Dardania Press
E hënë, 12 Maj, 2025
  • BSBS
  • Ballina
  • Kosova
  • Sanxhaku
  • Shqipëria
  • Ballkani
  • Lugina
  • Diaspora
  • Vështrime
  • Kultura
  • Histori
Nuk është gjetur asgjë
Shikoni Të Gjitha
Dardania Press
  • Ballina
  • Kosova
  • Sanxhaku
  • Shqipëria
  • Ballkani
  • Lugina
  • Diaspora
  • Vështrime
  • Kultura
  • Histori
Nuk është gjetur asgjë
Shikoni Të Gjitha
Dardania Press
Nuk është gjetur asgjë
Shikoni Të Gjitha
Home Histori

SHËNIME NGA HISTORIKU I ARSIMIT NË LUGINËN E PRESHEVËS

Historia e arsimit në Luginën e Preshevës është historia e një përpjekjeje të palodhur për të ruajtur gjuhën, identitetin dhe kulturën kombëtare në një hapësirë ku politika shtetërore shpesh ka qenë në kundërshtim me nevojat arsimore të shqiptarëve. Në këtë trevë, e cila përfshin komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, arsimi nuk ka qenë vetëm një mjet zhvillimi individual e shoqëror, por edhe një formë rezistence ndaj politikave të asimilimit dhe diskriminimit.

12 Maj, 2025
in Histori, Kultura
13 0
0
SHËNIME NGA HISTORIKU I ARSIMIT NË LUGINËN E PRESHEVËS
15
SHARES
192
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

 

Përgatiti: Gëzim Bullaku

Të dëshirosh që dikujt t’ia mësosh gjuhën e huaj para se ai ta mësojë gjuhën e vet amtare, është njësoj sikur të dëshirosh që atë më parë ta mësosh të kalërojë se sa të mësojë të ecë.” ~ JanAmosKomenski

Hyrje

Historia e arsimit në Luginën e Preshevës është historia e një përpjekjeje të palodhur për të ruajtur gjuhën, identitetin dhe kulturën kombëtare në një hapësirë ku politika shtetërore shpesh ka qenë në kundërshtim me nevojat arsimore të shqiptarëve. Në këtë trevë, e cila përfshin komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, arsimi nuk ka qenë vetëm një mjet zhvillimi individual e shoqëror, por edhe një formë rezistence ndaj politikave të asimilimit dhe diskriminimit. Që nga periudha osmane, ku mësimi në gjuhën shqipe ishte i ndaluar dhe arsimi mbahej gjallë nëpër mejtepe e medrese, e deri tek periudha pas Luftës së Dytë Botërore kur hapen shkollat e para shqipe, shqiptarët e Luginës janë përballur me sfida të vazhdueshme që nuk kanë qenë vetëm arsimore, por edhe kombëtare.

Në çdo etapë historike, duke nisur me Perandorinë Osmane, gjatë Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene dhe më vonë nën Jugosllavinë komuniste, zhvillimi arsimor në këtë rajon ka pasur një karakter të dyfishtë: nga njëra anë është ndikuar nga politika shtetërore diskriminuese, ndërsa nga ana tjetër ka reflektuar përpjekjen e brendshme të komunitetit shqiptar për arsim dhe emancipim. Mësimi në gjuhën shqipe, edhe kur ishte i kufizuar apo i ndaluar, ka vijuar në forma alternative: përmes formave alternative të mësimdhënies, emigrimit për studime ose përpjekjeve të organizuara nga individë dhe komunitete të tëra. Kështu, arsimi në Luginën e Preshevës deri në fund të shekullit XX nuk mund të kuptohet pa e parë si pjesë të një procesi të gjerë të rezistencës kulturore dhe identitare, ku shkolla nuk ishte vetëm institucion, por edhe simbol.

Arsimi në Luginën e Preshevës

Arsimi në Luginën e Preshevës përbën një kapitull të rëndësishëm në historinë e rezistencës kulturore dhe identitare të shqiptarëve në jug të Serbisë. E ndodhur në një pozicion gjeografik dhe politik shpeshherë të ndërlikuar, kjo trevë, që përfshin komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, ka qenë gjithmonë skenë e ndërthurjes së aspiratave arsimore të popullsisë shqiptare me sfidat e pushteteve qendrore që kanë ndryshuar ndër shekuj. Historia e arsimit këtu nuk është thjesht një histori institucionale, por edhe një histori e përpjekjes për mbijetesë kulturore, për ruajtjen e gjuhës, identitetit dhe dijes, shpeshherë në rrethana të vështira politike.

