Nikollë Camaj, ish profesori i Letërsisë dhe gjuhës shqipe, në Gjimnazin e Tuzit, i cili këtë detyrë e kreu më nderë, për mbi 20 vite, për çka flasin me plotë respekt gjenerata të tëra të të rinjve e të rejave malësore, tani ushtron funksionin e deputetit, në Parlamentin e Malit të Zi. Pas 33 viteve të veprimtarisë kombëtare, mendoj se posti i deputetit shkoi te personi që e meritoi më së tepërmi, ndër shqiptarët e këtushëm. Po ashtu jam i bindur se me Nikollën shqiptarët do të jenë denjësisht të përfaqësuar në legjislativin e sapo konfirmuar.
Ai u kyç në lëvizjen gjithëkombëtare të shqiptarëve në Malin e Zi, më 1990, me ç’rast u formua partia e parë politike e shqiptarëve të këtushëm, LDnëMZ, sekretar i së cilës u zgjodh, në kuvendin themelues, më 09 shtator 1990 , në Tuz. U zgjodh në këtë detyrë si njëri prej të rinjve më të ekspozuar politikisht, në fillimet e organizimit politik shumëpartiak në Jugosllavi. Polemikat e tij të guximshme, në të vetmen gazetë të asaj kohe, “Pobjeda”, bën buj ndër shqiptarët e Mali të Zi.
Aso kohe u njoftova edhe unë me të. Dhe që nga ajo kohë asnjëherë nuk më la hapësirë ta shoh ndryshe vetëm si një veprimtarë të palodhshëm të çështjes kombëtare, i gatshëm edhe për sakrifica të shumta, pa llogaritur kurr pasojat e mundshme për të dhe familjen e tij. E si një prej sakrificave e vlerësoj edhe kthimin e tij nga SHBA, kur kishte migruar për të ikur nga mobilizimi i dhunshëm për luftë në Dubrovnik, që e ndiqnin këmba-këmbës, pas ekspozimit të tij në mitingun anti-luftë, të opozitës malazeze në vitin 1991, por që posa kaloi mobilizimi, u kthye, edhe pse në atë kohë çdokush tentonte të ik, pasi që, siç do të shihet, rreziku nga luftërat nuk kishte përfunduar, por po bëhej gati për një gjakderdhje të tmerrshme, e që po i kanosej edhe trollit shqiptar që ishte nën pushtimin jugosllav, kurse në anën tjetër gjendja ekonomike ishte e mjerueshme.
Se kush ishte Nikolla e dëshmoi edhe gjatë agresionit serb në Kosovë, me dyert e hapura për të përndjekurit, kalimtarët e hallëxhinjtë e shumtë të asaj kohe, e ndër të cilët ndodhesha shpesh edhe unë, që i shkonim, kohë e pakohë, në konak. Më mbetet në kujtesë një vizitë e pas mesnatës dhe “kafja mas bukës” kur isha mysafir më kusheririn tim tani të ndjerë Isuf Dacin, e që në konakun e Nikollës shkuam shumë vonë pas mesnates. Posa hymë mbrenda, nusja e tij na pyeti se çfarë i pinin kafet, e unë që isha më i ri se Isufi, por që njihesha më parë më familjen Camaj, ia prita që ne kafet i pinim pas buke. I thadh nuses se Nikollës se bukë kishim ngrenë diku par nja 18 orëve. U shtrua sofra si çdo herë me të gjitha të mirat. E ne pasi hëngrëm e pimë mirë e mirë, Zojës iu drejtova se kafen mund ta linte edhe për në mëngjes.
Vizitat e shpeshta në Rozhajë dhe fshatrat përreth ku qëndronin mijëra të debuar nga Kosovë, Nikolla i shfrytëzonte të sillte ekipet televizive botërore, për të njohur botën me eksodin kosovar. Këto vizita Nikollën e bëjnë unik ndër politikanët shqiptarë të kohës dhe liririsht mund të them se ishte i vetmi që vizitoi Rozhajën, qendren më të madhe të egzodit ato dy vite. Reagimi i tij i shpejt përmes radio “Evropa e lirë” shpëtoi nga vdekja e sigurt qindra kosovarë, të cilët me autobusë ishin drejtuar nga Rozhaja drejt Hanit të Hotit, e Andrijevicës e që ishin kidnapuar nga forcat paramilitare e militare serbe. Duhet rikujtuar se si përgjegjës për media, është meritor për realizimin e filmit dokumentar të RTVMZ, kushtuar refugjatëve kosovarë, reizuar në vitin 1998 ”Gjurmet e shpreses”- “Tragovi nade”. Po ashtu, duhet të shtohet se vizitat e tij kurrë nuk munguan, në të gjitha trevat shqiptare, si kur këndonim, si kur qanim, në festa kombëtare, familjare e fetare, gjithmonë prezent me ne, dhe për këtë pra mbete përfaqësuesi më unik e më autentik i shqiptarëve në këtë shtet.
