Sheshi “Skënderbeu” këto ditë është kthyer në një pikëtakim të veçantë të kulturës shqiptare. Përmes Panairit të Librit Shqip “Gjuha jonë, sa e mire”, mijëra libra, dhjetëra autorë dhe botues nga të gjitha trevat shqiptare kanë sjellë në kryeqytet një atmosferë që promovon dijen, leximin dhe gjuhën shqipe.
Prania e 55 shtëpive botuese nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria e ka shndërruar këtë ngjarje në një nga manifestimet më të rëndësishme kulturore shqiptare në vend. Për disa ditë me radhë, qytetarët kanë mundësinë të takohen me botën e librit, të njohin autorë, të zbulojnë tituj të rinj dhe të forcojnë lidhjen me gjuhën, historinë dhe kulturën tonë kombëtare.
Realizimi i këtij panairi është rezultat i përkushtimit të vazhdueshëm të Komunës së Çairit dhe i angazhimit personal të kryetarit të komunës dhe bashkëkryetarit të VLEN-it, Izet Mexhiti, për ta vendosur kulturën, arsimin dhe promovimin e gjuhës shqipe në qendër të jetës publike. Falë këtij vizioni dhe mbështetjes institucionale, Shkupi po dëshmon se mund të jetë jo vetëm qendër administrative e politike, por edhe qendër e rëndësishme e kulturës shqiptare.
Panairi i Librit Shqip nuk është vetëm një aktivitet kulturor. Ai është një mesazh se investimi në dije, në librin shqip dhe në brezat e rinj mbetet ndër investimet më të vlefshme për të ardhmen tonë. Pikërisht për këtë arsye, Komuna e Çairit ka qenë dhe do të mbetet mbështetëse e iniciativave që promovojnë arsimin, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar.
Komuna e Çairit falënderon të gjithë botuesit, autorët, vizitorët dhe dashamirët e librit që po i japin jetë këtij edicioni, duke e bërë Shkupin për disa ditë kryeqendrën e librit shqip.
Kur libri shqip zë vend në zemër të Shkupit, fiton kultura, fiton gjuha dhe fiton e ardhmja jonë e përbashkët.










Discussion about this post