Sot, më 4 qershor, kujtojmë me respekt dhe nderim 125-vjetorin e lindjes së njërit prej figurave më të shquara të historisë sonë kombëtare dhe fetare, Mulla Idriz Gjilanit, dijetarit, myderrizit, imamit, atdhetarit dhe mbrojtësit të palëkundur të trojeve shqiptare.
I lindur më 4 qershor 1901 në Velekincë të Gjilanit, Mulla Idriz Gjilani u edukua në frymën e dijes islame dhe të dashurisë për kombin. Që në rini u dallua për përkushtimin ndaj arsimit, fesë dhe çështjes kombëtare, duke u bërë më vonë një prej personaliteteve më me ndikim në jetën fetare, arsimore dhe shoqërore të shqiptarëve të Kosovës.
Si imam, myderriz dhe udhëheqës fetar, ai i shërbeu me devotshmëri fesë islame, duke edukuar breza të tërë me vlerat e besimit, moralit dhe dijes. Veprimtaria e tij fetare dhe arsimore la gjurmë të pashlyeshme në jetën e popullit tonë, duke e bërë atë një autoritet të respektuar dhe një zë të fuqishëm të ndërgjegjes kombëtare.
Megjithatë, madhështia e Mulla Idriz Gjilanit nuk qëndron vetëm në kontributin e tij fetar e arsimor. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, kur Kosova po përballej me rrezikun e riokupimit nga Jugosllavia e re komuniste, ai u vu në ballë të përpjekjeve për mbrojtjen e popullit shqiptar dhe tërësisë territoriale të Kosovës. Duke kundërshtuar rikthimin e pushtetit jugosllav dhe ideologjinë moniste komuniste, Mulla Idrizi organizoi dhe mbështeti forcat atdhetare shqiptare në Anamoravë, Gollak dhe treva të tjera, me synimin që Kosova të mos binte sërish nën sundimin e Beogradit. Qëndresa në Kikë dhe në viset përreth përbën një nga kapitujt më të rëndësishëm të kësaj përpjekjeje, ku ai u shqua si prijës shpirtëror dhe kombëtar, duke bashkuar idealin fetar me aspiratën për liri dhe vetëvendosje.
Figura e tij mishëron më së miri harmoninë ndërmjet besimit dhe atdhedashurisë. Ai i përkiste atij brezi dijetarësh që e kuptuan se shërbimi ndaj Zotit dhe shërbimi ndaj popullit ecin krah për krah, duke u bërë shembull i sakrificës, urtësisë dhe përgjegjësisë. Për këtë arsye, ai vazhdon të mbetet një nga figurat më përfaqësuese të rezistencës shqiptare në Kosovë gjatë një prej periudhave më të vështira të historisë sonë.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në shërbim të lirisë dhe dinjitetit kombëtar, Mulla Idriz Gjilani është vlerësuar edhe pas vdekjes me dekoratat më të larta shtetërore në Kosovë dhe Shqipëri, duke zënë vendin që meriton në kujtesën historike të kombit shqiptar.
Me respekt e mirënjohje kujtojmë jetën dhe veprën e Mulla Idriz Gjilanit, i cili pa dyshim do të mbetet model dhe frymëzim për brezat që vijnë se si duhet të ruhet e të mbrohet vatani, gjuha, identiteti dhe besimi. Duke lutur Zotin e Madhëruar që ta ketë përfshirë në mëshirën e Tij të pakufishme dhe ta shpërblejë për të gjitha të mirat që la pas në shërbim të fesë, kombit dhe atdheut, e kujtojmë me nderim këtë dijetar, atdhetar dhe veprimtar të shquar.










Discussion about this post