111 vjet më parë, pikërisht më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar u mblodh në Vlorë dhe, në rrethana të ndërlikuara, kur kishte filluar Lufta e Parë Ballkanike, mori vendim historik, që “Shqipëria me sot të bëhet më vete, e lirë, e mosvarme”. Në këtë ditë të shenjtë u ngrit flamuri kombëtar në Vlorë dhe në qendra të tjera të vendit, kurse më 4 dhjetor 1912, u formua Qeveria e Përkohshme. Kjo u bë në emër të delegatëve që përfaqësonin popullsinë e të gjitha trevave shqiptare, duke përfshirë edhe viset e pushtuara nga forcat ushtarake serbe, malazeze e greke. Patriotë dhe intelektualë shqiptarë kishin arritur në përfundimin se zgjidhja më e drejtë, madje e vetme në rrethanat e Luftës Ballkanike, ishte shpallja e pavarësisë dhe formimi i një qeverie të përkohshme nga një kuvend kombëtar.
Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë i ka paraprirë Mbledhja e Komitetit “Shpëtimi” në Shkup, më 14 tetor 1912, ku u vendos që të rrëmbeheshin armët për të fituar lirinë dhe për të shpëtuar tërësinë territoriale të vendit, bashkimin e katër vilajeteve: Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës. Po ashtu, disa atdhetarë jashtë vendit, si Ismail Qemal Vlora, Luigj Gurakuqi etj., më 5 nëntor 1912 organizuan në Bukuresht një mbledhje, ku u themelua “komiteti drejtues”, i cili do të merrte në dorë qeverisjen dhe fatin e atdheut e të popullit shqiptar. Veprimtaria në qarqet diplomatike në Vjenë dhe në kancelaritë e Fuqive të Mëdha që ishin në favor të zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare, dha deri diku rezultate të favorshme.
Në tetor të vitit 1912, Rexhep Mitrovica, Nikollë Kaçorri, Abdi Toptani, Bedri Pejani, Fuad Toptani, Mustafa Kruja, Sali Gjuka kanë shtruar nevojë e mbajtjes së një kuvendi në të cilin do të shpallej pavarësia e Shqipërisë si dhe për mënyrën e organizimit sa më të shpejtë për t’iu kundërvënë depërtimit të forcave serbe drejt detit shqiptar. Ata i njëkohësisht i janë drejtuar me një letër e përbashkët perandorit Franc Jozefit I të Austro-Hungarisë, ku e bëjnë me dije për rrezikun që i kanoset Shqipërisë nga katër shtetet e Ballkanit, të cilat “duen me e përpii a me e coptue”, duke kërkuar njëkohësisht që të mos preken kufijtë e Shqipërisë dhe kështu, e “pavogëlueme të ketë autonomië të plotë nën Mbretninë Otomane”. Nëse Turqia, shtojnë nënshkruesit, nuk mund ta mbrojë Shqipërinë e përbërë prej katër vilajetesh, që ka tre milionë shqiptarë, atëherë t’i lejojë shqiptarët që, sikurse popujt tjerë ballkanikë, të bëjnë shtetin e tyre më vete, sepse “shqiptarët janë nji komb ma i vjetri nër këta, me nji gjuhë e zakone fare të veçanta”. Shqiptarët kanë sakrifikuar shumë, prandaj meritojnë të jenë të pavarur, të kenë një mbretëri “mbas dëshirës së shqiptarëve, sikurse Belgjika e Zvicra”.
Mit’hat Frashëri, përmes një telegrami dërguar Syreja Vlorës dhe Xhemil beut në Vlorë më 7-8 nanduer 1328 (21 nëntor 1912), ndër të tjera, njofton: “U shty nisja jonë, me qenë se bashkë me delegatët e Dibrës kanë me ardhë edhe Mehmet Pashë Deralla, Ajdin bej Draga dhe Isa Boletini. Ditën e hanë kemi me ardhë së bashku!” (AQSH, Fondi 145, d. 1-3, fl. 23-24). Në tetor të vitit 1912, Mit’hat Frashëri, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani dhe Sali Gjuka – Dukagjni. kanë udhëtuar nga Shkupi nëpër Ferizaj, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë dhe, më 28 Nëntor kanë mbërri në Vlorë, ku kanë marrë pjesë në aktin madhor të ngritjes së Flamurit. Të katër kanë qenë nënshkrues të dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë si dhe janë emëruar në pozita të ndryshme në Qeverinë e Ismail Qemalit.
