Që nga kjo ditë Erickson do ti përkushtohej me një dashuri të rrallë Shqipërisë në gjithë procesin historik të pavarësimit, moscopëtimit nga fuqitë Europiane dhe njohjes së shtetit Shqiptar nga Lidhja e Kombeve dhe SHBA. Në vjeshtë të vitit 1913 ai dëbohet nga ushtria Serbe dhe nis prej kësaj kohe të ndihmojë Shqipërinë dhe Shqiptarët e shpërngulur nga masakrat Sllave dhe Greke.
Më 2 Shtator 1919 komisioni i jashtëm i senatit Amerikan me kërkesën e Këshillit Kombëtar Shqiptar të Amerikës dëgjoi delegacionin Shqiptar që prezantoi situatën dhe deklarimet për Shqipërinë .
Ky është dëgjimi i parë për Çështjen Shqiptare përpara Senatit Amerikan për të ndaluar copëtimin e tretë të Shqipërisë Londineze nga fqinjët me ndihmën e fuqive Europiane pas dy copëtimeve të para më 1878 dhe më 1913.
Të tre ligjëruesit: Kristo Dako, Konstantin Çekrezi dhe Charles Telford Erickson, diplomat në shërbim të Çështjes Shqiptare, bënë një prezantim të detajuar me fakte. Ata dëshmuan për intrigat e fuqive Europiane dhe të fqinjëve Sllavë e Grekë për ta copëtuar Shqipërinë londineze dhe për të shpërngulur me dhunë Shqiptarët nga trojet e tyre të grabitura nga territori i Shqipërisë që u kërkua të njihet që në Kongresin e Berlinit nga delegacioni i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Duke ju referuar dokumentit 7605 të Kongresit për këtë dëgjim, me interes janë përgjigjet që u dha Charles Telford Erickson pyetjeve të Henry Cabot Lodge, kryetar i Komisionit të Jashtëm të Senatit.
Kryetari :Mr Erickson, dua të të bëj një pyetje. Çfarë janë Shqiptarët etnikisht ? Ju flisni për ta që kanë qënë përpara të gjitha këtyre rracave. Çfarë janë ata ?
Zoti Erickson : Zoti kryetar, etnologët dhe antropologët nuk janë absolutisht në një mendim të njësuar për origjinën e Shqiptarëve, por janë praktikisht, kështu që ata (Shqiptarët) konstituojnë pasardhësinë e rracës së Pellazgëve që ndërtuan kështjellat e mëdha në Ballkan dhe pasi rraca Pellazge erdhi, ata ishin në tre degë.
Kryetari: Ata janë Arianë atëherë ?
Zoti Erickson: Po. Epirotët, Maqedonasit dhe Ilirët flasin të njëjtën gjuhë ose degë të së njëjtës gjuhë.
Kryetari: Gjuha e tyre është rrjedhim i gjuhës Ariane ?
Zoti Erickson: Po, me ndërtim si gjuha Latine.
Dialogu me George Moses, senator, anëtar i komisionit të Jashtëm të Senatit.
Senator Moses: Sa është popullsia Mohamedane e Shqipërisë?
Zoti Erickson: Cilës Shqipërie i referoheni ju ?
Senator Moses: Shqipërisë së lashtë, Shqipërisë që ju dhe unë njoh.
Zoti Erickson: Rreth dy milion e gjysëm Shqiptarë, popullsia është 65% Mohamedane.
Senator Moses: Ata janë kryesisht në pjesën qëndrore, apo jo ?
Zoti Erickson: Po, por përgjithësisht janë të përhapur në Veri dhe në Jug. Në fakt, lart në Veri, jashtë territorit të tanishëm të Shqipërisë, kufijtë e parë të Shqipërisë, pjesa më e madhe e popullsisë (Shqiptarëve) janë 90% Mohamedanë
Senator Moses: Ajo pjesë e Shqipërisë e aneksuar nga Mali i Zi sipas Traktatit të Berlinit përfshin një pjesë të konsiderueshme të Mohamedanëve.
Zoti Erickson: Ata ishin kryesisht Mohamedanë.
Kjo është vetëm një pjesë e veprimtarisë lobiste të këtij miku të Shqiptarëve, siç ishte diplomati Erickson, i cili ja kushtoi jetën e tij Çështjes kombëtare Shqiptare.
Discussion about this post