“Ardhacakët përtej Bjeshkëve të Nemuna”
Me kalimin e viteve dhe me pjekurinë tonë, ne vetë jemi dëshmitarë të përjetimit të përhapjes së ksenofobisë dhe racizmit nga elitat politike serbe, nga kisha, nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve. Nivelin e përhapjes dhe intensitetin e kuptonim nga rutina ditore e ngjarjeve. Jemi dëshmitarë dhe përjetues të zbatimit të shfrenuar të kësaj urrejtjeje kundër njerëve që i kishim njohur personalisht, e që u manifestua me arrestime për bindje politike dhe me dënime më burg të rëndë, me vrasje me torturë në burgje, me plagosje dhe vrasje gjatë shërbimit në armatën jugosllave dhe me helmim misterioz të nxënësve në shkolla.
E gjithë kjo ishte iniciuar mbi teorinë e kontestimit të autoktonisë sonë, ngase “me ardhjen e turqve në Ballkan, kanë ndodhur ndryshime të mëdha edhe në regjionin e Kosovës dhe Metohisë… Turqit i shpërngulën serbët nga shumë qytete dhe vendosën popullsinë e tyre”[5] dhe “Duke u shtyrë me gënjeshtra, na e keni marrë tokë e shenjtë dhe e keni përdhosur atë… Në shekullin e gjashtëmbëdhjetë dhe nga sulmet e para plaçkitëse në tokën serbe në Kosovë e Metohi, gjithnjë deri më sot, katastrofa është e pandërprerë, dyndjet janë të shpeshta dhe marrja e kokës në dorë është për serbët domosdoshmëri. Dyndjet më 1690 dhe 1737, kanë pasur për fatin e popullit serb efekte baras me katastrofën e Kosovës më 1389…. se Kosova e Metohia – nuk është territor serb, por është bebëza e syrit serb…”[6] e të ngjashme. Këto slogane, të formuara kryesisht mbi mitin për Kosovën, në mënyrë sistematike mbushën “shkencën” dhe mediet serbe, duke u fuqizuar përmes përsëritjes gebelsiane në funksion të krijimit të argumentit “Kosova është Serbi dhe u përkiste serbëve”, “dëshmitare të kësaj janë kishat dhe manastiret mesjetare dhe se shqiptarët duhet të dëbohen përtej Bjeshkëve të Nemuna”.
Në vitin 1989, pata lexuar përmbledhjet e Dimitrije Tucoviqit dhe, mes rrëfimeve rrëqethëse, më pati bërë përshtypje një përshkrim i sjelljes së ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve e ndaj turqve në luftërat ballkanike (1912-1913), ku përshkruan vrasjet e popullsisë civile, përdhunime, djegiet e fshatrave, plaçkitjen dhe dëbimin. E vështirë ka qenë të mendohet se pas tetëdhjetë e gjashtë vjetëve të kësaj ndodhie ne do të ishim dëshmitarë të skenave të tilla: Ne e përjetuam plaçkitjen dhe dëbimin përtej Bjeshkëve të Nemuna, kur, që në nismë të marshimit më 16 prill 1999, ishim dëshmitarë të skenave argëtuese të ushtrisë serbe: fillimisht të plaçkitjes nën kërcënimin e armëve se kush nuk i dorëzon të gjitha paratë dhe stolitë do t’i ekzekutohet familja, e pastaj detyrimin e plqeve dhe të rinjve që të këndonin në serbisht këngën nacionaliste serbe “Kush thotë, kush gënjen se Serbia është e vogël”, dhe vrapin e vdekjes – vrasjen e djemve të rinj të fshatit Malishevë, të cilët i morën nga kolona, i urdhëruan që të vraponin dhe u thanë që cili do të mbetej i fundit, do të ekzekutohej. Mbi 1.000 veta të të gjitha moshave ishin dëshmitarë kur këta të rinj në vrapin për jetën, i këputën breshëritë dhe ranë që të dy në tokë. Pastaj i detyruan fqinjët e tyre t’i hapnin gropat për t’i varrosur, por duke mos i lënë që të përdornin lopatat, veçse me duar[7]. Ende pa arritur në dalje të fshatit, shtëpitë tona filluan të plaçkiteshin dhe u vihej flaka. Kolona e të dëbuarve, e prirë nga policia serbe, lëvizi përgjatë qendrës së qytetit të Gjilanit, në drejtim të Ferizajt, ndërsa të dy anët e rrugës ishin mbushur me qytetarë serbë, të cilët me ovacione dhe fishkëllima, duartrokitje e thirrje “a po e doni NATO-n”, “Shkoni në Shqipëri, këtu është Serbi”… e përcollën kolonën deri në dalje të qytetit. Në hyrje të Kllokotit, një civil serb, që ishte duke prashitur në arën e vet, sapo pa kolonën e të dëbuarve, la shatin dhe mori pushkën, doli në rrugë dhe nën kërcënim se do të na vriste të gjithëve filloi t’i plaçkiste gratë, pleqtë, fëmijët, t’u merrte atë që kishin lënë plaçkitësit paraprakë. Ne ishim dëshmitarë dhe përjetuam gjenocidin e shtetit serb mbi shqiptarët gjatë vitit 1998 – 1999 dhe implikimin e civilëve serbë në krime…