Duhet veçuar se derisa shërbeu si ndihmës-sekretar për medie, pranë Qeverisë së Malit të Zi (1997-2001) themeloi gazetën e parë shqipe “Koha javore” dhe disa studio radio- televizive në gjuhën shqipe, publike e private, ku për herë të parë u punësuan dhjetëra gazetarë profesionistë, shqiptarë.
Pas arritjeve kolosale të komunës së Tuzit Nikollë Camaj ishte kryetari i parë i Kuvendit të Komunës së Tuzit.
Themeloi dhe drejtoi LDSH, të cilën e fuqizoi nga tri degë të LDnëMZ dhe nga asnjë votë në vitin 2014, ai bëri që sot ky subjekt politik shqiptar të ketë 5 këshilltarë dhe nënkryetarin e komunës, në Tuz, 4 këshilltarë e kryetarin e Kuvendit në Guci, deputetin e vet dhe mbi 5 funksione të ndryshme në Qeverinë e Malit të Zi, në ndërkohë që Partinë, si tejet të stabilizuar, ua dorëzoi kuadrove të rinj, në Kuvendin e fundit, mbajtur në korrik të 2023. Edhe me këtë akt, ai e dëshmoi se asnjëherë nuk ka qenë i lidhur me funksion sa me misionin që t’i shërbejë kauzës sonë kombëtare.
Bashkë inicues i kërkesës për vendosjen e monumentit të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në qendër të Tuzit, kërkesë kjo që do të realizohet këtë vit.
Duhet veçuar se për një mandat 2019-2023 e ushtroi detyrën e shërbimit komunal në Tuz, me çka, po ashtu dëshmoi gatishmërinë e vet për të kontribuar aty ku ka më së tepërmi nevojë vendi.
Gjithsesi, Nikollë Camaj mbetet njëra ndër figurat kryesore dhe më markante të politikës shqiptare në Malin e Zi, pjesëmarrës i shumë aktiviteteve me karakter kombëtar, në gjithë hapsirën shqiptare, e atë ndërkombëtare, njohës dhe mbrojtës i pakontestueshëm dhe i pakompromis, i trashëgimisë sonë; autor i shumë artikujve nëpër gazeta shqipe e sllave, sot doktorant në Universitetin e Zagrebit, punë kjo që e ka lënë pas dorë për shkak të angazhimeve të shumta në politikë. E gjithë kjo dëshmon se kemi të bëjmë me një njeri të gjithanshëm, të fjalës e besës.
Në fund, meqenëse e njoh edhe privatisht, më lejoni të shtoj pak edhe për gjenezën e këtij burri malësor, i cili veprimtarinë kombëtare e ka në gjene. Gjyshin Pjetër, ia kanë pushkatuar komunistët, 1945, ndërkohë që babain Rrokun ia kishte torturua OZNA jugosllave , sepse i kishte “brit vaj” bajraktarit të Hotit, vdekur në Damask-Siri, ku kishte ikur nga regjimi komunist, e me ç’rast Rroku e kishte kritikuar e sulmuar ashpër sistemin sllavo- komunist.
Nikolla është i martuar dhe ka tre djem, prej të cilëve Klementin doktor shkencash dhe profesor të rregullt në Universitetin “The West Scotland”, në Londër, edhe vet ai i martuar më vajzën drenicake dhe baba i një djali, tjetrin regjisor filmi, kurse të tretin, student të ekonomisë. Këtu po e theksoj edhe një herë se në shtator të këtij viti mbushën plot 33 vite që kur Z. Nikollë Camaj, u kyç më vullnet e vetëdije të plotë në jetën politike të shqiptarëve nën Malin e Zi. U deshën kaq vite që ky burr të përballët më shumë padretjtësi e besa edhe paburreri që të jetë aty ku duhej të ishte, në ulësen parlamentare. Çdo mandat që fitoi subjekti politik shqiptar ai duhej të ishte aty, por që egot, bajraktarizmat dhe karrieristet e decenjeve e kanë bërë të vetën, kurse Nikolla asnjëherë nuk u luhat, sepse siç e ceka, ai politikën gjithnjë e pati për mision e pasion, e jo për funksion.
Nikollë Camaj zgjidhet deputet për herë të parë edhe pse pra, me punën e vet e ka merituar shumë më herët, por modestia e tij dhe gatishmëria e tij për të përkrah të tjerët, në veprimtarinë e tij gjithnjë ishin prioritet.
Nikollë Camaj ka një bagazh dhe trashëgimi që mund të krenohet, siç mund të krenohemi me te edhe ne që e njohim.
Diskutim rreth këtij postimi