Arsimi në Luginën e Preshevës gjatë periudhës osmane ishte i kufizuar dhe kryesisht me karakter fetar. Mësimi zhvillohej në mejtepe dhe medrese, ku përveç mësimeve të fesë islame, nxënësit mësonin shkrim dhe lexim në gjuhën osmane. Gjuha shqipe nuk ishte pjesë e programeve zyrtare, dhe për rrjedhojë shqiptarët nuk kishin mundësi të mësonin në gjuhën amtare.

Ndërkohë, në gjysmën e dytë të shekullit XIX, autoritetet osmane dhe më pas ato serbe filluan të hapnin shkolla shtetërore në gjuhën serbe në territorin e Luginës së Preshevës, duke i prezantuar si shkolla për të gjithë fëmijët, përfshirë edhe shqiptarët. Këto shkolla, megjithëse formalisht ishin publike, në thelb kishin një qëllim të qartë asimilues. Në Bujanoc, që në vitin 1867 ishte themeluar një shkollë serbe, ndërsa një tjetër u hap në Banjë të Siarinës në vitin 1877. Në këto shkolla mësimi zhvillohej vetëm në gjuhën serbe, pa përfshirë asnjë element të identitetit kulturor apo gjuhësor shqiptar.

Sipas të dhënave të vitit 1892, në Preshevë ishin aktivë 51 nxënës në shkollën e mesme “Ruzhdie”, 103 në shkollën fillestare “Iptidaie” (prej tyre 32 vajza), dhe 41 nxënës në shkollën fillore të ulët “Sibiane”. Megjithëse këto shkolla funksiononin në kuadër të sistemit arsimor osman dhe mësimi zhvillohej në gjuhën osmane, shqiptarët gjithsesi ishin të privuar nga të drejtat arsimore në gjuhën amtare.

Aty kah fundi i shekullit XIX, nën ndikimin e Lëvizjes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, filluan të ndihen përpjekje për t’i dhënë një dimension kombëtar arsimit edhe në këtë trevë. Përhapja e abetareve shqipe me alfabetin e Stambollit, veprimtaria e klubeve patriotike dhe përpjekjet e mësuesve shqiptarë për të futur mësimin e shqipes, edhe në mënyrë të fshehtë, përfaqësonin një fillim të heshtur por të vendosur të rezistencës gjuhësore, arsimore dhe kulturore.

Pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane dhe pushtimit të këtyre trevave nga ushtria serbe më 1912–1913, situata për shqiptarët ndryshoi rrënjësisht. Të gjitha shkollat turke u mbyllën dhe u zëvendësuan me shkolla serbe, në të cilat gjuha shqipe ishte rreptësishtë e ndaluar. Politikat e qeverive serbe dhe më pas atyre jugosllave ishin të orientuara drejt asimilimit të pakicave kombëtare përmes arsimit të centralizuar në gjuhën shtetërore. Mësimi për fëmijët shqiptarë zhvillohej në mënyrë të improvizuar, shpesh në shtëpi private, në xhami ose në ambiente të vakëfeve.

Në periudhën mes dy luftërave botërore, në Preshevë me rrethinë vepronin gjashtë shkolla fillore katërklasëshe në gjuhën serbe, me vetëm 7 punonjës arsimorë dhe rreth 150 nxënës. Ky numër i vogël dëshmon për përjashtimin sistematik të shqiptarëve nga arsimi zyrtar. Megjithatë, në shumë raste, shqiptarët organizonin mësimin e shqipes në mënyrë të fshehtë dhe me shumë sakrifica, si një formë e rezistencës kulturore dhe një mënyrë për kultivimin e identitetit kombëtar. Po ashtu, një pjesë e të rinjve nga Lugina e Preshevës kërkonin mundësi shkollimi në Kosovë, në Shkup apo në Shqipëri, ku ekzistonte sistemi arsimor në gjuhën shqipe dhe mundësia për formim profesional ishte më e madhe.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe themelimit të Federatës Popullore Socialiste të Jugosllavisë më 1945, situata e arsimit ndryshoi në mënyrë të moderuar. Pushteti i ri, i ndikuar nga politika e barazisë së kombeve dhe kombësive, filloi të lejojë hapjen e shkollave në gjuhën e pakicave kombëtare, përfshirë edhe në gjuhën shqipe. Në këtë kontekst, më 7 shkurt të vitit 1945, u hap shkolla e parë shqipe në Preshevë, e cila shënoi një hap të rëndësishëm në historinë e arsimit në këtë rajon. Kjo shkollë u hap nga AbdullahKrashnica në objektin e quajtur “Vila Letafet”, pronë e Abdulla Haxhi Veliut. Po në këtë vit u hapën shkollat e para shqipe edhe në disa fshatra përreth si Raincë, Miratoc dhe Rahovicë.

