Një shtëpi për të vdekurin, gjumin dhe qetësin e përjetshme në rrugën drejt gjykimit do të duhej të ishin varrezat. Por, ato me vendndodhje nëpër objekte kulti janë përtej kësaj simbolike sepse përfaqësojnë më shumë sesa vdekjen e zakontë, shumë shpesh përfaqësojnë historinë, heroizmin, sakrificën dhe devotshmërinë e personaliteteve që gjinden aty, ato ekzagjerojnë imazhin e besimit dhe mirësisë të ati objekti fetar.
Të tilla do të duhen të ishin edhe varrezat e Xhamisë së Haxhi Veselit sepse gjithë ata njerëz që lëngojnë trupin aty kryesisht janë dëshmor, patriot dhe njerëz të devotshëm të shek. IXX dhe XX.
Varrezat e lëna dëshmon vuajtjen dhe dashurinë e harruar. Do të duhesh të jesh shumë i pa fe nëse keqtrajton ato varreza, jo pse nuk ka njerëz të cilët i kanë harruar këto varre, por ka njerëz me përgjegjësi institucionale të cilëve nuk u intereson historia e lavdishme e shqiptarëve të Mitrovicës apo ndoshta edhe qëllimisht i abuzojnë ato.
Si për shembull ta marrim kur vite më pare gjatë punimeve në sheshin e Mitrovicës dolën në sipërfaqe mbetjet e eshtrave të njerëzve tashme anonim që i përkisnin “Xhamisë së Madhe” të rrënuar me 1926, nga ushtria e mbretërisë Serbe. Ishin këto eshtra si dëshmia e fundit se këtu ka qenë një xhami, ku tashme si gjurmë e saj e vetme ka mbetur vetëm “një gënjeshtër e kulluar” kinse nga gurët e kësaj xhamie është ndërtuar një aneks tek Xhamia e Zallit e shekullit XVIII, vetëm pse të krijohet një pretekst për ndërrimin e emrit dhe identitetit të saj dhe për t’iu mvesh emri i “pashës Boshnjak” Gazi Isa Beg Is’hakoviqit apo në origjinal, Isa Beg Hranushiçit i cili s’ka asgjë me Xhamin e Zallit dhe me Mitrovicën. Ky pashë ka qenë vëllau i Stjepan Vukçiç Kosaçit, duka i Bosnjës, një aleat i Vuk Brankoviçit i cili Is’hakun i ka dorëzuar Mehmedit II si peng, garanci për besnikëri dhe lojalitet. Përndryshe Xhamia e Zallit, ajo e vjetra rrënohet në vitin 1986 nga shqiptarë analfabet kur ishte në pyetje rruajtja e vlerave kulturore fetare, shqiptare dhe arkitektonike. Kjo xhami për kah vlera e saj ka qenë unikate në Kosovë dhe përngjante me tipare në xhamin e Ali Pashës në Ulqin.
Është e pakuptueshme se si shqiptaret lejojnë kështu ti tjetërsojnë ngatërrojnë historitë dhe identitetet në dëm të vetvetes.
E nisa këtë shkrim jo për gjyshin tim Maliqin dhe bashkëshorten e tij të varrosur në oborrin e xhamisë dhe i cili ka qenë i vrarë nga njësit speciale të xhandarmerisë serbe për vrasjen e shqiptarëve 3 dite para vrasjes tinëzare të Sherif Voces si i afërt dhe mik i tij, dhe 6 ditë para se të hynin forcat gjermane në Mitrovicë, me mendësi dhe qëllim të njëjtë pse është vra Isa Boletini, për ti eliminuar të gjitha ata shqiptarë që kanë ndikim në popull dhe të cilët do të ishin pengesë në qëllimet e okupatoreve. Por secili varr aty ka rëndësi për xhamin në fjalë dhe historinë e qytetit.
Sherif Voca një Shqiptarë nga familja atdhetare e Vocollve i cili si përfaqësues i regjionit te Shalës në parlamentin e mbretërisë SKS, pati guxim haptazi me fjalimin e tij, mu në mes Beogradit të kundërshtoj tentimin për shpërngulen e shqiptarëve nga Kosova për Turqi, për të cilin fjalim u përndjek deri sa e vranë. Ishte vëllai i Adem Vocës dhe familjar i Vocollëve të rënë kundër komunistëve në luftën e lavdishme të Pasomës me 1945 bashkë me kushërit e Maliqit: Feriz dhe Mon Stantërgun.