Në Vlorë, ku ishte caktuar që të mbahet mbledhja e Kuvendit, qenë tubuar delegatë të krahinave të ndryshme, që përfaqësonin popullatën shqiptare prej Shkodrës, Rrafshit të Dukagjinit, Kosovës, Dibrës, Ohrit, Strugës deri në Çamëri për të shpallur Shqipërinë e lirë dhe të pavarur. Në mbledhjen e Kuvendit Rexhep Mitrovicës, i cili ishte delegati më i ri, si Ferid Vokopola e Mustafa Kruja Merlika, propozoi që në krye të qeverisë të zgjidhet Ismail Qemal Vlora, si shkronjës i parë Luigj Gurakuqi, ndërsa si shkronjës i dytë Shefqet Daiu. Për këtë propozim të tij ka shkruar gazeta “Perlindja e Shqipniës” (1913): “Si u mbaruan këto pune, kryetar i kuvendit të zgjidhet Ismail Qemal Beu, si shkronjësi i parë Luigj Gurakuqi e shkronjës i dytë, Shefqet Daiu”. Kuvendi kishte miratuar njëzëri propozimin e tij, duke zgjedhur pastaj Nikolla Kaçorin për zëvendësministër, anëtarët: Abdi Toptanin, Mehmet Derallën, Luigj Gurakuqin, Pandeli Calen, Mit’hat Frashërin, Lef Nosin, Myfit Libohovën dhe Petro Pogën. U zgjodh edhe Pleqësinë me kryetar Vehbi Agollin (Dibrën). Qeveria e Përkohshme u bë simbol i themelimit të Shtetit Shqiptar, ndërsa Pleqësia do të bashkëpunonte me të për ta këshilluar atje ku kishte nevojë. Për rrëzimin e qeverisë kishte të drejtë vetëm Kuvendi Kombëtar.
Isa Boletini me njerëzit e tij që e shoqëronin, për shkak të rrethanave, arriti me vonesë në Vlorë. Megjithatë, ai me luftëtarë nga Shala e Bajgores, Llapi, Drenica, Mitrovica, Podguri, si: Dervish Mitrovica, Ajdin Draga, Hys Ferati i familjes së Ahmet Delisë, Halim Musa i Bajgorës, Ahmet Ali Llapi, Tafil Ahmet Boletini, Shaban Kopriva, Halit Ahmeti, kunat i Isait nga Syrigana, Beshir Çabtra, Bislim Selimi nga Radisheva, Abdullah Gradica, Deli Lisica, Lec Gradica, Rexhep Boletini, Halim Gradica (vëllai i Lecit), Hazir Ahmeti nga Radisheva, Isuf Hajrizi nga Kotorri, Isuf Bardhoshi, Azem Lah Hajrizi nga Kotorri, Nurë Hajrullah Hajrizin nga Kotorri, Misin Bala nga Isniqi, Sak e Sadri Fazlia, Can Selmani, Halil Isa Boletini, Mujë Isa Boletini e qindra të tjerë morën pjesë në atmosferën festive të Shpalljes së Pavarësisë. Kur morën vesh për mbërritjen e Isa Boletinit, Ismail Qemali i doli përpara dhe i tha: “I madhi Isa, luftërat tuaja ishin bazë e përpjekjeve të mia për Pavarësinë e Shqipërisë”, ndërsa Luigj Gurakuqi, sekretar i Asamblesë, shkruan: “I famshmi Isa Boletini, qi e ka vramë gjeneral Zhivkoviqi kaqi herë me dorën e vet ose asht gjykue, dënue, ekzekutue e akuzue si tradhtor, mbërriti shëndosh e mirë në Vlonë edhe merr pjesë n’Asamble Kombëtare si delegat i Mitrovicës” (Skender Luarasi, Isa Boletini, Prishtinë, 1972, f. 182). Isa Boletinit iu ofrua posti i ministrit të Luftës, por nuk e kishte pranuar, duke thënë se “në qeveri duhet të kemi njerëz me shkollë. Posti i Ministrit të Luftës i takon Mehmet Derallës”. Rexhep Mitrovica, si përfaqësues i Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë ishte zgjedhur anëtar i Senatit e pastaj nënministër i Punëve Botore, kurse Ajdin Draga në Pleqësinë e Kuvendit të Shqipërisë.
Kuvendi Kombëtar i Vlorës dhe Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë shënoi përmbysjen e zgjedhës osmane, fundin e robërisë 500 vjeçare nën këtë Perandori, kurorëzimin, ndonëse jo të plotë, të përpjekjeve të gjata dhe luftën e pandërprerë të popullit shqiptar për liri e pavarësi. Qeveria e Përkohshme e Ismail Qemal Vlorës kërkoi që forcat ushtarake të shteteve pushtuese fqinje të largohen menjëherë nga trojet shqiptare, ndërsa nga Fuqitë e Mëdha u kërkua që të njohin Pavarësinë e Shqipërisë. Kështu, Qeveria e Përkohshme caktoi një komision në përbërje nga Ismail Qemal Vlora, kryetar i Qeverisë së Përkohshme, Isa Boletini dhe Luigj Gurakuqi, i cili në mars të vitit 1913 udhëtoi në Londër për të paraqitur kërkesat popullit shqiptar në Konferencën e Ambasadorëve lidhur me pavarësinë dhe tërësinë e territoreve, njohjen e shpalljes së pavarësisë të gjitha krahinave të vendit, pra edhe Kosovës e viseve të tjera.
