Veprimtari i çështjes kombëtare, ushtar i dëtëve të para, ish-kryetar i LDK-s, për Gjermani, ish-kryetar, kryetar nderi i shoqates humanitare ” Sali Çekaj”. Osman Ferzi, në profilin e tij në facebok shkruan:
“LDK-ja nuk ishte vetëm një parti. Ishte një lëvizje, një ideal, një përpjekje e madhe e kombit shqiptar për të fituar lirinë, dinjitetin dhe pavarësinë në rrugë paqësore. Ishte shtëpia politike e qindra mijëra qytetarëve të Kosovës që e mbajtën të gjallë shpresën për shtet, ishte ma shumë se nji Lidhje e Prizrenit, në kohën më të errët të shtypjes dhe luftës. Unë isha aty, në ditët e themelimit, si student atëherë – idealist përherë.
Por sot, me dhimbje, e them: LDK-në nuk e kanë mundur kundërshtarët – e kanë rrënuar vetë bijtë e saj të pabesë, pazargjinjtë që e kthyen në agjenci punësimi për klane, për biznese, jo si strehë e meritokracisë dhe vlerave që nuk i kanë munguar.
LDK-ja pas Rugovës – nga ideal përfundoi në interes.
Pas ikjes së Ibrahim Rugovës, LDK nuk e gjeti më kurrë veten. Fraksione, pazare, ndarje të brendshme dhe shantazhe e rrënuan themelet e partisë që dikur ishte themel i shtetësisë dhe elitave intelektuale. Sot ajo është vetëm hije e asaj që ishte – pa frymë, pa orientim, pa idealistë, por plot me aktorë që ndërruan petkun, jo qëndrimet.
LDK nuk është më partia e studentëve, intelektualëve, profesorëve, aktivistëve të paepur që punonin falas për të mbajtur të gjallë besimin. Sot ajo është kthyer në një kartel interesash, ku delegatët emërohen, nuk zgjidhen, ku vota e lirë është zëvendësuar me lojëra të pista, dhe ku gara është farsë – sepse gjithçka ndodh prapa dyerve të mbyllura.
E kam për detyrë morale t’i përmend, jo për hakmarrje, por për të vënë gishtin në plagë. Këta janë përgjegjësit kryesorë që e devijuan LDK-në nga rruga e saj:
• Fatmir Sejdiu, që më shumë e trashëgoi emrin e Rugovës sesa vizionin e tij.
• Nexhat Daci, që u nda për ambicie, jo për parime.
• Isa Mustafa, që instaloi sistemin e kapjes së partisë,aklamacionin(kanceri i demokracisë).
• Agim Veliu, Lutfi Haziri, Haki Rugova, Avdullah Hoti, të gjithë pjesë e riciklimit të të njëjtëve emra,shpesh kontraverz në qëndrime, pa ide e pa vizion.
• Lumir Abdixhiku, që nuk ndryshoi asgjë, veç stilit të fjalimit dhe rrethit të tij të preferuar.
• Vjosa Osmani, që e përdori LDK-në si trampolinë për karrierë personale duke i bë bashkë më ata që urrenin LDK-së.
• Rexhep Gjergji, Donika Gërvalla, Armend Zemaj, Arben Gashi, Gazmend Muhaxheri, Edita Tahiri, Blerim Kuçi, Hafiz Gagica, Melihate Tërmkolli, e dhjetëra të tjerë që kanë ndërruar flamuj politik apo grupime mbrenda llojit për qëllimet e tyre meskine, jo besë.
Këta nuk janë trashëgimtarë të Rugovës – janë shfrytëzues të emrit të tij për interesa të ngushta personale.
Partia është kthyer në një mozaik interesash personale:
• Fraksioni i “institucioneve” që lufton për poste e tenderë;
• Fraksioni i ricikluesve, që kalojnë nga grup në grup për të mbijetuar politikisht;
• Fraksioni i heshtjes, që për interesa hesht edhe përballë padrejtësive më të rënda;
• Dhe më keqi: Fraksioni i hipokrizisë, që në publik flasin për Rugovën, për vrasjet politike por në veprime e shkelin çdo parim të tij.
Ku janë idealistët?
U përjashtuan, u margjinalizuan, u poshtëruan. U lanë anash: prof. Valon Murtezi, prof. Faton Bislimi, Fatmir Rexhepi, Skënder Zogaj, Adem Salihaj, Fadil Geci. Sepse idealizmi nuk jep poste. Sepse të ndershmit nuk dinë të bëjnë pazare. Dhe sepse heshtja jonë – e atyre që kurrë nuk përfituam asgjë, por dhuruam gjithçka – i la vend hijenave e meskinitetit politik.
Unë, Osman Ferizi, nuk kam përfituar kurrë asnjë post, nuk kam kërkuar tenderë, as emërime. Kam shpenzuar kohë, mund, para. Kam sakrifikuar familjen. Fëmijët e mi janë rritur thuajse pa baba – për një ideal që nuk e kam tradhtuar kurrë. Dhe sot, më dhemb më shumë heshtja, se sa humbja.
LDK, zgjohu,reflekto, kthehu te baza!
Nuk ka rilindje me pazargjinj e trafikantë votash. Nuk ka shpresë me emërime. Nuk ka Rugovizëm me klane. Ka vetëm një rrugë për të rikthyer besimin:
• Kuvend me votë të fshehtë dhe garë të hapur me kundërkandidat;
• Riorganizim nga rrënjët e bazës, jo nga zyrat e partisë;
• Kthim të idealizmit dhe meritokracisë;
• Largim të shantazhuarve dhe matrapazëve;
• Një shkëputje e thellë nga fraksionet që e kanë shkatërruar këtë parti, ose legalizimin e tyre me statut.
Sepse nuk mund të quhet demokraci e as konsensus i brendshëm, kur nuk merren parasysh dhe nuk pyeten strukturat e partisë – nga nëndegët, degët, kryesia e deri te Këshilli i Përgjithshëm. Veprimet dhe sjelljet e lidershipit aktual e kanë çorientuar anëtarësinë besnike të LDK-së, duke e humbur orientimin nga qëndrimet e liderëve të paprinciptë e të paqëndrueshëm – një ditë me parimet e PDK-së, një tjetër me ato të VV-së. Koalicione jo natyrore, që kanë prodhuar tjetërsim, zhgënjim, mosbesim dhe shpërndarje në elektorat – pa fajin e tyre, por për shkak të kalkulimeve të grupeve të interesit për pozicionime personale, e jo për interes të partisë apo shtetit.
Nuk mund të jem kundër LDK-së – sepse do të isha kundër vetes, kundër bindjeve të mia. Jam për ta shpëtuar. Nuk jam kundër bashkëpunimit – jam kundër tradhtisë. Nuk jam kundër ndryshimit – jam kundër kapjes.
Unë jam aty ku isha më 27 dhjetor 1989: në anën e Rugovës, të lirisë, të popullit dhe të së vërtetës.
Me përgjegjësi dhe respekt,
Osman Ferizi
Anëtar i LDK-së që nga themelimi,
Ish-kryetar i Degës së LDK-së në Gjermani.
Njëri nga ju – por jo si ju, më mirë sot të fillojmë ndryshimin sesa neser, ndoshta bëhet vonë.”
03.07.2025
Diskutim rreth këtij postimi