Këtu është i varrosur edhe Sali Rexhe Musa me bashkëshorten, njeriu i cili luftoi të njëjtit njësi ushtarake serbe që vrisnin ato ditë shqiptarët. Ne anën e djathtë të varrezave gjendet një gurë i cili tregon se aty është trupi i Mehe Gërgurit, por i cili nuk është aty i vetëm sepse aty janë edhe dy trupa tjerë, të Zekë Berbatovcit dhe Hazir Berbatocit, të gjithë nga fshati Gondanc të rrënë si dëshmorë të parë në luftën për mbrojtjen e Pazarit të RI, më 1943, trupat e të cilëve i ka tërhjek nga Kollashini dhe varrosë në xhami vet Mehmet Gradica po të njëjtën dite kur i ka lindë djali Mehës, Mehë Mehmeti tashmë me mbiemër të ndryshuar dhe i cili pas luftës së fundit e ka vendos atë gurë përafërsisht tek vend varret, sepse që të gjitha varret kanë qenë të rrafshuara. Është interesante të thuhet se ka gojëdhënë që me këta dëshmorë të Godancit është varrosur bashkë me kalin e saj edhe një bashkëluftëtare shqiptare, oficere nga Shqipëria. Detyrimisht lindë nevoja e ekzaminimit të hapësirës që të vërtetohet kjo dhe të evidentohen trupat e të gjithëve. Afër gurit të Mehës është një gurë me shkronja arabe dhe si duket këtu është i varrosur Shejh Kadriu, përfaqësuesi i tarikatit Kaderi në Mitrovicë, një varr shumë simbolik për xhami.
Nga ana e djathtë e Xhamise pak kush e din se aty gjindet varri i Nexhip Dragës, dhe familjareve të tyre. Nexhipi ishte ndjekësi dhe mbështetësi më besnik, më i devotshëm, i Hasan Prishtinës dhe Ismail Qemalit. Ishte shtyllë e fortë e shkollës dhe alfabetit shqip në Vilajetin e Kosovës dhe më gjerë në trojet shqiptare. Vdiq me 1921 në Vjenë i rrethuar nga studentët shqiptarë që studionin në Universitetet e Austrisë dhe u përcoll me nderime të mëdha për varrim në varret e vendlindjes, në Mitrovicë. Këto varre të Dragajve janë thyer pas luftës, kur edhe duhet bërë një investigim sepse ekziston mundësia që eshtrat e tyre të jenë nxjerr dhe hedhur ndokund.
Po si është sot gjendja e Xhamisë se Haxhi Veselit?
Mund të themi se gjendja e xhamisë nga ana e jashtme është totalisht degraduese, e mjerueshme dhe qëndron si një ngrehin e shëmtuar ndoshta qëllimisht për ta krijuar përshtypjen se ajo duhet rrënuar si një i objekt i pavlerë. Në hyrje nga ana e majtë si një rast i paprecedent në objekte fetare është WC-ja kurse anën tjetër është një dyqan mallrash, hapësirë ku ka jetuar mulla Mustaf Vidishiqi, një antikomunist dhe i përndjekuri i regjimit Jugosllav. Tutje nga ana e djathtë ku gjinden varrezat e Dragajve janë të vendosur raftet për këpuca dhe e cila hapësirë është mbuluar me konstruksion metalik të shëmtuar e të mbështetur në murin e jashtëm të xhamisë me tulla betoni pranë të cilës janë të vendosura kontejnerët për grumbullimin e plehrave. Muri vazhdon deri mbrapa xhamisë e cila ndanë varrezat me një tjetër mur të vendosur pa asnjë arsye, ndoshta me qëllim që të degradohen edhe më shumë varrezat në të cilën hapësire shumë shpesh hidhen mbeturina dhe konstruksione metalike të një qiramarrësi brenda oborrit të vakëfit. Ka pas raste më parë kur mbi varreza janë hedhur mbeturinat nga prerja e kurbanëve.
Duhet cekur se ligji penal i Kosovës dëmtimin e qëllimshëm të varrezave e penalizon deri në 5 vjet burgim. Por kjo nuk e ka brengos askënd deri më tash, kur edhe ka ardhur koha që organet kompetente: Komuna e Mitrovicës, Ministra e Kulturës dhe Bik-u të ndërmarrin diçka për rikthimin e këti objekti në një hapësirë të rëndësishme historike dhe kulturore në Mitrovicë.
Diskutim rreth këtij postimi