Më 28 Nëntor 1912, dyzet delegatë kanë firmosur Aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në mesin e tyre është edhe Rexhep Mitrovica. Pra, firmuesit e pavarësisë janë: Ismail Qemal Vlora, Ilias bej Vrioni, Hajredin bej Cakrani, Xhelal bej Skrapari (Koprencka), Dudë (Jorgji) Karbunara, Taq (Dhimitër) Tutulani, Myfti Vehbi Efendiu (Agolli), Abas Efendi (Çelkupa), Mustafa Agai (Hanxhiu), Dom Nikollë Kaçorri, Shefqet bej Daiu, Lef Nosi, Qemal Beu (Karaosmani), Midhat bej Frashëri, Veli Efendiu (Harçi), Elmas Efendiu (Boce), Rexhep bej Mitrovica, Bedri Pejani, Salih Xhuka (Gjuka) – Dukagjini, Abdi bej Toptani, Mustafa Asim Efendiu (Kruja), Kemal Beu (Mullaj), Ferid bej Vokopola, Nebi Efendi Sefa (Lushja), Zyhdi bej Ohri, Dr. Ali Myrtezai (Ali Struga), Nuri Efendi Sojliu, Xhemal bej Deliallisi, Ymer bej Deliallisi, Zyhni Efendiu (Kanina, Mustafaraj), Aristidh Ruci, Qazim Kokoshi, Jani Minga, Dhimitër Zografi, Dhimitër Mborja (Emanuil), Dhimitër Berati, Pandeli Cale, Athanas Floqi, Spiro Ilua dhe Luigj Gurakuqi.
Tre delegatë: Aziz Efendiu (Gjirokastra), Mustafa Agai (Hanxhiu), Ibrahim Efendiu (Ali Shahini), ish prefekt i Shijakut, edhe pse ishin të pranishëm më 28 Nëntor, për arsye që ende nuk janë zbardhur, nuk kanë firmosur Aktin e Shpalljes së Pavarësisë.
Tridhjetë delegatë të tjerë: Jahja Efendiu (Ballhysa), Mehmet Pashë Dëralla (Tetova), Isa beg Boletini, Ajdin bej Draga, Dervish bej Ipeku (Begolli), Surja bej Vlora, Sami bej Vrioni, Dervish bej Elbasani (Biçakçiu), Mahmut Efendi Kaziu, Kristo Meksi, Sherif Efendiu (Langu), Myfit bej Gjirokastra (Libohova), Petro Poga, Jan Papadhopullo, Hysen Efendi Gjirokastra (Hoxha), Veli Bej Klisura, Veli Gërra Reshadia, Vesel (Jakup Veseli Margëlliçi, Aziz Tahir Ajdonati (Tahir Mete), Rexhep Demi, Qerim bej Begolli, Avni bej Delvina, Hamdi bej Ohri, Mustafa Efendiu Barotçiu, Ahmet Muftar beu Zogolli, Riza beu, Kurt Agai, Zenel bej Ipeku Begolli dhe Riza Beg Gjakova, kanë mbërritur me vonesë dhe nuk kanë mundur të firmosin Aktin e Shpalljes së Pavarësisë.
Katër delegatë: Ekrem Vlora, Dervish Hima, Hajdar Blloshmi dhe Dhimitër Ilo, pavarësisht dëshirës për të marrë pjesë në aktin e Shpalljes së Pavarësisë, nuk mbërritën në kohën e duhur.
Gjithë këta burra të shquar janë të barabartë përpara Kombit për Shpalljen e Pavarësisë dhe ngritjen e flamurit kuq e zi, prandaj meritojnë të nderohen njësoj. Ata erdhën për të bërë aktin zyrtar në emër të popullit që i zgjodhi t’i përfaqësojë, se vendimin e kishin marrë me kohë, madje disa nga qytetet e lira e kishin ngritur flamurin dhe festonin pavarësinë.
Shpallja e Pavarësisë hapi një etapë të re në historinë e Shqipërisë, etapën e shtetit të pavarur dhe të përpjekjeve për lirinë e gjithë shqiptarëve në viset e robëruara. Shpallja e Pavarësisë pati jehonë të madhe në Shqipëri, në Kosovë dhe në viset e tjera të pushtuara. Ishte një shpresë e madhe për ardhmërinë e popullit shqiptar, për bashkim, zhvillim ekonomik, kulturor, arsimor, shëndetësor etj. Që nga ajo kohë 28 Nëntori 1912 njihet si Dita e Flamurit dhe është festë kombëtare e gjithë shqiptarëve brenda e jashtë kufijve londinezë.
Diskutim rreth këtij postimi