Abstrakt
Asimilimi i shqiptarëve në Sanxhak të Serbisë përfshin një analizë të përgjithshme në këndvështrimin sociologjik mbi definicionet shkencore të asimilimit etnik, llojet e tij, shkaqet, pasojat, rezistencën, si dhe ndikimin e martesave të përziera, sistemit jodemokratik të shteteve, arsimimin dhe faktorët ekonomikë në këtë proces të shkrirjes së dallimeve dhe bërjes i ngjashëm me grupin shoqëror dominant. Pjesë e analizës është edhe shqyrtimi i ndikimit të shoqatave kulturore, duke marrë rast analize ndikimin e Shoqatës “Kosova për Sanxhakun” nga Kosova, në rritjen e bashkëpunimit ndërkulturor në mes të Kosovës dhe Sanxhakut, shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve e boshnjakëve të Pazarit të ri me rrethinë, veçmas në fushën kulturore. Në këtë analizë, bëhet shqyrtimi i literaturës, për të kundruar asimilimin, dhe duke e vënë atë përballë akulturimit dhe integrimit. Nga analiza, vihet në përfundim se, shqiptarët e Sanxhakut, duhen studiuar në kontekstin e asimilimit, në dy perspektiva makropolitike dhe historike, si ajo e paragjykimeve, stereotipave dhe diskriminimit të myslimanëve në përgjithësi në Ballkan, veçmas në prag të shpërbërjes dhe pas saj, të ish-Perandorisë Osmane, si dhe nga perspektiva e llojit të sistemit politik socialist e komunist, në të cilin jetuan për disa dekada, siç ishte Jugosllavia e Vjetër pas Luftës së Parë Botërore dhe Jugosllavia e Re pas Luftës së Dytë Botërore, ku kishte përpjekje për dominim monoetnik nga shumica sllave, si dhe përpjekje për të krijuar njeriun e ri socialist.
Rezistenca ndaj asimilimit
Globalizmi ka krijuar mundësi për shkëmbim të shpejtë të informacionit dhe për krijimin e lidhjeve të forta ndërmjet grupeve etnike dhe kulturave të ndryshme. Ky shkëmbim global i kulturave ka ndihmuar në rivendosjen e interesit për traditat, gjuhët dhe zakonet e grupeve etnike, sidomos për ata që kanë pasur përvojën e asimilimit. Rrjetet globale mund të ofrojnë mundësi për t’u lidhur me kultura dhe identitete të ndryshme, duke nxitur një rikthim tek origjina kulturore dhe etnike. Shembull konkret mund të jetë edhe rigjetja e lidhjeve të shqiptarëve të Sanxhakut dhe krijimi i miqësive me shqiptarët e Kosovës e gjetiu, përmes lidhjeve të sotme me internet. Interneti ka ndihmuar në krijimin e platformave dhe rrjeteve që lejojnë individët dhe grupet etnike të mbajnë lidhje të forta me kulturën dhe identitetin e tyre të mëparshëm. Nga blogjet dhe forumet, deri te platformat sociale si Facebook, Instagram dhe YouTube, njerëzit mund të shpërndajnë dhe ndajnë informacione rreth trashëgimisë së tyre kulturore, historisë dhe traditave, duke mundësuar rikthimin dhe rritjen e vetëdijes për identitetin etnik, veçanërisht për ata që janë larguar nga komuniteti i tyre i origjinës. Komunitetet etnike mund të krijojnë faqe dhe grupe online që mbështesin dhe promovojnë gjuhën, kulturën dhe traditat e tyre, duke mundësuar një lidhje të vazhdueshme me origjinën e tyre, duke inkurajuar brezat e rinj të mësojnë më shumë për pasurinë kulturore dhe historike të paraardhësve të tyre. Globalizmi dhe interneti mund të kontribuojnë në krijimin e një identiteti të përbashkët panetnik, ku individët që jetojnë jashtë vendit të tyre të origjinës mund të krijojnë një lidhje më të fortë me kulturën e tyre, pavarësisht distancës gjeografike.
Roli i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun” në forcimin e identitetit shqiptar në Sanxhak
Shoqatat luajnë një rol të rëndësishëm në organizimin e aktiviteteve kulturore, festivaleve dhe ngjarjeve që ndihmojnë në mbrojtjen dhe promovimin e traditave dhe zakoneve të grupit etnik. Ato organizojnë mbrëmje kulturore, promovime librash, diskutime mbi historinë, simpoziume shkencore, koncerte, ekspozita artizanale dhe aktivitete ku shprehen vlerat dhe traditat specifike të grupit etnik, siç janë ushqimi, muzika, veshja tradicionale dhe praktikat fetare. Një rast studimi mund të jetë efekti i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun” nga Kosova, e cila viteve të fundit, ka rritur bashkëpunimin me elitat politike, kulturore dhe pjesëtarët e komunitetit boshnjak e shqiptar në Pazarin e Ri dhe vendbanimet e tjera të Sanxhakut në Serbi. Këto aktivitete të Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, ndihmojnë në forcimin e ndjenjës së përkatësisë dhe identitetit, duke krijuar mundësi për anëtarët e komunitetit shqiptar të lidhen me njëri-tjetrin dhe të rrisin ndërgjegjësimin për kulturën e tyre. Shoqatat e tilla që mbrojnë identitetin etnik luajnë një rol të rëndësishëm në përfaqësimin e interesave të grupeve etnike në arenën politike dhe shoqërore. Ato punojnë për të siguruar që grupet e caktuara etnike, si shqiptarët e Sanxhakut, të njihen me kulturën dhe historinë shqiptare, duke reflektuar edhe mbi të kaluarën e tyre. Shoqatat mund të krijojnë mundësi edukimi dhe informimi për anëtarët e komunitetit dhe shoqërinë më të gjerë. Ato mund të ofrojnë kurse, seminare, botime dhe aktivitete për të rritur vetëdijen mbi historinë, kulturën dhe rëndësinë e identitetit etnik shqiptar. Po ashtu, mund të organizojnë takime dhe dialogë që ndihmojnë në ndërtimin e një marrëdhënieje më të mirë ndërkulturore dhe ndërnjerëzore, duke kontribuar në zvogëlimin e paragjykimeve dhe stereotipeve, duke rritur bashkëpunimin ndërmjet boshnjakëve dhe shqiptarëve, dhe përtej tyre. Rritja e vetëdijes kulturore ndihmon në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe në mbrojtjen e diversitetit. Shoqatat nxisin brezat e rinj të angazhohen dhe të ndjehen krenarë për trashëgiminë e tyre materiale dhe shpirtërore. Shoqatat si “Kosova për Sanxhakun”, që promovojnë lidhjet kulturore të boshnjakëve dhe shqiptarëve mund të luajnë një rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve ndërkombëtare mes grupeve etnike shqiptare, boshnjake, që jetojnë në shtete të ndryshme, duke krijuar edhe shumë mundësi për komunikim ndërkulturor, letrar, shkencor dhe akademik.
Punimi i plot në përmbledhjen që do të botohet










Discussion about this post