Një seancë dëgjimore në Kongresin Amerikan, në të cilin përkrahësit e vazhdueshëm të pavarësisë së Kosovës, Madeleine Albright, Eliot Engel dhe Daniel Server, i dhanë rekomandime Administratës së re të Biden se gjatë mandatit të saj, kjo administratë duhet të fokusohet në detyrimin e Serbisë për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur, tregoi se frika e Beogradit për një ndryshim të qeverisë në Uashington ishte disi e justifikuar.
Rreth kësaj çështje ka pasur reagime të mëdha në Serbi, ku thuhet se nxitësit e pavarësisë së Kosovës po tentojnë t’ia imponojnë Administratës së Biden për të bërë presion ndaj Serbisë, ta kërcënojnë atë me sanksione dhe të bllokojnë hyrjen e saj në BE derisa të njohë shtetësinë e Kosovës, transmeton Gazeta Online Reporteri, shkrimet e mediave serbe.
Bllokimi i hyrjes së Serbisë në BE derisa ajo të njohë Kosovën, duke përdorur instrumente diplomatike dhe ekonomike, përfshirë sanksionet dhe mbajtja e Beogradit larg Moskës dhe Pekinit ishin rekomandimet kryesore të Komitetit të Punëve të Jashtme të Kongresit Amerikan për presidentin e ri Joe Biden.
Ministri serb i Brendshëm, Aleksandar Vulin bëri një reagim të ashpër duke thënë se sa më pak të ketë të tillë si Albright dhe Engel, aq më shumë mundësi do të ketë që e ardhmja të sundojë mbi të kaluarën.
“Kur Madeleine Albright dhe Eliot Engel flasin për Serbinë, atëherë nuk mund të pritet asgjë përveç paragjykimit, urrejtjes dhe gënjeshtrës. Të dy Albright dhe Engel do të donin të na bënin të grindeshim me Rusinë dhe Kinën, por gjithashtu të na mësojnë se ne jemi vetë fajtorë që na kanë vrarë e bombarduar edhe në Republikën Serbe dhe në Serbi dhe veçanërisht për të na mësuar se për çdo vdekje të ndonjë serbi duhet t’u jemi mirënjohës atyre. Albright dhe Engel vënë në pikëpyetje vendimet e një Serbie të lirë dhe sovrane, por ata kurrë nuk vënë në shqyrtim origjinën e parave të cilat përfaqësuesit politikë të narko-klaneve nga Kosova u dhanë atyre”, u shpreh Vulin.
Ndërkohë, analistët e politikës së jashtme në Serbi, besojnë se Biden nuk mund të miratojë të gjitha këto rekomandime, sepse sot, për shkak të rrethanave krejtësisht të ndryshme, nuk është e mundur t’i imponohet një zgjidhje Serbisë.
Prandaj, siç theksojnë ata, Serbia nuk ka asnjë arsye për të ndryshuar pozicionet e saj parimore për Kosovën, bazuar në parimet e së drejtës ndërkombëtare.
Ish diplomati Zoran Milivojeviq thekson se rekomandimet nga Komiteti i përmendur vijnë në një moment të ndjeshëm në lidhje me të ardhmen e Kosovës.
“Kjo vjen pikërisht në kohën kur ai projekt provon të jetë i dështuar për shumë vite dhe kur gjykata filloi të punojë, kur UÇK-ja dhe maja e elitës politike në Prishtinë janë praktikisht në axhendë, dhe e cila ka pasur mbështetjen e administratës amerikane deri më tani … Serbia nuk është e befasuar. Sidoqoftë, është e qartë se nuk është e mundur sot të imponohet një zgjidhje dhe të zbatohet politika e aktit të përfunduar, siç dëshiron lobi shqiptar në Shtetet e Bashkuara. Rrethanat janë të ndryshme. Nuk mund të bësh pa Serbinë”, u shpreh ai.
Drejtori i Forumit për Marrëdhëniet Etnike, Dusan Janjiq, thotë se Biden do ta ketë të vështirë të ndjekë të gjitha rekomandimet në lidhje me Kosovën, por që ai beson se Shtetet e Bashkuara do të hyjnë në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës:
“Në vitin 2016, Biden tha se Amerika dhe Serbia pajtohen për njohjen e pavarësisë së Kosovës, por që kjo do të lihet mënjanë. Në atë kuptim, më duket se Shtetet e Bashkuara po i afrohen pozicionit të BE-së për dy Gjermanitë. Nga Serbia do të kërkohet të njohë ekzistencën e Kosovës si një entitet funksional. Nuk ka asnjë arsye që Biden të heqë dorë nga gjërat e mira që bënë Grenell dhe Trump”, shprehet ai.
Ndërkohë, reagime pati edhe nga Rusia. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Marija Zaharova tha se janë intensifikuar përpjekjet për të promovuar konceptin e “Shqipërisë së Madhe”, derisa shtoi se Rusia i bën thirrje BE-së, si një ndërmjetëse në negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës, që të bëjë presion për respektimin e marrëveshjeve të arritura.
Diskutim rreth këtij postimi