Stacioni Policor i Klinës, Drejoria Rajonale e Policisë në Pejë, Prokuroria në Pejë, Ministria e Brendshme në Prishtinë, nuk duhet të heshtin përballë kësaj vepre kriminale ndaj identitetit kombëtar shqiptar dhe ndaj kulturës kombëtare shqiptare (!)
1.
Në Potërç të Epërm të komunës Klinë ka ndodhë një ngjarje e jashtëzakonshme, përndryshe një akt e vepër kriminale e llojit të veçantë: dikush apo disa anti-shqiptarë, anti-kulturë, anti-njeri, i kanë hjekë fshehtas e përdhunshëm nga muri fasadë ballore e kullës së gazetarit të luftës e të paqes, studiuesit të historisë e të kulturës shqiptare, veprimtarit të shquar, shqiptarit çerekshekullor në Gjermani, botuesit e kulturologut, Maxhun Smajli Gjoni: Flamurin Kombëtar Shqiptar në valvitje dhe Pllakën e bronxtë identitare të Bibliotëkës Popullore Shkollore “Liridoni”, e para bibliotekë publike private në Republikën e Kosovës.
2.
E para, i janë ngjitë kacavjerrshëm murit të kullës dhe e kanë kapë shtizën e Flamurit Kombëtar Shqiptar, e kanë thye dy copash, e kanë lëshue dhe përdhosë përtokë, këtë simbol sublim e madhor të shprehjes së identitetit të shqiptarëve përgjatë historisë, në Rajonin Ballkanik Shqiptar, në Mërgata Shqiptare kudo në botë; dëshmi e lartë e besnikërisë ndaj Atdheut e Kombit Shqiptar.
Flamurin Kombëtar Shqiptar e ka gjetë tokas, vllau i Maxhunit, trojeniku Musa Smajli me banim të tanishëm në Prishtinë, ish snajperisti i Epopesë legjendare të Koshares, Veterani i Luftës së Kosovës, i cili për Lirinë, Pavarësinë e Shtetësinë e Republikës së Kosovës, për Flamurin Kombëtar Shqiptar, e la Amerikën, e la familjen e biznesin e tij dhe shkoi me snajperin e tij në Luftën e Kosovës, në thyemjen e kufinit Kosovë-Shqipëri.
Në se në botën e sotme betimi bëhet mbi Bibël e Kuran, në trojet shqiptare bëhet para Flamurit Kombëtar Shqiptar. Po këta agresorë terroristë të identitetit e kulturës shqiptare, kësi rasti barbar, nuk kanë kurrgja të përbashkët as me Flamurin, as me Biblen, as me Kuranin, as me Klinën, veçse e patjetër, vetëm me ligjin e shtetit të Kosovës, se nuk ndodh kund në botën e djehit e as të sodit që ai/ata që përdhunojnë Flamurin Kombëtar të Shtetit të tyre të mos hetohen e arrestohen, të mos gjykohen e dënohen nga organet e sigurisë e të drejtësisë.
Në mbrëmjen e vonë të 21 prillit 2025, pas një thirrje telefonike të pazakontë, në shpirtin tim më kërciti një dhimtë e madhe nga një lajm ma i zi se kjo natë shijnajë, e cila më dukej sikur lotonte për krimin e rëndë kundër identitetit kombëtar shqiptar: vjedhja/grabitja e Pllakës së bronxtë të Bibliotekës Popullore e Shkollore “Liridoni” në Potërç të Epërm të komunës Klinë të Rajonit Pejë, e para bibliotekë e tillë private në Republikën e Kosovës.
3.
E dyta, duke e shkulë nga muri i kullës Pllakën e bronxtë të Bibliotekës dhe duke e gjuajtë atë pllakë simbolike në ferrnaja/kaçubishte mbi 30 metra larg kullës, kryen një tjetër vepër penale terror ndaj kulturës kombëtare shqiptare.
Pllaken e ka gjetë me 22 të prillit 2025, miku i mirë i Maxhunit të Bibliotekës, shkrimtari i njohur Nikollë Gojani, atdhetar me kontribute për/në Luftën e Kosovës, që ndërvite ka botuar disa vepra letrare e studimore, një njeri me virtyte e vlera të veçanta, i cili i bani një foto dëshmi pllakës së bronxtë, e cila duhet të jetë një nga objektet prova të Policisë, Prokurorsië e Gjykatës në Rajonin e Pejës.
