Shkruan: Fitim Rifati
Nismës së profesor Ismet Azizit, kryesues i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, për promovimin e librit “Qeverisja e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939-1944)”, të autorit profesor Gjet Ndoj (ish-drejtor i Arkivit Qendror të Shqipërisë), me kolegun dr. Jeton Idrizi iu përgjigjëm pozitivisht për dy arsye:
Së pari, se profesor Ismeti e kishte lexuar librin dhe kishte fituar përshtypje pozitive veçanërisht mbi disa aspekte që ndërlidhen me programin e Shoqatës që ai drejton, dhe
Së dyti, se në librin e autorit profesor Gjet Ndoj kishte të dhëna për Kosovën dhe veçanërisht për Karadakun e Anamoravën.
Kësisoj, me kolegun dr. Jeton Idrizi u dakorduam që për sot, në kuadër të këtij evenimenti promovues, të shpalosim disa aspekte të veçanta të këtij libri.
Në këtë kontekst, më lejoni që para jush të paraqes dy segmente diakronike rrjedhimisht logjike, që janë strukturuar në këtë vepër: krimet e gjenocidit të Serbisë në Anamoravë para Luftës së Dytë Botërore dhe shpalljen e Shqipërisë Etnike gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Meqenëse Gjilani është qendër e Anamoravës, do të jetë interesant për audiencën e këtij aktiviteti të shkëpusim disa të dhëna lidhur me krimet e gjenocidit të Serbisë në këto treva gjatë dhe pas pushtimit serb të vitit 1912. Si faktor i rëndësishëm, të dhënat e paraqitura i shërbejnë kontekstit historik të Luftës së Dytë Botërore dhe rrethanave të reja të krijuara nga pushtuesit e rinj. Në kuadrin e të dhënave enciklopedike të kësaj vepre, veçojmë format, metodat dhe aktet e krimeve të gjenocidit të kryer ndaj shqiptarëve gjatë viteve 1912-1914. Të dhënat bazohen në dokumente arkivore diplomatike të Britanisë së Madhe, të cilat janë hartuar në formë relacionesh, raportesh e telegramesh nga konsujt britanikë të akredituar në qytetet shqiptare si Shkupi, Manastiri, Prizreni etj. Në dokumentin e parë, midis të tjerash thuhet: “…Shkupi, Tetova, Ferizaj, Gjilani, Prishtina dhe Prizreni kanë shërbyer si skena të masakrave të pamëshirshme mbi shqiptarët, 25.000 prej të cilëve janë vrarë në vilajetin e Kosovës… Fshatra të tërë janë djegur, plaçkitur e u janë masakruar banorët…”. Dokumenti tjetër që mban datën 20 shkurt 1913, midis të tjerash thekson: “Në fshatrat Lubishtë, Gjylekar, Kabash e Tërpezë u masakrua e gjithë popullsia shqiptare… Në Gjylekar u masakruan 100 familje, ndërsa në Kabash 60…”. Këto mizori nuk lanë anash gratë, midis tyre edhe shtatzënat dhe fëmijët. Dokumenti tjetër, i datës 28 shkurt 1913, nënvizon qëllimin e spastrimit etnik në këto treva për motive politike madje edhe statistikore, duke theksuar se “serbët kërkojnë të bëjnë rregullimin e popullsisë në përputhje me pretendimin e tyre për të pasur shumicën” në qarkun e Gjilanit. Dokumenti tjetër lidhur me fshatrat e Karadakut e të Anamoravës, përmban të dhëna për djegie njerëzish e fshatrash, masakra, ekzekutime, dhunë e dëbime. “Në 29 fshatra të Karadakut u dogjën 230 shtëpi myslimane dhe u vranë të gjithë burrat” thuhet në dokument. Veç krimeve në fshatra të tjera, në fshatin “Sefer, një e moshuar (nëna e Kosumit, i burgosur në Beograd), u dogj e gjallë së bashku me shërbyesin e saj katolik Kol-Marini”.