Dhe, tani, pas dy dekadave, po shohim se mendësia e urrejtjes ndaj shqiptarëve është ende e pranishme tek elitat politike, kishtare dhe intelektuale serbe, e cila po manifestohet në forma të ndryshme, ndërsa më e theksuar është ajo e rehabilitimit të kriminelëve që urdhëruan dhe bënë gjenocid në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë, të cilëve pushteti po u thur lavdi, duke u ngritur përmendore dhe duke i emërtuar me emrat e tyre rrugët dhe sheshet e qyteteve serbe[8]. Kjo dhe krijimi i argumentit për Kosovën si tokë serbe, duke trilluar argumente shtesë, që e kontestojnë përsëri autoktoninë shqiptare në këto hapësira, është një sinjal i fuqishëm se pas gjithë asaj që ka ndodhur në këta 100 vjet, elitat politike, akademike dhe kisha serbe nuk kanë hequr dorë nga qëllimi i tyre, e që është dëbimi, për ta spastruar etnikisht Kosovën.
[5] Spasoje Ɖaković, “Sukobi na Kosovu”, Narodna Knjiga, Beograd, 1984, f. 8.
[6] Milan Komnenić, “Fjalimi në takimin e shkrimtarëve serb dhe shqiptarë në Beograd, më 1988, botuar nga revista “NIN”, 1 maj 1988, Beograd.
[7] Të vrarët janë: Adem E. Salihu, i lindur më 1980, dhe Naser V. Neziri, i lindur më 1977.
[8] Presidenti i tanishëm serb, Aleksandër Vuçiq, më 2007, në njërën nga rrugët e Beogradit, tabelën që shënonte “Bulevardi Zoran Gjingjiq”, e kishte mbuluar me tabelën me emrin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq.
Kush erdhi i pari…
Një pjesë e historiografisë serbe dokumenton se shqiptarët janë banorët e vjetër të hapësirave të Dardanisë antike, se sllavët e jugut erdhën në Dardani dhe, që kur erdhën, historia e këtyre popujve është e përbashkët. Faktin se ky konstatim kishte mbizotëruar elitat intelektuale e politike serbe deri në vitin 1912, shihet nga formulimi i proklamatës së mbretit serb Petri i Parë, me rastin e shpalljes luftë Perandorisë Osmane, bërë më 5 tetor 1912, ku, mes të tjerash, thuhej se në Kosovë, që ai e quan “Serbi e Vjetër”, “…populli serb jetonte me shqiptarët bashkërisht qe 1300 vjet”[9], e të cilat vite, kur llogariten, fillimin e bashkëjetesës së këtyre dy popujve e vendosin në shekullin VII, që shkenca e historisë e ka identifikuar dhe e ka vërtetuar si kohë kur sllavët u dyndën masivisht në jug të Danubit. Pjesa tjetër e historiografisë e mohon këtë fakt dhe, duke shpikur “histori” të reja, sidomos pas gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, është vënë në dispozicion të elitave politike, kishtare dhe intelektuale serbe, që në vazhdimësi kanë prodhuar frymë raciste, e cila është shoqëruar me gjenocid ndaj shqiptarëve, gjë që i ka ngushtuar tej mase shtigjet e bashkëjetesës në mes të këtyre dy popujve.
Të jetosh në kohë moderne dhe të pretendosh ta shfarosësh tjetrin mbi argumentin “kush erdhi i pari këtu dhe kush qëndroi më së gjati” është primitivizëm, që nuk përkon me etikën e zhvillimit të qytetërimeve moderne. Fundi i fundit, nëse si pikënisje e sundimit të hapësirës që sot njihet Serbi, pa shtetin mesjetar të Rashkës së Nemanjës, në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Maqedoni, serbët kanë sunduar për rreth 200 vjet në mesjetë (1183-1389), dhe 87 vjet në kohët moderne (1912 -1999), që gjithsej i bie 287 vjet, argumentin e pronësisë së kësaj hapësire mbi parimin serb, e rrëzon jetëgjatësia 523-vjeçare e qëndrimit dhe qeverisjes osmane në këto hapësira. Nëse marrim këtë si parim, ky vend duhet t’u përkasë turqve dhe Serbia të reduktohet në rrethin e Novi Pazarit, ku ishte shteti i Nemanjës, edhe, gjithashtu mbi këtë parim, Vojvodina duhet t’i takonte Austrisë e Hungarisë. Ose satanizimi nga historiografia serbe i pushtetit osman për pesë shekuj është joreal, ngase gjatë kësaj kohe, në raport me shqiptarët, serbëve, në saje të privilegjeve që kishin nën Perandorinë, iu lejua ruajtja e identitetit të tyre kulturor dhe fetar, iu lejuan shkolla dhe, ajo që është më e rëndësishmja, u janë ruajtur kishat dhe manastiret e krishtera mesjetare, një pjesë të së cilatve serbët i përvetësuan si të tyre, dhe mbi to prodhojnë argumentin për dëbim të shqiptarëve nga tokat ku ata jetonin para se aty të ishin ato objekte.
Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, kur qarqet politike serbe zhvillonin propagandë me qëllim të ekspansionit në jug, mes të tjerash, në fokus e kishin futur edhe Maqedoninë e Kosovën, duke krijuar argument pronësie mbi bazë të trashëgimisë krishtere mesjetare. Njëri nga eksponentët më eminentë në këtë fushë, Stojan Protiq (1857-1923, publicist, politikan dhe kryeministër), në funksion të kësaj, për maqedonasit mundohet të krijojë argument linguistik se: “Në aspektin gjuhësor, maqedonasit janë më të afërt me serbët sesa bullgarët”, dhe argument të trashëgimisë kulturore, duke thënë se: “Të gjitha monumentet e vjetra kulturore sllave në Maqedoni janë serbe”[10] . Ngjashëm me këtë praktikë, dhe me po të njëjtin qëllim, pas një shekulli, Dushan Batakoviq, në librin e tij propagandistik, mes të tjerash, si devizë pronësie të Kosovës nga Serbia e përdor një të dhënë se: “Sipas kërkimeve arkeologjike, është vërtetuar se në territorin e Kosovës dhe Dukagjinit kanë qenë 1.300 manastire, kisha dhe përmendore të tjera të paluajtshme”[11] , pa treguar se sa prej tyre u ndërtuan mbi themelet e atyre që u përkisnin banorëve autoktonë dhe u përvetësuan nga serbët, dhe sa prej tyre u ndërtuan gjatë intervaleve pushtuese serbe të Kosovës nga vitit 1183 deri më 1989!
Nëse kjo që thotë Batakoviq është argument pronësie i territorit të Kosovës, atëherë, siç do të shohim, për pesë shekuj të sundimit osman në territorin që sot njihet Serbi, turqit u konsoliduan në të gjitha aspektet e jetës shoqërore. Një tablo të gjendjes e paraqesin burimet serbe, ku thonë se: “me 1783, në periferinë e Beogradit kanë qenë 6.000 shtëpi turke dhe 800 serbe… 31.260 banorë turq dhe 5.600 serbë… 14 xhami… ka pasur banorë edhe të kombeve të tjera, si grekë, hebrenj, romë, cincarë (7 familje), shqiptarë dhe bullgarë”[1]. Kjo popullsi ka jetuar në lagje të veta – “mëhallë, shumica e të cilave kanë pasur emrat e banorëve të kombeve që kanë jetuar, të shqiptarëve, të grekëve, të hebrenjve, të romëve”[2]. Gjithashtu, edhe pjesa tjetër e Serbisë ka pasur këtë përzierje të përafërt etnike, ku: “Bërza Pallanka në fund të shekullit XVIII kishte 20 shtëpi turke dhe 20 me serbë, bullgarë, vlleh dhe një xhami… Valeva 400 shtëpi turke, 50 serbe dhe 5 xhami… Jagodina (Svetozareva) ka shumë xhami të bukura nga guri i mermerit. Në vitin 1784, Jagodina kishte 150 shtëpi turke, 15 serbe dhe 15 rome.
(vijon)
[9] Safet Bandžović “Balkansk ratovi i muhadžirski pokreti 1912-1913”, botuar në “PREGLED časopisa za društvena pitanja”, Broj 1, Godina 2012. Godište LIII, Sarajevo, januar-april 2012, f. 39; Ljubica Štefan “Srbija i Albanci, pregled politike Serbije prema albancima 1878 do 1914, godine”, Knjiga prva, Narodna in univerzitetna knjižnica, Ljubljana, juni 1989, f. 55.
[10] Стојан М. Протић, “О Македонији и Македонцима”, Београд, 1888, f. 120.
[11]Душан Т. Батаковић, “Косово и Метохија у српско – арбанашким односима”, Јединство, Приштина, 1991, f. 17.
Diskutim rreth këtij postimi