Në shtator të atij viti, rrjeti i shkollave u zgjerua me hapjen e shkollave edhe në fshatra të tjerë si Corroticë, Tërnavë, Norçë, Zhunicë, Bukuroc dhe Geraj. Këto ishin shkolla fillore katërvjeçare që me kalimin e viteve u shndërruan në shkolla të plota tetëvjeçare, me hapjen graduale të klasave të larta.

Në Preshevë, klasa e pestë u hap për herë të parë në vitin shkollor 1948/49, ndërsa në vitin 1953/54 shkolla e Preshevës mori statusin e një shkolle të plotë fillore tetëvjeçare. Në vitet në vijim, shkolla të ngjashme u ngritën në Miratoc, Raincë, Caravajkë, Rahovicë (1961/62), Strezoc (1965/66) dhe Leran (1968/69), duke zgjeruar rrjetin e arsimit fillor në gjuhën shqipe.

Në komunën e Bujanocit, procesi i arsimimit në shqip filloi paralelisht në vitin 1945 me hapjen e shkollave katërvjeçare në Tërnoc, Nesalcë dhe Lluçan. Shkolla fillore e Tërnocit, më 1950/51, filloi të ofrojë edhe klasën e pestë dhe më pas vazhdoi si shkollë e plotë fillore tetëvjeçare. Në këtë komunë funksionuan gjithashtu paralele në gjuhën shqipe në Bujanoc si dhe në fshatrat, Turi, Konçul, Dobrosin dhe Tërnoc i Vogël.

Arsimi shqip në komunën e Medvegjës u zhvillua më ngadalë. Mësimi në shqip nisi në vitin shkollor 1951/52 në fshatin Tupallë, si paralele e shkollës serbe të Medvegjës. Vetëm pas një periudhe të gjatë, në vitin 1969/70 kjo paralele u pavarësua si shkollë tetëvjeçare më vete. Gjatë kësaj periudhe, mësimi në shqip u përhap edhe në fshatrat Gjylekreshte, Kapit dhe Banjë të Siarinës (1967/68), ndonëse me kufizime të mëdha.

Sa i përket arsimit të mesëm, përpjekjet për ta zhvilluar atë në Luginën e Preshevës nisën herët. Në vitin 1947 u hap shkolla e nxënësve në ekonomi në Preshevë, një institucion profesional i cili funksionoi për disa kohë. Në vitin 1961 u ndërmor një hap i rëndësishëm me hapjen e paraleleve të gjimnazit të Vranjës në Preshevë, duke i mundësuar nxënësve shqiptarë të ndjekin arsimin e mesëm në gjuhën amtare. Në fillim, këto paralele funksionuan në kushte të vështira për shkak të mungesës së kuadrove të kualifikuara dhe infrastrukturës së duhur, por me kohë u stabilizuan dhe më pas u transferuan në Bujanoc.

Ky vit, 1961, sot merret edhe si viti i themelimit të Gjimnazit të Preshevës, i cili do të bëhej një qendër e rëndësishme e arsimit në gjuhën shqipe për gjithë rajonin. Ai u kthye në një vatër formimi të brezave të rinj të arsimuar, shumë prej të cilëve më vonë u bënë mësues, intelektualë, veprimtarë kulturorë e politikë.