Dokumentet e mësipërme të paraqitura në formë fragmentare, argumentojnë politikën gjenocidare të Mbretërisë së Serbisë ndaj shqiptarëve pas vitit 1912, e cila u zbatua si para dhe pas viteve pasuese. Rrjedhimisht, lind pyetja: Pse në Kosovë depërtimi në fillim veçanërisht i ushtrive italiane e gjermane ishte i mirëpritur?
Autori profesor Gjet Ndoj në këtë libër kësaj pyetje i ka dhënë përgjigje në vorbullën e shumë faktorëve politikë, diplomatikë, ekonomikë, shoqërorë, kulturorë e arsimorë, që ndikuan në qëndrimin e shqiptarëve në përputhje me interesat e tyre kombëtarë, sikurse kishin vepruar në tetor, nëntor e dhjetor të vitit 1915, kur në Kosovë depërtuan ushtritë e Aleancës Qendrore.
Në këtë kuadër, argumentet historike dëshmojnë rrezikun e pashmangshëm të spastrimit etnik të Kosovës, të asimilimit ose ekzekutimit. Pra, qëllimisht të shkatërrimit të shqiptarëve si popull para Luftës së Dytë Botërore. Mohimi i të drejtave kombëtare, i përkatësisë kombëtare, i përdorimit të lirë të gjuhës, të simboleve kombëtare, i traditës kulturore dhe të drejtave arsimore, i shtypjes së vazhdueshme politike e ekonomike, ishin disa nga politikat hegjemoniste që pushteti serb kishte zbatuar kundrejt shqiptarëve pas vitit 1912. Prandaj, sikurse në vitin 1914, kur filloi Lufta e Parë Botërore, po ashtu edhe në vitin 1941 kur Kosovën e përfshinë valët e Luftës së Dytë Botërore, bërthama e shqiptarësisë së saj ishte në rrezik të madh shkatërrimi si rezultat i politikës gjenocidare serbe. Rrjedhimisht, depërtimi përkatësisht pushtimi italian e gjerman i viseve shqiptare nën Mbretërinë Jugosllave përbënte fillimisht një argument shpëtimi e lirie kombëtare përbrenda rrethanave historike të kohës respektivisht në kornizat e mëvonshme të Shqipërisë Etnike.
Përfshirja e pjesës më të madhe të viseve të Kosovës në kornizat politike dhe administrative të Shqipërisë, ka dhënë rezultate të frytshme historike, kombëtare, politike, ushtarake, shoqërore, ekonomike, kulturore e arsimore. Në të gjitha fushat e jetës së shqiptarëve u shënuan suksese të konsiderueshme, të cilat ndikuan në avancimin dhe konsolidimin e tyre në vitet pasuese. Bashkimi i shqiptarëve, qoftë i cunguar përbrenda atyre viteve të Luftës së Dytë Botërore, është dëshmuar historikisht në forcimin e tyre si komb përball rrethanave gjeopolitike dhe gjeostrategjike të kohës.
Autori, profesor Gjet Ndoj, ka arritur të provojë rolin aktiv të popullsisë shqiptare në kuadrin administrativ të Shqipërisë Etnike.
Për hartimin e kësaj vepre autori ka përdorur dokumente arkivore të proveniencës shqiptare, që i ka vënë në funksion të ndërtimit të strukturës që i shërbejnë qëllimit të librit. Në pikëpamje metodologjike, autori e ka hartuar këtë vepër, duke dhënë interpretime logjike e të qëndrueshme. Ai ka arritur të dallojë materien kryesore të librit dhe ta veçojë rolin e saj në rrethanat e kohës. Në këtë kontekst, duhet përgëzuar guximin e tij për të dhënë në raste të caktuara vlerësime e interpretime të disa fenomeneve, ngjarjeve e personaliteteve që janë zhvilluar e kanë vepruar në kompleksitetin e kohës. Marrë në tërësi, vepra “Qeverisja e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939-1944) – Shqipëria Etnike u bë nga nacionalistët”, e autorit profesor Gjet Ndoj, është një kontribut i rëndësishëm në radhë të parë dokumentues për historiografinë shqiptare, në ndriçimin e mëtejshëm të së kaluarës së tërësishme të trevave të caktuara me përmbajtje të historisë shqiptare, të cilat presin akoma gjurmim e studim.
Diskutim rreth këtij postimi