua me Mareshallin Tito. Biseda e Titos me ambasadorin sovjetik, sipas biografit Dedejer, “u zhvillua lidhur me planet e ndërtimit të Federatës Ballkanike. Tito, i cili deri në atë kohë kishte vepruar disi në fshehtësi, në atë takim me gjithë forcën kërkoi që ta përfshinte Shqipërinë brenda Jugosllavisë. Po aty ai u ngrit kundër kërkesave të Greqisë për të marrë troje shqiptare dhe veçanërisht Vlorën”. Tito me këmbëngulje i theksoi ambasadorit sovjetik se “Vlora (Valona) në asnjë mënyrë nuk duhet t’i jepet Greqisë. Rëndësia e saj është jashtëzakonisht e madhe pasi ajo është për ne një pikë mjaft e rëndësishme strategjike. Nëpërmjet Valonës, duke e lidhur atë me hekurudhë me Jugosllavinë, ne më vonë mund të eksportojmë dhe të importojmë të gjitha mallrat. Vlora fiton akoma më shumë përparësi, nëse Triesta nuk do të jetë pjesë përbërëse e Jugosllavisë”.“Llavrentjevi e dëgjoi me vëmendje Titon, – shkruan Dedejeri , – dhe mbajti shënim se si Titoja edhe në këtë takim po fliste si zot i tokave shqiptare e mbi të gjitha për një port të tillë jetik siç është Vlora për Shqipërinë. Por edhe Shqipërinë në planet e tij të Federatës Ballkanike, ai nuk e llogariste shtet, por njësi të ashkuar me Jugosllavinë. Biseda e mësipërme mes Titos dhe Lavrentjevit, ku Shqipëria shihej si një plaçkë tregu, që nuk i duhet dhënë Greqisë por Jugosllavisë, bëhej pikërisht në atë kohë kur Qeveria Jugosllave, për interesa meskine e kishte njohur edhe Qeverinë Shqiptare, por kjo nuk e pengonte, pasi në çdo republikë ai kishte qeveri kukulla, kështu do ishte edhe Shqipëria”.Jemi në një periudhë që Moska e bazonte veprimtarinë e saj në Ballkan nëpërmjet Beogradit, por gjithnjë pa e lëshuar rolin e saj të arbitrit. Sipas dokumenteve të kohës, Moska e konsideronte të panevojshëm kontaktin e drejtpërdrejtë me Partinë Komuniste Shqiptare dhe sanksionoi kështu patronatin e Partisë Komuniste Jugosllave mbi atë shqiptare. Ky patronat partiak, pothuajse i ligjëruar dhe shtetëror do të kalonte drejt Bashkimit nëpërmjet disa fazave: Viti 1946, u shndërrua në vitin e krijimit formal të bashkëpunimit Jugosllavi-Shqipëri. Më 9 korrik të vitit 1946 u nënshkrua Traktati për “Miqësinë, Bashkëpunimin dhe Ndihmën Reciproke”. Po në atë vit, u nënshkrua edhe Traktati për “Miqësinë për Shkëmbimin e Mallrave dhe Pagesave” dhe më tej ai për “Bashkëpunim në Fushën e Kulturës dhe të Arsimit” si dhe dy protokolle shtesë. Në total, gjatë vitit 1946 u lidhën 21 Marrëveshje me Jugosllavinë, ndërsa në vitin pasardhës 1947 u pasua nga marrëveshje të tjera, që arritën plot në 33 Marrëveshje. Marrëveshjet e tregëtisë së lirë, këmbyeshmëria e monedhave, unifikimi i plotë i doganave, liberalizimi i plotë i tregëtisë, ndërmarrjet e përbashkëta siç ishin kompania për shfrytëzimin e naftës, kompania për shfrytëzimin e pasurive minerare etj., a nuk të kujtojnë deri diku idetë e “shengenit” të tanishëm ballkanik?!
Enver Hoxha në justifikim të gjendjes aktuale ku e kishte futur ekonominë shqiptare, gjithnjë i kujdesshëm, do t’i deklaronte ambasadorit sovjetik në Beograd Llavrentjev se “orientimi i Shqipërisë drejt afrimit me Jugosllavinë do të thotë orientim i Shqipërisë drejt Bashkimit Sovjetik. Me këtë shohim lojën diplomatike të Enver Hoxhës me “dy porta”. që do të thotë se kjo ishte edhe porosia nga Moska se “çdo gjë përmes Jugosllavisë”. Në Partinë Komuniste të Jugosllavisë, synimi për gllabërimin e Shqipërisë shpjegohej me atë që në këtë vend, (pra në Shqipëri), kushtet e brendshme politike tashmë ishin pjekur plotësisht për realizimin e Bashkimit me Jugosllavinë e pastaj ai bashkimi i madh në Federatën Ballkanike, që ishin “ishte çështje e Jugosllavisë”. Ishin veçanërisht veprimet e Titos për të zgjeruar Jugosllavinë duke përfshirë në të edhe Shqipërinë, plus bashkimit me Bullgarinë, gjë që do të krijonte një shtet shumë të madh në Europë dhe në të njëjtën kohë do i rriste shumë prestigjin dhe fuqinë Titos, veprime të cilat shkaktuan te Stalini reagim. Pas marrëveshjes Tito-Dimitrov të gushtit të vitit 1947, Tito u deklarua se Jugosllavia dhe Bullgaria ishin të gatshme të bashkoheshin në një shtet të vetëm të quajtur “Bashkimi i Republikave Popullore të Sllavëve të Jugut”. Dy javë pas nënshkrimit të marrëveshjes së Bledit, Stalini nëpërmjet të dërguarit sovjetik në Jugosllavi Llavrentjevit, i dërgon Titos një telegram në të cilin i shkruan se “… të dyja qeveritë (jugosllave dhe bullgare) kanë gabuar”. Ideja për krijimin e Federatës Ballkanike, sepse një gjë e tillë i shërben më mirë integrimit e bashkëpunimit, në fakt është e vjetër por shfaqjet e para të një pretendimi për krijimin e Federatës Ballkanike u duken haptazi në fillim të vitit 1943, me propozimin e jugosllavëve për krijimin e një Komande të Përbashkët (Shtabi Ballkanik) të lëvizjeve partizane të Jugosllavisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Shqipërisë. Hapi i dytë ishte vendimi i KQ të PK Jugosllave i datës 18 tetor 1943, sipas të cilit, ku Komiteti Kombëtar i Çlirimit të Jugosllavisë formuloi edhe qëllimin e “krijimit të Federatës së Sllavëve të Jugut”.
Diskutim rreth këtij postimi