Arsimi i mesëm në komunën e Bujanocit është i strukturuar në dy institucione kryesore: Shkolla e Mesme “SezaiSurroi”, e cila ofron mësim në gjuhën shqipe, dhe Shkolla e Mesme “SvetiSava”, ku mësimi zhvillohet në gjuhën serbe. “SezaiSurroi” është institucioni i vetëm i arsimit të mesëm në gjuhën shqipe në këtë komunë dhe ka një histori të gjatë që nga themelimi i saj e deri më sot. Në vitin 2012/13, kjo shkollë kishte të regjistruar 1,368 nxënës shqiptarë, por ky numër ka pësuar rënie në vitet e fundit . Shkolla ofron drejtime të ndryshme, përfshirë gjimnazin e përgjithshëm, drejtimin teknik, mjekësinë, makinerinë dhe ekonominë . Megjithatë, sfida të tilla si mungesa e teksteve të përshtatshme në gjuhën shqipe dhe ndarja etnike e nxënësve në institucione të ndryshme mbeten çështje të rëndësishme për komunitetin shqiptar në Bujanoc.

Në Medvegjë, përpjekjet për të zgjeruar arsimin e mesëm në gjuhën shqipe u bënë më vonë, në vitin shkollor 1978/79, me hapjen e dy paraleleve në shkollën e mesme, por ato u mbyllën përfundimisht në vitin 1987/88 si pasojë e presioneve politike dhe kufizimeve institucionale.Ndërkohë herë pas here ka funksionuar nga një paralele me mësim në gjuhën shqipe në kuadër të Shkollës së Mesme Teknike “NikollaTeslla”, në drejtimin, teknik i ekonomisë.

Deri në fund të shekullit XX, arsimi në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës vazhdoi të jetë i pranishëm, por gjithnjë i rrezikuar nga ndryshimet politike, mungesa e përkrahjes institucionale dhe përpjekjet e vazhdueshme për asimilim. Pavarësisht këtyre sfidave, shqiptarët e këtij rajoni arritën të krijojnë një traditë të qëndrueshme arsimore që i dha formë jo vetëm mbijetesës së tyre kulturore, por edhe zhvillimit të vetëdijes kombëtare.

Nuk duhet harruar pa përmendur edhe një plejadë e tërë e mësimdhënësve të palodhur që kanë dhënë kontributin e tyre në zhvillimin dhe përparimin e arsimit në këto anë. Edhe pse është e pamundur që në një artikull si ky të përmendim të gjithë por mes tyre duhet përmendur, Bafti Krasniqi e HamdiFerati nga Medvegja, AbdullahUkshini, Adem Ahmeti, AliAhmeti, Ali Bektashi, AliIdrizi, AlijeQerimi, Bejtullah Osmani, DemiraliRamadan Hoxha, EminRamadani, FazliAjvazi, FehmiSalihu, Hafëz LutfiAhmeti, HamdiDurguti, Hasan Rexhepi, Hava Qerimi, HilmiQerimi, HysenMisimi, Ibrahim Kelmendi, KadrijeQerimi, Kadri Rexhepi, MehmetKadriu, MuharremKadriu, MustafëSelimi, NazmiMustafa, NexhatRamadani, QamilRamadani, Selami Hallaçi, ShaipAsani, TajarZylfiu, Vehbi Aliu, Xhemajl Bektashi, ZejnullahZulfiu, dhe shumë të tjerë.

Përfundim
Kur i kthehemi pas historisë së arsimit në Luginën e Preshevës, ajo shfaqet si një rrugëtim i gjatë dhe shpeshherë i vështirë, i mbushur me pengesa të natyrave të ndryshme por edhe me përpjekje të vazhdueshme për të mbijetuar si identitet kolektiv. Nga periudhat e errëta kur shkolla në gjuhën amtare nuk ishte vetëm e ndaluar, por edhe e ndëshkuar, e deri te përpjekjet e pasluftës për krijimin e institucioneve të organizuara në gjuhën shqipe, ajo çfarë bie në sy është këmbëngulja e një komuniteti për ta ruajtur gjuhën dhe ndërgjegjen e vet nëpërmjet dijes. Çdo hap përpara në fushën e arsimit është fituar me shumë mund dhe angazhim të mësuesve, prindërve dhe nxënësve që shpesh kanë funksionuar si mburojë kulturore përballë trysnisë së asimilimit.

