Sipas vendimit të nënshkruar nga prokurori publik, procedura hetimore do të nisë më 10 shtator në orën 10:00 dhe do të zgjasë deri në përfundimin e të gjitha punimeve të nevojshme. Qëllimi është të përcaktohet saktësisht nëse ekzistojnë varreza masive, të realizohen ekzaminime forenzike në terren dhe që lokacioni të rikthehet në gjendjen e mëparshme pas përfundimit të gërmimeve.
Pjesëmarrja e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare
Procesi i hetimit do të udhëhiqet nga Prokuroria për Krime Lufte, ndërsa në vendngjarje do të marrin pjesë zyrtarë të Departamentit për Luftimin e Krimeve të Luftës të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe të Drejtorisë së Policisë Kriminale. Drejtoria e Policisë në Novi Pazar ka marrë urdhër të sigurojë një numër të mjaftueshëm zyrtarësh për siguri dhe dokumentimin e procedurës.
Në hetim do të përfshihen edhe përfaqësues të Komisionit për Personat e Zhdukur të Qeverisë së Serbisë, si dhe delegacione nga Beogradi dhe Prishtina përmes Grupit Punues për Personat e Zhdukur. Pritet gjithashtu prania e organizatave ndërkombëtare, si: Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, EULEX, Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur. Në terren do të angazhohen edhe ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore “Dr. Milan Jovanović Batut”, me mbështetje logjistike nga kompania “Eimir”.
Koordinatat e dyshuara ër varrezë masive
Në dokumentin zyrtar janë përcaktuar edhe koordinatat e sakta të lokacionit për të cilin ekziston dyshimi se fsheh mbetje mortore:
43.0363823 N, 20.4239052 E.
Në këtë pjesë të deponisë Golo Brdo janë planifikuar gërmime të detajuara dhe analiza forenzike.
Familjet e të zhdukurve presin përgjigje
Vendimi i Prokurorisë ka zgjuar interes të madh në opinionin publik në Sanxhak dhe Kosovë, ku familjet e të zhdukurve po presin prej më shumë se dy dekadash informacione për të afërmit e tyre.
Ekshumimet e deritanishme në lokacione të ngjashme në Serbi kanë konfirmuar ekzistencën e varrezave masive me mbetje mortore të civilëve të vrarë gjatë konflikteve të fundviteve ’90. Hetimi në Golo Brdo pritet të sjellë njohuri të reja rreth krimeve të luftës dhe të ofrojë, qoftë edhe pjesërisht, përgjigje për familjet që ende kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë.
Discussion about this post