4.
A kemi të bëjmë me një vepër penale të paramenduar, të kalkuluar deri në detaje, për të goditë kësisoj antishqiptarisht, në këtë mënyrë barabare, simbolet kombëtare e kulturën kombëtare shqiptare?
Sigurisht që po.
Faktet flasin vetë:
a).- Biblioteka Popullore Shkollore “Liridoni” u hapë me 18 prill 1992 në kullën e Gjonëve, në Potërçin e Epërm të komunës Klinë. b).- Pllaka e bronxtë e përkujtimit e përjetësimit të saj u përurua me 18 të prillit 2022, me prani të shumë personaliteteve të fushave të ndryshme nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Mërgata Shqiptare në Gjermani etj. Këtë ditë, në këtë event, u vendos edhe Flamuri Kombëtar Shqiptar. c).- Pllaka e Bibliotekës dhe Flamuri Kombëtar Shqiptar u hoqën para disa ditësh, pikërisht me 18 të prillit 2025, në 33 vjetorin e ngritjes dhe hapjes s kësaj biblioteke.
Nuk po dihet ende se kë e ka verbue drita e diturisë me i krye këto akte e vepra penale, po Stacioni Policior i Klinës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë me drejtor kolonel Shaban Shala, Prokuroria e Pejës, Ministria e Brendshme e Republikës së Kosovës, me Ministër Xhelal Zveçla duhet të zgjohen e të mos flejnë pa i kryer detyrat e tyre shtetërore, por të veprojnë në emër të Shtetit të së Drejtës, të zbardhin të vërtetën e plotë e të saktë, të gjykohen e dënohen fajtorët kriminalë sipas ligjeve në fuqi.
Vërtetë, këto ditë, Politika e Madhe në Republikën e Kosovës ka ngërç politik të jashtëzakoshëm, po i jashtëzakonshëm do të cilësohet edhe çdo ngërc juridik policor nga ana e shtetit ligjor për të zbardhur këto vepra penale, sepse nuk kanë ndodhur diku larg në Kinë, po aty afër në Klinë…! Po të kishte ndodhë një ngjarje e tillë në Kinë ndoshta do të ishte dëgjuar deri në Klinë, po ja që ka ndodhur në Potërçin e Epërm të Klinës dhe nuk i ndihet jehona e veprimit deri në Stacionin Policor të Klinës, deri në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, deri në Prokurorinë në Pejë, deri në Ministrinë e Brendshme në Prishtinë!
5.
Kjo Bibliotekë Popullore e Shkollore “Liridoni” e ‘92-shit në Klinë është një institucion historik me vlera të veçanta për kulturën e arsimin shqiptar në Kosovë, etj, sikurse mund të cilësohet ndër “objektet me rëndësi të veçantë” edhe për Policinë e Republikës së Kosovës.
Të mos harrojmë e kujtojmë se kjo Bibliotekë, atëherit dhe sot, për vet emrin “Liri Duam” (“Liridoni” dhe funksionet Popullore e Shkollore i meriton vlerësimet e atributet e veçanta, po rëndësia e saj historike, kulturore e arsimore qëndron edhe në faktet, se: a).- u ngrit pas rrënimit të Autonomisë së Kosovës nga Serbia. b).- u ngrit kur në Kosovë po mbylleshin institucionet e arsimit, kulturës, informimit publik etj. c).- u ngritë kur Beogradi po i mbyllte bibliotekat publike e shkollore në Kosovë dhe asgjesonte me mijëra e mijëra libra shqip duke i çuar për karton edhe në Fabrikën e Letrës në Lipjan etj. Sipas disa informatave, brenda vitit 1991-1994 janë mbyllur 30 biblioteka, kryesisht popullore, por edhe universitare, pa llogaritur bibliotekat shkollore.
