Ismet Azizi
Në vitet e fundit, në diskursin akademik dhe politik boshnjak është shfaqur një prirje e fortë për të integruar komunitetet myslimane jo-shqiptare të Ballkanit – si Goranët në Kosovë, Torbeshët në Maqedoni dhe Pomakët në Bullgari – në një identitet të përbashkët boshnjak. Një shembull i qartë i kësaj tendence është teksti i Esad Rahić, i cili përpiqet të vendosë një vijë të drejtë historike nga bogumilët mesjetarë deri te boshnjakët e sotëm. Ky artikull synon të japë një analizë kritike të këtij teksti, duke evidentuar mungesat, shtrembërimet dhe anshmëritë e tij, sidomos në raport me elementin shqiptar dhe proceset e shumanshme të asimilimit.
Rahić argumenton se identiteti “goranc” është një shpikje e regjimit të Miloševićit dhe e SANU-së, për t’i ndarë Goranët nga “trupi boshnjak”[1]. Edhe pse kjo është pjesërisht e vërtetë, ai harron se edhe kategoria “Musliman” (1971–1991) dhe “Boshnjak” (pas 1993) janë po aq konstrukte politike të krijuara nga shteti jugosllav dhe më pas të përvetësuara nga elitat boshnjake. Pra, “gorancët” nuk janë më shumë të shpikur se “muslimanët” apo “boshnjakët”.
Në tekst, shqiptarët paraqiten vetëm si “plaçkitës” të bagëtive të Goranëve në shek. XIX [2]. Autori mohon faktin se shumë fshatra të Lumës dhe Opojes u shqiptrizuan në shek. XVIII–XIX, dhe se pas vitit 1912 shqiptarët e Gorës shpesh u regjistruan si “turq” ose “muslimanë” për shkak të presionit administrativ serb. Kështu, Rahić e zhduk elementin shqiptar nga historia e Gorës, duke e zëvendësuar me një narrativë boshnjakizuese.
Një nga shtyllat e tekstit është pretendimi se termi “Torbesh” rrjedh nga bogumilizmi mesjetar dhe dëshmon për vazhdimësinë e këtij komuniteti deri tek boshnjakët e sotëm[3]. Në realitet, kjo është një tezë ideologjike:
- nuk ka dëshmi që termi “Torbesh” të përdorej për bogumilët para osmanëve;
- shumica e studiuesve e shohin islamizimin e Goranëve si proces tipik të periudhës osmane, jo si vijimësi të herezive mesjetare;
- përdorimi i bogumilizmit synon të krijojë një “antigjenezë” që legjitimon boshnjakizimin.
Rahić nënvizon elementet sllave dhe romane në gjuhën e Goranëve, por nuk përmend huazimet nga shqipja, të cilat janë të shumta dhe tregojnë bashkëjetesë të gjatë me shqiptarët.
Kur flet për ndryshimin e mbiemrave, ai flet për “albanizim”,[4] por faktet tregojnë të kundërtën: mbiemrat janë serbizuar (–ić) ose turqizuar (–ler, –lar, –oğlu) në periudha të caktuara, sidomos gjatë shpërnguljeve për në Turqi në vitet ’50–’60⁴. Teza e “albanizimit” është shtrembërim.
Autori sjell me meritë dëshmi të dhunës serbe gjatë vitit 1912–1913, përfshirë masakrat në Restelicë, Krushevë e Brod, duke cituar edhe Dimitrije Tucović-in [5]. Por ai shmang theksimin se viktimat kryesore ishin shqiptarët myslimanë, të cilët shpesh ishin fqinj dhe të lidhur me Goranët.
Po ashtu, Masakra e Tivarit (1945) reduktohet nga autori vetëm në “7 banorë të Gorës”, kur dihet se aty u vranë mijëra shqiptarë dhe boshnjakë nga Kosova dhe Sanxhaku.[6]
Teksti mbyllet me thirrjen: “Propozoj që të mbetemi një popull” [7]. Ky nuk është konstatim shkencor, por një platformë politike për boshnjakizimin e Goranëve dhe Torbeshëve. Krahasimi me boshnjakët e Sanxhakut është i gabuar: atje procesi kryesor ishte asimilimi i shqiptarëve myslimanë, jo ruajtja e ndonjë identiteti “boshnjak” të hershëm.
Teksti i Esad Rahić është më shumë një ese ideologjike sesa studim shkencor. Ai synon të legjitimojë një projekt boshnjakizues, duke minimizuar elementin shqiptar, duke abuzuar me konceptin e bogumilizmit dhe duke anashkaluar proceset e serbizimit e turqizimit. Në realitet, Goranët janë një komunitet i ndërlikuar ballkanik, me shtresa sllave, shqiptare, turke, vllahe dhe orientale. Historia e tyre nuk mund të reduktohet në një “degë të boshnjakëve”. Çdo përpjekje për t’u imponuar një identitet të vetëm është pjesë e politikave të asimilimit – qoftë serbe, maqedonase apo boshnjake – të cilat kanë cënuar gjithmonë autenticitetin e tyre historik.
¹ Rahić, *Goranët ose Gorancët – pjesë e popullit boshnjak në diasporë*, f. 2.
[2] Po aty, f. 7.
[3] Po aty, f. 4
[4] Po aty, f. 10.
[5] Po aty, f. 7–8.
[6] Po aty, f. 9.
[7] Po aty, f. 11.
Discussion about this post