Kjo histori na mëson se arsimi nuk është thjesht një proces i të mësuarit akademik, por një përpjekje kolektive për vetëmbijetesë edukative, arsimore, kulturore dhe sociale. Në këtë kuptim, sot nevojitet një qasje më gjithëpërfshirëse dhe më e qëndrueshme në zhvillimin e infrastrukturës arsimore për shqiptarët e Luginës. Kjo nuk nënkupton vetëm mbështetje materiale, por edhe kulturore e profesionale, për një sistem arsimor që reflekton nevojat dhe identitetin e këtij komuniteti. Shkollat shqipe nuk kanë nevojë vetëm për libra dhe ndërtesa, por për status të garantuar, për mësimdhënës të trajnuar në gjuhën dhe kulturën gjuhësore e profesionale, dhe për një lidhje më të ngushtë me zhvillimet arsimore në Kosovë, Shqipëri dhe rajon.

Nëse duam që brezat e ardhshëm në këtë rajon të rriten me vetëdije kombëtare dhe me mundësi të barabarta për arsim cilësor, atëherë duhet të tejkalojmë trajtimin e arsimit si çështje dytësore, sepse aty ku arsimi në gjuhën amtare mungon ose dobësohet, aty rrezikohet vetë trashëgimia kulturore e një populli. Dhe pikërisht për këtë arsye, e ardhmja e arsimit në Luginë është një çështje që kërkon ndërgjegjësim, përkushtim afatgjatë dhe një strategji që tejkalon kufijtë por që mbron atë që është përtej çdo kufiri, të drejtën për arsim në gjuhën e nënës.

“Gjuha e popullit është 10 herë më e lehtë se gjuha latine dhe 100 herë më e vërtetë se ajo.”~ Jan Amos Komenski

“Nëse flet me një njeri në gjuhën që ai e kupton, ajo shkon në mendjen e tij. Por nëse i flet në gjuhën e tij amtare, ajo shkon në zemrën e tij.”~NelsonMandela

Literatura:

  • Aakademia e Shkencave e Shqipërisë, FjalorEnciklopedikShqiptar , Tiranë, 2008-2009
  • Akademia e ShkencavedheArteve e Kosovës, FjaloriEnciklopedik i Kosovës, Prishtinë, 2018.
  • Emini, Ardian. Preshevanërrjedhat e historisë (Shekulli XX). Disertaciondoktorature, Universiteti i Tiranës, 2014.
  • Këshilli Kombëtar Shqiptar. Raport vjetor për gjendjen e arsimit në Luginë, 2023.
  • Koliqi, Hajrullah. Fjalor enciklopedik i edukimit. Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, 2022
  • OSCE Mission to Serbia. Reporton the RightsofNationalMinorities in Southern Serbia, 2022.
  • Qosja, Rexhep. Populli i ndaluar. Prishtinë: Rilindja, 1990.
  • Raportipërtëdrejtat e njeriutdheminoritetetnëSerbi, Këshilli i Evropës, 1995.
  • Salihu, Xhemaludin. Kultura shqiptare në Preshevë 1945-1995, Preshevë, 1999
  • Selimi, Ferid. Arsimi fillor, i mesëm, dhe i lartë, në Preshevë e Bujanoc, 19 mars 2015
  • Statistikat e Entit për Arsim të Republikës Federative të Jugosllavisë, 1970–1985.
  • Sulejmani, H. Murati, S. Selimi, R. Arsimi fillor shqip në komunën e Preshevës (1945 – 1995), Preshevë, 2001
  • EducationandMinorityRights in the WesternBalkans, Paris, 2020.
  • Zylfiu, Ilir.Shqiptarësia e LuginëssëPreshevësndërshekuj.Instituti iTrashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve. Shkup, 2019

 

(Autori është mësimdhënës dhe wikipedian)

Diskutim rreth këtij postimi

  • Ballina
  • Kosova
  • Sanxhaku
  • Shqipëria
  • Ballkani
  • Lugina
  • Diaspora
  • Vështrime
  • Kultura
  • Histori
info@dardaniapress.net

© 2020 Dardania Press - Powered by AA.

Nuk është gjetur asgjë
Shikoni Të Gjitha
  • Ballina
  • Kosova
  • Sanxhaku
  • Shqipëria
  • Ballkani
  • Lugina
  • Diaspora
  • Vështrime
  • Kultura
  • Histori

© 2020 Dardania Press - Powered by AA.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Create New Account!

Fill the forms below to register

All fields are required. Log In

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In