Ta mësojmë e propogandojmë se kjo Bibliotekë Populor Shkollore në Klinë: a)- ishte e para bibliotekë private publike në Kosovë; b).- u ngrit në atë kohë pushtimi e lufte në kullën e madhe të Maxhun Smajlit-Gjoni me vllazën, u ngritë në pronën private të tij/tyre, e cila u cënua në kohë paqeje, me 18 prill 2025, nga “terroristë të kulturës shqiptare”! Kushtetuta e Republikës së Kosovës e mbron shenjtërinë e pronës, andaj duhet ta mbrojnë edhe në këtë rast, në këtë ngjarje, në rast kriminal. c).- Bibliotekën e themeloi, e pasuroi, e mbrojti, e funksionalizoi, Maxhun Smajli-Gjoni, i gjeneratës së parë të gazetarëve të Kosovës, mësues i sakrificave e meritave, kulturolog i rrallë i kulturës, letërsisë e shtypit shqiptar. ç).- Fillimisht, kjo Bibliotekë, në ditët e para, kishte 124 tituj me 378 ekzemplarë, por mbranda disa ditëve – me 7 maj, u dyfishua fondi i saj nga kontributet e të tjerëve me libra e pajisje, derisa në tetor të vitit 1997 biblioteka kishte 3.470 tituj me 5.746 ekzemplarë. d).- Kjo Bibliotekë iu shërbente me libra nxënësve të shkollave fillore “Isa Boletini“ në Drenoc, “Naum Veqilhaxhri“ në Kliqinë dhe “Azem Bejta“ në Grabanicë.
Kjo Bibliotekë Popullore e Shkollore në Klinë iu shpëtoi, falë edhe kontributeve të bashkëkrahinarëve atdhetarë artdashës, por nuk mundi t’iu shpëtonte terroristëve të kulturës shqiptare, të identitetit kombëtar shqiptar, atë 18 prill 2025.
6.
Maxhun Smajli Gjoni është një njeri misionar në Luftë e në Paqe, në Atdhe e në Mërgim, i cili e ka ngritë Bibliotekën e parë Publike, Popullore, Shkollore “Liridoni” në Klinë të Republikës së Kosovës, por prej 10 vitesh e ka në ndërtim e funksionim me forcat e fondet e veta edhe Bibliotekën e parë shqiptare në Mërgatat Shqiptare në Botë, Bibliotekën Publike Popullore “Mark Krasniqi”, në Pilsting të landit të Bavarisë në Republikën e Gjermanisë.
Andaj i apelojmë edhe Ambasadës Gjermane në Prishtinë që ta ndjekin rastin e terrorit kulturor, të veprimtarisë kriminale ndaj identitetit të ngritjes së të pares bibliotekë private publike në Kosovë, nga shqiptaro-gjermani Maxhun Smajli-Gjoni.
Ndaj këtij rasti kriminal nuk duhet të heshtin as Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe as Ministria e Arsimit të Republikës së Kosovës, sepse kriminelë të kulturës shqiptare, terroristë të kulturës shqiptare, kanë goditur në identitet Bibliotekën e parë private publike shkollore në Kosovë në kushtet kur Kosova po luftonte për ardhmërinë e vet, për të pasë këto institucione shqiptare në tokën e saj.
Maxhun Smajli-Gjoni është gazetar ndër të parët në Kosovë, është botues i revistës “Marshi i Mërgimtarit”- e vetmja revistë shqipe në Mërgatat Shqiptare në Botë, ështe Kryeredaktor i “Gazeta e Alpeve” për Gjermaninë, i kësaj gazete print/letër e vetmja me shpërndarje në të gjitha rajonet e Republikës së Kosovës, prej nga viti 2020 i Pandemisë, andaj edhe Ambasada e republikës së Shqipërisë duhet të interesohet e ta ndjekin këtë rast sulmi kriminal ndaj kulturës shqiptare, ndaj librit shqip, ndaj shtypit shqip, ndaj personalitetit të mirënjohur Maxhun Smajli-Gjoni.
Edhe unë isha në ditën e përurimit e vendosjes së Flamurit Kombëtar Shqiptar e të Pllakës së bronxtë të Bibliotekës së parë private, publike, Popullore e Shkollore “Liridoni” në Klinë e në krejt Republikën e Kosovës. Isha dhe folës në këtë event të vecantë, në cilësinë e Kryeredaktorit të “Gazeta e Alpeve”. Andaje kam për detyrë qytetare e misionare ta ngrejë zërin e revoltës deri në qiell e të kërkojë në të gjitha institucionet që të zbulohen e ndëshkohen fajtorët, të vendoset drejtësia, të mbrohet kultura shqiptare në çdo hap, në çdo ditë.
RAMIZ LUSHAJ
Dardani, 22 prill 2025



Diskutim rreth këtij postimi